Prona e pronarëve, detyrim kushtetues i pushtetarëve

Nga Çezar KOSHI, botuar ne gazeten SOT news Postuar: 27/02/2014 – 08:10

Këmbana e pronës ka vite që bie ne Shqipëri, si detyrim kushtetues (neni 81) i të drejtave themelore të individit me rënien e sistemit monopartiak, lindjen e sistemit të ri demokratik në Shqipëri. Vitet kalojnë në ujëvarën e kohës, por prona e paluajtshme është akoma “thembra e Akilit” për gjendjen sociale të shoqërisë shqiptare. Shumë e “shumë energji” ka konsumuar politika shqiptare dhe media e shkruar e ajo elektronike për problemin e kthimit të pronave pronarëve të ligjshëm. Rezultati, zero absolute! Pse? Kush e pengon?! Janë dy argumente: ose nuk duan, ose nuk dinë, ose të dyja bashkë. T’i vjedhin pronat! Ajo që duket si maja e ajsbergut është që prona e pronarëve të ligjshëm, peshohet në balancën e drejtësisë me gurët e politikës shterpë shqiptare, me synime të qarta, të përvetësimit nga pushtetarët e lartë, me sistemin gjyqësor si atavizëm e sistemit të kalbur monopartiak. Me ç’kurajo, këta zyrtarë të lartë qeverisës të kastës politike, presin nga kancelaritë europiane miratimin për hapjen e negociatave për t’u futur në Europë?! Problemin e pronave, kjo kastë politike, nuk e ka trajtuar kurrë në optikën e ligjit themelor, Kushtetutën, me vendosjen e shtetit demokratik në Shqipëri.
Kthimi i pronave për pronarët e ligjshëm është parë si marrje e pushtetit nga të ashtuquajturat “Klasa të Përmbysura”, si dhe mohim të Luftës Popullore (ironi e mentalitetit arkaik të kohës së diktaturës)! I nderuar lexues, ju bëj me dije se, media e shkruar dhe ajo elektronike, duke qenë një shtojcë e kastës politike, janë “lodhur” për vite me radhë duke mbushur faqe të tëra të gazetave dhe emisione televizive nga viti 1991 e deri në ditët e sotme, me autorë “ekspertë”, “specialistë”, “analistë poliglotë”, që “njohin” çdo fushë të jetës e veprimtarisë njerëzore të këtij populli në këtë vend (vetëm pronarë Jo!); se përkrahin e mbështetin kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm. Kohët e fundit, në një nga televizionet, një zyrtar i lashtë e i lartë politik, shprehet se “…Me problemin e kthimit të pronave të pronarëve kemi bërë gabime…”. A mund të quhet gabim një veprim i tillë, nga një zyrtar i lartë, që me kastën e tij, mori në duar në 1991, fatet e një populli, kur ka diskriminuar një shtresë jo të paktë në numër të popullit të tij?! Ky veprim është faj i pafalshëm.
a) Qoftë në rrafshin kushtetues (zbatim i nenit nr. 81).
b) Atë politik, si lojë për marrjen e votave për pushtet.
c) Social, ku sa e sa njerëz janë vrarë për pronat, sa akte ligjore dhe nënligjore janë nxjerrë nga të ashtuquajturat komisione e nënkomisione parlamentare, nga 1991 deri në 2014, për kthimin dhe kompensimin e pronave pronarëve të ligjshëm?! Më evidenti “Ligji nr. 7501” një ligj atakues, konfliktual e tepër i rrezikshëm, që kërkon të zbatojë qeveria e dalë nga zgjedhjet e qershorit 2013.
 Në cilin ligj të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë legjitimohet ky ligj, zotëri politikan?! Ky ligj, më shumë se sa tall, është poshtërim i dinjitetit të pronarëve, nxit urrejtje për shqiptarin nga shqiptarët. Përse u krijua Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Kthimit të Pronave, kur për çdo pasuri, pronarët, të pajisur me dokumentet e tyre autentike, mund t’u drejtohen institucioneve përkatëse, në rastin konkret, sistemit gjyqësor?! Ja pra, kasta politike, nga 1991 deri në 2014, nuk do t’ua kthejë pronat pronarëve! Një politikan ka shkruar në një gazetë, e shumë të tjerë si ky, se ky problem ka qenë dhe është mungesë vullneti nga politikanët. Çudi! Pse?! Argument është ky, nga një përfaqësues “i denjë” i zbatimit të Kushtetutës, kur ai është betuar si zbatues i Ligjit të para popullit të vet?! Për të shpëtuar nga kjo “e keqe e madhe”, nën presionin e ndërkombëtarëve, politikanët e njohin problemin, por u hedhin hi syve, dhe bëjnë politikë “të drejtë” për pronat, duke hapur e mbyllur procedura me cungim të sipërfaqeve:
a) Tokë truall
b) Tokë bujqësore, me vlerë “tregu”.
Kjo është politikë kriminale, turpi i kastës politike, që udhëheq këtë vend deri më sot. E të presësh investime nga jashtë për të rritur e shëndoshur ekonominë e këtij populli, si dhe të jesh i besueshëm ndaj bizneseve të huaja, si dhe i gatshëm për të hyrë në Unionin Europian!
Zotërinj pushtetarë!
Mjaft e ngopët këtë popull me lugë të zbrazët me mashtrime dhe slogane! Ky popull di dhe ka informacion e kulturë më shumë se Ju! Mjaft! Deri kur kështu? Këtë vend e këtë popull po e diskreditoni duke i mohuar vlerat që i takojnë! Askush nuk ka të drejtë të prekë pronën, e jo më ta tjetërsojë politika qeverisëse, e çfarëdolloj ngjyre qoftë! Ajo ka ngjyrën e saj, ka ngjyrën e shpresës për të jetuar të pronarit që i takon. Popull, ji vetvetja, mjaft u servilose! Mjaft bëre hipokritin! Mbro dinjitetin dhe personalitetin! Mbro pasurinë e trashëguar nga të parët e tu! Politikanë, qofshi ju që jeni! Zoti ju ndriçoftë mendjen për të ardhmen e këtij populli në këtë vend të quajtur Shqipëri!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s