Ndërsa propagandohet me të madhe reforma në drejtësi, qeveria Rama ka përveshur mëngët për të betonuar pasojat e një prej padrejtësive historike (në fakt një krimi) të komunizmit mbi pronën private. Një tjetër rast që provon se klasa politike shqiptare e shikon themelimin e drejtësisë si një proces vulgar burokratik të miratimit të disa ligjeve apo ndryshimeve në Kushtetutë dhe jo si një dedikim ndaj së drejtës. Sipas kësaj mendësie, reforma në drejtësi mund të vazhdojë paralel më konsolidimin e padrejtësisë komuniste mbi pronën. Dhe shqetësim nuk është vetëm padrejtësia që po i bëhet pronarëve, por edhe fakti se pas saj, fshihet një mungesë dedikimi ndaj drejtësisë. Dhe pa një dedikim të tillë, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë drejtësi edhe sikur 100 reforma të tjera “për drejtësinë” të bëhen. Sepse drejtësia nuk është thjesht ca ligje të shkruara por, sikundër ka vënë në dukje Monteskjë, është para së gjithash frymë. Në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, miratuar nga qeveria Rama, kjo frymë nuk duket asgjëkund.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur mosaprovimin për Ligjin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave madje, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese duke vënë kështu në dyshim edhe kushtetueshmërinë e tij. Sikur të qe vetëm mosdakordësia e Nishanit nuk do ja vlente të merreshe me këtë çështje. Sepse Nishani e ka diskredituar veten si President palë me partinë nga ka dalë. Është e sigurt se ai nuk do ankohej kurrë sikur një ligj i këtillë (madje edhe më i keq, nëse mund të gjendet një) të qe produkt i një qeverie të PD. Provë është fakti që ai nuk e ngriti kurrë zërin kundër ligjit të deridjeshëm të pronave të PD që qe po ashtu i keq. Pra lëvizja e Nishanit është e inspiruar jo nga e drejta por nga axhenda partiake.
Gjithsesi, kjo nuk e nihilizon faktin qe ligji i qeverisë Rama është po ashtu i padrejtë. Nuk është rastësi që kundër tij janë shprehur edhe pronarët e dhunuar nga komunizmi. Ndryshe përse do kundërshtonin ata një të mirë që ju ofron qeveria? Por ata kundërshtojnë se ligji në fjalë jo vetëm nuk ofron drejtësi për padrejtësinë që ju është bërë dhe e vuajnë prej 70 vitesh, por edhe se po e shndërron dhe qeverinë aktuale, në një zbatuese testamentare të dhunës së një sistemi të vdekur. Dhe nuk është e vërtetë se pronarët kërkojnë “qiqra në hell” në kurriz të buxhetit publik dhe taksapaguesve shqiptarë. Kjo është një taktikë divide et impera, për t’ja kundërvënë opinionin publik pronarëve.
Pronarët kërkojnë vetëm atë që ju përket, kaq! Dhe është padrejtësi që t’u thuash se trojet u grabitën në këto 24 vjet nga mafia dhe të korruptuarit e politikës, që vazhdojnë të jenë edhe në Parlament, dhe prandaj qeveria nuk mund do t’i kompensojmë fizikisht me troje, pra pa kosto financiare për taksapaguesit, por financiarisht me çmimet e vitit 1946. Po si do të qe e drejtë? Që trojet e marra me falsifikime nga të korruptuarit (vetë kryeministri Rama ka denoncuar të tillë raste) të sekuestroheshin dhe me to, të krijohej një fond trojesh për kompensimin fizik të pronarëve. E drejtë do të ishte që edhe trojet ekzistuese dhe të pazëna, të mos mbaheshin të fshehura për t’iu dhënë miqve e shokëve apo për t’u privatizuar për të mbushur buxhetin, por edhe ato të përdoreshin për kompensimin e pronarëve. E drejtë do të qe që edhe në rastet kur e vetmja zgjidhje do të qe kompensimi fizik, vlera e tij të mos llogaritej me çmimet e vitit 1946 (një tallje e vërtetë kjo) por, të paktën dhe sipas zonave, me çmimet e referencës që qeveria përdor kur është fjala për të vjelë taksën nga ata që shesin troje apo shtëpi. Nuk është drejtësi që kur vjen puna të japë para qeveria bën llogari me çmimet e vitit ‘46 dhe kur është fjala për të marrë para, me çmimet e vitit 2016.
