Gjykata Europiane njohu skemën e re për pronat. Ish-pronarët: “Vendim zhgënjyes”

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut shpalli sot njëzëri si të papranueshme “Çështjen Beshiri kundër Shqipërsisë” dhe 11 çështje të tjera të ngjashme pronash, duke pranuar skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv.

Këto ishin kërkesat e para, të cilat po shqyrtoheshin nga Gjykata pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Trajtimin e Pronës, pra nevojitej një shqyrtim imtësishëm i masave të marra nga Qeveria.

Me vendimin e sotëm, Gjykata pranoi skemën e re të kompensimit të ish-pronarëve në Shqipëri si një mjet ligjor efektiv. Pronarët pretenduan se Ligji i ri për Trajtimin e Pronës shkelte të drejtat e tyre dhe ulte ndjeshëm vlerën e pronave të tyre.

Por Gëzim Boçari, anëtar i kryesisë së shoqatës Pronësi me Drejtësi , tha në një reagim të parë se vendimi i sotëm ishte zhgënjyes, sepse Strasburgu i ka marrë të mirëqena qëndrimet e qeverisë, e cila nuk dëgjoi për asnjë çast pronarët dhe nuk pranoi asnjë propozim të tyre.

“Ne i kemi sqaruar si shoqatë në takimet me Komisionin e Venecias, se ky ligj është hartuar pa marrë asnjë mendim nga ana jonë. Të gjitha sugjerimet tona, që i kemi dhënë të shkruara nuk janë marrë fare në konsideratë. Edhe ligji 133 i vitit 2015 dhe ky më 5 mars 2020 i vënë kapakun të gjithë horllëqeve që janë bërë me pronat, të gjitha transferimeve të paligjshme, vjedhjet dhe regjistrimet në ZRPP, akte nul etj. Qëllimi i këtyre ligjeve është që të shkarkojnë qeverinë nga detyrimi për të zbatuar Kushtetutën, të regjistrohen në ZRPP të gjitha aktet nul e të falsifikuara dhe pronari të shkojë në gjykatë për t’i zgjidhur ato. Që kjo të bëhej me vendim të Strasburgut nuk ma merrte mendja. Jam i zhgënjyer për këtë dhe më duket një vendim amoral. Asnjë nga shtetet e tjera ish-komuniste, që kanë patur probleme me pronat, nuk kanë patur një vendim kaq të keq” – tha zoti Boçari.

Gjykata nuk e pranoi argumentin e pronarëve se Ligji për Trajtimin e Pronës sillte një shkelje të parimit të sigurisë juridike përsa i përket të drejtës së kompensimit. Autoritetet shtetërore, tha Gjykata, gëzojnë një hapësirë të gjerë në përcaktimin e mënyrave të zgjidhjes së problemit për shkelje të të drejtës së pronës. Ajo vendosi se efektiviteti i mjetit ligjor nuk cënohej nga mënyrat e zgjidhjes së problemit, të cilat ishin parashikuar në Ligjin për Trajtimin e Pronës. Por zoti Boçari vëren se vendimet e Strasburgut ndryshojnë ndër vite.

“Vendimi i sotëm i Strasburgut ka standarte të dyfishta, ndaj është zhgënjyes. Vetë Gjykata e Strasburgut ka vendosur në vitin 2016, që kompensimet do të bëhen me çmimet e vitit 2008. Një pronar sot e merr kompensimin 100 herë më pak. Pjesa më e rëndësishme është që Strasburgu bën sikur nuk kupton, sikur nuk shikon nëse kompensimi është në përputhje me Kushtetutën dhe çfarë prone kompensohet. Pra, kur vendimi i Gjykatës së Strasburgut nuk pyet për Kushtetutën, ç’kuptim kanë më të drejtat e njeriut. Qeveria bën një ligj kundër pronarëve dhe Strasburgu e pranon. Kështu mohohet Atdheu. Zgjidhje ka, por jo të përfitojnë në mënyrë kaq të pacipë politikanët dhe hajdutët, duke mos u kthyer pronarëve të ligjshëm sot pronat që ua rrëmbeu regjimi komunist disa dekada më parë” – tha zoti Boçari.

Të gjithë kërkuesit e 12 proceseve gjyqësore zotërojnë vendime përfundimtare administrative, të cilat njohin të drejtën e kompensimit, në vend të kthimit të pronave, që ishin konfiskuar ose shtetëzuar nga regjimi komunist. Megjithatë, ato vendime përfundimtare nuk janë ekzekutuar asnjëherë në mënyrë të plotë.

“Ky vendim më duket shumë i papjekur, shumë skandaloz dhe jomoral në kuptimin juridik. Ky është një vendim amoral, sepse ai justifikohet si vendim gjoja për interes publik dhe justifikohet me ligjin 133 të vitit 2015 dhe me planin që ka bërë qeveria sot” – tha zoti Boçari.

Ish-pronarët kërkues pretenduan se ata nuk mund të detyroheshin të përdornin një mjet ligjor, i cili kishte hyrë në fuqi shumë vite pasi ata kishin regjistruar kërkesat pranë Gjykatës. Pronarët pretenduan se zbatimi prapaveprues i Ligjit për Trajtimin e Pronës përbënte një shkelje të parimit të sigurisë juridike.

Sipas zotit Boçari, vendimi i sotëm i Gjykatës së Strasburgut ka mangësi, sepse nuk përcakton çfarë pjese e pronës apo cila pronë do të kompensohet dhe që ky kompensim të behet kur moskthimi fizik i pronës justifikohet për nevoja publike në përputhje me detyrimet kushtetuese që përcaktojnë nenet 41, 42 dhe 181 të Kushtetutës.

