Pse ende persekutohet Bregu?

Botuar në Gazetën Telegraf më 10/11/2014

breguHimara historike dhe qëndrimi sfidues i Ligjit 7501

Në brigjet e Jonit, në mes të fshatrave Dhërmi-Vuno, i ndërtuar në mes të gjelbërimit, ndodhet fshati im i lindjes, Iliasi. Iliasi i sotëm, buzëqesh dhe na tregon rrënjët e tij të lashta: Urinë, Cipin, Vralinë, Katafiqin-kalanë më të vjetër të botës ilire. Treva e Himarës ka faunën dhe florën e mrekullueshme, origjinalitetin e saj, ka skeptrin princëror, guximin që i ka bërë dhe po i bën ballë padrejtësisë. Ja vlen të thuhet diçka më tepër për këtë trevë të lashtë ilire. Historia e saj është e mbushur me ngjarje e personalitete tek të cilët shquhet dashuria për lirinë, për pavarësinë, shquhet trimëria, ndjenja e të pabindurit për t’u nënshtruar. Në shekuj ajo, për hir të vet himarjotëve më në zë për trimëri e mençuri, mbeti e lirë. Nuk e mori as nuk e shkeli dot turku, as me fermanë, as me djallëzi. Këmbimi i fesë kristiane nuk u pranua para asnjë kushti.

Homeri e ka përmendur shpesh në veprat e tij. Marin Barleti, duke e cituar poetin e madh legjendar, thotë se: Himara është një vend bregdetaro-malor, kundrejt Kolkyrës, me një popull luftarak. Princi Balsha ka qenë zotërues i Himarës. Për fat të keq nuk dihet ç’u bë përkrenarja prej bronzi tipike ilire e shek. V para Krishtit, e gjetur në Palasë. Pukëvili thotë se në Himarë ndodhet Burimi i Argjendtë, që e përmend Plini, ku vinin edhe perandorët e Bizantit. Kanë shkruar shumë autorë legjendarë për të, për të mos harruar gjeniun e romantizmit, poetin anglez Bajron! Leon Rei, shkencëtar francez shkruan: “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Gjeneral Dhimitër Leka qe himarjot. Pikërisht këtij, Jeronim De Rada, nga Himara, i ka kushtuar veprën e tij të mrekullueshme “Milosaon”. Ndoshta më të shumtët nuk e dinë që motra e heroit të Revolucionit grek, Marko Boçarit, është martuar në Dhërmi tek Kocanajt. Dhe sa e sa kapedanë të njohur: Kostandin Kasneci, Kristo Bega, Andrea Pavllo Vreto, Hil Kristofori nga Vunoi.. Nuk do t’ia falja vetes po të lija pa përmendur punën e paçmuar dhe kontributin e madh që kanë dhënë me mëndje dhe penë për krahinën e Himarës dhe përtej kufijve “Vetëtimat e maleve të Vetëtimës” si: shkrimtarë e gazetarë të mirënjohur: Petro Marko, Anastas Kondo, Pavllo Gjidede, etj..

