DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATËS KOMBËTARE TË TË SHPRONËSUARVE “PRONËSI ME DREJTËSI” DHE E SHOQATËS “BREGDETI”

PËR DETYRIMIN E PUSHTETIT

PËR ZBATIMIN E DETYRIMEVE TË KUSHTETUTËS, TE LIGJEVE QË PËRPUTHEN ME KUSHTETUTËN DHE ME VENDIMET E GJEDNJ

Pronarët e ligjëshëm te shpronësuar nga diktatura prej 23 vitesh po ju kërkojnë të vendosni ligjin. Një çerek shekulli pritje, që i janë shtuar 45 vjet të grabitjes nga diktatura komuniste, duhet t’i jepni fund.

Në emër të subjekteve të shpronësuar që prej gati një çerek shekulli presin nga Qeveritë dhe politikanët postkomunistë të rimarrin pronat që iu grabiti sistemi diktatorial komunist, kryesia e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe e Shoqatës “Bregdeti”, ia drejton këtë Apel, institucioneve drejtuese të vendit, ndërkombëtarëve dhe mediave: realizoni përfundimisht kthimin fizik të pronave tek pronarët e ligjshëm të shpronësuar nga diktatura komuniste, duke respektuar titujt e pronësisë në përputhje me nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe shpallni pavlefshmërinë për abuzimet e bëra me pronat tona në këto 23 vitet e fundit. Ritheksojmë se situata anarkike, korruptive dhe kleptokratike me pronat vazhdon dhe do vazhdojë ta mbajë Shqipërinë larg BE-së.

Anarkia e titujve të pronësisë është rezultat i mos zbatimit të Kushtetutës që e ka bazën në mentalitetin komunist që ka dominuar kryetarët e qeverive shqiptare që kanë zëvendësuar njëra tjetrën pas vendosjes dhe deklarimit zyrtarisht të demokracisë në 1991. Kjo psikologji, ka bërë që ligjet e miratuara pas 1991, t’a konsiderojnë pronën e grabitur nga komunizmi si pronë në dispozicion të qeveritarëve dhe si të tilla t’a përvetësojnë, ta dhurojë apo privatizojnë atë sipas interesave personale, klanore dhe elektorale. Shtypi shqiptar ka dokumentuar vazhdimisht se politikanët dhe gjyqtarët janë pasuruar me shpejtësi dhe në mënyrë të pajustifikushme. Korrupsioni me pronat dhe kryesisht me trojet në zonën turistike, kanë nxitur lakmine dhe luftën për pushtet në Shqipëri sepse pikërisht ky të pasuron. Kështu ka ndodhur dhe ky është shkaku pse lufta për pushtet në Shqipëri është kaq e ashpër.

Maxhorancat e derisotme nuk e kanë zbatuar nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës, nene që sanksionojnë kthimin fizik të pronës së trashëguar dhe kompensim vetëm kur prona është tjetërsuar për nevoja publike. Për 23 vjet, politikanët, nëpërmjet AKKP-ve, vendimeve absurde të gjykatave, vendimeve dhe ligjeve për legalizim dhe çdo mënyrë tjetër, e kanë penguar kthimin fizik të pronës pronarëve trashëgimtarë, duke pretenduar se zgjidhja do të bëhet nëpërmjet kompensimit. Ky është dështim i programuar.

Zbatimi arbitrar i standarteve të shumëfishta, në kudërshtim me parimet morale dhe kushtetuese, ka për pasojë që familjet janë futur në konflikt të përjetshëm dhe në gjak me njëra tjetërën. Konfliktet për pronën siç është deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë edhe nga Kryeministri Edi Rama, kanë shkaktuar mbi 8200 viktima. Ky është konsideruar bilanc lufte edhe më parë nga deputetët në seancat e parlamentit , por me sa duket nuk e ka shqetësuar Kuvedin e Shqipërisë. Çuditërisht ky problem nuk tërheq vëmendjen e duhur të disa përgjegjësve të disa organizmave ndërkombëtarë të rëndësishme prezent në Shqipëri. Pasojat kuptohen: megjithëse Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit në BE ajo mbahet larg Europës ndër të tjera për shkak të politikës së gabuar me pronat. Veç mëkateve të politikanëve tanë, zgjatja edhe për 23 vjet e sistemit diktatorial mbi pronat tona, është pasojë e qendrimit të gabuar edhe të disa instancave ndërkombëtare që kanë nënvleftësuar rëndësinë që ka zgjidhja e çështjes së pronës për ndërtimin e një demokracie dhe sistemi kapitalist të mirëfilltë në Shqipëri.                          

Ish kryeministri Sali Berisha, personi që ndërtoi anarkinë post komuniste me pronën, pas 23 vjetësh, u detyrua t’a pranojë përgjegjesinë dhe deklaroi në intervistë televizive se: “Klasa Politike Shqipëtare me ligjin 7501 ka GABUAR ”. Por edhe pas këtij deklarimi opozita vazhdon të heshtë për korigjimin e gabimeve dhe pasojave të kësaj politike të gabuar.