“Duke justifikuar ligje që shkelin Kushtetutën shteti zhytet në anarki institucionale dhe lidhur me pronën thellohet arbitrariteti dhe korrupsioni. Ndaj më duket e pabesushme që Gjykata e Strasburgut të marrë këtë vendim që, duke qenë i detyrueshëm, imponon shkeljen e standardit të Kushtetutës”” – tha zoti Boçari.

Sipas pronarëve, kompensimi që pritej të përfitonin do të ishte shumë më i vogël në krahasim me atë që parashikohej të merrnin sipas legjislacionit të mëparshëm.

Me ligjin e ri kompensimi do të bazohej në zërin kadastral që kishte prona në kohën e shpronësimit dhe jo në zërin aktual kadastral të pronës.

“Pasojat do të jenë shumë negative, dhe cështja e pronave nuk do të rregullohet. Zotërinjtë e Komisionit të Venecias, në vend që ta furnizojnë gjykatën me mendime të drejta, e kanë furnizuar me mendimet si i ekspozon qeveria. Qeveria thotë se do ta zgjidh cështjen e pronave me ligjin 133, por ai ligj mohon kthimin fizik të pronave dhe nuk përcakton cfarë prone do të kompensohet dhe si do të bëhet kompensimi. Ky është difekti më i madh; në legjislacionin shqiptar nuk përcaktohet se çfarë prone do të kompnensohet. Pronat në bregdet janë më shumë të lakmuara nga politikanët. Ata i marrin pa të drejtë këto prona, ndërsa pronari i mbetet të lëpijë gishtin dhe të presë që të kompensohet për 10 vjet të tjera pasi kanë kaluar 25 vjet deri tani” – tha zoti Boçari.

Qeveria i tha Gjykatës se Ligji për Trajtimin e Pronës krijoi një mjeti të brendshëm ligjor dhe vuri në dispozicion burime të konsiderueshme për Fondin e Kompensimit për ish-pronarët. ndërsa Agjencia e Trajtimit të Pronave kreu vlerësimin financiar të më shumë se 25 mijë vendimeve.

“Tani politikani i majtë ose i djathtë, hajduti i majtë apo i djathtë, mund të marrin lirisht pronat, që nuk u jepen pronarëve të vet. Atëherë ku është Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut? Kompensimi duhet të jetë në përputhje me nin 42 të Kushtetutës, ndërsa kthimi i pronës duhet të jetë në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës. Të gjitha që bën qeveria për pronat duhet të jenë në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës. Këto tema Gjykata e Strasburgut nuk i analizon fare, por i merr gjërat ashtu si i thotë qeveria. Mendimet e pronarëve që iu dërguan me shkrim Komisionit të Venecias nuk janë marrë fare në konsideratë. Qeveria thotë se do ta zgjidhë për 10 vjet. Asgjë nuk do të zgjidhë. Do të dështojnë edhe ligjet e reja si të vjetrat dhe do të dalë përsëri si tha Ramiz Alia në vitin 1990: “pronarëve do t’u japim nga një copë letër, i riciklojmë nëpër gjyqe, por prona na takon ne”. Jetojmë në një shtet, ku prona fitohet me dhunë, sepse ta jep politika dhe forca, por jo e drejta jote” – tha zoti Boçari.

Parlamenti shqiptar miratoi në vitin 2015 Ligjin për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave, me qëllim që të përfundonte shqyrtimin e kërkesave për njohjen e pronave të konfiskuara dhe të rregullonte dhe jepte kompensim për to.

“Shteti ka filluar t’i shkelë detyrimet kushtetuese për pronën e trashëguar që me nenet nr. 5 dhe nr. 8 të ligjit 7501 të vitit 1991. Këto nene e trajtojnë pronën e grabitur nga diktatura si pronë në interes të pushtetit, sikur të ishte në fuqi Kushtetuta e vitit 1976, por e modifikuar në interes të klaneve dhe fushatave elektorale. Me miratimin e Kushtetutës së 1998, shkelja e neneve 41 dhe 181 vazhdoi dhe u bë flagrante me ligjin 133 të vitit 2015. Politikanët ishin të interesuar ta zgjerojnë dhe ta shtrijnë sa më shumë anarkinë, në mënyrë që Strasburgu të detyrohej ta pranonte vendimarrjen me dy standarde. Me këtë vendim Gjykata e Strasburgut ka justifikuar shkeljen Kushtetutës, në kapitullin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky vendim do ta ndërlikojë situatën sociale në shumë drejtime. Ne nuk dimë se në cilat struktura duhet të drejtohen pronarët autoktonë ose pronarët e mirëfilltë, ose subjektet e shpronësuar, ose siç i quajnë politikanët ish-pronarë, që ata të ankohen për shkeljen e Kushtetutës. Me këtë vendim neni 1 i protokollit 1 të Konventës, është interpretuar sipas interesave të klaneve prandaj shprehem se ky vendim është një truk dhe një akt që imponon standarde jomorale” – tha zoti Boçari.

Tema e kthimit të pronave, që u shtetëzuan nga diktatura komuniste, është bërë një nga më të vështirat dhe më të ngatërruarat gjatë tranzicionit prej shumicave të ndryshme politike në pushtet. Konfliktet për pronat kanë shkaktuar shumë viktima dhe pronat zënë vend kryesor në çështjet e gjykatave.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s