Jepni fund katrahurës me pronat!

Botuar në Ballkan News, 16 shkurt 2017

Rrapo Hajredin Danushi, Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” 

Në më shumë se 75% të vendit prona është kthyer tek i zoti në kufijtë e para kolektivizimit komunist, që në vitin 1991 por në pjesën tjetër vazhdon anarkia dhe vjedhja e pronës. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, ka marrë pjesë në komisionin parlamentar për hartimin e Kushtetutës që u miratua me referendum më 1998, për nenet 41 dhe 181 që lidhen me pronën dhe kërkoi futjen e nenit 181. Formulimi i këtij neni, u bë në sajë të ndihmës prej të ndierit Kleanthi Koçi, i cili nuk donte të popullarizohej për ndihmën e tij. Ne e respektuam kërkesën e tij. Dihet se më vonë ai u qëllua në krah me pistoletë dhe kjo i shkaktoi vdekjen, por vrasësi dhe porositësit nuk u identifikuan. Të gjithë shqiptarët, duhet t’i jenë mirënjohës av. Kleanthi Koçit për mjeshtërinë, për profesionalizmin dhe saktësinë në formulimin e nenit 181 të Kushtetutës. Vetë kryetari i Komisionit të Venecias për Kushtetutën, z. La Pergola dhe më vonë edhe dy juristë të Gjykatës së Lartë Italiane, me të cilët jemi takuar pas miratimit të Kushtetutës,  na përgëzuan duke na thëne se përpjekja e Shoqatës u kurorëzua me sukses, për faktin se neni 181 i Kushtetutës ka vulosur fuqinë prapavepruese dhe na sqaruan se zbatimi i këtij neni do të zgjidhë parregullsitë e pronës. Deri sot detyrimi kushtetues që ka përcaktuar neni 181 i Kushtetutës, është shkelur dhe vazhdon të shkelet dhe kjo nuk mund të justifikohet. Zoti Rama, Ju, në postin e kryeministrit të vendit, keni përgjegjësinë historike dhe morale, që t’i jepni fund katrahurës me pronat. Anarkia e pronës po sjell prishjen e identitetit kombëtar, është pengesë për anëtarësimin në BE dhe shumë më tepër se kaq. Shqetësimi për pronën është problem me rëndësi kombëtare. Vazhdoni leximin