Polimer ÇEÇI/ Mijëra hektarë tokë bujqësore, të përvetësuara në kundërshtim me ligjin

Botuar në Gazetën Telegraf më 27/08/2014

polimer ceciShteti, përgjegjës për dështimin e procesit të verifikimit të titujve të pronësisë

*Piqeras

 Shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, lindi si domosdoshmëri e abuzimeve të mëdha gjatë procesit të ndarjes së tokës nga komisionet e fshatrave, veprime që binin ndesh me kriteret e përcaktuara në Ligjin nr.7501 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Mbështetur në këtë shqetësim madhor për problematikat e krijuara në të gjithë territorin e Shqipërisë, e në veçanti në zonat bregdetare, Parlamenti miratoi Ligjin nr. 9948, datë 07.07.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, shoqëruar me udhëzimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, duke përcaktuar dhe afate konkrete për përfundimin e kësaj nisme ligjore. Në zbatim të tyre, u krijuan dhe strukturat shtetërore. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zhvillon aktivitetin Sekretaria Teknike, në çdo Prefekturë Qarku u krijuan drejtori të veçanta me komisione, nën drejtimin e Prefektit. Në Nënprefektura, punonjës që duhet të ndjekin problemet dhe ankesat e qytetarëve, lidhur me tokën, etj, etj.. Një armatë e tërë njerëzish që paguhen mirë nga taksapaguesit shqiptarë, por që ngrohin karriget. Pranë këtyre institucioneve janë grumbulluar nga Bregdeti i Jugut një mal me ankesa, analiza, kontrolle, korrespodenca, materiale të pafundme, për të vënë në lëvizje këto institucione, vetëm e vetëm në zbatim të ligjit për të qetësuar njerëzit me shumë halle, për të eliminuar konfliktet të cilat nuk janë të pakta në këtë krahinë.

Mungesa e zbatimit të ligjit

Por çfarë ka në realitet në këto fshatra? Çfarë është bërë, që ngrihen në vazhdimësi këto shqetësime, mund të pyesin pushtetarët? Por çfarë nuk është bërë në “zbatim” të ligjit e që nuk vjen erë zbatim i ligjit:

– Janë ndarë si toka bujqësore pyje, kullota, troje.

– Nuk është respektuar norma për frymë e miratuar.

– Kanë marrë sa e ku kanë dashur njerëzit me pushtet dhe familje që nuk kanë pas lidhje me fshatin.

– Në zonën turistike u është dhënë tokë në pronësi familjeve të cilat nuk kanë qenë themelues të ish kooperativave bujqësore.

– Që në të gjitha rastet nuk bëhet fjalë për “m2”, por për hektarë të tëra të përvetësuara. Mbi këtë problematikë institucionet heshtin. Por përse heshtin, edhe pse kanë kaluar jo pak, por plot 6-vjet nga hyrja në fuqi e ligjit? Duhet pranuar se procesi i verifikimit të titujve të pronësisë për tokat bujqësore është i dështuar.

Përgjegjësit

Mundet që punonjësit e ngarkuar me ligj të mos dinë të lexojnë, të mos dinë të interpretojnë ligjin, udhëzimet, urdhrat apo porositë, apo nuk duan t’i zbatojnë ato? Mendja të shkon se nuk kanë dëshirë dhe predispozicion për të zbatuar ligjin, si rezultat i interesave të caktuara. Si ka mundësi të mos përfundojë së kontrolluari asnjë fshat në zonën e bregdetit nga Prefektura e Vlorës, ajo që drejton aktualisht dhe paraardhësit e tyre, kur fshati Piqeras i Komunës Lukove i ka paraqitur problemet me materiale të veçantë, mbas hyrjes në fuqi të ligjit, pra, në vitin 2009? Me drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të Prefekturës Vlorë janë marrë kontakte, janë bërë ballafaqime, janë shkëmbyer korrespodenca, me demek kanë dërguar dhe porosi për zgjidhjen e problemit, por është për të ardhur keq, lidhur me qëndrimin e tyre në të dy nivelet.

