Botuar dt. 28 korik 2018 ne gazeten Telegraf, nga Isuf Bodo Dukati ,
telegraf.al/sociale/ligji-133-2015-mashtron-pronaret-e-vertete/
Isuf Bodo
Pronarët e vërtetë shqiptarë janë dhunuar, nëpërmjet ligjeve që janë miratuar në Kuvend për kthim, kompensim pronash, duke filluar nga ligji 7501 e deri te ligji 133/2015. E drejta e pronës tani në Shqipëri gjykohet sipas një ligji vlerësimi për të cilin nga Komisioni i Venecias është bërë mbi një vendim të falsifikuar, e ky falsifikim është bërë nga Avokatia e Shtetit, e cila ka dërguar ne Komisionin e Venecias për marrje mendimi një draft, i cili është i ndryshëm nga drafti që ka diskutuar maxhoranca në Kuvendin shqiptar. Për sa i përket të drejtave dhe lirive të Njeriut, Shqipëria ka bërë shumë hapa pas. Një nga këto të drejta të dhunuara është edhe e Drejta e pronës, duke e zëvendësuar atë nga një e drejtë themelore e garantuar me ligj, në një mekanizëm shtetëror, që shkel parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë ligjore, per të drejtat e pronës, duke dhunuar kështu nenin 6-1 të Konventës dhe nenin 1 të Konventës të Këshillit të Evropës. E drejta e pronës në Shqipëri gjykohet sipas një ligji që vetëm mashtron dhe tall pronarët e vërtetë. Ligji 133-2015 është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit, me vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, me Konventat evropiane dhe me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, qe e ka kundërshtuar ligjin 133-2015 nëpërmjet vendimit të tij. Ligji 133-2015 vlerëson me 2 standarde per të njëjtën prone. Prona e trasheguar qe I eshte shtetëzuar padrejtësisht, pronarit të ligjshëm shteti e vlereson me çmimin që ka caktuar qeveria, . Pronarët që kanë marrë një pjesë të vogël të pronës humbasin pjesën tjetër pasi, sipas këtij ligji vlera e tokës së marrë më parë llogaritet me vlerën e tregut sot. Kurse pjesa e mbetur për t’u marrë llogaritet me çmimin e tokës sipas zërit kadastral, që ka pasur në momentin që është shtetëzuar.
Ligji 133-2015 është kontradiktor në vetveten, pasi thekson se shpërblimi do bëhet sipas çmimit të tregut por edhe sipas zërit kadastral. Me siguri ligjbërësi nuk e ka idenë se çdo të thotë ekonomi e tregut. Detyrohem të sqaroj se koncepti i ekonomisë së tregut do të thotë që prona cilado qoftë ajo shitet ose blihet me çmimin që ka në momentin që tjetërsohet. Po ashtu, djallëzia e ligjbërësve për kthimin e kompensimin e pronave duket edhe në faktin se prej kohës që u bë ligji 5701 më 1991, deri më sot ai ka ndryshuar me VKM 16 herë. Edhe emërtimi nga AKKP në AKP e ATP është bërë me keqdashje. Sipas qeverisë ky ligj bëhet sepse buxheti I shtetit nuk e përballon faturën financiare për të shpërblyer pronarët e vërtetë. Pra përdoret një ortifiice për të prodhuar një padrejtësi që shkon kundër me Kushtetutën tonë dhe të Drejtat e Njeriut. Formula që aplikohet për vlerësimin e pronës ul ndjeshëm përfitimin për pronarët. Çmimet e caktuara nga qeveria për kompensim janë qesharake. Në një nga listat që përditëson ATP për pronarët me dosje të viteve 1993 e deri në vitin 1997 për 2431 pronarë që kompensohen 1814 pronarë deklarohen nga ATP që nuk kanë marrë kompensim për pronën e kërkuar pasi kanë marrë një pjesë të saj. Jo vetëm kaq, por duhet t’i kthejë para qeverisë pasi një pjesë e pronës që kanë marrë paska çmimin më të lartë se prona që ka mbetur pa marrë. Pra dy standarde. Në këto kushte qeveria është zemërgjerë dhe u fal paret që kanë marrë më tepër nga prona e tyre. Absurditet më të madh nuk ka. ATP në vlerësimin e tokës bujqësore në vendimet që ka dhënë e ka me 13.5 lekë për çdo metër katror në një kohë që një gazetë kushton 30-50 lekë, keshtu me 1 euro mund të blesh 10 m2 tokë bujqësore, ose mund të kompensohen 10 m2 tokë por të mos harrojmë se në një sezon mbjelljeje 1 m2 tokë merret prodhim me vlerën 3 euro. Zotërinj ligjbërës ju pyes: në cilin kënd qoftë dhe më të largëta të Atdheut tonë mund të blihet me 1 euro 10 m2 tokë, qoftë edhe ajo shkëmbore? Këto ligje qesharake bëhen nga deputetë, që janë të papërgjegjshëm. Parlamenti ynë i cili nuk është tamam parlament pasi funksionon thjeshtë si një noter i kryeministrit të radhës duke miratuar ligje me votat e shumicës, pa e vrarë mendjen fare.