Platforma e maxhorancës dhe Qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, për zgjidhjen e problemit të pronave nëpërmjet kompensimit, është vazhdim i rrugës së gabuar të Sali Berishës. Drejtori i Bankës Botërore Z.Lahi, është shprehur se “Kompensimin e pronave në Shqipëri, s’ka buxhet që e përballon…”, por nuk paraqet zgjidhje tjetër dhe çuditërisht nuk shprehet për kërkesat tona të përsëritura. Zv/Minitri i Drejtesisë z. Peçi në Komisionin e Ligjeve deklaroi se : “ …nëse vazhdohen të jepen vendime të tilla nga Strasburgu, atëherë rrezikohet falimentimi i shtetit Shqiptar..” por edhe Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar vullet për zgjidhjen e problemit ndofta duke menduar se ka rënë në ujdi me KE.

Gjykata e Strasburgut, të cilën gjejmë rastin ta falenderojmë, është i vetmi institucion që nuk ka përkëdhelur mungesën e shteti ligjor dhe ka vazhduar të zbardhi vendimet për pronarët por me gjithë këtë politikanët akoma nuk po arsyetojnë.

Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” shumë herë dhe prej shumë vitesh i kanë denoncuar aktet ligjore për pronat që janë në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe vendimet e fundit të Qeverisë për të paisur me çertifikata pronësie pseudopronarët e fabrikuar nga zbatimi i asaj pjese të ligjit 7501, që është e gabuar dhe antikushtetuese, ashtu siç janë të gabuara ligjet për privatizimet dhe legalizimet e ndërtimeve pa leje për të pronësuar persona të tretë në zonat turistike, apo mos veprimet e policisë ndërtimore për personat e tretë që kanë pushtuar pronat e të tjerëve. Kjo maskaradë duhet të marri fund.

Në Apelin që dy shoqsatat i kemi drejtuar zotit Stefan Fyle, ambasadërëve të BE, OSBE, B.Botërore, FMN dhe gjithësej 54 institucioneve të tjera në Mars 2013 kemi përfuduar me këtë pyetje: “Edhe sa jetë të tjera njerëzish do të duhet të humbasin nga abuzimi kriminal me pronat, edhe sa dekada të tjera abuzimi kriminal të të drejtave pronësore duhet të kalojnë, edhe sa herë më shumë të pasur në mënyrë korruptive për shkak të abuzimit me të drejtat pronësore klasa politike dhe sistemi gjyqësor shqiptar do të duhet të jenë para se komuniteti ndërkombëtar të ndërhyjë për një çështje kaq ekzistenciale për një komb?”

Apelit të Marsit 2013 i bashkangjitëm një projektligj, hartuar nga specialistët tanë, i cili përmbledh dhe zevendëson me një ligj të vetëm duzinat e ligjeve e rregulloreve aktualisht në fuqi (projektligji është publikuar në adresën www.defendingproperty.com). Llogjikisht është e qartë, se nëse toka kthehet sipas dokumentave të shtetëzimit tek pronari që e trashëgon dhe kompensimi bëhet për pronat e tjetërsuara për nevojat publike sipas Kushtetutës, siç e kërkon projektligji ynë, problemet zgjidhen përfudimisht nga Shteti dhe detyrimi financiar i Shtetit për kompensim bëhet gati ZERO. Por ky projektligj ka rënë në vesh të shurdhër. Rikujtojmë se kjo zgjidhje duhej të ishte bërë 21 vjet më parë, në 1993, me projektligjin e paraqitur nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, i cili u sabotua nga deputetët e kohës. Edhe letër pozicionimi për pronën dërguar në 11 Nëntor 2013 Komisionit Europjan dhe ambasadorëve nuk ka gjetur jehonën e shpresuar.

Me keqardhje shikojmë se disa nga Ambasadorët përfshi ata të BE dhe OSBE tematizojnë probleme të pa zgjidhura siç janë marveshja mes maxhorancës dhe opozitës për probleme të ndryshme por anashkalojnë kthimin e pronës tek i zoti dhe justifikohen, duke e inkluduar atë në problemin e përgjithshëm të korrupsionit. Prona meriton të evidentohet si kusht prioritar, sepse respektimi i saj është tregues objektiv i nivelit të zhvillimit të demokracisë dhe rendit kapitalist. Dënimet prej Gjykatës së Strasburgut nuk mund të zëvendësojë mungesën e moralit dhe vullnetit politik shqiptar për të mbyllur këtë burim të korrupsionit pushtetar që vazhdon prej vitit 1991.

Për sa më sipër ne apelojmë përsëri para ambasadorit të B. Botërore dhe FMN, Ambasadorit të SHBA, Delegacionit të BE, OSBE-së, KiE, si dhe gjithë Ambasadorëve të vëndeve të Bashkimit Europian në Tiranë, që marrëdhëniet me Qeverinë Shqiptare ti kushtëzojnë me zbatimin e Kushtetutës së Republikës për kthimin fizik dhe të pronës dhe kompensim konform Kushtetutes dhe dhënien fund qëndrimeve elektorale dhe klanore.

Apelojmë edhe një herë para Presidentit, Kryetarit të Kuvëndit, Kryeministrit, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit e gjithë Institucioneve të tjera qëndrore, që të ushtrojnë përgjegjësitë dhe detyrimet që u ka ngarkuar kushtetuta, në veçanti nenet 41 dhe 181, lidhur me të drejtën e pronësisë.

Kryesia e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësurave” Pronësi me Drejtësi”

Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”

Advertisements

Një mendim mbi “DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATËS KOMBËTARE TË TË SHPRONËSUARVE “PRONËSI ME DREJTËSI” DHE E SHOQATËS “BREGDETI”

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s