Botuar në Gazeetën Shqip, më 17 prill 2014, nga Ylli Pata / Bledar Hoti
Dossier/Si ndryshoi teksti i draftit, Azem Hajdari i kërkon PD-së të tërhiqet. Gjithçka ndodhi në 8 ditët e diskutimit
Procesverbali i 11-19 korrikut 1991. Ligji “Për Tokën” shqyrtohet dhe miratohet në kaos
Dy muaj pasi ishte krijuar qeveria e stabilitetit, e drejtuar nga Kryeministri Ylli Bufi, në korrik të ’91, në Parlament paraqitej projektligji që do të përcaktonte themelin e pronës bujqësore në Shqipërinë e sapodalë nga periudha e egër e komunizmit. Sot, pas 23 vitesh, ai është një nga ligjet bazike të Republikës dhe megjithatë më i kontestuari. Është më i mbrojturi politikisht dhe realisht më i pazbatuari. Por përveç kësaj, Ligji 7501 “Për tokën bujqësore”, është miratuar nga Kuvendi më 19 korrik të vitit 1991 pa respektuar në mënyrë rigoroze procedurat parlamentare, me të cilat duhet kaluar, shqyrtuar dhe miratuar çdo draft ligjor. Edhe pse 23 vjet me vonesë, kjo mund të vihet re shumë mirë në procesverbalin e seancave plenare maratonë të korrikut të vitit 1991, të cilat janë drejtuar nga Aleksandër Meksi, në atë kohë nënkryetar i Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e para të lira, ato të 31 marsit të 1991-shit.
Sipas procesverbalit zyrtar të seancës plenare, i cili është i vetmi dokument autentik arkivor, Ligji 7501 është shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar kuturu, duke u votuar në mënyrë “fshatçe” pa përcaktuar apo shënuar numrin e votave që ka marrë në fillim në parim, më pas të 27 neneve e Ligjit 7501, ndërkohë që ajo që është më e rëndësishme dhe që përbën faktin më skandaloz, ligji që ndau tokat e shqiptarëve nuk është votuar në tërësi, çka përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe kushtetuese. Sipas praktikës parlamentare, Rregullores së Kuvendit të asaj kohe, drafti në seancë votohet në parim, nen për nen dhe më pas në tërësi. Shkelja e rëndë faktohet në procesverbalin zyrtar të seancës plenare të miratuar të datave nga 11-19 korrik, të cilin “Shqip” e disponon të plotë. Në të nuk ka asnjë rresht apo shifër për votat që Ligji 7501 mori në tërësi. Vazhdoni leximin →
Ndajeni këtë me të tjerët: