Pronat, orteku që ka vënë para ekonominë

Postuar më: 20 Prill 2015 09:18 në MAPO

tirana kaotikeÇështjet e pazgjidhura të pronësisë po largojnë investitorët nga vendi dhe po mbajnë peng zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe bujqësisë. 500 mijë pronarët e rinj të krijuar nga dhënia e tokës në përdorim me ligjin 7501 në vitin 1991 kanë fragmentarizuar tokën bujqësore në 350 mijë ferma. Pasojat, treg i deformuar çmimesh dhe korrupsion në të gjitha nivelet. Qeveria, para rrezikut real të mosshlyerjes së kompensimeve të fituara nga ish-pronarët në Gjykatën e Strasburgut

Nga Blerina Hoxha, Monitor

Statusi i pronave të shqiptarëve është në ditët më të zeza që nga krijimi i shtetit dhe më tutje. Shtetëzimi i pasurive të paluajtshme nga reforma agrare e viteve 1950-1960 nuk qe asgjë para ndarjes për frymë të tokës bujqësore dhe fragmentarizimit në 3 milionë pasuri që bëri qeverisja demokratike në vitin 1991, me ligjin 7501.

Toka bujqësore e dhënë në përdorim ka krijuar 500 mijë pronarë të rinj në kurriz të pronarëve realë, sot nuk mund të zhbëhet më. Qeveria ka nisur procedurat për të bërë pronarë përdoruesit e ligjit 7501, ndërkohë zhvillimi i bujqësisë, turizmit, investimeve private do të mbeten përjetësisht peng i këtij zhvillimi të çorganizuar gati me dashje në ndarjen e pronësisë.

Çështja e pazgjidhur e pronave është bërë shkak për nxitjen e informalitetit, ndërtimeve pa leje, tregut të deformuar të pasurive të paluajtshme dhe së fundi, akumulimi i shumave të mëdha që duhen për kompensimin e ish-pronarëve që kanë fituar betejën me shtetin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, është kthyer në rrezik fiskal. Qytetarët që nuk kanë zënë tokën e askujt do të detyrohen të paguajnë me taksat e tyre faturën që buxheti i shtetit do të akordojë për kompensimin e ish-pronarëve.

Me 25 ligje që rregullojnë çështjen e pronave dhe 8 institucioneve të posaçme që mbikëqyrin procesin, statusi i pronave është ngatërruar edhe më keq, duke u kthyer në një nyje të pazgjidhshme dhe sot vlerësohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, organizatat e biznesit dhe Banka Botërore si pengesa themelore për zhvillimin ekonomik të vendit. Pas çdo dështimi në investime, shihet si shkak prona, e cila është ndërruar në një kancer malinj, që po e çon në greminë të ardhmen e qëndrueshme të vendit.

“Që prej tre vitesh, kur kam filluar të punoj me Shqipërinë, e kemi ngritur çështjen shumë të thellë të të drejtave të pronësisë, se si ato ndikojnë negativisht në ekonomi dhe në investime. Nuk kemi parë që kjo reformë të ecë përpara. Po diskutojmë me qeverinë, që po përpiqet të bëjë diçka për këtë. Një tjetër problem është ai i kompensimeve me urdhër të Gjykatës Europiane, që është gjithashtu një rrezik fiskal. Këto janë të gjitha probleme shumë të thella” ka pohuar shefi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, në një intervistë për Monitor.

 

Vazhdoni leximin