Skandali i ligjit të ri të pronave

Botuar në gazetën Dielli, 3 shkurt 2016, nga Andrea Stefani

Skandali i ligjit të ri të pronave

Respektimi i pronës private është guri i themelit të një shteti ligjor dhe i politikave të tij publike për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të shtetasve. Por ligji i fundit i qeverisë, për kthimin dhe kompensimin e pronarëve të grabitur nga diktatura komuniste, është një tjetër provë se në qeveritë shqiptare vazhdon të dominojë koncepti komunist se e drejta e pronës private mund të sakrifikohet për interesa të ashtuquajtura publike. Të ashtuquajtura “interesa”, sepse nuk mund të ketë as një interes dhe as një të mirë publike, të themeluar mbi shkeljen e të drejtës së pronës qoftë edhe të një individi të vetëm.

Mjerisht, ligji në fjalë i qeverisë “Rama” ndërtohet pikërisht mbi një shkelje të tillë me justifikimin se kështu e kërkon “e mira publike”! Por a nuk u bë edhe shpronësimi i pronarëve nga diktatura komuniste nën sloganin e “të mirës publike” pra, të të bërit “mirë” duke ja marrë të pasurve për t’ia dhënë të varfërve? Cili është ndryshimi kur pronën e grabitur nga komunizmi premton ta kthesh a kompensosh vetëm pjesërisht, me çmime qesharake që as i aviten atyre të tregut të sotëm apo duke bërë akrobacira qesharake që e katandisin të drejtën e pronarëve në “kokoshi një thelë”, me justifikimin se kështu e do “e mira publike” ngaqë shteti nuk ka para?! Prandaj a nuk kemi të drejtë që për çështjen e kthimit të pronave të frikësohemi se po përballemi me një “Rilindje” proletare? Vazhdoni leximin

Reklama