Pronarët: Qeveria po i trajton pronat tona si “pronë shtetërore”

Botuar në Gazetën Telegraf më 19/11/2014

pronatProjektligjet e qeverisë për dhënien e pronësisë në bazë të VKM-ve 452 dhe 161, në kundërshtim me vendimin pilot të Strasburgut

Në tryezën e datës 24 Tetor 2014 për pronat, organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe AKKP, nga të gjithë diskutuesit u evidentua qartë situata e anarkisë së pronave dhe në emër të Qeverisë, zv. Ministri Idlir Peçi shprehu shqetësim dhe gatishmërinë e Qeverisë për korrigjimin e gabimeve dhe vullnetin për zbatimin e Kushtetutës.

Ndërkohë, pronarët janë të shqetësuar për faktin se Qeveria ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për miratim një projektligj për dhënien e tapive për personat që kanë marrë toka në përdorim sipas VKM-së nr. 452. Por, nëse ky projektligj miratohet, për pronarët, do të evidentohet fakti se Qeveria nuk ka kapacitetet e duhura qe ta lexojë Kushtetutën dhe pasojat kuptohen. Sipas tyre, në pikëpamjen juridike hapat e Qeverisë kanë të njëjtin defekt lidhur me shkeljen e të drejtës së pronësisë dhe nuk mund të pretendohet se ka vullnet për të zbatuar përmbajtjen e Nenit 41, 42 dhe të Nenit 181 të Kushtetutës. Nëse ka vullnet për zbatimin e Kushtetutës, thonë pronarët, Qeveria duhet ta tërheqë këtë projektligj, pasi ai është veprim «Nul». Nga ana tjetër, miratimi tij me mekanizmin e numrit të kartonëve, për shkak të interesave personale dhe pragmatiste të deputetëve do ta komplikojë situatën.

 Projektligjet e qeverisë për dhënien e pronësisë në bazë të VKM-ve 452 dhe 161, në kundërshtim me vendimin pilot të Strasburgut

 Për të sqaruar këtë pikëpamje, paraqesim vlerësimin kritik mbi thelbin e projektit të qeverisë që pronëson familjet që kanë përfituar tokë me VKM-në nr. 452 dhe 161. Është faktuar që shumë nga aktet e dhënies së pronësisë janë dhënë në shkelje me përmbajtjen e këtyre VKM –ve. Përmendim faktin që Komisioni i ngritur për verifikimin e zbatimit të ligjit për tokën, në vartësi të Prefektit në Qarkun e Vlorës, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka kryer asnjë veprim, aq sa Shoqata Bregdeti, ka paditur në gjyq Prefektin dhe ka fituar.

Me projektligjin e fundit që bazohet në:

1) VKM “Për ristrukturimin e Ndërmarrjeve Bujqësore” nr. 452 dt 17.10.92;

2) VKM nr.161 dt 8.4.1993 “Për disa shtesa e ndryshime në vendimin e lartpërmendur të KM nr. 452 dt. 17.10.1992, si dhe Udhëzimin nr. 5 datë 25.5.1993, të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të NB-ve në zbatim të VKM nr. 161, Qeveria vjen në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut, me Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut; me Rezolutat e përsëritura të Parlamentit Europian për pronat në Shqipëri, me nenet 4, 15, 17, 41/2, 122/2, dhe 181 të Kushtetutës në fuqi dhe vendimin pilot të GJEDNJ. Me këtë projektligj, Qeveria thellohet edhe më tej në atë rrugë që ish Kryeministri Sali Berisha, ndonëse e dëshiron triumfin deri në delir, e pranoi publikisht se ka gabuar. Të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e pronës së trashëguar dhe zbatimin e Kushtetutës në fuqi, por nuk po gjejnë rrugëzgjidhje, sepse për pasuritë e paluajtshme, të grabitura nga regjimi i diktaturës vazhdon të mbahet në përdorim sot e kësaj dite emërtimi “pronë shtetërore”, në një kohë kur Kushtetuta e vitit 1976 u shfuqizua me ligjin 7491 dt. 29. 4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, datë në të cilën duhej të bëhej edhe rehabilitimi ekonomik i pronarëve të shpronësuar, sipas titullit të mirëfilltë të pronësisë. Kjo ka qenë dhe mbetet detyrim kushtetues i Shtetit dhe këtu zënë fill gabimet e periudhës Berisha-Nano. Kur Kushtetuta dhe ligjet e shtetit nuk zbatohen, vendi futet në krizë dhe në anarki.

