Nga Neritan Gjergo
Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegon ecurinë e procesit dhe procedurat për familjet që janë në pritje. Në shtator do të kalojnë në qeveri dhe parlament ndryshime ligjore për regjistrimin e pronave me probleme
Pas miratimit të më shumë se 4000 lejeve të legalizimit në 10 qarqe të vendit, procesi për legalizimin dhe hipotekimin e ndërtimeve pa leje, vijon me një ritëm mesatar prej 3000 regjistrimesh në muaj. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame komenton pengesat dhe procedurat që ndiqen nga qytetari dhe institucionet dhe bën thirrje për bashkëpunim. Ai sqaron edhe problematikën e pronave në vend, e cila me ndryshimet ligjore që do të kalojnë në parlament pas shtatorit, do t’i hapin rrugë zgjidhjes përfundimtare të regjistrimit të tyre.
Z. Lame, më shumë se 4000 emra në 10 qarqe në vend janë publikuar përmes ALUIZNI-t, në një kohë kur procesi duket se kishte ngecur, të paktën nga buletinet që dalin nga zyra që ju drejtoni. Si po shkon procesi dhe si është ritmi i tij tashmë?
Është një proces, i cili vijon dhe normativa mesatare e ALUIZNI-t referon rreth 3000 legalizime në muaj. Por, duhet theksuar se legalizimi nuk është zgjidhja përfundimtare, por është vetëm kapitulli i parë. Këta qytetarë presin për kapitujt e tjerë, që janë regjistrimi i banesave, urbanizimi i zonave ku kanë ndërtuar, e kështu me radhë.
Të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë parë emrin këtë të hënë i nënshtrohen një procesi të dytë?
Unë dua të bëj thirrje që të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë probleme, e që kanë ndjekur procesin, kudo që janë dhe shohin se nuk marrin njoftim, duhet t’i ndjekin procedurat, sepse vetëm përmes bashkëpunimit do të mbyllim këtë proces. Unë u bëj thirrje edhe fqinjëve, në rast se lexojnë emrat e fqinjëve t’i lajmërojnë. Legalizimi është një proces një nuk e bën vetëm ALUIZNI.
Si e orientoni këtë bashkëpunim? Ku duhet të paraqiten qytetarët?
Para dy vitesh ne kemi bërë një lehtësim, ku nuk e detyrojmë qytetarin të paraqitet, por ai mund të marrë një kopje të fletës së verdhë që ne lëshojmë. Me vendimin e dy viteve më parë, janë ALUIZNI dhe Hipoteka, ato që ndjekin procesin. ALUIZNI e çon atë fletë në ZRPP për të bërë regjistrimin dhe pas kësaj, qytetari orientohet për të shkojë në ZRPP për të marrë certifikatën e pronësisë dhe të paguajë tarifën përkatëse. Dërgesën e lejes së legalizimit në Hipotekë e bën ALUIZNI. Por, Hipoteka jo gjithmonë lajmëron që certifikata e pronësisë është gati, pasi në raste të caktuara dalin dhe probleme, si mbivendosje, shpronësime për ish-pronarët etj.
Por në fushën e pronësisë, trashëgimia që kemi në prona dhe në ZRPP është jashtëzakonisht e keqe. Në fushën e hartografisë dhe regjistrimit të pronave, jemi në pragun e një katastrofe. Shqipëria, kurrë nuk ka mbyllur procesin e regjistrimit të pronave në regjistrat kadastralë që nga viti 1912. Para vitit 1944, është bërë një përpjekje, por nuk është mbyllur. Pas vitit 1945, dihet historia, ndërsa pas vitit 1990 është zbuluar kjo katrahurë e madhe. Situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe do ta vuajmë edhe për disa vjet, edhe duke pasur vullnetin për ta rregulluar.
Qeveria ka dalë me programin për të bashkuar në një strehë, institucionet që trajtojnë çështjen e pronave. Çfarë ka ndryshuar në këtë prizëm?
