Mbivendosje, tjetërsime trojesh, zhvatje pronash

Gazeta Telegraf, 30 mars 2015

Për vitin 2013-2014, numërohen mbi 800 vendime gjyqësore pronash, të anuluara nga Gjykata e Apelit në Durrës, vetëm nga Elbasani.
Gjykatat dhe Zyrat e Përmbarimit sorollatin pronarët e vërtetë
Ish-pronarët apo ndryshe pronarët e ligjshëm të Elbasanit, të cilët kanë afro 2 dekada që merren me problemin e pronave të tyre, për t’i njohur, regjistruar dhe marrë, duke trokitur në Zyrat e Përmbarimit, kanë rikthyer në Gjykatën e Shkallës së Parë, vendimet që janë cilësuar të “pambështetura në ligj” nga kolegët e tyre të Apelit. Sipas një pronari elbasanas M.K. që ka prona dhe troje pothuajse në të gjitha zonat, ku shtrihen ndërtimet sot në këtë qytet “vendimet e gjyqësorit në Shkallën e Parë, lidhur me pronat e mia, duke nisur nga periferia pranë stacionit të trenit e duke u shtrirë tek tregu fruta-perimeve e pastaj tek ish-lulishte Odesa, janë prishur nga Apeli në Durrës, janë rikthyer pasi janë quajtur si të padrejta”. Vazhdoni leximin

Mbi 550 dosje të pavlefshme, qindra të tjera nuk gjenden

Gazeta Telegraf më 26/01/2015

Keneta_Durres_01Thellohet skandali me legalizimet në Durrës, Prokuroria nis hetimin nga e para

Prokuroria e Durrësit i është rikthyer hetimit nga e para për degën e ALUIZNI-t në Durrës, pasi ka zbuluar dhe marrë informacione të tjera nga KLSH dhe DPALUIZNI-t lidhur me abuzimet. Fjala është për mbi 550 dosje të cilat u përkasin objekteve pa leje të cilat kanë mangësi në dokumentacion, falsifikime dhe shkelje ligjore dhe, padyshim, që janë klasifikuar të pavlefshme.

Dega e ALUIZNI-t në Durrës prej disa muajsh ka nisur verifikimet në terren të çdo dosje, sidomos në ish-Kënetë, ku abuzimi ka qenë më flagrant, në Spitallë, lagjen 14 Shkozet, lagjen 13 Plazh, tek Shkëmbi i Kavajës, në Rrashbull, Gjirin e Lalëzit, Porto-Romano, etj.. Faktet e reja të dala dhe të zbuluara, edhe nga një ekip kontrolli nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t dhe KLSH-së, kanë treguar dhe dokumentuar shkeljet dhe abuzimet.

Organi akuzës, pas hetimeve të nisura qysh muajin maj 2014, tashmë është rikthyer për të dokumentuar dhe arkivuar faktet e reja të dala nga qindra dosje të tjera. Mbi 550 dosje dhe qindra të tjera janë gjetur të parregullta dhe të pavlefshme, janë gjetur të hedhura, të grisura, të lagura dhe me dokumentacion të paligjshëm. Hetuesit thanë se “shkalla e abuzimit dhe rrethi i personave që janë nën hetim, lidhur me abuzimet në procesin e legalizimit në degën e Durrësit ka përmasa të mëdha, janë dhjetëra punonjës dhe ish-drejtuesish, që mbajnë përgjegjësi ligjore, që kanë lejuar dhe marrë përsipër legalizimin në troje të cilat prekin projekte zhvillimi të qytetit dhe zonave turistike, qindra dosje me të cilat ne po ngremë akuzat për personat përgjegjës, duke mos harruar se dëmi financiar arrin në miliona lekë”.

Zbulimi dhe thellimi i skandalit të legalizimeve në Durrës, zgjerimi i hetimeve ka nxjerrë edhe emra ish-ministrash e deputetësh, që kanë luajtur rolin e “eprorit” dhe ndërmjetësit për ish-drejtuesit e ALUIZNI-t Durrës, duke lejuar dhe tentuar të legalizojnë objekte në zona arkeologjike, turistike dhe troje me ish-pronarë deri vitet e fundit. Sipas burimeve hetimore “të gjitha objektet e paligjshme do të jenë objekt hetimi, për ata që toleruan ngritjen e tyre, por edhe objekt i fadromave, pasi janë objekte që kanë groposur kolektorë, objekte arkeologjike, apo kanë penguar projekte të zgjerimit të qytetit dhe investimeve”. Hetuesit thanë se “ndoshta fundi i muajit prill 2015, do të jetë edhe afati fundit i dorëzimit të dosjeve voluminoze të ALUIZNI-t Durrës në Gjykatë”

Nga Ben Delimeta


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Pronari: Tokën në rërë ma dha Dako kompensim

Botuar në gazetën Rilindja Demokratike, nga Enton Doçi, 23 Shkurt 2014

Besi Shehi, pronari i tokës ku po ndërtohet pallati në rërë ka reaguar përmes një reagimi në Facebook. Ai shprehet se, toka ku Dako ka dhënë lejen për ndërtimin e një pallati shtatë katësh është dhënë si kompensim për një tjetër pronë që pronari në fjalë ka pasur në qendër të Durrësit. “Ajo tokë më është dhënë kompensim për tokën që ishte e imja në qendër të Durrësit dhe është brenda vijës së caktuar nga Bashkia për të ndërtuar. Është godina më e vogël që ekziston në plazh. Çdo gjë është bërë me leje dhe brenda rregullave”, shprehet Shehi, pronari i kësaj toke.
Gazeta nuk ka asgjë me pronarin e tokës. Ai është një pronar që pret të pronësohet si mijëra e mijëra pronarë të tjerë. Por, mekanizmi si ka funksionuar ky kompensim është një aferë e pastër korruptive. Vazhdoni leximin