Policia arrestoi dje një avokat dhe një notere në qytetin e Vlorës, të cilët kishin ndërmjetësuar shitjen e Karaburunit, pasi u përfitua nga Rajmond Mezi me dokumente të falsifikuara. Dosja gjyqësore dhe vendimi që i njeh të drejtën e pronësisë, është tërësisht i falsifikuar. Zbardhet dëshmia e gjykatësit, ndërsa prokuroria ka shpallur në kërkim dhe një biznesmen.
Me urdhër të prokurorisë së Vlorës, policia arrestoi dje dy persona të dyshuar si pjesë e rrjetit që arriti të falsifikonte dhe të fitonte pronësinë e 220 hektarëve tokë në Gadishullin e Karaburunit.
Në pranga përfunduan noterja Belona Seraj dhe avokati Enkes Hysendhima, të cilët dyshohet se kanë ndërmjetësuar procesin e shitjes së një pjesë të pronës, pasi ajo është fituar me dokumente të falsifikuara nga shtetasi Rajmond Mezi, tashmë i shpallur në kërkim.
Prokuroria tha se ka ushtruar kontroll në zyrën e noteres dhe avokatit të arrestuar, ku ka gjetur një numër të madh dokumentesh, që dyshohet se janë të falsifikuara.
“Prokuroria e Vlorës urdhëroi kontrollin e zyrës noteriale dhe avokatore, proces i cili u krye në bashkëpunim me Policinë Vendore. Në vijim të kontrollit, në zyrën e noteres Belona Seraj dhe avokatit Enkes Hysendhima, u gjetën një numër i lartë dokumentesh të falsifikuara. Në bazë të këtyre rezultateve, është ndërhyrë me arrestimin në flagrancë të këtyre personave nga ana e Policisë. Prokuroria e Vlorës po vijon hetimin për rastin, ku dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë”, thanë burime të prokurorisë.
Por sipas hetimit të deritanishëm, rezulton se shitja e një pjese të pronës të përfituar me dokumente të falsifikuara është pjesa fundore e procesit të falsifikimit, që dyshohet se ka nisur rreth viteve 2000.
Prokuroria ka mundur të zbulojë se të dyshuarit kanë mundur të falsifikojnë një dosje të tërë gjyqësore, të cilën kanë arritur ta fusin në gjykatën e Vlorës dhe më pas këtë vendim e kanë përdorur për regjistrimin e pronës në hipotekë.
Verifikimet tregojnë se të gjitha dokumentet pjesë e fashikullit të gjykimit janë të falsifikuara duke nisur nga kërkesë-padia, procesverbalet e seancave gjyqësore, provat dokumentare të administruara gjatë seancave që nuk janë realizuar asnjëherë dhe deri te vendimi përfundimtar i gjykatës.
Edhe pse nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, çuditërisht në arkivën e gjykatës është gjendur dosja gjyqësore që ka bashkëlidhur vendimin gjyqësor civil nr. 1360, datë 29.12.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Ky vendim rezulton të jetë dhe nga gjyqtari Th. N., i asistuar nga sekretare gjyqësore N. Q. dhe Antigoni Meçaj.
Ndërsa referuar procesverbaleve të seancave gjyqësore, rezulton se sekretare gjyqësore ka qenë edhe shtetasja A. M..
“Rezulton se me vendimin nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është vendosur: “Pranimin e padisë së paditësit Rajmond Mezi. Anulimin e pjesshëm të vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, nr. 100, datë 19.04.1994 për pikën 1 të këtij vendimi, duke vendosur kthimin në natyrë të sipërfaqes 220 ha, në vendin e quajtur Karaburun”, thuhet në dosjen e prokurorisë së Vlorës.
Prona ka pasur të përcaktuar saktësisht edhe zonat me të cilat kufizohet dhe ka një sipërfaqe prej 220 ha në gadishullin e Karaburunit në Vlorë.
Por në këtë vendim nuk janë pasqyruar shënimet përkatëse nëse vendimi ka marrë formë të prerë apo jo, edhe pse kanë kaluar më tepër se 15 vite nga dhënia e tij.
Për të sqaruar dyshimet, prokuroria ka thirrur dhe pyetur në cilësinë e deklaruesit, shtetasi Th. N, që rezulton si gjyqtari që ka dhënë vendimin e mësipërm, i cili ka deklaruar se nuk ka nënshkruar vendimin nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe nuk ka nënshkruar në asnjë procesverbal që është administruar në këtë dosje gjyqësore.
Sipas tij, në të gjithë dosjen gjyqësore nuk ndodhet asnjë shkrim apo nënshkrim që të jetë shkruar prej tij. Prokuroria thotë se nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar.
Për këtë arsye, prokuroria ka shpallur në kërkim disa persona, si të dyshuar për rrjetin e falsifikimit të dokumenteve, me të cilat u përfitua prona me vlerë 100 milionë euro.