Botuar në Gazetën Telegraf më 28/11/2014
Shkrimi me titull “(Mos) kthimi i Pronave i botuar në gazetën “Telegraf” në datën 21. 11.2014, pasqyron me vërtetësi absolute masakrën shtetërore që kanë bërë drejtuesit kryesorë të Politikës Shqiptare, pas vitit 1990. Moria e ligjeve e vendimeve që kanë miratuar në Parlament e Qeveri, jo për ta zgjidhur kthimin e pronës, por për ta bërë sa më konfliktuale tregon sa papërgjegjshmërinë aq edhe keqdashjen e tyre. Kjo ka ndodhur, sepse liderët kryesor të PD/ PS-së, etj., kanë qenë të interesuar që situata të jetë e tillë, në mënyrë që të mundësonin korrupsionin. Shkrimi prezanton me shifra konkrete situatën tejet konfliktuale, tërësisht antikushtetuese, tërësisht në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe që tërë populli shqiptar është në armiqësi me njëri-tjetrin. Si mundet, që një drejtues lider i një partie të kërkojë nga populli që ta votojë për ta qeverisur, kur gjithë popullin e kishte dhe e ka në konflikt të përjetshëm dhe, megjithëse, premton nuk e zgjidh konfliktin? Si mundet që një parti politike të kërkojë qeverisjen, duke mos garantuar zbatimin e Kushtetutës, e pasi fiton, deklaron se do zbatojmë 7501-n? Pse Presidenti i Republikës, megjithëse kur merr detyrën, BETOHET se do garantojë zbatimin e Kushtetutës dhe kjo është detyra kryesore e tij, qëndron në detyrë, kur nuk e garanton zbatimin e saj? Po Gjykata Kushtetuese përse është e përse paguhet?