Është krejtësisht e padrejtë që atë tokë që sot është truall, por që kur është shtetëzuar nga komunizmi ka qenë tokë bujqësore, ta kompensosh si tokë bujqësore sikundër udhëzon ligji i qeverisë Rama. Sepse nuk është faji i pronarëve që ata i shkëputën lidhjet me pronën e tyre për afro 70 vjet. Si do ta posedonin sot ata atë copë tokë nëse nuk do t’ju qe marrë, si tokë bujqësore apo si truall? Padyshim si truall atje ku sot ka urbanizim dhe si tokë bujqësore aty ku është akoma zonë rurale. Prandaj do të qe e drejtë që edhe ligji të kompensojë si truall aty ku është qytet dhe si tokë bujqësore aty ku është fshat.
Vërejmë se ligji i qeverisë Rama për pronat, ndjek vetëm “interesin” e qeverisë dhe asfare atë të pronarëve. Këtyre të fundit ligji i thotë me arrogancë: Kaq janë mundësitë e qeverisë, ose merrini ose lërini! Dhe askush të mos gënjejë veten se interesi i qeverisë është edhe interesi publik. Jo, interesi publik është drejtësia. Aq më shumë në çështjen e pronave. Shqiptarët nuk kanë asnjë interes që pronarëve t’iu hahet haku nga që buxhetin nuk ka para. Publiku nuk ka interes të pranojë që edhe në demokraci e drejta e pronarëve të sakrifikohet “për të mirën publike” tamam si në komunizëm. Publiku duhet ti kërkojnë qeverisë Rama të mbajë premtimin elektoral, dhënien përparësi kompensimit fizik duke ulur koston financiare për shtetin pra, për publikun.
Por kjo do të thotë që çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave ta gërshetosh edhe me luftën kundër korrupsionit, me luftën për drejtësi në Shqipëri. Por nëse shqiptarët tolerojnë që mbi pronarët të ushtrohet padrejtësi nga qeveritë e radhës duke rënë viktima të një populizmi përçarës, ata do ta vuajnë këtë padrejtësi. Si deri më sot. Sepse padrejtësia është një metastazë. Ajo ka vetinë të përhapet. Një padrejtësi krijon me qindra të tjera që mbysin shtetin dhe shoqërinë.
Reformën në drejtësi nuk ja detyrojmë Brukselit por në radhë të parë fëmijëve tanë – sapo deklaroi Rama në një konferencë shtypi. Sa bukur! Mjerisht është një thënie që bien desh me padrejtësinë që betonon ligji për pronat. Ai jo vetëm nuk e mbyll për 10 vjet (ambicie e çuditshme kjo e Ramës) çështjen e pronave por e lë hapur padrejtësinë edhe për gjeneratat e ardhshme. Një çështje që ka qenë e mbyllur në gjithë këto vjet, nuk mund të zgjidhet duke e mbyllur por duke e hapur me drejtësi. Ndryshe padrejtësia shtresëzohet dhe ajo është e mbarsur edhe me konflikte.
Dhe kaq e vendosur shfaqet qeveria Rama në arrogancën e saj sa ka nisur të ushtrojë presion mbi Gjykatën Kushtetuese që pritet ta shqyrtojë këtë çështje. Segmente te pushtetit, në fillim ministri i dreqtësisë Manjani dhe më pas edhe kreu i Agjencisë së kthimit të pronave, kanë vënë borinë se po pezullua zbatimi i ligjit nga Kushtetuesja, atëherë do të ndodhë hataja për pronarët. E kundërta është e vërtetë. Vetëm nëse Kushtetuesja e pezullon këtë ligj, hataja do të shmanget edhe për pronarët edhe për publikun. Hataja e betonimit të padrejtësisë në themelet e shtetit. Ajo që do të ndodhë do të provojë nëse Kushtetuesja do të jetë në gjendje të shpërfillë sirenat e qeverisë duke patur në vëmendje vetëm të drejtën.
