Botuar në Gazetën SHQIP nga Arjola Tola, më 7 prill 2014
Shtyrja për një vit e afatit nga Gjykata e Strasburgut për mospranimin e ankesave të reja për cenimin e së drejtës së pronës, kundër institucioneve shqiptare, është njëkohësisht lajm i mirë dhe i keq, me gjithë deklarimet kontradiktore lidhur me këtë.
Kjo shtyrje e afatit rikonfirmon edhe njëherë se situata me pronat ka mbetur kaotike dhe, përpjekjet e deritanishme për ta zgjidhur atë kanë dështuar. Ajo rikonfirmon atë çfarë në mënyrë permanente, nga viti 2005 thonë progres-raportet e BE-së për pronat. Gjithashtu rikonfirmon atë me të cilën përballet çdo shqiptar, të cilit i është dashur të merret qoftë edhe njëherë të vetme me çështje pronësie. Ndërkohë, fakti që kjo vjen përsëri në vitin 2014 nga një institucion i këtij niveli, e bën këtë një lajm të keq.
E parë në një tjetër këndvështrim, kjo shtyrje afati vjen si lajm i mirë, për të gjithë taksapaguesit shqiptarë dhe vetë pronarët, sepse “xhepat” tanë nuk do të rëndohen për mosveprimin dhe paaftësinë e qeverisjeve të shkuara dhe për të dytët, sepse zgjidhja e çështjes së pronës duhet bërë brenda “shtëpisë”, jo vetëm se kjo merr më pak kohë dhe kosto për vetë pronarët, por edhe për t’i treguar BE-së e më gjerë, se shqiptarët mund të ndërtojnë një shtet të nivelit europian, i aftë për reforma që garantojnë njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave të shtetasve të vet dhe prosperitetin e vendit.
Është lajm i mirë, që plani i paraqitur nga qeveria shqiptare ka marrë besimin e Strasburgut, duke i dhënë mundësinë që brenda një viti, ajo të tregojë se do të adresojë çështjen e pronës në mënyrën e duhur. Veprimet e ndërmarra së fundmi, për miratimin e dëmshpërblimeve për disa vendime të Gjykatës së Strasburgut, përmirësimet në ligjin për legalizimin dhe progresi i bërë muajt e fundit në regjistrimin fillestar të pronave, tregojnë se çështja ka filluar të adresohet në drejtimin e duhur, por ende ka shumë për të bërë, sepse zgjidhja përfundimtare kërkon reforma në drejtim të ligjeve dhe institucioneve, kërkon ndërtim kapacitetesh e sigurisht, kohë dhe financime.
Qeverisja e kaluar, jo vetëm nuk zgjidhi, por e komplikoi akoma më tepër çështjen e së drejtës mbi pronën, por për hir të së vërtetës i duhet njohur diçka “pozitive”, pasi të paktën ka lënë të shkruar një strategji-listë problemesh dhe çështjesh të pazgjidhura të pronës dhe të drejtës mbi të, të cilat konkurrojnë, mbivendosen, pengojnë dhe ndihmojnë njëra-tjetrën, brenda një rrethi vicioz, ku nga njëra anë është kthimi dhe kompensimi e, nga ana tjetër, regjistrimi i pronave, legalizimi, inventarizimi i pronave publike, pajisja me dokumente e fermerëve që janë trajtuar nga Ligji 7501, privatizimi etj.
Është në një rreth vicioz, sepse është e pamundur të parashikohen se cilat prona do të jenë alternative për pronarët derisa të përcaktohet prona shtetërore apo prona e privatizuar më parë, por, nga ana tjetër, vendndodhja dhe kufijtë e pronave shtetërore nuk mund të përcaktohen qartë, derisa pronat që do t’u kthehen pronarëve të jenë përcaktuar.
Garantimi i sigurisë mbi pronën, përveçse një kriter për pranimin në BE, është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë zhvillimit e investimeve dhe kjo kërkon ndërtimin e një sistemi efikas e të përgjegjshëm të administrimit dhe menaxhimit të pronës, të cilët, përveç përmirësimit të kuadrit ligjor dhe institucional, kërkojnë së pari mbledhjen e informacionit mbi pronën e pronësinë, nga të gjitha burimet ku ai disponohet.
Nga ana tjetër, ndërtimi i këtij sistemi nuk mund të bëhet pa u përfunduar inventarizimi, vlerësimi dhe miradministrimi i informacionit ekzistues (tekstual dhe hartografik) nga çdo institucion që ka dhënë tituj pronësie. Prej afër 24 vitesh, kemi disa procese që ecin paralel e mbivendosen me njëri-tjetrin e dhjetëra institucione që lëshojnë tituj pronësie, pa ditur çfarë vetë institucioni ka lëshuar një vit më parë dhe as që konsiderohet nëse një tjetër institucion ka vepruar mbi të njëjtën pronë, duke krijuar kështu konflikte e probleme të panevojshme dhe të dëmshme.
Nëse përmirësimet ligjore apo ndryshimet që kanë të bëjnë me riorganizim institucionesh, kërkojnë kohë dhe infrastrukturë, inventarizimi është një proces i pavarur, të cilin secili nga institucionet ekzistuese mund dhe duhet ta bëjë menjëherë, për të ofruar informacion real për vendimmarrjet e ardhshme, qoftë edhe për përmirësimin apo riorganizimin.