Ai ka qenë një premtim i para 4 viteve për të unifikuar këto institucione, sepse gjithsecili ka pasur dosjen e vet për të njëjtën pronë, por pa pasur një rakordim se do të veprohet me të. Në qoftë se çdo institucione vepron me një hartë të vetën, problemi mbetet në vendnumëro. Një hartë e unifikuar dhe bashkimi në një strehë e institucioneve është logjika më e drejtë për zgjidhjen e çështjes së pronave. Me hapjen e sesionit të ri parlamentar, do të kalojë në qeveri dhe në parlament legjislacioni për të gjithë proceset tranzitore, që duhet të mbyllen një herë e mirë.
Hipoteka për parcelën
LAJMET MË TË LEXUAR NË TIRANA
Top 30 Celebrities with the Highest IQ in the World
Trump’s IQ is Finally Revealed – Try Not to Gasp!
Donald and Melania Are Worried About Barron Trump’s Very Alarming IQ
ALUIZNI në aplikimin për regjistrim të lejes së legalizimit kërkon edhe regjistrimin e hipotekës ligjore mbi pasurinë e legalizuar, që në momentin e aplikimit online nëpërmjet sistemit IPS, sipas pikës 2 të këtij udhëzimi. Në momentin e regjistrimit të pronësisë mbi parcelën ndërtimore, ZRPP-ja është e detyruar të plotësojë shënimet për hipotekën ligjore mbi këtë parcelë (pasuri). Me kërkesë zyrtare me shkrim të drejtorisë së ALUIZNI- t, regjistruesi vendos kufizimin mbi pasurinë e legalizuar, të subjektit debitor, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 22, 23 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015.
Heqja e këtij kufizimi nga regjistruesi bëhet pas njoftimit zyrtar me shkrim nga ALUIZNI, mbi shlyerjen nga subjekti të detyrimit financiar. Fshirja e hipotekës ligjore i njoftohet zyrtarisht me shkrim ZVRPP-së nga ALUIZNI, jo më vonë se 5 ditë pune nga dorëzimi i vërtetimit të pagesës së detyrimit financiar nga subjekti përfitues. Njoftimi shoqërohet nga kopje e vërtetimit të pagesës dhe kopje e formularit “Tip” të aplikimit. Brenda 5 ditëve punë nga data e njoftimit zyrtar me shkrim të drejtorisë së ALUIZNI-t, regjistruesi bën fshirjen e hipotekës ligjore.
Certifikata e pronësisë brenda 10 ditëve
Tapia për ndërtimet pa leje dhe për tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi jepen brenda 10 ditëve. Udhëzimi i përbashkët mes ALUIZNIT dhe ZRPP-së detajon procedurat e regjistrimit të pasurisë së legalizuar. Sipas udhëzimit, drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t, paraqesin kërkesën (aplikimin) për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes. Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit “Tip”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, pa pagesë “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital. Në zbatim të kësaj pike, autorizohet aksesi i drejtorive të ALUIZNI-t në këtë sistem, në përputhje me rregullat e sigurisë sipas legjislacionit në fuqi.
Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, Drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar në pikën 10 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Dokumentacionit sipas kësaj pike, i bashkëlidhet edhe një kopje e printuar e formularit “Tip” të aplikimit.
Aplikimi
Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur “kërkesës për regjistrim”, kryhen nëpërmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve.
Afatet
Regjistruesi brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës është i detyruar të kryejë regjistrimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë, mbështetur në përcaktimet e kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, ZVRPP- ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP- së.
Regjistruesi, në rast se konstaton se ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi, që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t për plotësimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në udhëzim. Regjistruesi është i detyruar të kryejë regjistrimin brenda 10 ditëve nga data e plotësimit dhe ridërgimit të dokumentacionit nga drejtoria e ALUIZNI-t. Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP- ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë.
Ndajeni këtë me të tjerët:
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet…