Si zgjidhet ngërçi politik dhe prona e grabitur

Koha Jonë – 01/03/2017 Shtypi I Ditës 0


Si zgjidhet  ngërçi politik dhe prona e grabitur

Nga Nuro Kulluri/Për moshën që kam mua më shqetëson më shumë se të tjerët ngërçi politik dhe anarkia e pronës. Sikur të isha ftuar për të folur në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndihesha i qetësuar pasi t’u thoja deputetëve dhe të gjithë politikanëve tani para zgjedhjeve, këto mendime që nëpërmjet shtypit të lirë po i bëj publike. Jo për presion por me dashamirësinë më të madhe do t’i thoja se është e pafalshme  të mbahet edhe pas 26 vjetësh qëndrim negativ dhe indiferent ndaj anarkisë së pronës të krijuar me ligjet e miratuara nga ky Parlament prej 1991 e deri sot.

Zgjidhja e problemit të pronës, e votimit të lirë dhe transparent si dhe e detyrave të tjera që kërkon Parlamenti Europian është në dorën tuaj. Jeni pikërisht ju politikanë dhe deputetë që duhet të zgjidhni njërën nga dy rrugë, grumbullimin e parave për veten dhe klanin tuaj apo rrugën e moralit dhe të së drejtës. Shteti fillon në zëmrën e çdo qytetari dhe ne të gjithë shqiptarët duam të bëhet shteti demokratik. Unë jam i bindur se zëmra patriotike dhe morali janë mbi të gjitha. Populli vuan se pas vitit 1991 nuk u korrigjuan të metat e diktaturës Me slogane demokratike dhe patriotike pas vitit 1991 politikanët nuk udhëhoqën në rrugën e demokracisë, por realizuan zbërthimin e shtetit. Sot kuptojmë se ishte e planifikuar vjedhja pjesë- pjesë të çdo pasurie të mundshme. Plot 26 vjet mashtrime me pronarët. Ky është mëkati më i madh i kupolës politike të këtyre 26 vjet tranzicion. Me përjashtim të votimeve të vitit 1991, në të gjitha zgjedhjet e tjera, u bë e zakonshme  mashtrimi i votuesve. Qëllim i politikanëve është bërë pushteti  dhe nëpërmjet pushtetit të grumbullohen para dhe me një pjesë të atyre parave të blihet përsëri vota. Në këtë vorbull drejtuesit e partive politike në Kuvend vazhdojnë të shkelin të drejtën tonë për të gëzuar pronën e trashëguar. Të gjithë e dimë se korrupsioni prishi Perandori të fuqishme si ajo Romake, ajo Osmane etj. Pesha e mëkatit bie mbi tre persona, zotërinjtë EDI RAMA, LULZIM BASHA dhe  ILIR META dhe veçanërisht tek zoti Kryeministër, nëse do vazhdojë ta mbajë peng kthimin fizik të pronës dhe të ndajë tapi legalizimesh në zonat tona turistike. Mos kthimi i pronës siç e përcakton Kushtetuta maskon dhe i bën akoma më keq krimet e komunizmit, pasi kultivon moralin e grabitjes në emër të ligjit. Kritikoj me forcë këta 3 drejtues të politikës sepse qëndrimi tyre po shkatërron vlerat morale të shoqërisë, kultivon korrupsionin shtetëror dhe pengon futjen e Shqipërisë në BE. Drejtuesit e politikës e shkelin me të dy këmbët nenin 41 të Kushtetutës sepse nuk mund të kenë dokument blerje, dhurimi apo të drejtë trashëgimie për pronat tona në Karaburun që çdo pjesë e kësaj prona ka pronarin e saj. Kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë të drejtë morale dhe ligjore të legalizojë ndërtimet pa leje të bëra prej personave të tretë që kanë pushtuar tokën e dikujt tjetër veçanërisht në zonat turistike. Duket se kryeministri po ndan tapitë e legalizimit të ndërtimeve informale, sikur ato të ishin çokollata elektorale.  