Të gjithë deputetët e majtë e të djathtë janë shërbëtorë të kryetarit të partisë së tij. Ne këto kushte, efektivisht nuk ka parlament dhe kjo është si pasojë se deputetët emërohen nga kryetari i partisë, gjë që i detyron ata të votojnë thjesht çfarë do kryetari. Në 16 korrik 2015 u organizua një takim i zgjeruar i ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe shoqatave të ish-pronarëve për të prezantuar ligjin e kthimit të pronave sipas udhëzimeve të BE-së. Qysh në fillim të atij takimi u tha se grupet e interesit nuk do të diskutojnë. Me këtë situatë përfaqësuesit e ish-pronarëve u larguan. Për çudi të të gjithë të pranishmëve kryeministri Rama i pranishëm, me arrogancën e prepotencën që e karakterizon kërkoi që përfaqësuesit e shoqatave të ish-pronarëve të largoheshin sa më shpejt. Edhe trupi diplomatik që ishte i pranishëm heshti dhe u bë palë me arrogancën e kryeministrit Rama. Madje, këta përfaqësues të BE-së e cilësuan atë ligj të qeverisë 133-2015 si diçka pozitive. Kaq kontradiktor është ky qëndrim, saqë tani zonja Vllahutin, në ikje si ambasadore e BE nga Shqipëria ka deklaruar që problemi i pronave në Shqipëri është i pazgjidhshëm. Bashkimi Evropian i ka kushtëzuar Shqipërisë edhe reformën e pronësinë dhe zgjidhjen e saj. Mirëpo Shqipëria, qeveria e Ramës vetëm e dezinformon Bashkimin Evropian. Fakti që Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë të gjithë ish pronarëve që ankohen, duke detyruar shtetin shqiptar të dëmshpërblejë me vlera reale pronën e grabitur(vlera e hartes 2008), dëshmon që qeveria jo vetëm që nuk ka vullnet politik ta zgjidhë problemin e kthimit dhe kompensimit të pronave, por bën gjithçka që ta mohojë, ta tjetërsojë, sepse në fakt, ata vetë, qeveritarët, gjyqtarët prokurorët e zyrtarët më të lartë të shtetit kanë grabitur pronat e pronarëve të vërtetë. Neni 17 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut thotë: Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij. Ka shumë propagandë ku thuhet se para 1944 kishte shumë pak pronarë tokash në Shqipëri. Kjo nuk është e vërtetë. Mbi 80 % e popullsisë ka pasur pronë dhe t’ua kthesh tani atë pronë pronarëve të vërtetë është detyrim kushtetues. Shqipëria nuk mund të shkojë në Evropë pa zbatuar kthimin e pronave pronarëve të vërtetë. Nëse prona nuk u kthehet pronarëve të vërtetë nuk mund të ketë edhe investime të huaja në Shqipëri. Ligji për investimet strategjike që propagandon qeveria është një nga padrejtësitë më të mëdha që u bëhet pronarëve të vërtetë, sepse sipas këtij ligji, prona i merret një private dhe i jepet një private që investon duke e komentuar këtë padrejtësi gjoja për interes publik. A është e drejtë kushtetuese që qeveria t’i marrë pronën në bregdet pronarit të vërtetë dhe t‘ia kompensojë atë atij në mal?