Shoqata “Pronësi me Drejtësi” i shpreh pozicionin e saj Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës do shqyrtojë ekzekutimin nga ana e autoriteteve shqiptare të vendimit pilot “Manushaqe Puto” dhe grupit të rasteve “Driza” gjatë mbledhjes së ardhshme, 8-10 Dhjetor 2015.

Qeveria shqiptare ka paraqitur një projekt-ligj ” PËR TRAJTIMIN E PRONËS DHE PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE” si tentativë përgjigje për kërkesat e formuluara nga gjykata në rastet e përmendura.

Ky projekt-ligj nuk zgjidh problemin madhor që është kthimi i fizik i pronës. Përkundrazi, kthimi i pronës anashkalohet dhe nuk trajtohet. Nga ana tjetër minimizohet edhe më tej vlera e pronave dhe mbyllet mundësia për t’u ankuar në Gjykatën e Starasburgut.

Shoqatat e të shpronësuarve u shprehën kundër projekt-ligjit që në momentin e paraqitjes së tij. Tani, shoqata “Pronësi me Drejtësi” i paraqet Komitetit të Ministrave, përmes një letre të sapo dërguar në Strasburg, argumentet juridike në kundërshtim të projekt-ligjit.

Shoqatat Bregdeti, Krahina Jonë, Dukati, Pronarët Legjitimë, Pronarët e Myzeqesë dhe Borshi i bashkangjiten këtij pozicioni dhe mbështesin kërkesat e përmendura në letër.

Në thelb, qëndrimi i shoqatave është si vijon:

  • Vetëm respektimi i neneve 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe i shtetit ligjor i hap rrugën krijimit të një mekanizmi efikas siç e kërkon vendimi pilot (pika I e letrës);
  • Ne kundërshtojmë pretendimin e Qeverisë se projektligji krijon një mekanizëm efikas për zgjidhjen e problemit të pronës dhe japim argumentet tona (pika II e letrës);
  • Ne propozojmë një rrugëzgjidhje të qëndrueshme dhe ftojmë Komitetin e Ministrave t’i kërkojë Qeverisë dhe Parlamentit shqiptar të tregojnë vullnet politik për të respektuar nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe për të zgjidhur përfundimisht kthim kompensimin e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist (pika III e letrës).

Letra në anglisht gjindet këtu.

Shoqatat shprehin besim se Komiteti i Ministrave do të insistojë që Qeveria shqiptare t’i aplikojë vendimet parimore të Gjykatës Evropjane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) që kanë për qëllim të zgjidhin problemin struktural të abuzimeve me të drejtën e pronësisë.

Shoqatat shprehen të gatshme të kontribojnë për gjetjen e një zgjidhje të mirëfilltë përmes ekspertave dhe komuniteteve lokale.

