Strasburgu u jep të drejtë pronarëve, shteti shqiptar u jep të drejtë hajdutëve të pronave

Botuar në Gazetën Telegraf, 11/01/2015

gjykata e strasburgutPronat në Shqipëri, pazar djathtas e majtas për të mos u kthyer, 24 vjet mashtrime me pisllëk ligjor e akrobaci të qëllimta mes institucioneve. Ja 20 ligjet e abandonuara nga Strasburgu, 1 ligj është ndryshuar 12 herë, por nuk është zbatuar as… 1 herë

Ardhja në Tiranë e raportuesit dhe negociuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, sa i takon zbatimit të reformave dhe nisjes së plotësimit të 5 prioriteteve, ka risjellë në vëmendje të drejtën e pronës (prioriteti “Për të drejtat e njeriut”). Në kuadër të përgatitjes së progres-raportit për Shqipërinë, Fleckenstein ka kërkuar të shohë nga afër hapat konkretë të marrë nga qeveria përsa i përket, edhe të drejtës së pronësisë. Porse, çfarëdo të ketë raportuar qeveria, zullumet postkomuniste me pronat në tërësi duken sheshit. Për të arritur në nivelin e kërkuar nga Strasburgu, Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin seriozisht në konsideratë gjendjen aktuale, ku nuk zbatohen as vendimet e gjykatave, abuzimet e deritanishme dhe legjislacionin ekzistues, kërkesat kushtetuese, si dhe sugjerimet e shoqatave të pronarëve.

 * * *

Historia e (mos)kthimit dhe (mos)kompensimit të pronave në Shqipëri, provon faktin, se të dy krahët dhe ideologjitë politike qeverisëse djathtas e majtas të pas vitit 1990, nuk e kanë patur objektiv real kthimin e pronave tek pronarët legjitim, ose kompensimin e tyre financiar në rastet e tjetërsimit të tokave në fshatra, qytete, vepra publike si; hekurudha, HEC-e e institucione shtetërore prej ish-regjimit komunist. Në 13 vjet që qeverisi PD dhe në 9.5 vite që ka qeverisur e po qeveris PS, të dy pushtetet politike e ekzekutive, kanë mashtruar e vazhdojnë të mashtrojnë për kthimin e pronave, madje PD e PS së bashku, në vitin 1991 miratuan Ligjin Nr. 7501 të ndarjes së tokës bujqësore për familjet kooperativiste në fshat dhe për familjet fermere në qytet, i cili u bazua mbi parimin Leninist: “Toka i përket atij që e punon”. Me këtë ligj, shteti u mohoi dhe u grabiti pronën pronarëve legjitim, tamam si me reformën komuniste të vitit 1945 dhe ka nxitur luftën e hapur civile mes familjeve dhe fiseve të pronarëve legjitimë, poseduesve dhe hajdutëve të pronave, me pasojë mbi 8000 viktima e mbi 280 mijë familje të futura në hasmëri “pushke” në këto 22 vite. Ligji 7501 është atakuar në Shqipëri me mbi 53 milionë procese gjyqësore në gjykatat e të gjithë niveleve, të cilat së bashku me Komisionin e Kthimit të Pronave, me hipotekat, me këshillat e qarqeve, me komunat e bashkitë, të instruktuara nga politika, kanë 24 vjet që mohojnë pronën, falsifikojnë e zhdukin tapi, bëjnë mbivendosje pronash, bëjnë pazare e grabisin pronat me vendime false e të stërzgjatura. Të gjendur përballë padrejtësisë dhe pisllëkut shtetëror e politik me pronat, pronarët i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, konkretisht Gjykatës Europiane të Strasburgut. Kjo gjykatë, referuar edhe Kushtetutës së shkelur Shqiptare, ligjeve anti-Kushtetuese Shqiptare dhe të drejtës ndërkombëtare të pronës, u ka dhënë të drejtë pronarëve shqiptarë. Madje, Gjykata e Strasburgut, duke parë qëndrimin anti-Kushtetues të Shtetit Shqiptar në cenimin e të drejtës së pronës me ligje mohimi, zaptimi dhe grabitjeje, në datën 31. 07. 2012 shpalli një vendim “PILOT”, posaçërisht për Shqipërinë, me objekt: Detyrimin me afat 1 vjeçar të qeverisë shqiptare, për përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke pezulluar për 18 muaj shqyrtimin e çështjeve të depozituara e që do depozitoheshin pas dhjetorit 2012, me qëllim që t’i jepte mundësinë qeverisë shqiptare, për të vepruar. Qeveria shqiptare nuk e pranoi këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut, madje i kërkoi “pazare moszbatimi e shtyrje afati 5 vjeçar”, por Strasburgu nisi proceset e gjykimit, duke dhënë një vendim tjetër kundër qeverisë shqiptare për pagesa kompensimi, vendim që mban datën në 11 tetor 2013. Fakti është, se qeveria shqiptare nuk po zbaton detyrimet e vendosura prej Strasburgut për të respektuar të drejtën e pronës me kthim ose kompensim, por as vendimet e kësaj gjykate për dëmshpërblim financiar për pronat e grabitura e të hipotekuara prej hajdutëve, deri edhe shtetarë, të ndara me Ligjin komunist 7501 dhe të njohura si ndërtime të paligjshme përmbi tokat e pushtuara prej 379 mijë e 983 zaptuesve të lejuar e mbrojtur nga shteti, por që nuk janë pronarë të tokave, ku kanë ndërtuar. Ndërsa në Strasburg mbrohen pronarët, shteti në Shqipëri vazhdon të mbrojë hajdutët dhe zaptuesit e dhunshëm të pronave, duke nxjerrë edhe ligje në favor të tyre.

