Temat Kryesore
- Drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato, shpjegon arsyet e pezullimit të kthimit dhe kompensimit të pronave deri në tetor. Çështjet e pazgjidhura në Gjykatë dhe masa e lartë e dëmshpërblimit, problemet kyçe
Janë miratuar dje në Komisionin e Ligjeve, ndryshimet në projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ndërkohë që shtyrja e afatit me 6 muaj ka ngjallur pyetje e debate nga të dy palët. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, sqaroi se nisma për shtyrjen afatit vjen për shkak të hartimit të një ligji të ri, i cili do të mundësojë përfundimin e kthimit dhe kompensimit të pronave. “Ndryshimet të cilat ne propozojmë konsistojnë në dy nene të ligjit në fuqi të cilat kanë të bëjnë me afatin e funksionimit të fushës në të cilën vepron ligji për kthimin e kompensimin e pronave, sikurse dhe të mandatit të AKKP-së.
Afati i shtyrjes që ne propozojmë është 6 muaj dhe qëllimi, me të cilin kemi kërkuar shtyrjen e këtij afati ka të bëjë me faktin se aktualisht me propozim të AKKP-së, Ministria e Drejtësisë është duke punuar me një draftligj të ri dhe përderisa jemi ende në momente reflektimi, konsultimi me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të zyrës së regjistrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, kërkojmë edhe pak kohë dhe afat për të finalizuar këtë proces”.
Sipas Qatos, kjo periudhë është e nevojshme, edhe për shkak të kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve të prekur nga kjo çështje. “Procesin e konsultimeve me ta dhe procesin e konsultimeve publike për të cilët kërkohet një transparencë akoma më e madhe dhe kërkon kohën e nevojshme, reflektimin e grupeve të interesit.
Ndaj ne mendojmë që një afat 6-mujor i shtyrjes së ligjit në fuqi është shumë i nevojshëm për finalizimin e këtij procesi në kuadër të një reforme të nisur nga ana jonë në njërën anë dhe krahu tjetër nuk mund të pezullohet procesi i funksionimit normal të agjencisë për shkak sepse kërkesat e qytetarëve të cilët kanë lidhje me këtë proces janë të vijueshme ashtu sikurse është e vijueshme dhe disa procedura të tjera të përfshira në këtë ligj”, tha drejtoresha e AKKP-së.
Në përgjigje të shqetësimit të ngritur në mbledhje, Qato theksoi ka përfunduar procesi i draftimit të projektligjit të ri. “Do të thoja se pjesë e relacionit të projektligjit është edhe fakti që është përmendur në relacion; fakti që sot në Ministrinë e Drejtësisë është depozituar projektligji i ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve Fino e Mediu, kreu i AKKP-së, argumentoi se shtyrja e afatit është vendosur edhe për shkak problematikës që Gjykata e Strasburgut ka hasur në shqyrtimin e çështjeve.
“Ne nuk jemi në ndonjë proces draftimi apo shkrimi të këtij drafti, sepse tashmë ai është përfunduar. Propozimi ynë është tërësuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe ne jemi në një fazë konsultimi me ekspertët e Këshillit të Evropës dhe të Zyrës së Regjistrit të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut, pasi ata janë duke e parë në aspektin e mbrojtjes nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Për shkak edhe të faktit dhe problematikës së madhe që ka shqyrtimi i çështjeve në Gjykatën e Strasburgut dhe masa e lartë e dëmshpërblimeve të përcaktuara në këto vendime për shtetin shqiptar dhe qeverinë”, tha Qato. Komisioni në fund votoi në parim dhe në tërësi të dy projektligjet me 11 vota pro dhe asnjë kundër.
A do të jetë ky afati i fundit për pronat?
Deputeti Fatmir Mediu ka kritikuar ndryshimet në ligjin e ri, pasi, sipas tij, shqetësues mbetet fakti që brenda këtyre 6 muajve do të pezullohet puna për kompensimin. “Ajo që mua më shqetëson është fakti që ju thoni që ne do të pezullojmë procesin, pra kërkoni një shtyrje prej 6 muajsh, sepse ose nuk i keni shqyrtuar ose nuk i jeni përmbajtur afatit, sepse ka një ligj në shqyrtim.
Ju jeni një strukturë ekzekutive për të implementuar ligjin aktual dhe nuk jeni strukturë që të supozoni se çdo të vijë nga ligji tjetër, që ju të pezulloni pra funksionin tuaj edhe për 6 muaj të tjera që kërkoni në shqyrtim”, deklaroi Mediu në Komisionin e Ligjeve, duke i kërkuar përgjigje drejtoreshës së AKKP-së edhe për numrin e dosjeve të shqyrtuara gjatë këtyre dy viteve.
“Ky 6-mujor që po ju japin a ju krijon ju mundësi për të marrë ndonjë vendim të caktuar për kthim dhe kompensim të pronave? Flas nga pikëpamja fizike se në aspektin financiar është një proces tjetër që ju e keni nisur tashmë. Dhe ajo që do të bëja si pyetje shtesë, është sa është fondi i kompensimit dhe i kthimit fizik që keni sot në dispozicion.
Keni rreth 8300 dosje, domethënë 8300 dosje nuk u shqyrtuan dot nga 2013 deri në 2015; 6 muaj janë të mjaftueshme për t’i shkuar deri në fund kompensimit?”, tha Mediu. Ndërsa relatori i projektligjit Bashkim Fino, i cili ngriti shqetësimin e shtyrjes së këtij afati, kujtoi të njëjtën çështje, të diskutuar 6 muaj më parë. “Po të hapësh procesverbalet, janë pyetje që unë kam bërë dhe si përgjigje na është thënë se është më se e mjaftueshme periudha 6-mujore.
Tani ka dhe një problem të dytë. Kryetarja këtu na tha një gjë më objektive, një gjë më të drejtë që është vërtet diçka që duhet marrë në konsideratë; që ne jemi duke bërë një ligj të ri për kthimin dhe kompensimit të pronave. Kjo do të thotë se nuk përputhet relacioni i paraqitur nga qeveria në atë që çka kërkon kryetarja e kthimit të pronave në këtë komision që mua më duket shumë objektiv, se vërtet mbase ka ardhur koha që të bëhet një ligj tjetër që të jepet fund”, tha Fino.