Reklama

Pronari nga Dukati i shkruan perfaqesuesit të Këshillit të Europës në Shqipëri

Botuar në Gazetën Dielli

KËRKESË PUBLIKE ZOTIT MARKO LEIDEKKER PËFAQESUES I KËSHILLIT TË EUROPËS NË SHQIPËRI

Shqiperi,17 Gusht 2015

I nderuar zoti Marko Leideker, përfaqësues i Këshillit të Europës. Duke ju falenderuar për veprimtarinë tuaj për të ndihmuar zhvillimet demokratike në Shqipëri, ju lutemi të na bëni të ditur publikisht komentin që kanë bërë specialistët e Këshillit të Europës për projektligjin e Qeverisë për kompensimin e pronave.
Llogjika na thotë se ka një manipulim nga Ministria e Drejtësisë duke bërë lojë fjalësh dhe keqpërdorur emrin e Këshillit të Europës. Sqarimi publik nga ana juaj, është i nevojshëm për të rivendosur besimin tonë ndaj institucioneve ndërkombëtare si dhe transparencën për veprimet e autoriteteve shqiptare. Përgjigja juaj publike do të sqarojë njëkohësisht mijëra pronarë në të gjithë zonën turistike perfshi dhe qindra pronarë në fshatin tim të Dukatit, ku secili pret kthimin me ligj të pronës së grabitur për 45 vjet nga diktatura komuniste dhe prej 24 vjetësh nga pjella e tyre e ricikluar në politikë prej Ramiz Alisë nëpërmjet mashtrimit pseudodemokratik të Katovicës.
Unë jam anëtar i Shoqatës “Dukati” dhe në harmoni te plotë me Shoqatën Kombëtare “Pronësi me Drejtësi’ dhe shoqatat e tjera, kërkojmë ndihmën tuaj për të korigjuar gabimet e qeverisë me pronat tona të trashëguara. Dukati është nje nga fshatrat e zonës turistike të Gjirit të Vlorës. Fshati ka pak tokë bujqësore të punueshme por në çdo kohë ka jetuar me nder. Nuk kemi vjedhur dhe përvetësuar kurrë më parë pronën e tjetrit, por kemi jetuar me punën e ndershme dhe me djersën e ballit, duke shfrytezuar atë pak tokë bujqësore, blektorinë dhe kullotat e Karaburunit që i trashëgojmë prej shumë brezash. Diktatura komuniste i grabiti pronat tona, na denigroi si kulakë, na persekutoi etj. Nese Evropa, Banka Botërore etj, e dëshirojnë Shqipërinë demokratike, ata ashtu siç imponojnë uljen e pensioneve dhe rritjen e energjisë elektrike, duhet që më parë të dertyrojnë shtetin të kthejë pronën e graditur tek i zoti. Politikanë me eksperiencë si ish presidenti Bamir Topi, po fokusohen tek referenca e çmimit të kompensimit. Zgjidhja nuk është çmimi por detyrimi i Shtetit për të zbatuar kushtetutën. Siç u shprehën ne deklaratën publike të shtatë shoqatat e pronarëve kompensimi e ka rradhën pas kthimit dhe është i pranushëm vetëm për pronat që nuk mund të kthehen pasi janë tjetërsuar dhe shërbejnë për nevoja publike.Ne nuk do të lejojmë pazare çmimash me të drejtat tona me dinjitetin tonë.

Vazhdoni leximin

DEKLARATË PËR SHTYP NGA 7 SHOQATA TË PRONARËVE

12 Gusht 2015 

Për mospranimin e Projekt Ligjit të Qeverisë ,“Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave në Shqipëri.

Në kuadër të reformës për cështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës, Qeveria Shqipëtare prezantoi Projekt ligjinPër trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Për tu njohur me Projekt ligjin ishin ftuar edhe Shoqatat e pronarëve Shqipëtarë.

Drejtuesit dhe përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve, analizuan me hollësi e shqetësim përmbajtjen e Projekt ligjit dhe konstatuan se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 41 dhe 181) dhe me kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut për pronën. Ai nuk zgjidh problemin madhor që është “Kthimi i fizik i pronës , por përkundrazi në projekt ligj mbyllet perfundimisht kthimi i pronës, minimizohet vlera dhe mbyllet mundësia për tu ankuar në Gjykatën e Starasburgut. Në këtë Projekt, është hequr fare koncepti i kthimit të pronës, pra nuk ka më kthim të pronës por ka vetëm një kompensim minimal e sipas interesit të qeverisë. Ne pronarët i kërkojmë Qeverisë – KTHIMIN E TOKES që na është marrë, dhe në zbatim të pikës 2 të Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr 24 datë 13 Mars 2002 edhe fitimin e munguar qysh nga viti 1945; ndërsa, Qeveria nëse ka“para”, le tja u japë “pronarëve” që fabrikoi me Ligjin 7501.