Në Strasburg vazhdojnë gjyqet, në Shqipëri vazhdojnë mashtrimet

Deri në nëntor 2014, Gjykata e Strasburgut ka futur në proces trajtimi 79 kërkesë-padi të reja, 13 prej të cilave janë fituar nga pronarët legjitimë. Brenda muajit shkurt 2015, burime nga Strasburgu deklarojnë se kjo gjykatë do të nisë edhe trajtimin e 43 çështjeve të tjera të pronave të shqiptarëve. Gjykata e Strasburgut, i ka kërkuar shtetit shqiptar dy zgjidhje: Të zbatojë urgjent vendimet e shpallura prej saj dhe të nisë kompensimin financiar e fizik për pronat e tjetërsuara, të liroj tokat e zaptuara si dhe të kthejë tek pronarët, pronat që janë të lira, përpara se të dalin vendimet e reja të Strasburgut, të cilat sipas një parashikimi shkojnë në vlerën mesatare 27 milionë euro të tjera. Sipas regjistrit të Gjykatës së Strasburgut, deri në fund të vitit 2014 pranë kësaj gjykate gjenden në proces gjykimi 439 dosje pronash të shqiptarëve, nga të cilat 35 % janë për shkelje të të drejtave të individit, 42 % janë për shkeljen e të drejtës së pronës, ndërsa 23 % për zaptim prone me ligj shqiptar. Deri në fund të vitit 2013, shteti shqiptar ka zbatuar gjithsej vetëm 3 % ose 14 vendime të Strasburgut, dhënë “për kompensim financiar”, si dhe vetëm me 15 % të masës së kompensimit financiar ndaj pronarëve që kanë fituar gjyqet në Strasburg. Por nuk ka zbatuar asnjë vendim për kompensim fizik, ose kthim prone. Kujtojmë, që në janar 2014 Gjykata e Strasburgut i ka bërë prezent qeverisë shqiptare 61 çështje gjykimi, për pronat të cilat kanë si përmbajtje shkeljen e plotë të të drejtës së pronës në Shqipëri edhe me ligje anti-Kushtetuese, duke shpërfillur totalisht edhe Kushtetutën Shqiptare. Qeveria shqiptare, vazhdon të mashtrojë pronarët dhe Gjykatën e Strasburgut, me nxjerrje ligjesh anti-kushtetuese dhe me moszbatim të asnjë prej ligjeve, duke e lënë çështjen e pronës në acarim të madh mes shqiptarëve dhe me një faturë financiare që vjen nga Strasburgu përherë në rritje.Strasburgu urdhëron: Shlyeni faturën e kompensimeve 14 milionë USD

