Botuar në Rilindjen Demokratike
Nga Arben Shahini, 26 Dhjetor 2014


Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka gjobitur Shqipërinë me 680 mijë euro për mos zbatim të vendimit të gjykatës për një çështje pronësie. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut erdhi pas një ankimimi kundër dështimit të shtetit shqiptar për të zbatuar vendimet e kompensimit të pronës. Rasti në fjalë ka të bëjë me çështjen “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” në lidhje me ankesat për moszbatimin e vendimeve që caktojnë kompensimin.
Duke marrë në konsideratë, konkluzionet e mësipërme, Gjykata nxjerr përfundimin se nuk ka pasur mjet të brendshëm ligjor efektiv që të mundësonte kompensim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për shkak të moszbatimit të zgjatur të vendimeve të komisionit që jepnin kompensim. Rrjedhimisht, ka një shkelje të Nenit 13 të Konventës.
“Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë (aplikimi 604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09) .
Çështja kishte të bënte me një kërkesë për rishikimin e një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me ankesat për moszbatimin e vendimeve që caktojnë kompensimin.
Aplikantët janë 20 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në Shqipëri. Ata të gjithë janë ankuar se pavarësisht titullit të trashëguar të pronave të tyre të njohura nga autoritetet, vendimet përfundimtare administrative për kthimin dhe kompensimin e pronës nuk janë zbatuar.
Ata e mbështesin ankesën e tyre në nenin 6 (e drejta për një gjykim të paanshëm) dhe nenit 13 (e drejta për një vendim efektiv) dhe në nenin 1 të Protokollit e Konventës (Mbrojtja e Pronës).
Në vendimin e saj të datës 31 korrik, gjykata konstatoi shkelje të nenit 13, nenit 6 dhe nenit 1 të Protokollit për shkak të mungesës së dhënies së një zgjidhjeje efektive në zbatimin e vendimit përfundimtar. Gjykata dha një vendim në favor të çdo aplikanti. Më 21 mars 2013, qeveria informoi gjykatën se ata kishin mësuar se vëllai i ankuesit në letrën nr. 34770/09 kishte vdekur më 12 korrik 2009.
Ata kërkuan rishikimin e vendimit të gjykatës bazuar në Rregulloren e Gjykatës për aq kohë sa dhënia e dëmit pasuror dhe jo pasuror në shumën e 1.360.000 euro ishte shqetësuese.
Gjykata vendosi të rishikojë vendimin e saj të 31 korrik 2012 në lidhje me zbatimin e nenit 41 të Konventës në lidhje me aplikimin nr. 34770/09 dhe i akordoi aplikantit 680,000 euro në lidhje me dëmin financiar dhe jofinanciar” thuhet në vendimin e gjykatës.
Ultimatumi i Strasburgut për qeverinë shqiptare
Buxheti shqiptar do duhet të përballojë pagesa të jashtëzakonshme, për shkak se qeveria nuk ka qenë serioze me ish-pronarët. Në korrik të këtij viti Gjykata Europiane e Njeriut në Strasburg refuzoi kërkesën e qeverisë shqiptare për “ngrirjen” e vendimeve për kompensimin e pronave.
Strasburgu i ka kthyer një përgjigje negative Shqipërisë, por më shumë se sa kosto financiare, e cila mund t’i kalojë qindra milionë eurot, në dyshim është vënë legjitimiteti dhe aftësia e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronave.
Që nga viti 1993, kur ka nisur kthimi i pronave, ka pasur me dhjetëra gjyqe në Gjykatën e Strasburgut, ku kërkohej kompensimi financiar nga qeveria shqiptare. Rasti më tipik ka qenë ai i njohur si “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”.
Gjykata e Strasburgut, nisur nga problematikat e njëllojta të kërkesave të qytetarëve shqiptarë, doli me një vendim pilot në vitin 2012. Ky vendim pilot do të shërbente si bazë për marrjen e të paktën 80 vendimeve të tjera kundër Shqipërisë, me një kosto financiare prej qindra milionë eurosh.
Për këtë arsye, në vitin 2013 u ra dakord me qeverinë e atëhershme që “deri më datë 17 qershor 2014, shteti shqiptar që të krijonte një mekanizëm efikas për kompensimin e pronave”, por qeveria shqiptare tregoi paaftësi në dhënien e një zgjidhjeje ndaj kësaj çështjeje.
Rreziku për faliment nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të qytetarëve shqiptarë për çështjet e pronave, ka shqetësuar përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, të cilët duhet të gjenin një zgjidhje përfundimtare brenda 17 qershorit për mënyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave për të gjithë pronarët që kanë fituar të drejtën e pronësisë me vendim gjykate të formës së prerë, jo vetëm në Strasburg. Kjo sepse pas datës 17 qershor të këtij viti do të rifillojnë të gjykohen të gjitha çështjet e depozituara deri më tani në këtë gjykatë dhe shteti shqiptar si vend pjesëtar i Konventës të së Drejtave të Njeriut duhet t’u garantojë qytetarëve të tij të drejtën e pronës, pas vendimeve që do të merren më tej. Nisur nga fakti se kostoja e kthimit dhe kompensimit të pronave është e papërballueshme nga shteti, Gjykata e Strasburgut në vitin 2012, pas vendimit të saj të fundit lidhur me çështjen “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, në vendimin e saj pilot ka përcaktuar disa detyra për palën shqiptare që të realizohen deri më 17 qershor të këtij viti, duke vendosur njëkohësisht mosshqyrtimin e ankimimeve që do depozitohen pranë kësaj gjykate deri në mesin e muajit të ardhshëm nga qytetarët shqiptarë.
Arben Shahini