Gazeta Mapo, 28 mars 2016
“Nëse Kushtetuesja pezullon implementimin e ligjit për pronën, atëherë procesi do të bllokohet dhe efektet ndaj ecurisë që pronarët presin do të jenë negative.”
Këtë e deklaroi Kryetarja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në një intervistë për Ora News, me gazetaren Mimoza Picari. Sipas Qatos, me ligjin e ri të pronave brenda një afati 3-mujor, i cili nuk mund të shtyhet, të gjithë personat mund të paraqesin kërkesën për njohjen e pronësisë. Gjë që në 25 vjet nuk kanë mundur ta bëjnë.“Persona që në këto 25 vjet nuk kanë arritur dot të paraqesin dot një kërkesë për njohje pronësie pranë zyrave të Agjencisë së Kompensimit dhe Kthimit të Pronave dikur, mund ta realizojnë këtë të drejtë gjatë këtij afati 3-mujor, nëpërmjet paraqitjes së vetëm dy dokumenteve nga 30 që kanë qenë”, shprehet Qato.
Zonja Qato, vendimi i fundit i qeverisë lidhur me pronat, çfarë përcjell dhe sa afrohet me zbatimin e ligjit të pronave, sa afrohet me pronarët dhe me zgjidhjen e kësaj çështje 25-vjeçare?
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të ditës së mërkurë të kësaj jave qeveria vendosi miratimin e tre akteve nënligjore shumë të rëndësishme këto për fillimin nga puna të ligjit të ri për trajtimin e pronës në përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Këto tre akte i japin mundësi agjencisë së re tashmë të trajtimit të pronës për të nisur menjëherë nga puna në dy drejtime të rëndësishme atë të fillimit nga puna për identifikimin e një liste zyrtare përfundimtare të të gjitha vendimeve për kompensim të dhëna nga ana e shtetit shqiptar në 25 vjet proces dhe mbi të gjitha implementimin e skemës së re që ofron ligji mbi vlerësimin për herë të parë ekonomik të këtyre 26 mijë vendimeve të identifikuara deri më sot në zyrat tona, të cilat për herë të parë ata individë që i disponojnë këto vendime do të kenë edhe vlerë ekonomike, sa do të përfitojnë nga procesi i kompensimit të pronave. Nga krahu tjetër akti i tretë nënligjor që u miratua ishte krijimi i procedurave të përcaktuara në raport me shqyrtimin e 11 mijë dosjeve të cilat sot e kësaj dite në i kemi trashëguar dhe gjenden në zyrat e agjencisë së trajtimit të pronave të cilat presin një vendimmarrje nga ana e shteti shqiptar në raport me të drejtën e njohjes së pronësisë dhe më tej me vendimmarrjen përkatëse sipas rastit.
Sot kemi tri vendime qeverie, pra 24 mln dollarë për kompensim financiar, 20 mijë ha, 11 mijë dosje, 26 mijë vendime…çfarë ndodh konkretisht, pronarët sot çfarë duhet të dinë për një dosje të pashqyrtuar, për një dosje që është shqyrtuar, si duhet të aplikojnë, procedurat?
Së pari, ja vlen të theksohet fakti që ligji i ri për trajtimin e pronës ka përcaktuar disa afate që janë shumë të rëndësishme, të cilat janë statutore. Në kuptimin e fjalës që ato nuk shtyhen më janë afate prekluzive, që do të thotë që agjencia e kthimit të pronës do fillojë të trajtojë të gjitha kërkesat që kanë pronarët të paktën të aplikuara deri tani dhe ato që do aplikohen gjatë një afati 3-mujor brenda afatit 3-vjeçar të përcaktuar si afat të parë për vlerësimin ekonomik të të gjitha vendimeve për kompensim dhe për shqyrtim me vendimmarrje të të gjitha kërkesave të pa trajtuara deri më sot. Ndërkohë që procesi i kompensimit apo i shpërndarjes së fondit për kompensimin e pronarëve është një proces që është përllogaritur që ky ligj të zgjasë nga sot duke filluar në 10 vitet e ardhshme. Ndaj të gjithë qytetarët që kanë një dosje të aplikuar pranë agjencisë dhe presin një vendimmarrje, nga ana e agjencisë së trajtimit të pronës do të marri një njoftim brenda një afati të përcaktuar në ligj 90 ditor ku ata do të njihen në lidhje me ecurinë e dosjes së tyre. Pra qytetarët përveç faktit që mund të vinë dhe janë të lirë dhe të vinë të interesohen për dosjet e tyre, zyrtarisht agjencia do të dërgojë një njoftim pranë adresave përkatëse të depozituara pranë nesh, pranë zyrave tona në mënyrë që ti njoftojmë mbi ecurinë e dosjes. Ndërkohë këto dosje do të hyjnë në një mekanizëm shqyrtimi ku agjencia për herë të parë merr përsipër barrën e provës për të vërtetuar pronësinë apo pretendimet që kanë pronarët në raport me këtë lloj pronësie, ndaj në këtë aspekt jemi përpjekur që të qetësojmë dhe lehtësojmë sa më shumë jetën e qytetarëve gjatë vendimmarrjes që do të bëjmë në raport me këtë dosje. Ndërkohë ligji i ri ka parashikuar një afat 3 mujor nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i cili edhe ky është një afat që nuk mund të shtyhet më tej dhe kjo duhet të jetë në vëmendjen e të gjithë