Pronat, si do të bëhet vlerësimi dhe kompensimi me ligjin e ri
Ligji i ri për pronat i jep zgjidhje këtij procesi brenda një afati 10-vjeçar dhe nuk krijon pabarazi mes subjekteve që shpronësohen. Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato sqaron për “Shekulli”-n se metodologjia e përcaktuar në nenin 6 të projektligjit i jep një vlerë ekonomike vendimit të kompensimit, garanton një fond financiar rreth 15 herë më të madh se sa ai i shpërndarë në këto 10 vjet (2005-2015), por garanton edhe shpërndarjen e fondit fizik të pronave shtetërore që AKKP-së i janë vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve.
Ajo shton se ligji në tërësi është në harmoni të plotë me praktikën e Gjykatës Kushtetuese për kthimin dhe kompensimin e pronës, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si dhe me rekomandimet dhe detyrat e lëna nga Gjykata e Strasburgut. Sa u përket afateve për plotësimin e dokumenteve, Qato pohon se ato janë në funksion të mbylljes së procesit të vlerësimit, brenda 3 viteve. Drejtoresha sqaron më tej dhe projektin për hartën dixhitale të pronave, e cila do të shmangë çdo mbivendosje, problem ky i evidentuar gjerësisht gjatë këtyre viteve. Një ditë më parë “Shekulli” përcolli shpjegimet e Qatos edhe sa i përket zgjidhjes që do të japë ky ligji i ri për 11 mijë dosjet që presin vendim si edhe faktin që nuk do të ketë fuqi prapavepruese për vendimet e dhëna tashmë.
Një ndër dispozitat më të debatuara të këtij projektligji është neni 6 ku përcaktohet metodologjia e vlerësimit. Pas kundërshtimeve të para të opozitës edhe pronarët u shprehën ashpër kundër kësaj metodologjie. A krijon realisht ky nen një pabarazi?
Është shumë e vërtetë që ky nen është kontestuar. Më lejoni të zgjerohem pak më shumë në lidhje me sqarimin e këtij neni, pasi vërtet është një nga pikat më të rëndësishme të këtij projektligji.
Në tërësinë e ligjit dhe veçanërisht në përmbajtjen e këtij neni, synohet që të krijohet një mjet efektiv për përfundimin e këtij procesi, duke realizuar kështu përfundimin e trajtimit brenda një afati 3-vjeçar të rreth 10 mijë kërkesave që janë në shqyrtim pranë AKKP-së dhe përfundimin e kompensimit të pronave brenda një afati 10-vjeçar. Duke implementuar këtë nen, arrihet një barazi më e madhe shoqërore (duke e konsideruar këtë çështje, për nga rëndësia dhe efekti që ka) si një çështje në interes publik, realizohet me efektivitet ky proces dhe brenda një afati të arsyeshëm, në zbatim të rekomandimeve dhe detyrave të lëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Duhet të theksoj se, nëse do zbatonim ligjin aktual, pronarët do të duheshin të prisnin mbi një mijë vjet për të përfunduar ky proces, ndërsa projektligji i ri synon përfundimin e këtij procesi brenda një afati 10-vjeçar.
Projektligji garanton realizimin e këtij procesi duke i dhënë një vlerë ekonomike vendimit të kompensimit përmes metodologjisë së përcaktuar në nenin 6 të projektligjit (në respektim të parimit kushtetues për një shpërblim të drejtë), duke garantuar një fond financiar rreth 15 herë më të madh se sa ai i shpërndarë në këto 10 vjet (2005-2015) dhe duke garantuar shpërndarjen e fondit fizik të pronave shtetërore që Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i janë vënë në dispozicion për kompensimin e pronarëve.
Ky nen, por edhe ligji në tërësi, është i bazuar dhe është në harmoni të plotë me praktikën e Gjykatës Kushtetuese për kthimin dhe kompensimin e pronës, Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut si dhe me rekomandimet dhe detyrat e lëna nga GJEDNJ-ja.
Projektligji i propozuar parashikon edhe afate detyruese dhe me raste edhe prekluzive (afate që ekzistojnë atëherë kur ligji, ushtrimin e ndonjë të drejte apo të ndonjë fuqie juridike e lidh me ndonjë afat) për trajtimin e pronës, afate të cilat në disa raste janë komentuar si të pamjaftueshme dhe në raste të tjera si shkelje e të drejtave kushtetuese. Mendoni se ka shkelje të të drejtave kushtetuese në këto afate?
Gjatë hartimit të projektligjit është parë dhe diskutuar shumë herë çështja e afateve që do të vendosë ky ligj. Ashtu sikurse ka afate detyruese për Agjencinë, normalisht ka afate detyruese edhe për subjektet që trajton ky ligj. Lidhur me afatin 6-mujor për plotësimin e dokumenteve për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit më lejoni të sqaroj se afati 6-mujor është mëse i mjaftueshëm për këtë procedurë, parë kjo edhe në aspektin që brenda një afati 3-vjeçar të mbyllet i gjithë procesi i vlerësimit. Ky afat është në favor të pronarëve pasi është një garanci më shumë për përmbylljen e procesit brenda afateve të parashikuara në projektligj. Nuk mendoj se është e arsyeshme të vendosej një afat më i gjatë dhe të krijohet kështu një tejzgjatje e procesit për të gjithë pronarët që disponojnë vendime kompensimi.
Sa i përket afatit prekluziv 60-ditor për kërkesat e reja më lejoni të sqaroj se është e pakuptimtë lënia pa afat apo zgjatja e këtij afati të një procesi që tashmë ka 22 vite që ka filluar. Sikurse përcaktohet në projektligj, ATP-ja do të përfundojë shqyrtimin e kërkesave të reja brenda një afati 3-vjeçar dhe s’ka kuptim të lihet një afat më i gjatë se ky i vendosur, ndërkohë që ky afat ka 22 vjet që është i hapur. Sa i përket pretendimit se vendosja e një afati prekluziv është në shkelje të së drejtës së kërkimit të pronës referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo ligjeve të tjera procedurale apo materiale (Kodi i Procedurave Civile dhe Kodi Civil), theksojnë se vendosja e këtij afati është në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile.
Nga ana tjetër pronarët favorizohen në projektligj përmes faktit se lehtësohen shumë procedurat zvarritëse ku ata kanë kaluar deri më sot. Projektligji parashikon se do të jetë Agjencia ajo e cila do të marrë barrën kryesore të provës për të vërtetuar pretendimet e pronarëve. Kjo rrit përgjegjësitë e Agjencisë dhe ul ndjeshëm burokracinë e krijuar deri më sot në këtë fushë. Në këtë aspekt, afatet e vendosura janë të atilla që çdo pronar është në gjendje t’i kapë dhe të përfitojë prej tyre si një mjet që do t’i çojë ata drejt realizimit të të drejtës që ata kanë garantuar përmes ligjit.