Projekt-ligji i ofruar si “zgjidhje” nga Qeveria është i papranueshëm, sepse mban forcërisht në fuqi Ligjin antikushtetues 7501, datë 19. 07.1991, “Për Tokën”,   me të cilin prona e ligjëshme, iu muar pronarëve që e trashëgonin dhe iu dha falas disa të tjerëve që Qeveria i emertoi “ Pronarë ”. Ky veprim ka qenë dhe eshte në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili thotë : “prona fitohet me dhurim, me blerje ose me , trashëgim….”, por bie në kundërshtim edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Pronën, e cila është ratifikuar nga Parlamenti Shqipëtar me ligjin nr.7491, datë 29.04.1991’ .

Agjenësia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, deklaron se janë vetëm 26 mijë dosje të Pronarëve që kërkojnë kthimin e Pronave, dhe vetem këta llogarit për kompensim, por janë ende dhjetra mijë pronarë të tjerë që kërkojnë dokumenta per të vërtetuar pronat e tyre. Ndërkohë Qeveria Shqipëtare këto prona, ende te pa identifikuara, i konsideron prona të shtetit dhe vazhdon ti shesi, e ti japë me qera, në mënyrë të kundraligjëshme. Ndërkohë ne 50 % të territorit (në pjesën veriore te vendit) sejcili banor ka marrë tokën e tij të trashëguar)-pra Ligji 7501 është zbatuar vetëm në Jugë të vëndit.

Projekt-ligji zyrtarizon përfundimish një borxh absurd në miliarda Euro. të cilat duhet të përballohen nga taksapaguesit dhe buxheti i shtetit, për të kompensuar pronarët dhe e gjithe kjo për interesa elektorale e karieriste edhe KORRUPTIVE, të liderëve politik, që kanë sunduar jetën e vëndit në këto 24 vjet. Ndërkohë që është e sigurt, se nëse prona kthehet tek pronari që e trashëgon, detyrimi financiar i kompensimit bëhet ZERO. Kjo është e vetëmja zgjidhje që i kërkohet Qeverise nga pronarët Shqipëtarë, qysh nga viti 1991.

Është fakt, se aktualisht për pronën në Shqipëri nuk ka tituj pronësie komformë Kushtetutës. Për këtë arësye për konflikte pronësie, deri tani janë vrarë mbi 8000 persona. Këtë e ka deklaruar në Parlament vetë   Kryeministri Edi Rama, ish kryeministri Sali Berisha dhe ish Kryeministri Majko që kanë deklaruar publikisht se : “ Klasa Politike Shqipëtare ka GABUAR me ligjin 7501.

Pronarët Shqipëtarë, të gjëndur para arbitraritetit dhe padrejtësisë së Shtetit Shqipëtar, që u morri pronat, kanë kërkuar e do vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila rast pas rasti iu ka dhënë të drejtë pronarëve Shqipëtarë (rasti Manushaqe Puto etj), madje ka gjobitur Qeverinë Shqipëtare, por me këtë Projekt-ligj Qeveria u a heq këtë mundësi pronarëve. Zonja Sonila Qato, Drejtoresha e Agjensisë Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, në çelje të takimit, u shpreh se “qëllimi i ligjit të ri të pronave është që t’i vërë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, që i shkakton një shumë të kripur parash shtetit shqiptar”.

Për arësyet e mësipërme, ne Pronarët Shqipëtarë e konsiderojmë Projekt-ligjin krejtësisht të papranueshëm dhe e denoncojmë zyrtarisht dhe publikisht si një artificë të Qeverisë me anën e të cilit jo vetëm nëpërkëmb të drejtat e pronarëve Shqipëtarë, por kërkon të mashtrojë edhe institucionet dhe drejtësinë Europiane.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me grupin e punës, nëse Qeveria pranon që diskutimi të fillojë nga zgjidhja në përputhje me kushtetutën dhe Konventën Europiane të të drejtave të njeriut – pra nga KTHIMI i PRONES, e pastaj nga kompensimi, por vetëm për tokat e zëna me objekte social-ekonomike (nevoja publike). Për këtë përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve kërkojnë që të tërhiqet drafti i përgatitur nga Qeveria dhe në tavolinën e diskutimeve të shqyrtohet drafti i përgatitur nga Shoqatat e pronarëve, i cili gjëndet në sitin e Shoqatës www.defendingproperty.com