Flitet, se në shpenzimet që qeveria “Rama” ka planifikuar për vitin 2015, janë parashikuar edhe 14 milionë dollarë kompensime për pronarët, të cilët kanë fituar gjyqet në Strasburg. Ky është ende projekt e jo planifikim në buxhetin vjetor 2015, diktuar nga Gjykata e Strasburgut. Nga ky fond projekt kompensimi, 1 milion dollarë do të akordohen nga të ardhurat prej ALUIZNI-t. Ende po diskutohet për këtë vlerë kompensimi, mbasi fatura e plotë e deklaruar dhe e vendosur nga Gjykata e Strasburgut, ka marrë formë të prerë dhe qeverisë Shqiptare i është kërkuar ta paguajë brenda qershorit 2015, ndërkohë që fatura e dërguar në llogarinë qeverisë shqiptare, diktuar për zbatim urgjent është 8 milionë euro. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka deklaruar se do të publikojë së shpejti faturën zyrtare që i duhet të përballojë shteti shqiptar për kompensimin e ish-pronarëve. Më pas, do të nisë puna për një reformë konkrete në fushën e kthimit të pronave, por mbi të gjitha të kompensimit të pronarëve. Kompensimi do të bëhet në bazë të një formule të re e cila është përcaktuar në Strategjinë e nxjerrë në zbatim të vendimit “Pilot” të Gjykatës së Strasburgut. Agjencia e Pronave, po ndesh vështirësi në komunikimin me zyrat e hipotekës për të verifikuar statusin e vërtetë të një prone, aq sa komunikimi shkresor me hipotekën nuk e garanton gjithmonë statusin real të pronave. Ky element, bëhet pengesë për reformën afatshkurtër për kompensim të pronarëve, toka e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale. Gjithsesi, Strasburgu nuk po lëviz nga vendimi i tij dhe po kërkon shlyerjen e faturës së kompensimit, për vendimet që ka marrë dhe për vendimet që do të marrë gjatë vitit 2015, ku sipas trajtimit paraprak të dosjeve afro 95 % e këtyre vendimeve, do të jenë në favor të pronarëve.Në Strasburg regjistrohen çdo vit 200 padi shqiptarësh, pranohen 160 

Në këto 22 vite gjendje mashtrimi politik, lojërash shtetërore, ligjesh anti-kushtetuese dhe banditizmi faktik me pronat shqiptare, në Gjykatën e Strasburgut regjistrohen, mesatarisht, 200 padi në vit prej pronarëve shqiptarë, nga të cilat pranohen 160. Në këto padi, pronarët akuzojnë shtetin shqiptar për vjedhje, zaptim dhe mohim prone edhe me vendime gjyqi, vendime qeverie e ligje. Mbi 90 % e dosjeve të depozituara në Strasburg, ka lidhje me kthimin kompensimin fizik e financiar të pronave. Vetëm një fakt: Ligji shqiptar i kompensimit është absurd dhe është rrëzuar nga Gjykata e Strasburgut, mbasi njeh të drejtën e kompensimit financiar vetëm për 200 m/2 tokë me çmim 2.2 dollarë në rrethet e kategorisë së parë si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora… dhe me 1.3 dollarë për metër katror, në rrethe si Tepelena, Skrapari, Ballshi, Përmeti, Mirdita, Puka, Kukësi etj., paçka se mund të ketë pronar legjitim edhe me 1, 2, 10, 15, 50, 100 e më shumë hektarë tokë të zaptuar, të mohuar ose të tjetërsuar!Ja 2 zgjidhjet sociale, propozuar 1 vit më parë nga “Avokati Popullit”

Një vit më parë, konkretisht, në datën 3 janar 2014, “Avokati i Popullit” Igli Totozani, në mbështetje të pronarëve që presin kthimin, kompensimin fizik ose financiar të pronave të tyre të zaptuara, të mohuara e të tjetërsuara, i rekomandoi qeverisë shqiptare 2 zgjidhje “paqësore” për problemin e ish-pronarëve dhe qiramarrësit që banonin në objektet e tyre të dhëna si shtëpi banimi, ose si objekte shërbimi prej shtetit, gjatë procesit të privatizimit të tyre në vitin 1991, si ish-punonjës në këto objekte tregu e shërbimesh. Këto dy propozim-zgjidhje, i janë paraqitur personalisht në 12 shkurt 2013 edhe ish-kryeministrit Sali Berisha, por nuk është kthyer asnjë përgjigje konkrete prej tij. Ndërsa në datën 3 janar 2014, i janë paraqitur edhe Kryeministrit Rama. “Avokati Popullit” ka kërkuar mosmiratimin e Aktit Normativ të Qeverisë Nr.3, datë 01. 08. 2012, mbasi cenon të drejtën e pronës. Ja cilat janë 2 zgjidhjet, që ka rekomanduar “Avokati Popullit”:

1. Dhënia e garancisë nga ana e shtetit për përfitimin e kredive me 0 % interes, prej ish- qiramarrësve që nuk plotësojnë kushtet e vendosura nga ana e bankës të kontraktuar nga ana e shtetit për këtë qëllim,.

2. Lëvrimi i fondeve të pushtetit vendor për ndërtimin e banesave sociale për këta individë qiramarrës, në një kohe sa me te shpejte te mundshme.

Ja 4 ligjet e qëllimta, që kundërshtojnë njeri-tjetrin dhe krijojnë bllokazh

 – Ligji nr. 9235, datë 29.7.2004

 Pika 1 e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 192/2011, bie në kundërshtim me Ligji Nr. 9235/2004, neni 23/3 “Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit te Pronave ndan Fondin për Kompensimin ne mënyrë proporcionale”.