personave që janë të interesuar. Persona që në këto 25 vjet nuk kanë arritur të paraqesin dot një kërkesë për njohje pronësie pranë zyrave të Agjencisë së Kompensimit dhe Kthimit të Pronave dikur, mund ta realizojnë këtë të drejtë gjatë këtij afati 3-mujor, nëpërmjet paraqitjes së vetëm dy dokumenteve nga 30 që kanë qenë të parashikuar me ligjin e vjetër që ishte në fuqi deri dje. Në raport me procesin e kompensimit të pronarëve në kemi filluar menjëherë nga puna për krijimin e regjistrit të vendimeve për kompensim ku ligji na ka lënë një afat 6-mujor, në përfundim të së cilit një regjistër që do të bëhet publik për të gjithë të interesuarit ku ne përbri çdo vendimi apo dosje me vendimmarrje për kompensim do të paraqesim dhe problematikat përkatëse që janë të nevojshme për tu plotësuar në një bashkërendim me vetë të interesuarit në mënyrë që këto vendime të quhen përfundimtare dhe të fillojnë të ekzekutohen sipas skemës së re që ofron ligji për kompensimin në zyrat e agjencisë dhe në sportelet e kësaj agjencie është paraqitur një fluks i madh qytetarësh shumë të interesuar mbi mënyrën sesi do të implementohet ligji i ri dhe çfarë përfitojnë vetë ata nga ky ligj dhe interesimi i qytetarëve tregojnë që ata janë shumë pro implementimit të këtij ligji dhe presin efektet e para të zbatimit të instrumenteve që ky ligj prodhon.
A jeni ju të përgatitur si institucion për këtë fluks pronarësh?
Ne kemi marrë masat e para për pritjen e fluksit të parë të qytetarëve në raport me implementimin e ligjit, ndërkohë që agjencia e re e sapo krijuar, e cila sot është vetëm dy ditë në jetën e saj është në rrugën e vetë procedurale për t’u ristrukturuar dhe shtuar burimet njerëzore në dispozicion të pritjes së qytetarëve dhe dhënies së përgjigjeve ndaj tyre. Ndërkohë që ne që në majin nëntor kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm të dixhitalizimit të gjithë sistemit nëpërmjet një fondit të dhënë nga ana e qeverisë shqiptare, përmes fondit të zhvillimit të rajoneve. Kemi ndërtuar sistemin website të agjencisë, një sistem i cili shumë shpejt do të përfundojë ndërtimin e tij dhe do të jetë në dispozicion si të qytetarëve, si të aktivitetit të punës së përditshme të agjencisë ashtu edhe të gjitha institucioneve bashkërenduese duke fasidituar në një mënyrë ideale marrëdhëniet që kemi me njëri-tjetrin në rezultate konkrete dhe pozitive për pronarët në fund të ditës.
A keni një përgjigje sot pas vendimeve të qeverisë për të gjithë ata që mendojnë se ky ligj është antikushtetues, cenon të drejtën e pronarëve, i shfuqizon ata nga prona duke filluar nga Presidenti, opozita dhe disa grupe të interesit?
Unë personalisht kam bindjen që ky ligj jo vetëm është kushtetues dhe është bazuar gjerësisht doktrinën e krijuar nga vetë Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të të gjitha çështjeve që ajo ka marrë në trajtim për kthimin dhe kompensimin e pronave, por kam bindjen nga krahu tjetër se fillimi nga implementimi i këtij ligji ka për të parë që në dyert apo llogaritë e pronarëve do të fillojë duket ndjeshëm dhe realizimi konkret i skemës që krijon ky ligj. Ndërkohë të gjithë personat që janë legjitimuar për të dërguar padi në Gjykatën Kushtetuese dhe për të kërkuar antikushtetutshmëri të këtij ligji duhet të kemi parasysh faktin që janë individë të cilët kanë interesa konkrete në raport me çfarë do të përfitojnë dhe çfarë do të humbasin nga ky ligj. Kështu që edhe veprimtaria e tyre institucionale mund të jetë mjaft subjektive në raport me sjelljen që ato mbajnë ndaj kushtetutshmërisë së këtij ligji.
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë ligjin e pronave…?
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë implementimin e ligjit të pronave deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga kjo Gjykatë duke shqyrtuar në themel paditë e depozituara pranë saj, kjo do të thotë që aktiviteti i Agjencisë së Kthimit të Pronës dhe gjithë kjo nisëm e nisur nga ana jonë në raport me kompensimin e pronarëve dhe fillimin e nxjerrjes së vendimeve të para për njohje pronësie do të ngrijë dhe kjo do të ketë efekte, për mendimin tim personal, efekte negative ndaj ecurisë që pronarët presin nga ana e kësaj agjencie për të kryer. Dhe nga ana tjetër nuk ngrin vetëm aktiviteti që ka lidhje me këtë proces, por ngrin edhe ndarja e një fondi shumë të rëndësishëm për të gjithë pronarët të cilët presin shpërblimin e tokave të zëna nga ndërtimet informale për shkak se proceduralisht, agjencia nuk mund të veprojë dot në raport me nxjerrjen e këtij fondi dhe lëvrimin e tij ndaj pronarëve.