Të gjitha Shoqatat e pronarëve të Shqipërisë , në unitet të plotë , i drejtohemi, gjithë institucioneve të Bashkimit Europian, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Ambasadorit të SHBA në Tiranë dhe gjithë Ambasadorëve të vëndeve të BE-së në Tiranë të mbështesin të   drejtën e Pronarëve Shqipëtarë, sipas standarteve Europiane, duke kushtëzuar edhe marrëdhëniet me Qeverinë Shqipëtare me zbatimin e Kushtetutës së Republikës dhe të Drejtës Europiane për kthimin fizik të pronës. Në të kundërt alternativa e vetëme e Pronarëve Shqipëtarë do të jetë zgjidhja përmes Gjykatës së Strasburgut.

Ne besojmë shumë te parimet e drejtësisë Europiane dhe jemi thellësisht të bindur se nuk mund të ketë zgjidhje përfundimtare dhe të qëndryshme pa kthimin fizik të pronave dhe kompensimin e tyre vetëm kur janë të zëna me objekte social-ekonomike.

Me kthimin e pronës pronarëve, kompensimi bëhet ZERO, dhe Shqipëria bëhet pjesë e BE-së

Me respekt

ALEANCA E SHOQATAVE TË PRONARËVE SHQIPËTARË

  1. Shoqata “ Pronësi me Drejtësi”,
  2. Shoqata “Bregdeti”,
  3. Shoqata “Krahina Jonë”
  4. Shoqata “Dukati”
  5. Shoqata “Pronarët Legjitimë”
  6. Shoqata “Pronarët e Myzeqesë”
  7. Shoqata “Borshi”

Botuar në Panorama, 14 gusht 2015

 

Mbivendosje, tjetërsime trojesh, zhvatje pronash

Gazeta Telegraf, 30 mars 2015

Për vitin 2013-2014, numërohen mbi 800 vendime gjyqësore pronash, të anuluara nga Gjykata e Apelit në Durrës, vetëm nga Elbasani.
Gjykatat dhe Zyrat e Përmbarimit sorollatin pronarët e vërtetë
Ish-pronarët apo ndryshe pronarët e ligjshëm të Elbasanit, të cilët kanë afro 2 dekada që merren me problemin e pronave të tyre, për t’i njohur, regjistruar dhe marrë, duke trokitur në Zyrat e Përmbarimit, kanë rikthyer në Gjykatën e Shkallës së Parë, vendimet që janë cilësuar të “pambështetura në ligj” nga kolegët e tyre të Apelit. Sipas një pronari elbasanas M.K. që ka prona dhe troje pothuajse në të gjitha zonat, ku shtrihen ndërtimet sot në këtë qytet “vendimet e gjyqësorit në Shkallën e Parë, lidhur me pronat e mia, duke nisur nga periferia pranë stacionit të trenit e duke u shtrirë tek tregu fruta-perimeve e pastaj tek ish-lulishte Odesa, janë prishur nga Apeli në Durrës, janë rikthyer pasi janë quajtur si të padrejta”. Vazhdoni leximin

Na Shkruajne nga Shqiperia- QEVERITE DHE INSTITUCIONET NDERKOMBETARE, SHKAKU I ANARKISË SË PRONAVE