– Ligji nr. 9235, datë 29.7.2004

Nuk përcaktohet qartë, se cila masë financiare, do të merret si principal i vlerës fillestare, ajo e momentit të njohjes të së drejtës për kompensim dhe më pas aplikimin e normës bazë të interes gjatë viteve, apo çmimi i tregut për pasurinë që do të kompensohet duke aplikuar dhe interes vjetore nga momenti i njohjes të së drejtës së kompensimit. Sa i takon të ardhurave të gjeneruara nga veprimtaria e Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike (DASHPP),dallohen një sërë dispozitash ligjore të cilat nuk janë në harmoni me njëra tjetrën, ku disa dispozita përcaktojnë një shifër në përqindje për të kaluar për llogari të fondit të kompensimit dhe disa të tjera të cilat parashikojnë se të ardhurat e tjera kalojnë në buxhetin e shtetit, në dallim nga sa parashikon ligji nr. 9235/2004 dhe ligji 10239/2010, pra për të njëjtin objekt prone ligje të ndryshëm parashikojnë përqindje të ndryshme deri në shmangien totale të përqindjes që duhet të kalojë për krijimin e fondit special të kompensimit.

– Ligji nr. 9482/2006, Nenet 16, 28/1 dhe 34

Neni 16: – Rregullim specifik për ata që disponojnë parcelën, sipas një akti të ligjshëm të paregjistruar”, ku përcaktohet se nëse subjekti, që disponon objektin pa leje, posedon kontratën e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, të lidhur ose të vërtetuar përpara noterit publik, me pronarin e ligjshëm vetë ose nga personi, i cili i ka kaluar të drejtën e pronësisë, pavarësisht nga numri i transaksioneve të kryera, ai i dorëzon ato në drejtorinë rajonale të ALUIZNI-t. Për të gjithë këtë rreth personash, që posedojnë këto kontrata, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore regjistrohet sipas kontratës, duke paguar vetëm tarifën në fuqi për regjistrimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pa kamatë vonesë dhe taksa të zbatueshme.

Neni 28/1: – Pronari, i cili ka kryer kalimin e parcelës ndërtimore, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, zhvishet nga e drejta e kompensimit të pronës sipas këtij ligji ose sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”.

Neni 34: Cili është institucioni që do të përcaktojë sipërfaqen për legalizim: ALUIZNI, subjekti aplikues pranë tij, apo AKKP-ja, në mungesë të këtij përcaktimi AKKP në referim të nenit 28/1, shprehet për kompensim, gjë që çon padrejtësisht në rritjen e vlerës financiare të shtetit ndaj subjektit të shpronësuar, nëse dhe legalizuesi nuk e blen këtë sipërfaqe.

Ja 9 lojërat institucionale edhe me Ligjin anti-Kushtetues 7501

Mospërcaktimi i saktë dhe përfundimtar i sipërfaqeve të tokës pronë shtetërore e patrajtuar nga ligjet e mësipërme.

  1.  Cenimi i sipërfaqes së kaluar AKKP-së me VKM nr. 686, datë 18.06.2008 “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi I tokës bujqësore” me motiv: Për fond fizik për kompensimin e ish-pronarëve, gjë e cila bëhet evidente me VKM nr. 459, datë 22.05.2013 “Për një ndryshim në fondin e kompensimit fizik të krijuar nga fondi I tokës bujqësore”, ku hiqen nga ky fond 520.64 ha tokë bujqësore, Sipërfaqe e cila me VKM nr. 45, datë 29.01.2014, ka kaluar në administrim të Ministrisë së Bujqësisë;
  2.  Në këtë kuadër komunat, DSHP-të, DAMT nuk japin informacion kërkesave të dërguara nga AKKP për gjendjen juridike, fizike për sipërfaqet e pretenduara nga trashëgimtarët e subjekteve të shpronësuar, për faktin e thjeshtë sepse këto sipërfaqe jepen më qira personave të tretë juridik a fizik;
  3.  Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e ZVRPP-ve të cilat, shpesh janë me mangësi për zona të veçanta pasi nuk ka një koordinim komunë, qark dhe ZVRPP.
  4.  Nivel shumë i ulët i regjistrimit të pronave në ZVRPP nga njësitë e qeverisjes vendore.
  5.  Arsyet e vonesave janë tarifat e regjistrimit dhe mospërputhja e hartave, sidomos me transferimin e sipërfaqeve pyjore.
  6.  Inventarizimi i pronave troje, tokë bujqësore, sheshe, rrugë, etj në klasa në ato zona ku mungon regjistrimi fillestar.
  7.  Mospërputhja e përmasave të pronave sipas hartave komunë-bashki-hipotekë.
  8.  Konfliktet midis njësive të qeverisjes vendore për kufirin ndarës midis tyre. (Rasti i komunës Xarrë-Sarandë e cila ka bllokuar procedurat e inventarizimit dhe transferimit si dhe komuna Thumanë e bashkia Krujë, të cilat janë në një proces gjyqësor).

Ja 20 ligjet e pronave, që Strasburgu i konsideron “shkelje të rënda” 

1. Ligji Nr. 7501 datë 19. 07. 1991: “Për Tokën”- ndryshuar me 11 ligje gjatë periudhës 1991-2013.

2. Ligji Nr. 7843, datë 13. 07. 1994: “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ndryshuar me 6 ligje gjatë periudhës 1994-2007 – i shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjit të ri Nr.33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

3. Ligji Nr.7699, datë 21. 04. 1993: “Për kompensimin në vlerë te ish-pronarëve të tokës bujqësore”- ndryshuar me 3 ligje në vitin 1995.

4. Ligji Nr. 1254, datë 19. 10. 1995: “Për kompensimin e ish-pronarëve të trojeve të zëna, të tokës bujqësore dhe jobujqësore, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara“(ende në fuqi)- ndryshuar me 5 ligje në vitet 1995-1998.

6. Ligji Nr. 8053, datë 21. 12. 1995: “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”- ndryshuar me 2 ligje gjatë periudhës 1995-2012.

7. Ligji Nr. 256, datë 13. 04. 2010: “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.

8. Ligji Nr. 7983, datë 27. 07. 1995: “Për shitblerjen e tokës bujqësore, livadheve dhe kullotave”

9. Ligji Nr. 8318, datë 01. 04. 1998: “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore,të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”- ndryshuar me 1 ligj të vitit 1998.

10. Ligji Nr.7980, datë 27.7.1995: “Për shitblerjen e trojeve”- ndryshuar me 1 ligj të vitit 1997.

11. Ligji Nr. 7848, datë 16. 08. 1994: “Për shpronësimin për interes publik, si dhe për marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë së paluajtshme”.

12. Ligji Nr. 8561 datë 22. 12. 1999: “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”.

13. Ligji Nr. 8743, datë 22. 02. 2001: ”Për pronat e paluajtshme të shtetit”- ndryshuar me 1 ligj të shkuriti të vitit 2006.

14. Ligji Nr. 8744, datë 22. 02. 2001: ”Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në qeverisjen vendore”-I ndryshuar 2 herë gjatë periudhës 2001-2007.

15. Ligji Nr. 9235, datë 29. 07. 2004: “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës” (në fuqi) – I ndryshuar me 9 ligje dhe 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese gjatë periudhës 2004 – 2012.

16. Ligji Nr. 9235, datë 29.7.2004: “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës”.

17. Ligji Nr. 9482, datë 03.04.2006: “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa leje”, ndryshuar me 4 ligje dhe 1 vendim të Gjykatës Kushtetuese gjatë periudhës 2006 – 2012.

18. Ligji Nr.256, datë 13.4.2010: “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”.

  1. Ligji Nr. 33/2012, datë 21. 03. 2012: “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
  2. Ligji Nr. 9948, datë 07. 07. 2008: “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ndryshuar 1 në mars të vitit 2012.

Skandali/ Ligji Nr. 9235, datë 29.7.2004 ka ndryshuar… 12 herë, nuk është zbatuar asnjë herë

1. Ndryshuar me Vendim të Gjykatës Kushtetuese Nr. 26, datë 02.11.2005

2. Ndryshuar me Ligjin Nr. 9388, datë 04. 05. 2005

  1.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 9583, datë17. 07. 2006
  2.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 9684, datë06. 02. 2007
  3.  Ndryshuar me Vendim të Gjykatës Kushtetuese Nr 11, datë 04. 04. 2007
  4.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 9898, datë 10. 04. 2008;
  5.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 10095, datë 12. 03. 2009
  6.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 10186, datë 5.11.2009
  7.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 10207, datë 23.12.2009
  8.  Ndryshuar me Vendim të Gjykatës Kushtetuese Nr 27, date 26.05.2010
  9.  Ndryshuar me Ligjin Nr. 10308, datë 22. 07. 2010
  10.  Ndryshuar ne Vendim të Gjykatës Kushtetuese Nr 43, datë 06.10.2011

Ja 15 institucionet që mashtrojnë, grabisnin dhe sjellin vërdallë pronarët prej 24 vitesh

  1.  Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronës
  2.  Hipoteka
  3.  Gjykata e Faktit
  4.  Gjykatat e Apelit
  5.  Avokatura e Shtetit
  6.  Gjykata e Lartë
  7.  Gjykata Kushtetuese
  8.  Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor
  9.  Drejtoria e Administrimit dhe Shitjeve të Pronave Publike
  10.  Komisioni e Pronave në Komunë e Bashki
  11.  Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pasurive të Paluajtshme
  12. ALUIZNI
  13. Komisioni Qeveritar i Tokës pranë Prefektit
  14. Komisioni i Verifikimit të Pronës në Këshillin e Qarkut
  15. Enti Kombëtar i Banesave

Përparim HALILI


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Pronat, Strasburgu “gjobit” Shqipërinë me 8,2 milionë euro

Botuar në Gazetën Telegraf më 20/07/2014

Skadon afati për qeverinë shqiptare. Gjykata Europiane nis zbardhjen e vendimeve për pronarët shqiptarë

Strasburgu nis zbardhjen e vendimeve, pas skadimit të afatit për zgjidhjen e çështjes së pronave, në datën 17 qershor 2014, të përcaktuar në vendimin pilot të saj. Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 8,2 milion euro, sipas vendimit të radhës, të Gjykatës Europiane, për moszbatim të vendimeve vendase juridike dhe administrative, të cilat iu akordonin shpërblim pronarëve ankues në vend të kthimit fizik të ngastrave të tyre të tokës. “Sipas natyrës joefikase të sistemit aktual të kompensimit dhe veçanërisht duke pasur parasysh faktin se tashmë kanë kaluar mbi 15 vjet që nga koha kur ankuesve iu akordua për herë të parë kompensim, Gjykata, pa gjykuar paraprakisht zhvillimet e mundshme në të ardhmen në rast se ngrihet një mekanizëm i efektshëm kompensimi, e shikon të arsyeshme t’i akordojë ankuesve një shumë e cila do të luajë rolin e një shpërblimi final dhe shterues të ankimeve aktuale”, vlerëson Strasburgu në vendimin e tij të 8 prillit 2014. Gjykata Europiane ka arritur në konkluzionin se llogaritjet e saj për dëmin monetar do të bazohen në hartat e vlerësimit të pronës të miratuara nga Qeveria në vitin 2008, pasi harta e re e vitit 2013 u paraqit pas marrjes së vendimit nga ana e qeverisë shqiptare. Në vendimin e Gjykatës Europiane përmenden gjithashtu dhe vendimet e Këshillit të Europës.

Vazhdoni leximin

Zbatohen vendimet e Strasburgut qeveria kompenson ish-pronarët

Botuar në Gazetën Telegraf më 16/07/2014

TIRANE – Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore në Strasbourg, për dëmshpërblimin e e familjes Delvina dhe Manushaqe Putos.

Sipas vendimit të marrë, ndaj familjes Delvina duhet të jepet dëmshpërblimi në vlerën prej rreth 2 milionë euro në çështjen “Delvina kundër Shqipërisë”.  Ndërkaq po ashtu është miratuar edhe dëmshpërblimi i shumës së mbetur ndaj Manushaqe Putos, e vendosur fillimisht nga Gjykata e Strasburgut në vlerën 100 milionë lekë. Dëmshpërblimet e mësipërme vijnë pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut lidhur me kompensimet e ish-pronarëve dhe të drejtat që ata kërkojnë mbi pronat e tyre.

Vazhdoni leximin

Tapitë e pronarëve, pasaporta për në BE

 

Botuar në Gazetën Telegraf, më 03/06/2014

KE: Shtyhet miratimi i raportit për statusin e vendit kandidat. Raporti, për progresin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore

Vendimin përfundimtar për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, Komisioni Europian do ta japë më 23 qershor. Ky vendim vjen pas shtyrjes së këtij vendimi në dhjetor, pasi sipas KE-së kishte akoma punë për t’u bërë nga Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, krimit dhe reformës në drejtësi. Vendimi për statusin do të jepet pas miratimit të raportit nga KiE, si dhe pas vendimit të Strasburgut për problemin e pronave në datë 17 qershor. Komisioni Europian njoftoi se raporti për statusin e Shqipërisë nuk do të publikohet më 3 qershor, siç ishte parashikuar, pasi është në procedurën e miratimit dhe pritet të miratohet nga fundi i kësaj jave. Raporti do të shërbejë si bazë për diskutimet e vendeve anëtare në Samitin e Këshillit Europian, ku ata do të vendosin për statusin e vendit kandidat. Zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin, Peter Stano njoftoi se nuk bëhet fjalë për një raport progresi, por për një raport që vendet e Bashkimit Europian i kanë kërkuar KiE-së të përgatisë një përmbledhje të përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformës gjyqësore.

Vazhdoni leximin

Për kthimin fizik të pronave konform detyrimeve të Kushtetutës së Republikës

Përmendje

DEKLARATË PËR SHTYP E SHOQATAVE TE PRONARËVE

Tiranë, 30 maj 2014

Duke marrë shkas nga anarkia në të cilën ndodhet aktualisht problemi i pronave në Shqipëri, Shoqata Bregdeti, Shoqata Pronësi me Drejtësi dhe shoqata Dukati (Degët Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier), u mblodhën së bashkupër të diskutuar lidhur me situatën anarkike e kleptokratike me pronat, si rezultat i mos zbatimit të Kushtetutës së Republikës, për kthimin e pronës pronarëve trashëgimtarë.

Në kuvënd u shpreh shqetësimi se Qeveria, nuk po zbaton nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës së Republikës, të cilët sanksionojnë të drejtën e njohjes dhe kthimit fizik të pronës së trashëguar, por në mënyrë arbitrare vazhdon të zbatojë standarde të shumëfishta, duke e futur popullin në konflikt të përjetshëm me njëri tjetërin.

Argumenti i Qeverisë RAMA se: “ atyre që kanë gati çerek shekulli që po e punojnë tokën (dmth pronarëve të rinj ), do tua japim pronë në bazë të 7501-shit” përveç se është antikushtetues është edhe i padrejtë. Po ne pronarët që këtë tokë e kemi trashëguar e punuar në shekuj, si dhe kemi çerek shekulli që po e kërkojmë – a nuk paskemi shumëfish të drejtë ? Vazhdoni leximin

Shteti i paguan pronarëve mbi 2 milionë euro

Vendimi/ Ekzekutohen vendimet e Gjykatës së Strasburgut për çështjet Themeli, Tushaj, Delvina dhe Manushaqe Puto e të tjerë kundër Shqipërisë

Qeveria shqiptare do t’i paguajë mbi 2 milionë euro pronarëve. Kjo është fatura financiare për 4 nga çështjet e pronarëve që i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut, ndërkohë që, Strasburgu pret qershorin për të zbardhur vendimin për 83 çështje të tjera dhe fatura financiare do të jetë shumë më e shtrenjtë, ndoshta dhe e papërballueshme për shtetin shqiptar dhe për taksapaguesit shqiptarë. Ndërsa ekzekutimi i menjëhershëm i vendimeve të Strasburgut nuk do të shtonte faturën, pasi çdo ditë e kaluar rëndon shtetin shqiptar me një taksë për vonesën. Nëse shteti shqiptar nuk zgjidh një herë e mirë problemin e pronës në zbatim të Kushtetutës, atëherë pronarët do të zbarkojnë në Strasburg dhe taksapaguesit shqiptar do të paguajnë për papërgjegjshmërinë dhe hajdutërinë e institucioneve shtetërore.

Vazhdoni leximin

Politikanët mashtrojnë Strasburgun për pronat

Botuar në Gazetën Telegraf nga Ledjana SALIU më 21/03/2014

Qeveria, mungesë transparence rreth bisedimeve të Strasburgut me krerët e agjencive dhe të institucioneve për çështjen e pronave

Problemi i pronës është bërë dhe dje objekt i diskutimeve në Parlament, shoqëruar me replika të ashpra mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Përveçse akuzave të ndërsjella, si gjithmonë fajtori mbetet jetim, asgjë të re nuk solli ky konfrontim. Kryeministri Rama nuk tha asgjë se për çfarë është folur, apo vendosur në Strasburg kur delegacioni me krerët e agjencive dhe të institucioneve për çështjen e pronave shkoi në fillim-mars në Strasburg për të diskutuar për çështjen e pronave. Vazhdoni leximin

Shqipëria rrezikon përjashtimin nga Këshilli i Evropës, tre drejtorë në Strasburg për moszbatimin e vendimeve në favor të pronarëve

Më poshtë po botojmë një artikull nga gazeta Sot/Adriatik Doçi mbi kërcënimin shumë serioz të përjashtimit të Shqipërisë nga Këshilli i Evropës si pasojë e mos-respektimit të të drejtave te pronësisë . Ne kemi raportuar mbi këtë paralajmërim rreth një vit më parë.

Ndryshe nga shkrimi i mëposhtëm, ne mendojmë se fatkeqsisht asnjë qeveri deri më sot nuk ka pasur vullnet politik për zgjidhjen e çështjes së pronave.

Ligji 7501 ishte zbatim, nga Ramiz Alia, i politikës së Katovicës që kishte për qëllim të ngatërrojë një popull dhe të mundësojë pasurimin e “elitave” në pushtet.

Fatkeqsisht thelbi i kësaj politike anti-pronë dhe anti-pronar është zbatuar gjatë këtyre 20 viteve të fundit nga të gjitha forcat politike që kanë ardhur në pushtet.