Shkelja e Kushtetutës

Ligji nr. 7692 datë 31.03.1993 “Për një shtojcë në ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” në nenin 27 rithekson të njëjtin parim kur thotë: “Askujt nuk mund t’i mohohet e drejta të ketë pronë private vetëm ose së bashku me të tjerë, si dhe e drejta për të trashëguar. …- Askush nuk mund të shpronësohet, përveç se për një interes publik dhe kundrejt shpërblimit të plotë”. Kushtetuta në fuqi, në nenin 4 thotë: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërdrejti…..”; neni 5 thotë: “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”, Neni 122/2 thotë: “Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Praktikisht, Kushtetuta në fuqi në

kapitullin e lirive dhe të drejtave të njeriut ka ripërsëritur nenin 4 dhe 8 të ligjit nr. 7491 “Për Dispozitat Kalimtare Kushtetuese”; po ashtu nenin 27 të ligjit 7692 si dhe Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Ndërkombëtar,e duke përsëritur qartë respektimin dhe paprekshmërinë e pronës private. Meqenëse prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil (Neni 41/2 i Kushtetutës), kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore (Neni 44). Ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, që kanë të bëjnë me shpronësimet e konfiskimet, do të zbatohen kur nuk vijnë në kundërshtim me të (Neni 181/2). Megjithatë është bërë dhe po bëhet e kundërta, jo vetëm kur në drejtim të problemeve të Shtetit ishte Sali Berisha, por edhe sot.

Av. Pirro Totozani: Pasurimi i qeveritarëve me pronat e të shpronësuarve

Për të treguar rrugën e gabuar të kabinetit të Kryeministrit Edi Rama, paraqesim analizën juridike të bërë 14 vjet më parë prej avokatit të shquar Pirro A. Totozani, që thotë: “V.K.M. nr. 452 dt.17.10.92 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve Bujqësore” në pikën 2 përcakton “Toka e këtyre ndërmarrjeve bujqësore, ose e njësive të tyre, që do të shpërndahen e që kanë qenë pronë e kooperativave bujqësore, t’u jepen në pronësi familjeve të ndërmarrjeve bujqësore. Në ndarjen e tokës të zbatohen kriteret e vendimit të Këshillit të Ministrave” . Në logjikën e këtyre Vendimeve, Qeveria nuk ndan pronën e grabitur nga diktatura dhe të emërtuar nga Kushtetuta e 1976 “prona shtetërore”, por e komandon atë sikur të ishte pronë shtetërore e mirëfilltë. Ndonëse ky vendim sot është i amenduar, i ndryshuar shumë herë dhe praktikisht i shfuqizuar, prej tij kanë rrjedhur vendime të tjera që vazhdojnë të jenë në fuqi dhe po ashtu rezultat i zbatimit të atij vendimi ishte përvetësimi i pronës private (që i përket të shpronësuarit) dhe i asaj shtetërore të fermave shtetërore, nga ata që konceptuan të pasurohen padrejtësisht nga zotërimi i një posti politik ose administrativ. Prandaj, ai vendim dhe pasojat e rrjedhura prej tij duhet të shpallen juridikisht të paqena, të paktën për ato pjesë toke që u përkasin të shpronësuarve nga regjimi i diktaturës”. Më tej Avokati thotë: “V.K.M. nr. 161 dt. 8.4.93 në pikën 1 përsërit të njëjtin kufizim haptas të padrejtë për të shpronësuarit. Ajo që duhet t’u kthehet të shpronësuarve realisht është cunguar më tej me udhëzimet e nxjerra nga Ministria e Bujqësisë, gjoja në zbatim të këtyre vendimeve. Kështu, në Udhëzimin nr.5 dt.25.5.93 pika 1 thuhet: Përfitojnë vetëm ato familje …”të cilat kanë banuar dhe vazhdojnë të banojnë në qytetin përkatës…” , ndërsa pika 7 e po këtij udhëzimi shton edhe një kufizim tjetër kohor, që nuk e ka as vetë ligji, ku thuhet: “Për të përfituar tokë sipas pikave të më sipërme familjet qytetare duhet të vërtetojnë qenien e tyre si themelues të ish kooperativës ose NB deri në qershor 1993”. Po ashtu edhe Udhëzimi nr.106 dt.23.2.1996, në pikën 3 pg. 4 dhe 5 shton si kusht … “Numrin e pjesëtarëve të familjes më 1 tetor 1992 që vërtetohet me certifikatën përkatëse”. Pronarit të shpronësuar, në tokën e të cilit ishte ngritur ferma, e që parashikohej për t’u shpërbërë, me miratimin e këtyre ligjeve të lartpërmendura, i takojnë “letrat me vlerë”, ndërsa ish-drejtorët dhe persona të tretë pa asnjë titull pronësie bëhen pronarë, sikur të ishin ata trashëgimtarët e vërtetë të pronarëve të shpronësuar. Të shpronësuarit i vihet kushti që ai të jetë punonjës i fermës dhe banues në po atë qytet, që të ketë të drejtën të përfitojë si sasi aq sa do të vendosi Ministria e Bujqësisë dhe kryetari i Komisionit të Tokës, madje dhe si vend jo aty, ku mund të preferojë i shpronësuari, por aty ku do të ia caktojë komisioni(!!). Kjo është një hile e paramenduar në kundërshtim të plotë me liritë dhe të drejtat e individit të shpronësuar, pasi shteti edhe pse qysh në vitin 1991 u shpall demokratik dhe pranoi ekonominë e tregut, respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, u soll dhe po sillet ende si pronari i pronave të grabitura. Me të gjitha këto, qeveria postkomuniste në vend të drejtimit euroatlantik dhe demokracisë nëpërmjet ligjit, e mohoi demokracinë e vërtetë”. Këto analiza të thella juridike i janë adresuar Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që në Shtator 2000, por nuk është bërë asgjë konkrete. Për pasojë anarkia e pronës dhe pasojat e saj janë thelluar më tej.