Gazeta Telegraf, 26 Mars 2015

Gazeta Dielli, 24 Mars 2015

Shkruan: Ing.Isuf BODO/
Pronar autokton nga fashati Dukati i Vlorës/

Opinionet e ndërkombëtarëve në 2014 për antarësimin e Shqipërisë në BE dhe Progres Raporti i KE 2014 për Shqipërinë kërkon që Shqipëria të rishikojë dhe përmirësojë strategjinë e reformës së pronës, duke u konsultuar me pronarët dhe vendimet e GJEDNJ. Ashtu si drejtori i FMN në Tiranë, zoti Nadeem Lahi, filloi të reflektojë për pronat, presim që dhe ambasadorë të tjerë të shprehen . Zgjidhja e drejtë juridike dhe pa kosto realizohet nëse ndërkombëtarët vendosin mbi tryezë për diskutim platformën dhe projektligjin që kanë propozuar shoqatat “Pronësi me drejtësi”, “Bregdeti” dhe “Krahina Jonë“. Por po mbushen 25 vjet që loja me pronat kalon nga mashtrimi në mashtrim .Fillimisht nisi me nje ligj të gabuar ku shteti me ligjin 7501, specifikisht me nenin 8 të tij, pengoi kthimin e pronës së grabitur tek i zoti, por shpalli vehten ‘’ZOT’’dhe pronar të saj. Kjo është mbijetesa e diktaturës në kushtet e pluralizmit me frazeologji demokratike. Pjesa antikushtetuese e këtij ligji djallëzor shënoi fillimin e korrupsionit dhe të kriminalizimit të shtetit. Sot pasojat janë të qarta dhe i pranon publikisht dhe perfaqësuesi i FMN, sepse e drejta e pronësisë, ka bërë hapa prapa në këto 25 vjet të shpalljes zytare të vdekjes se diktatures. Pasojat janë se shqiptarët po vriten me njeri tjetrin, konfliktet për pronën kanë ndarë vëllezerit nga njeri tjetri, është futur sherri brenda familjeve, ndërmjet familjeve, në fis e në fshat , duke shkaktuar deri tani mbi 8000 të vrarë dhe këto janë të deklaruara nga vetë deputetët.

Vazhdoni leximin

Pronat, caktohen 2 mld lekë për gjyqet e humbura në Strasburg

38 vendime deri në 2014-n. Për 2015-n, vetëm një faturë është 8,1 mln euro

gjykata e strasburgutNë buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar 2 000 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut në favor të shtetasve shqiptarë. Nisur nga interesimi i qytetarëve që pretendojnë kompensimin financiar për pronat e tyre, Ministria e Financave njoftoi dje se, në vitin 2015, deri ditën e djeshme, janë shlyer rreth 6902 mijë lekë dhe mbeten për t’u shlyer: një vendim në shumën 8,1 milionë euro ose 1,143,470 mijë lekë, i parashikuar në buxhet dhe një vendim tjetër në shumën 650 mijë lekë, i cili është në proces. Çështjet që trajtohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave. Për sa i përket procesit të ekzekutimit të vendimeve që kanë të bëjnë me vendimet e GJEDNJ-së, deri dje, është ekzekutuar detyrimi financiar, tërësisht, për 38 prej këtyre vendimeve, ndërsa dy vendime janë në proces miratimi dhe ekzekutimi. Ministria e Financave sqaron se shteti shqiptar ka respektuar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut dhe, aktualisht, nuk ka vendime të papaguara apo që nuk janë në proces ekzekutimi. Për të gjitha vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në rast se pagesat e detyrimeve nuk kryhen brenda afatit 3-mujor nga data kur vendimet bëhen përfundimtare, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e kamatëvonesës, për çdo ditë vonesë. Deri në fund të vitit 2014, efektet e këtyre detyrimeve janë përballuar nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Sipas ligjit “Për buxhetin e vitit 2015”, për ekzekutimin e pagesave për detyrimet ndërkombëtare për vitin 2015, burimi i financimit do të jetë Fondi i Kontigjencës. Ndërkohë, në lidhje me një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, meqenëse vendimi ka dalë që vitin e kaluar, fondet për ekzekutimin e tij janë planifikuar në buxhetin e Ministrisë së Financave. Nën presionin e vendimeve të Strasburgut, qeveria ka krijuar një grup pune ndërministror, i cili po përgatit një plan për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, duke krijuar një bazë të besueshme institucionet ndërkombëtare, me qëllim që të mos ketë kosto të papritura dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit. Shpenzimet për Kompensimin në Vlerë të ish-pronarëve për periudhën 2015-2017 parashikohen në masën 1.4 miliardë lekë në vit (nga të cilat 1 miliard lek janë të ardhura nga ALUIZNI). Ndërkohë që fatura e plotë është në proces llogaritjeje, buxheti i shtetit rëndohet gjatë vitit nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësit, me një efekt financiar të konsiderueshëm. Në këto kushte, rezulton imediate marrja e masave nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të rishikimit të skemës aktuale të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe të finalizimit të një pakete masash konkrete që duhet të marrë dakordësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut. Vendimet e Gjykatës së Strasburgut konsiderohen nga Financat si një nga rreziqet potenciale për moszbatimin rigoroz të buxhetit të vitit 2015.

