Botuar në Gazetën Telegraf më 10/11/2014
Himara historike dhe qëndrimi sfidues i Ligjit 7501
Në brigjet e Jonit, në mes të fshatrave Dhërmi-Vuno, i ndërtuar në mes të gjelbërimit, ndodhet fshati im i lindjes, Iliasi. Iliasi i sotëm, buzëqesh dhe na tregon rrënjët e tij të lashta: Urinë, Cipin, Vralinë, Katafiqin-kalanë më të vjetër të botës ilire. Treva e Himarës ka faunën dhe florën e mrekullueshme, origjinalitetin e saj, ka skeptrin princëror, guximin që i ka bërë dhe po i bën ballë padrejtësisë. Ja vlen të thuhet diçka më tepër për këtë trevë të lashtë ilire. Historia e saj është e mbushur me ngjarje e personalitete tek të cilët shquhet dashuria për lirinë, për pavarësinë, shquhet trimëria, ndjenja e të pabindurit për t’u nënshtruar. Në shekuj ajo, për hir të vet himarjotëve më në zë për trimëri e mençuri, mbeti e lirë. Nuk e mori as nuk e shkeli dot turku, as me fermanë, as me djallëzi. Këmbimi i fesë kristiane nuk u pranua para asnjë kushti.