Bregu i persekutuar dhe politika

Këto emra, këto copëza historie, duhet t’i imponojnë politikës dhe shkencës shqiptare, t’i kthejnë sytë nga Himara ilire. Në krye të këtij legjioni heroik ata qëndrojnë bashkë, të patundur, të denjë për emrin himarjot. Të gjitha partitë politike do të bënin mirë që të kenë parasysh botën globale dhe jo konceptet që mbartin tensione të kota. Ne besojmë se do të zëri vend vizioni i ri emancipues europian. Ne besojmë në një realitet, ku etnitë dhe popujt i zhdukin kufijtë duke respektuar të drejtat e secilit komb, traditat, gjuhën, kulturën, historinë dhe patriotizmin e tyre. Të jesh patriot është në ndërgjegjen e secilit. Të duash atdheun tënd, nuk është sakrilegj. Të duash dhe të respektosh familjen tënde, prindërit e tu, farefisin, krahinën, ku ke lindur dhe je rritur, nuk është herezi. Unë jam nga kjo trevë, ku dhe trëndelina mbin mbi valë. Ndërgjegjja ime flet pastër dhe qartë për hallet dhe problematikën e madhe të pronësisë që ka kjo krahinë. Për këtë trevë, për hir të saj, kam patur dhe kam kurajën t’i ndihmoj sado pak, me shpirt e zemër, banorët e zonës duke i shikuar drejt në sy, me shkrimet e mija modeste, për të drejtën e tyre legjitime të pronës, të trashëguar brez pas brezi. Këtë të drejtë e kanë kërkuar dhe do ta kërkojnë derisa të realizohet ëndrra e të parëve, që djersën dhe mundin e tyre ta gëzojnë fëmijët dhe nipërit, dhe askush tjetër. Nuk është e drejtë që shumë familje të ikur me banim nga fshati, Ligji 7501 u dha shumë pak tokë bujqësore, për te mos thënë që s’u dha fare. Ndërkohë që të gjithë, njësojë, ja dhanë pronat e tyre të trashëguara nga stërgjyshërit, kooperativës bujqësore, duke iu bindur kështu reformave të mbrapshta të asaj kohe. Atëherë lind pyetja e ligjshme: Pse të bëhet ky persekutim pronash, disa të marrin në pronësi dhe nga pronat e të tjerëve dhe disa shumë pak?! Ky është persekutim emocional, moral, fizik e njerëzor që do të bëhet, po të zbatohet Ligji famëkeq 7501. Po ku është parë e dëgjuar, me ç’të drejtë morale apo ligjore, në kë Nen të Kushtetutës e cila është shkelur me të dy këmbët, flitet që të abuzohet apo të ndëshkohen pronarët e ligjshëm të Bregut, ndërkohë që po legalizohen dhe po u jepen tapitë, për ndërtimet pa leje të shtëpive, të cilat janë bërë në tokat e zaptuara, nga banorët e ardhur në zonat urbane?! Ç’është ky paradoks kështu, pse persekutohet Bregu me 7501-n, kur ¾ e vendit kanë marrë secili pronat e tyre?! Të kuptohemi drejt, s’kemi asgjë me ta, ata t’i gëzojnë e t’i trashëgojnë, po pse ca të trajtohen si të nënës e ca si të njerkës, e sidomos kur i kanë tokat e tyre të ligjshme e të trashëguara?! Kujt i shërben kjo ndasi, kjo politikë e keqe, ky Ligj i mbrapshtë, të cilin e kemi në qafë nga dy partitë e mëdha që e implementuan këtë Ligj që në 1991?! Për komunitetin e Bregdetit ky Ligj nuk duhet të zbatohet, pasi jo vetëm që po sjell shqetësime ndër banorët e midis fiseve, por është ofendues, diskriminues dhe konfliktual dhe turp për qeveritë e kaluara, të cilat nuk e vunë ujin në zjarr, por futën trazirat në këtë krahinë. Shpresojmë dhe besojmë te qeveria e Rilindjes, se do të marrë parasysh shqetësimin dhe kërkesën tonë të ligjshme, që të mos zbatohet 7501-shi, por toka t’i jepet pronarit të vërtetë të cilën e ka të trashëguar nga të parët, që e kanë blerë me flori dhe me djersë e sakrifica. Në emër të gjithë bashkëkrahinasve të mi, i bëj thirrje qeverisë së sotme, të korrigjojë këtë padrejtësi, të ketë prioritet dhënien e të drejtës së pronës çdo personi që e ka të trashëguar atë. Ideale do të jetë ngritja e një komisioni të posaçëm, duke marrë pjesë kryepleqësia e secilit fshat, si dhe të moshuar që i dinë mirë sinoret dhe kufijtë, se vetëm kështu prona do të shkojë te pronari i ligjshëm dhe jo te i korruptuari, mashtruesi, dallaverexhiu, etj., etj.. Vetëm kështu do të jenë në paqe me veten dhe me shtetin banorët e kësaj krahine. Atëherë do të themi, me gojën plot, se kemi mbi kokë shtetin Ligjor, shtetin e së drejtës. Kjo nuk është vetëm kërkesa e banorëve të zonës, por dhe një nga kriteret bazë që duhet të plotësojë qeveria e Rilindjes për t’u integruar në BE.

Eglantina Bifsha Bajrami


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

 

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Integration, Posts in Shqip dhe u etiketua me , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s