Kryetari i PD dhe kryetari LSI heshtin. Ndofta justifikohen me pagesat që urdhërohet të bëjë Agjencia e Pronave. Legalizime mund të bëhen me vendime gjykate duke arsyetuar rast pas rasti, por jo me ligj të përgjithshëm. Në mos sot, nesër çdo pronar toke që refuzon ta shesë pronën do ta kundërshtojmë aktin e legalizimit me rrugë gjyqësore, duke  paditur ALUIZNI-n. Një gjykatë që e zbaton Kushtetutën, pavarësisht se çfarë thotë ligji i legalizimeve, do t’i shpalli NUL  ose njëlloj sikur të ishin të paqena këto akte. Dhe në mos në gjykatat tona ne pronarët të drejtën do ta fitojmë në Gjykatën e Strasburgut. Ata që guxuan ta shkelin ligjin dhe të ndërtojnë në tokën që e dinë se nuk është e tyrja, duhet të merren vesh vetëm me pronarin e tokës, ndërsa Kuvendi dhe Qeveria është e detyruar të zbatojë Kushtetutën dhe jo të bëjë ligje që favorizojnë shkelësin e ligjit. Zotërinjtë Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, në mos Vetingu, do t’i gjykojë dhe ndëshkojë historia sepse po imponojnë eksperimentimin masiv për vjedhjen e pronës, që është krim i shëmtuar i diktaturës dhe i postdiktaturës. Kjo politikë po vret moralin e popullit, dhe drejtësinë dhe kjo po realizohet nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me pronën, në gazetën “Koha Jonë” dhe në gazetën “Dielli” që botohet në SHBA janë botuar shkrime që informojnë për programin e zgjidhjes së pronës të Aleancës Popullore për Drejtësi.  Unë kam bindjen e plotë se realizimi i programit të APD, plotëson kërkesat e pronarëve dhe të përndjekurve që janë të njëjta. Do bëj sa mundem në krahinën time me shokë, miq por edhe në emigracion për ta mbështetur  këtë forcë të re politike. Këto dy shtresa kryesore në Shqipëri që janë mashtruar në këto 26 vjet duhet të bashkohen dhe të përfaqësohen me njerëzit tanë më të mire, për ti mbrojtur të drejtat tona. Unë garantoj se nuk e fal pronën time të trashëguar dhe nuk bie dakort që të mbyll gojën me paratë që mund të më japi Agjencia e pronave apo ALUIZNI dhe pas kësaj pagese,  pronën time të trashëguar në Karaburun, ta përvetësojnë politikanë apo biznesmenë. Jo për pronën kemi luftuar dhe do luftojmë. Kompensimin  pranohet nga unë dhe nga pronarë të tjerë por për prona që duhen për  nevoja publike por kjo është tjetër temë. Rikujtoj se me Kryeministrin Edi Rama, jam takuar dhe kemi biseduar në Hotel Sheraton, kur ne pronarët insistonim se ligji 133/2015, është padrejtësi, por nuk na dhanë të drejtën për të folur dhe në shenjë proteste ne e braktisëm sallën. Kryeministri u godit nga ky veprim dhe më premtoi se do të vinte për të na dëgjuar dhe diskutuar me ne për zgjidhjen, por nuk e mbajti fjalën e dhënë. Siç jeni në dijeni plani i qeverisë për të kompensuar sipas ligjit 133/2015, është refuzuar nga Gjykata e Strasburgut. Kjo tregon dhe rrugën e gabuar me legalizimet dhe kompensimet që janë abuzim me variantin e faktit të kryer, për të imponuar  Gjykatën e Strasburgut, që të justifikojë vjedhjet. Do të duhen vendime të tjera të Strasburgut që autoritetet shqiptare të lexojnë dhe të zbatojnë nenin 181 të Kushtetutës. Ne të gjithë si krahinë do shkojmë në Strasburg dhe jemi të sigurt se do fitojmë. Tre personat që drejtojnë politikën shqiptare duhet të mos bëhen pengesë pasi  ata e kuptoni se themeli i demokracisë është prona dhe pas saj fillon shteti ku nevojiten zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj  ju them: nxitoni të shpëtoni faqen se do mbeteni të njollosur. Besoj se sekretaret do ju japin shefave t’i lexojnë këto mendime dhe ata do të përgjigjen. Bashkimi i pronarëve me të përndjekurit, për t’u kundërvënë vjedhjes së pronave dhe përkrahja e shoqatave patriotike në emigracion për problemin e drejtësisë mbi pronën është jetësore për demokratizimin e vendit dhe me siguri kjo do gjejë mbështetjes e Vetingut që presim të gjithë. Ky bashkim do imponojë korrigjimin e gabimeve me të drejtat tona për pronën të bëra nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta, prandaj dhe bashkimi ynë përcakton zhvillimin pozitiv të vendit.

Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s