Z.A.

 

Dëmshpërblimet

Detyrimet e paguara

  • Në 2005 -16,080 mijë lekë;
  • Në 2007 -3,500 mijë lekë;
  • Në 2008 -131,558mijë lekë;
  • Në 2009 -77,280 mijë lekë;
  • Në 2010 -21,336 mijë lekë;
  • Në 2011 -277,368 mijë lekë;
  • Në 2012 -8,428 mijë lekë

+ Kompensim fizik për 360m²

  • Në 2013 -112,051 mijë lekë;
  • Në 2014 -543,954 mijë lekë;

 

SHKRIME TË TJERA ME INTERES

Kompensimi pronave, Strasburgu i jep ultimatumin e fundit Ramës

FMN është në dijeni të deklaratës së bërë së fundi nga Strasburgu për vendimet e marra nga gjykata për kompensimin e pronarëve ligjorë në Shqipëri. Prej kësaj fature të kripur zbatimi i së cilës nuk është ndërmarrë akoma nga qeveria, FMN i druhet stabilitetit fiskal të vendit në vijimësi. Kjo do të thotë se, fatura e pronarëve që presin kompensimin financiar nga ana e qeverisë, e cila nuk e ka mundësuar akoma një proces të tillë është mëse dyfishuar për 2015.

Përllogaritja në fjalë e fondit nga ana e Gjykatës së Strasburgut e çon faturën për pronarët e palikujduar akoma plot në 3 miliardë lekë, apo 30 milionë dollarë. Por jo vetëm fatura e kompensimit financiar është ajo që po shqetëson qeverinë, pasi akoma më keq vijon të jetë trajektorja e investimeve të ndjekura nga qeveria shqiptare. Pikërisht kjo do të jetë arsyeja se, pse Fondi Monetar Ndërkombëtar merr gjatë këtij viti nën juridiksionin e plotë të tij menaxhimin e fondit të kontigjencave të qeverisë në buxhetin e shtetit. Qeveria shqiptare në këtë drejtim nuk do të bëjë asnjë lëvizje të këtij fondi pa marrë më parë “ok” nga FMN.

“Gjykata ka filluar të përpunojë një grup tjetër të rasteve, të cilat pritet të finalizohen më 2015. Kompensim i përgjithshëm financiar për këto pretendime mund të jetë 3 miliardë lekë”, vlerëson FMN në daljen e fundit publike për mediat.

