Botuar në Gazetën Telegraf më 12/05/2014
Projekti për regjistrimin e pasurive në JUG nuk u zbatua. Përfaqësues të OSBE-së dhe supervizori i projektit shpallen të padëshirueshëm në komunën Lukovë
Bregdetasit e Jugut të Shqipërisë kanë ende shumë pikëpyetje mbi projektin prej 1.6 milionë euro, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Zvicerane, Çeke e Greke, për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme në Jugun e Shqipërisë, i cili nuk u zbatua. Por më e çuditshmja është se, akoma dhe sot, ata nuk kanë asnjë përgjigje zyrtare nga BE, OSBE si monitoruese e projektit, nga qeveria vendore dhe ajo qendrore. Bregdetasit pyesin dhe sot e kësaj dite se ku shkuan 1,6 milionë euro? Komuniteti Bregdetas ka humbur besimin edhe ndaj faktorëve të huaj, pasi nuk e durojnë dot fyerjen që iu bë si dhe heshtjen, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kështu që për regjistrimin fillestar të pronave në Bregdetin Jugor të Shqipërisë ata shtrojnë pyetjet: Çfarë do të bëhet, si do të bëhet, kur do të bëhet dhe kush do ta bëjë? Ata i sugjerojnë qeverisë që për kryerjen e këtij procesi të përdorin dokumentet e mbledhura në fazën e parë të këtij projekti.