Botuar në Gazetën Dielli, 1 mars 2015
DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATËS “KRAHINA JONË DUKAT, TRAGJAS RADHIMË” LIDHUR ME POZICIONIMIN E BANKES BOTERORE PER PRONAT
Tiranë, me 01.03.2015
Sipas njoftimit të AKKP, me 26 Shkurt 2015, ky institucion ka zhvilluar një takim të frytshëm pune me ekspertë ndërkombëtarë nga Banka Botërore në kuadër të programit të Qeverisë për procesin e reformimit ligjor dhe institucional.
Sipas informacionit ekspertët e Bankës Botërore u shprehën pozitivisht për hapat e ndërmarrë deri tani dhe do të kërkojnë gjetjen e një formule të re, për kompensimin e subjekteve të shpronësuar .
AKKP dhe ekspertët e B. Botërore pretendojnë se në zbatim të vendimit pilot të GJEDNJ “Manushaqe Puto/2012 ” kanë realizuar një analizë të hollësishme të legjislacionit mbi çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe kanë evidentuar masat e nevojëshme për përfundimin e shqyrtimit administrativ për dosjet pa vendim përfundimtar (janë mbi 8000 dosje), për të realizuar kështu respektimin e të drejtës së pronësisë për subjektet e shpronësuar.
Sipas njoftimit të AKKP pronari do të shihet si partner me qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin. Reforma do të realizojë një proces për kthimin e pronës në mënyrë të unifikuar dhe në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë sipas rregullave të përcaktuara dhe një proces kompensimi të bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronaret dhe real për buxhetin e shtetit dhe pretendohet se kjo “Reformë” pritet të përfundojë brenda muajit Prill 2015. Këto janë fjalë të bukura dhe shfrytëzim i ndërkombëtarëve për të justifikuar greminën dhe për të na bindur të pranojmë kompensimin në vend të kthimit fizik , si një lëmoshë bamirësie. Projekti është i gabuar dhe antikushtetues që në themel.