Vazhdoni leximin

Gjobat e Strasburgut ndaj Ramës, 8.3 milionë euro vetëm për 10 pronarë

Fatura që qeveria duhet të paguajë ndaj pronarëve për shkak të çështjeve të humbura në Gjykatën e Strasburgut pritet të krijojë një gropë të thellë në buxhetin e shtetit. Aktualisht, qeveria Rama vetëm për 10 pronarë detyrohet të paguajë një shifër të kripur prej jo pak, por 8.3 milionë eurosh. Një gjobë kjo, e vendosur nga Gjykata e Strasburgut ndaj qeverisë shqiptare për shkak të shkeljeve që kjo e fundit ka bërë në rastin e 10 pronarëve që kanë ankimuar pranë kësaj gjykate. Vazhdoni leximin

Pronat, Strasburgu gjobit qeverinë me 680 mijë euro

Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka gjobitur Shqipërinë me 680 mijë euro për mos zbatim të vendimit të gjykatës për një çështje pronësie. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut erdhi pas një ankimimi kundër dështimit të shtetit shqiptar për të zbatuar vendimet e kompensimit të pronës. Rasti në fjalë ka të bëjë me çështjen “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” në lidhje me ankesat për moszbatimin e vendimeve që caktojnë kompensimin.
Duke marrë në konsideratë, konkluzionet e mësipërme, Gjykata nxjerr përfundimin se nuk ka pasur mjet të brendshëm ligjor efektiv që të mundësonte kompensim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për shkak të moszbatimit të zgjatur të vendimeve të komisionit që jepnin kompensim. Rrjedhimisht, ka një shkelje të Nenit 13 të Konventës.
“Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë (aplikimi 604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09) .
Çështja kishte të bënte me një kërkesë për rishikimin e një vendimi të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me ankesat për moszbatimin e vendimeve që caktojnë kompensimin.
Aplikantët janë 20 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në Shqipëri. Ata të gjithë janë ankuar se pavarësisht titullit të trashëguar të pronave të tyre të njohura nga autoritetet, vendimet përfundimtare administrative për kthimin dhe kompensimin e pronës nuk janë zbatuar.
Ata e mbështesin ankesën e tyre në nenin 6 (e drejta për një gjykim të paanshëm) dhe nenit 13 (e drejta për një vendim efektiv) dhe në nenin 1 të Protokollit e Konventës (Mbrojtja e Pronës).
Në vendimin e saj të datës 31 korrik, gjykata konstatoi shkelje të nenit 13, nenit 6 dhe nenit 1 të Protokollit për shkak të mungesës së dhënies së një zgjidhjeje efektive në zbatimin e vendimit përfundimtar. Gjykata dha një vendim në favor të çdo aplikanti. Më 21 mars 2013, qeveria informoi gjykatën se ata kishin mësuar se vëllai i ankuesit në letrën nr. 34770/09 kishte vdekur më 12 korrik 2009.
Ata kërkuan rishikimin e vendimit të gjykatës bazuar në Rregulloren e Gjykatës për aq kohë sa dhënia e dëmit pasuror dhe jo pasuror në shumën e 1.360.000 euro ishte shqetësuese.
Gjykata vendosi të rishikojë vendimin e saj të 31 korrik 2012 në lidhje me zbatimin e nenit 41 të Konventës në lidhje me aplikimin nr. 34770/09 dhe i akordoi aplikantit 680,000 euro në lidhje me dëmin financiar dhe jofinanciar” thuhet në vendimin e gjykatës.