Faktet

Për të vërtetuar çka theksova më sipër, fare rastësisht më ra në dorë një korrespondencë e tërë me shkresa nga Sekretariati Teknik i Ministrisë së Bujqësisë, e cila u bë sebepi i këtij shkrimi, drejtuar Qeverisë, Ministrit të Bujqësisë, Prefekturës Vlorë, Kryetarit të Bashkisë Himarë, Kryetarit të Shoqatës “Bregdeti”, Kryetarëve të fshatrave të Bregdetit, gjithsej 7 shkresa, nga të cilat 3 gjatë vitit 2012 dhe 4 gjatë vitit 2014, kur ende nuk është mbyllur viti. Kush e di sa të tjera korrespondenca ka nëpër sirtare? Pra, një lumë shkresash pa efektivitet, konkretisht, shkresat me nr. Prot. 400/2012, nr.2285/1/2012, nr. 4867/2012, nr. 6162/1/2014, nr.423/1/2014, nr. 3755/1/2014, nr. 4733/2/2014. Në qoftë se analizojmë me pak durim përmbajtjen e kësaj korrespondence, do të arrijmë në disa përfundime:

Në përmbajtjen e tyre në të gjitha rastet të bie në sy dhënia e direktivave, sepse, sipas tyre, institucionet ligjzbatuese janë për direktiva, nuk bie erë analize të gjendjes, nuk ka nxjerrje përgjegjësie ndaj shkaktarëve të gjendjes së krijuar. Kjo korrespondencë, që vjen si rezultat i ankesave të shumta nga shumë drejtime për problemet e pronësisë mbi tokën bujqësore, tregon mungesën e seriozitetit për zgjidhjen e problemeve të akumuluara ndër vite nga këto institucione të zbatimit të ligjit dhe nuk dihet kur do të përfundojnë, tregojnë për mungesën e këmbënguljes dhe paaftësinë e punonjësve të emëruar në këto detyra për zbatimin e ligjit dhe së fundi mungesën e vizionit për zgjidhjen e problemeve, duke punuar për të shtyrë ditën, e për ta mbajtur peng këtë vend.

Kërkesat e piqerasve

Por çfarë kërkojnë fshatrat e Bregut në përgjithësi dhe Fshati Piqeras në veçanti për këtë problem? Asgjë më shumë e asgjë më pak se zbatimin e ligjit, që secili të marrë atë që i takon. Për këtë kërkojmë që Komisioni i Verifikimit të Titujve të Pronësisë në Prefekturën e Vlorës të ulet këmbëkryq në fshatin Piqeras, duke bashkëpunuar me palën e interesuar dhe në tërë Bregun për të marrë vendimet përkatëse, sipas kompetencës, duke i çuar ato deri në fund të procesit. Në rast se brenda muajit shtator nuk zgjidhet problemi i Piqerasit, atëherë situata do të merret në dorë nga përfaqësuesit e fshatit në rrugë ligjore.

Historikisht, populli opozitar ka qenë dhe është më i madh se populli i partive që emëron këta zyrtarë. Për këtë, institucionet e zbatimit të ligjit duhet të ndërgjegjësohen për të kuptuar se çdo gjë ka një fund, duhet të kuptojnë se funksionari publik duhet të bëjë detyrën në zbatim të ligjit, duke mos punuar për Maliqin, që e ka emëruar në punë. Ne rast se ndodh kjo e fundit, atëherë frenat i merr populli opozitar, duke i vënë para përgjegjësisë ligjore “afendikoit”, duke filluar qysh nga Sekretaria Teknike e Ministrisë së Bujqësisë e deri te institucioni i Prefektit Vlorë për dëmin e madh ekonomik nga vjedhjet e abuzimet që i është shkaktuar e vazhdon t’i shkaktohet këtij shteti e popullit fukara.


Copyright Gazeta Telegraf: http://gazetatelegraf.com

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua me , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s