Përfundimi i regjistrimit të pronave, proces i filluar 18 vjet më parë, megjithëse i financuar fort në vitet e fundit nga Banka Botërore dhe agjenci të tjera, ende nuk ka përfunduar. Pritshmëritë janë të larta për finalizimin e regjistrimit për një numër të konsiderueshëm pasurish deri në qershor 2014, por ende mbeten jashtë sistemit rreth 500000 pasuri, kryesisht në zonat rurale, të cilat nuk u mbuluan nga projekti LAMP2.
Evidentimi i sipërfaqeve të njohura, të kthyera apo kompensimet fizike në vendimmarrjet e KKP dhe AKKP në vite, sfidë e vështirë kjo, pasi arkiva e kësaj agjencie është manuale dhe cilësia e të dhënave është e dobët, sidomos të dhënat hartografike, të cilat fillojnë me skica manuale dhe harta nga më të ndryshmet në shkallë e cilësi.
Evidentimi i pronave të legalizuara apo që janë në proces, për ALUIZNI-n është një proces relativisht i lehtë, për shkak se kjo agjenci ka qenë e mbështetur në formë elektronike.
Evidentimi i sipërfaqeve të ndara me Ligjin 7501, nuk duhet të kufizohet në shifra të përgjithshme për sipërfaqe në Ha, apo numër përfituesish, por të jetë i lidhur me titujt e lëshuar dhe pasuri të identifikuara në pozicion e sipërfaqe. Ky proces paraqet vështirësi për mbledhjen e dokumentacionit, pasi ky privatizim është kryer me aksion e nga ekipe të pakualifikuara dhe dokumentacioni ose është i shpërndarë në disa zyra ose nuk ekziston, por edhe ai që ekziston, paraqitet me të meta.
Evidentimi i pronave shtetërore dhe publike, proces që ligjërisht ka filluar që prej vitit 2001 dhe ende nuk ka përfunduar, është i lidhur posaçërisht me njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronarëve. Regjistrimi i të gjitha vendimeve të KM që kanë transferuar prona në pushtetin vendor apo institucione të tjera, është gjithashtu po aq i rëndësishëm.
Inventarizimi nga pikëpamja e përdorimit të tokës është po kaq i rëndësishëm sa inventarizimi i pronave dhe i të drejtave mbi të, pasi shifrat të cilave iu referohen të gjitha raportet zyrtare apo jo, vijnë nga viti 1991, kur nisi privatizimi masiv. Por gjatë këtyre 24 viteve, përdorimi i tokës ka ndryshuar fizikisht dhe juridikisht, duke shtuar apo zvogëluar llojet kadastrale të tokës dhe sot nuk ka informacion mbi bilancin real të tokës truall, të tokës bujqësore, të pyjeve apo kullotave etj., pasi këto ndryshime nuk janë reflektuar në regjistrat publike, gjë e cila afekton pozitivisht apo negativisht, faturat e shpronësimeve apo kompensimit fizik e financiar dhe po ashtu taksimin mbi pronën.
Kjo do t’i japë fund “epokës së qitapit”, thënie e gjetur e një ministri aktual, por ky inventarizim nuk duhet t’i lihet zgjedhjes së institucioneve, por të bëhet sipas një standardi unik kombëtar, në mënyrë që institucionet të kenë mundësi të krahasojnë të dhënat respektive në kohë reale, ndaj duhet punuar në drejtim të forcimit të sistemeve ekzistuese të informacionit dhe koordinimit të të dhënave të pronës/tokës.
Të gjitha sa më sipër e të tjera, janë në funksion të ndërtimit të këtij sistemi të integruar të administrimit dhe menaxhimit të informacionit të tokës, në përshtatje edhe me standardet europiane. Në këtë mënyrë, do të kemi një regjistër elektronik kombëtar që ofron çdo të dhënë në lidhje me pronësinë mbi tokën, vlerën e tokës, shfrytëzimin dhe përdorimin e tokës, si dhe zhvillimin e drejtë të saj, të cilët përveç garantimit të të drejtave, do të mund t’u ofrojnë qytetarëve një shërbim të shpejtë, efektiv e cilësor, do të ndihmojnë vendimmarrjet e ardhshme në funksion të çdo përmirësimi apo projekti të ri zhvillimi.
Por, a janë institucionet tona të përgatitura për të ndërtuar dhe menaxhuar sisteme të tilla? Fatkeqësisht ende jo, pasi kemi shumë për të bërë edhe në drejtim të trajnimit të kapaciteteve, zhvillimit të infrastrukturës dhe menaxhimit të institucioneve, për të mundësuar kalimin nga metodat tradicionale të punës, drejt metodave efikase dhe eficiente që ofron teknologjia e avancuar. Aplikimi dhe përdorimi i tyre kërkon kompetenca të tjera teknike dhe po ashtu menaxhere, jo thjesht njohës të fushës, por njerëz me vizionin e duhur, të cilët duhet të drejtojnë institucionet drejt prioriteteve emergjente, por njëkohësisht të aftë për të propozuar politika për zgjidhje të integruara dhe afatgjata.
Sigurisht, një vit është pak për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare çështjen e pronës, pasi edhe në vendet më të zhvilluara, ende sot ka probleme që lidhen me pronën, por mjaftojnë vetëm disa muaj për të treguar se po punohet në drejtimin dhe mënyrën e duhur.
Dhe ky është treguesi që do të vlerësohet nga Strasburgu apo BE-ja gjatë këtij viti.