Pronarët thirrje Kryeministrit dhe Presidentit të anulojnë projektligjet që grabisin pronat e tyre

 Të gjitha ligjet e miratuara pas vitit 2000, përfshi Ligji 9235/2004 (i ndryshuar) bien ndesh me detyrimet kushtetuese dhe specifikisht me Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës, sepse prona e grabitur nga diktatura është trajtuar si pronë e qeveritarëve. Deri më tani janë afro 27 ligje, 234 vendime, 356 amendime, 152 udhëzime, dhe 6 dekrete dhe miratimi i këtij propozimi i shtohet anarkisë së pronës kur qeveria Rama dhe të gjithë politikanët e kanë të qartë se Vendimi pilot i GJEDNJ datë 31 Korrik 2012, ka caktuar afatin 18 muaj për zgjidhjen e problemit të pronave konform detyrimeve kushtetuese. Për sa më sipër pronarët mendojnë se është në nderin dhe dinjitetin e Kryeministrit, ta tërheqë këtë projektligj, në nderin e Kuvendit të Shqipërisë të mos e pranojë këtë projektligj dhe në nderin e Presidentit të Republikës që ta kthejë këtë ligj me vlerësimin se ai bie ndesh me nenin 181 të Kushtetutës.


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, Posts in Shqip dhe u etiketua si , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

1 mendim mbi “Pronarët: Qeveria po i trajton pronat tona si “pronë shtetërore”

  1. Kjo qe po ndodh ne Shqiperi lidhur me mos kthimin e pronave dhe mos zbatimin e kushtetutes eshte antikapi me absurd qe mund te kete ndodhur ne historine e Popullit Shqipetar, sepse edhe kolektivizimi qe beri Enveri, token e konsideronte prone Grupi pra sejcilit qe ishte bashkeformues i kooperatives ishte edhe bashkepronar. Por cuditerisht regjimi postkomunist ligjeroi mosnjohjen e prones, duke vertetuar se ishte nje regjim absolutisht antidemokratik, sepse ndarja e tokes per fryme te popullates ne menyre te barabarte ishte ne kundershtim me konventat nderkombetare te te drejtave te njeriut. Gjithashtu te gjitha qeverite qe erdhen ne Shqiperi pas asaj te Sali Berishes ruajten, amenduan, zbatuan e thelluan me akte ligjore e neneligjore qendrimin antipronar e antikushtetues. Sa per dieni ne historine e tij Populli Shqipetar eshte qeverisur me 11 kushtetuta dhe qe te gjitha njihnin dhe mbronin Pronen Private, si dhe zbatoheshin nga Qeverite perkatese. Vetem Qeverite post komuniste, ne Shqiperi, nuk e zbatojne Kushtetuten, megjithese eshte miratuar me Referendum mbarepopullor. Edhe Qeveria RAMA qe po rreh gjoksin se Kjo maxhorance do beje shtet, eshte deklaruar se per kthimin e prones tek i zoti trashegimtar nuk do ta zbatoje kushtetuten !. Por njeheresh hidhet perpjete se do beje medoemos reforme ne drejtesi dmth qe ne shqiperi drejtesia te zbatoje ligjet dhe te jape te drejten qe i takon cdo subjekti Dmth ben demagogji, sepse cfare drejtesie do beje derisa ai vete deklarohet se per pronat do zbatoj ligjin 7501 pastaj do zbatojme kushtetuten ?. Reforme ne drejtesi nuk do te thote qe te hiqen disa gjyqetare apo prokurore e te zvendesohen me te tjere, por te revizionohet gjithe sistemi e gjithe baza ligjore konforme kushtetutes dhe konventave europiane , si dhe te korigjohen ligjet dhe vendimet e padrejta e gjithecka e bere antikushtetuese. Kryeministri i jone i kerkon Qeverise se Serbise qe te bejne me shume per te drejtat e Shqipetareve ne luginen e Presheves dhe shume mire e ben , por kjo eshte “Beni si them une e mos beni si bej une” Se fundi, megjithese per kete ceshtje jane bere qindra e mijera letra, peticione ankesa e artikuj gjithe institucioneve vendore e nderkombetare , Europiane e Amerikane , asgje nuk po zgjidhet, nderkohe kerkojme te behemi Europiane pra te futemi ne BE, por a do pranoje BE-ja Shtete qe nuk zbatojne as Kushtetuten e tyre e jo me rregullat e Europes ?.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s