“Pendimet” e radhës (Majko, Dokle, Berisha, Mediu….etj.) duhet të shoqërohen me masa konkrete që të bëhen të besueshme! Përndryshe mbeten lojë politike për të shtyrë pafund zgjidhjen e problemit të pronave.

Masat konkrete janë: respektim në legjislacion dhe praktikë i neneve 181 dhe 41 të Kushtetutës, abrogim ose korrigjim i ligjeve antikushtetuese si 7501, dhe thjeshtim i legjislacionit. Prej mëse një viti ne i kemi propozuar politikës dhe shtetit shqiptar një projektligj të vetëm i cili zëvendëson morinë e ligjeve ekzistuese kontradiktorë dhe pjesërisht antikushtetues. Eshtë koha që ky projektligj të studjohet seriozisht dhe të adoptohet nga Parlamenti.

Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti”
———————————————————————————————————————-
Nga Adriatik Doçi
Shqipëria rrezikon përjashtimin nga KiE, tre drejtorë në Strasburg për moszbatimin e vendimeve në favor të pronarëve

Fatura dhe pasojat e korrupsionit të qeverisë së kaluar me pronat, trojet dhe zonat turistike, rrezikon të përjashtojë Shqipërinë nga Këshilli i Evropës si dhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Pamundësia

financiare e qeverisë aktuale për të zbatuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut për pronat, e ka futur vendin tonë në një hulli të rrezikshme, ku pritet të përballet me sanksione të forta. Vendimet e pazbatuara, të trashëguara nga qeveria Berisha, tashmë janë kthyer në bumerang. Përballë kësaj situate, një delegacion me krerët e agjencive dhe të institucioneve për çështjen e pronave, kanë zbarkuar me urgjencë në Strasburg për të negociuar lidhur me afatet e prera për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, shumica e të cilave janë në favor të ish-pronarëve dhe kundër administratës dhe gjykatave të shtetit shqiptar. Vazhdoni leximin

Shqetësim serioz për ritmin shumë të ngadaltë të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

Këshilli i Evropës botoi muajin e kaluar një raport të komisionerit për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muižnieks. Raporti 26 faqesh është një pasqyrë e problematikës së të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe është hartuar në vijim të një vizite që komisioneri kreu në Shqipëri në Shtator 2013.

Në lidhje me pronat, Komisioneri sheh me shqetësim serioz ritmin shumë të ngadaltë të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nga ana e Shqipërisë, veçanërisht të atyre që lidhen me moszbatimin e vendimeve të gjykatave të brendshme apo të vendimeve administrative, duke përfshirë edhe vendimin pilot për çështjen Manushaqe Puto. Vazhdoni leximin

Efektet e ligjit 7501, fatkeqësi kombëtare, si dënimi me vdekje

Botuar në Gazetën Telegraf më 18/02/2014

Intervistë me Prof. Dr. Ago Nezha

Zgjidhja e vetme është vendosja e drejtësisë për çështjen e pronave

Për Prof. Dr. Ago Nezhën, efektet e ligjit 7501 janë “fatkeqësi kombëtare, si dënimi me vdekje”.  Në intervistën e tij për “Telegraf”

Nezha jep vlerësimin e  tij për ligjin 7501, mendimin e tij për pohimin e Berishës në një intervistë në Televizion, se “është bërë gabim me ligjin 7501 për pronat” si dhe gjykimin e tij për fatin e këtij ligji në të ardhmen…

Si i vlerësoni efektet e Ligjit 7501?

Ligjin 7501 dhe Ligjin e heqjes së dënimit me vdekje, unë i kam quajtur dy fatkeqësitë shqiptare, që kanë shkatërruar marrëdhëniet njerëzore dhe kanë cenuar të drejtën shoqërore për të jetuar të lirë në një shoqëri demokratike. Ky ligj, ishte një kompromis konjukturash për efekte elektorale, ku si e Majta ashtu edhe e Djathta, e votuan unanimisht në Parlamentin e parë pluralist. I vetmi deputet që doli në kundërshtim me ligjin dhe votoi kundra ishte shkrimtari i madh Dritëro Agolli. Për këtë qëndrim refuzues ndaj ligjit, ka edhe një episod me Namik Doklen, që i tha: o Dritëro, si votove kundra ligjit, kur ti je dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste?!. Dritëroi i madh, i tha: “Bjena socializmin se do votoj unë pro, tashti jemi në kapitalizëm”. Filozofia e këtij qëndrimi është fare e qartë, nuk mund të ndërtojmë shoqërinë kapitaliste në një demokraci liberale, me metoda komuniste. Vazhdoni leximin