Dhe kush i paska kërkuar kësaj qeveria ta “mbyllë” problemin e pronave dhe ç’do të thotë ta mbyllësh? Aq më tepër edhe me padrejtësi?! Kush mund të besojë se BE i ka kërkuar qeverisë ta mbyllë çështjen e pronës në këtë farë feje pa lidhje me “fenë” e shenjtërimit të pronës mbi të cilën është themeluar Europa? As Brukseli dhe as Strasburgu nuk mund të kërkojnë një sakrilegj të tillë. Është kundër frymës së tyre. Kundër drejtësisë dhe lirisë.
Padrejtësia nuk mbyllet me padrejtësi dhe brezave ju kemi borxh të mos u lëmë varre të hapura padrejtësie si ky i pronave? Mos vallë ndërsa bëjmë reformën duhet të thellojmë gropën padrejtësisë se pastaj do të vijë drejtësia që ta ndreqë? Këto janë shtirje, hipokrizira! Reforma në drejtësi është mbi të gjitha produkt shpirtëror, dedikim ndaj drejtësisë. Kur ky dedikim nuk shfaqet kurrkund, e aq më tepër as në problemin kardinal të shenjtërimit të pronës së masakruar nga një diktaturë, nuk duhet shpresuar se ca ligje e nene të reformës do të bëjnë mrekullinë.
Prona është vjedhje thoshte Prudoni. Prudoni kishte të drejtë për 45 vjet komunizëm ku prona publike ishte vjedhje, vjedhje e pronës private. Por Prudoni ka të drejtë edhe për mënyrën si janë zhvilluar gjërat në këto 25 vjet tranzicion, për mënyrën si qeveritë kanë vjedhur dhe toleruar vjedhjet e pronës, për mënyrën si po legalizojnë toka të vjedhura, për mënyrën si po nëpërkëmbin atë pakicë pronarësh që ka pritur dhe shpresuar drejtësinë. Por në themel të Europës nuk është Prudoni. Në Europë prona private është themeli i të drejtës dhe i lirisë së njeriut. Dhunoi ato dhe ke dhunuar drejtësinë dhe lirinë. Shqipëria ka një axhendë europiane që nuk mund ta kryejë pa ndryshuar kurs për t’i hapur rrugën drejtësisë. Në radhë të parë në çështjen e pronës. Ndryshe nuk ka reformë në drejtësi që na shpëton nga një rilindje e padrejtësisë!
Ky shkrim analize duhet ti dergohet si peticion Gjykates Kushtetuese, institucioneve Europiane, Trupit Diplomatik etj. Reforme ne Drejtesi do te thote, ne radhe te pare, te verifikosh se si eshte zbatuar Kushtetuta ne keto 25 vjet qe eshte ligji themelor i Drejtesise e pas verifikimit ta zbatosh kushtetuten duke anulluar cfare eshte bere gabim , me pas te heqesh e te veshe disa gjyqetare ,prokurore, por edhe politikane pergjegjes. Kthimi i prones tek pronari eshte detyrim kushtetues . Kjo qe po ben Qeveria e Jone eshte antikushtetuese e antinjerezore, sepse nuk mund te ndryshohet pronari i prones nga qeverite qe vijne e ikin, por prona eshte e perjeteshme. Qevderia nuk e “permbyll dot ceshtjen e kthimit te prones” sic thote Kryeministri, por me ligjin ne fjale vecse hap varre per popullin qe e ka zgjedhur, i cili do vazhdoje te vritet me njeri tjeterin pavaresisht nga ligji i Rames.