Ultimatumi i Strasburgut për qeverinë shqiptare

Buxheti shqiptar do duhet të përballojë pagesa të jashtëzakonshme, për shkak se qeveria nuk ka qenë serioze me ish-pronarët. Në korrik të këtij viti Gjykata Europiane e Njeriut në Strasburg refuzoi kërkesën e qeverisë shqiptare për “ngrirjen” e vendimeve për kompensimin e pronave.
Strasburgu i ka kthyer një përgjigje negative Shqipërisë, por më shumë se sa kosto financiare, e cila mund t’i kalojë qindra milionë eurot, në dyshim është vënë legjitimiteti dhe aftësia e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e çështjes së pronave.
Që nga viti 1993, kur ka nisur kthimi i pronave, ka pasur me dhjetëra gjyqe në Gjykatën e Strasburgut, ku kërkohej kompensimi financiar nga qeveria shqiptare. Rasti më tipik ka qenë ai i njohur si “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”.
Gjykata e Strasburgut, nisur nga problematikat e njëllojta të kërkesave të qytetarëve shqiptarë, doli me një vendim pilot në vitin 2012. Ky vendim pilot do të shërbente si bazë për marrjen e të paktën 80 vendimeve të tjera kundër Shqipërisë, me një kosto financiare prej qindra milionë eurosh.
Për këtë arsye, në vitin 2013 u ra dakord me qeverinë e atëhershme që “deri më datë 17 qershor 2014, shteti shqiptar që të krijonte një mekanizëm efikas për kompensimin e pronave”, por  qeveria shqiptare tregoi paaftësi në dhënien e një zgjidhjeje ndaj kësaj çështjeje.
Rreziku për faliment nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të qytetarëve shqiptarë për çështjet e pronave, ka shqetësuar përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, të cilët duhet të gjenin një zgjidhje përfundimtare brenda 17 qershorit për mënyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave për të gjithë pronarët që kanë fituar të drejtën e pronësisë me vendim gjykate të formës së prerë, jo vetëm në Strasburg. Kjo sepse pas datës 17 qershor të këtij viti do të rifillojnë të gjykohen të gjitha çështjet e depozituara deri më tani në këtë gjykatë dhe shteti shqiptar si vend pjesëtar i Konventës të së Drejtave të Njeriut duhet t’u garantojë qytetarëve të tij të drejtën e pronës, pas vendimeve që do të merren më tej. Nisur nga fakti se kostoja e kthimit dhe kompensimit të pronave është e papërballueshme nga shteti, Gjykata e Strasburgut në vitin 2012, pas vendimit të saj të fundit lidhur me çështjen “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, në vendimin e saj pilot ka përcaktuar disa detyra për palën shqiptare që të realizohen deri më 17 qershor të këtij viti, duke vendosur njëkohësisht mosshqyrtimin e ankimimeve që do depozitohen pranë kësaj gjykate deri në mesin e muajit të ardhshëm nga qytetarët shqiptarë.

Arben Shahini

Pronarët: Qeveria po i trajton pronat tona si “pronë shtetërore”

Botuar në Gazetën Telegraf më 19/11/2014

pronatProjektligjet e qeverisë për dhënien e pronësisë në bazë të VKM-ve 452 dhe 161, në kundërshtim me vendimin pilot të Strasburgut

Në tryezën e datës 24 Tetor 2014 për pronat, organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe AKKP, nga të gjithë diskutuesit u evidentua qartë situata e anarkisë së pronave dhe në emër të Qeverisë, zv. Ministri Idlir Peçi shprehu shqetësim dhe gatishmërinë e Qeverisë për korrigjimin e gabimeve dhe vullnetin për zbatimin e Kushtetutës.

Ndërkohë, pronarët janë të shqetësuar për faktin se Qeveria ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për miratim një projektligj për dhënien e tapive për personat që kanë marrë toka në përdorim sipas VKM-së nr. 452. Por, nëse ky projektligj miratohet, për pronarët, do të evidentohet fakti se Qeveria nuk ka kapacitetet e duhura qe ta lexojë Kushtetutën dhe pasojat kuptohen. Sipas tyre, në pikëpamjen juridike hapat e Qeverisë kanë të njëjtin defekt lidhur me shkeljen e të drejtës së pronësisë dhe nuk mund të pretendohet se ka vullnet për të zbatuar përmbajtjen e Nenit 41, 42 dhe të Nenit 181 të Kushtetutës. Nëse ka vullnet për zbatimin e Kushtetutës, thonë pronarët, Qeveria duhet ta tërheqë këtë projektligj, pasi ai është veprim «Nul». Nga ana tjetër, miratimi tij me mekanizmin e numrit të kartonëve, për shkak të interesave personale dhe pragmatiste të deputetëve do ta komplikojë situatën.

Vazhdoni leximin