Ankesa e Presidentit dhe shoqatave të Pronarëve do të marrë përgjigjen e trupës gjykuese pas 11ditësh, ndërsa organet dhe palët e prekura po insistojnë me argumente pro dhe kundër
Ecuria për procesin e kompensimit të pronave, e cila tashmë po zbatohet sipas direktivave të ligjit të ri mund të rrëzohet ose të vijojë e pandryshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Anëtarët e kësaj të fundit do të mblidhen në datën 21 prill, teksa kanë në dorë ankimimet e Presidentit, Partisë Republikane dhe tri shoqatave të pronarëve. Jo vetëm Presidenti por edhe pronarët, kanë konstatuar se ligji i ri nuk ofron zgjidhjen reale për vendimet që presin kompensim a kthim dhe diskriminon familjet e pronarëve të shpronësuar nga sistemi komunist në vitet 1945-46.
“Skema e ofruar përmes këtij Ligji për zgjidhjen e problemit sistemik dhe të përsëritur në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive”, thuhet në argumentet e Presidentit, i cili e ktheu dy herë lgjin e ri. Objekt i përbashkët për Gjykatën Kushtetuese, është “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
Pezullimi i zbatimit të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Ditët e fundit, pas miratimit të akteve normative dhe fillimit të procesit të kompensimeve ka pasur debate në distancë mes ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani dhe Presidentit, Bujar Nishani, për verdiktin që duhet të japë “interpretuesja e gjallë e kushtetutës”. Manjani ka deklaruar se kthimi i ligjit do të jetë katastrofik për pronarët. Këtë deklaratë, Presidenti e ka komentuar si presion të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetueses.
Citime
Ylli Manjani: Ne e kemi thënë dhe e kemi bërë të qartë ofertën, të fillojmë zbatimin dhe sigurisht që, paralelisht me këtë, le të vazhdojë edhe gjykimi kushtetues, nuk kemi asnjë vërejtje për këtë çështje, por pezullimi do të ishte katastrofik për vetë pronarët dhe krejtësisht i palegjitimueshëm edhe nga ana kushtetuese.
Bujar Nishani: Presidenti i Republikës, si palë ankimuese, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mbrojë Kushtetutën e vendit dhe standardet e shtetit të së drejtës. Ligji aktual dëmton rëndë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, do ta thellojë konfliktin midis individit dhe shtetit e për rrjedhojë, do të vijojnë penalizimet nga ana e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut
Sonila Qato: Nëse Gjykata Kushtetuese pezullon implementimin e ligjit për pronën, atëherë procesi do të bllokohet dhe efektet ndaj ecurisë që pronarët presin do të jenë negative. Fondi prej 24 milionë dollarësh, nuk do të arrinte dot të shpërndahej në llogaritë bankare të secilit prej pronarëve që do të përfitojë nga ky proces.
Myrshit Vorpsi: Ne jemi të vendosur që ky ligj të kalojë në Gjykatë Kushtetuese. Nuk zgjidhen problemet me protesta, pasi e parë në këndvështrimin tim dhe në këtë situatë që jemi sot, protestat nuk zgjidhin asgjë.