Sonila Qato: Kur kthehet prona dhe kur merret kompensim?

Koha Jone, 25 mars 2016

Sonila Qato: Kur kthehet prona dhe kur merret kompensim?

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sqaron vendimet e fundit të qeverisë për procesin. Ja detajet sipas saj:

***

Zonja Qato, të mërkurën qeveria miratoi një seri ndryshimesh në ligjin për trajtimin e pronës si dhe në procedurat që rregullojnë procesin e kthimit e të kompensimit të pronës. Si do tw procedoni tani?
Falë skemës së re që krijon ligji i ri për trajtimin e pronës, ky proces do të fillojë nga dita e sotme (e enjte) të shtrohet drejt një rruge të gjatë kohore, ku fillon minimumi 3 vjet dhe vazhdon në një shtrirje kohore, për ta përfunduar atë, në krye të 10 viteve, por që ka objektivin kryesor përfundimin e procesit të kompensimit të pronës. Ndërkohë, nga krahu tjetër, paralelisht me këtë proces, Agjencia e Trajtimit të Pronave do të fillojë menjëherë nga puna për trajtimin e të gjitha kërkesave të depozituara prej vitesh në dosje të cilat i kishte zënë pluhuri, të patrajtuara dhe të pashqyrtuara asnjëherë me vendimmarrje.

Sa janë?
Janë rreth 11 mijë dosje pa vendimmarrje në Agjenci, të cilat duke filluar nga sot, me plotësimin e të gjitha kushteve të nevojshme për fillimin nga puna të kësaj agjencie, do të fillojnë procesin e verifikimit, të shqyrtimit dhe të marrjes së vendimeve të para të këtij procesi, bazuar në legjislacionin e ri.

Në terma praktikë, çfarë do të thotë që pronarët mund të aplikojnë vetëm përmes dy dokumenteve për të marrë mbrapsht pronat e tyre.
Kjo është një pikë ku ka shumë interes për qytetarët. Ligji i ri ka parashikuar një afat në kuptimin ligjor të termit “prekluziv”, që do të thotë që ky afat nuk shtyhet më tej, me asnjë lloj vendimi apo ligji tjetër që mund ta ndryshojë.

Është një afat 3-mujor ku janë të ftuar të gjithë ata qytetarë, pronarë, të cilët në këto 25 vite nuk kanë mundur dot të paraqesin kërkesën e tyre për njohje pronësie pranë dyerve të përcaktuara nga ligji i kohës për kthimin dhe kompensimin e pronave, ta bëjnë, të mundësojnë dhe ta bëjnë këtë lloj kërkese pranë Agjencisë së re të Trajtimit të Pronave, gjatë këtij afati 3-mujor.

Kjo, duke u bazuar në një procedurë të lehtësuar, të parashikuar edhe nga ligji në fuqi, por edhe nga aktet nënligjore që u miratuan dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku, nga 30 dokumente që subjektet do të ishin të detyruara të plotësonin për të vërtetuar qenien e tyre pronarë të vjetër, sot do të mjaftojnë vetëm 2 dokumente të rëndësishme: i pari është një dokument origjine prone, ku vërtetohet që dikur, para viteve 1944-1945 subjektet gjyshërit e tyre apo prindërit kanë qenë pronarë të tokës për të cilën ata kërkojnë sot njohjen e pronësisë, dhe 1 dokument grafik ose hartografik, i cili është i nevojshëm për pozicionimin e pretendimeve që ka subjekti në këtë rast.

Kështu që, nga ky moment, subjektet nuk janë të detyruara t’u drejtohen gjykatave për të bërë procese gjyqësore për rivendosjen me afat të së drejtës së tyre për prezantimin e kërkesës në Agjenci, por drejtpërsëdrejti, përmes formularëve të miratuar dje në aktet nënligjore në Këshillin e Ministrave. Me 2 dokumente, sikurse ua përmenda, mund të vijnë në sportelet e Agjencisë për të depozituar kërkesën e tyre për njohje pronësie.

Të njëjtën kërkesë mund ta bëjnë edhe nëpërmjet postës, mjafton që të postojnë pranë postës shqiptare apo kudo në adresën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave këto 2 dokumente së bashku me formularin e aplikimit të bërë publik edhe online tashmë në faqen ueb të re të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, dhe kërkesa e tyre do të merret parasysh dhe do të trajtohet nga Agjencia, e cila për herë të parë merr përsipër barrën e provës për të vërtetuar pronësinë e subjekteve, të cilat kërkojnë që t’u njihet pronësia.

Ju folët për kompensim, ama vendimet e qeverisë parashikojnë edhe konceptin e kthimit. Sipas këtyre vendimeve parashikohet që prona të kthehet aty ku është e lirë dhe e disponueshme dhe të kompensohet në rastet kur është e zënë nga ndërtimet pa leje. Si do të funksionojë skema, zonja Qato?
Koncepti i kthimit nuk është hequr asnjëherë si koncept nga vëmendja e qeverisë dhe nga mënyra sesi është trajtuar ky koncept në ligjin e ri të trajtimit të pronës. Por, për arsye efektive dhe për arsye të një vizioni të ri që duam t’i japim, mënyrës sesi duam të trajtojmë pronën në vendin tonë, kemi përdorur termin “kompensim fizik në pronën e njohur”. Kjo do të thotë që Agjencia, në ato raste kur vërtetohet fakti që pronari ka pronësinë e pretendimit të tij, do t’i njohë pronarit pronësinë dhe aty ku toka është e lirë do të mund t’ia kthejë me ato parametra dhe në atë mënyrë siç e parashikon ligji në fuqi.

Në rast se nuk është e lirë?
Pra, kthimi nuk është hequr si koncept, por është zëvendësuar me termin “kompensim fizik në pronën e njohur”, sipas metodologjisë që përcakton ligji i ri. Në rast se prona është e zënë, për arsye të një funksioni publik që mund të ketë, rrugë apo trotuar, vazhdon të njihet e drejta e kompensimit të pronarit me një nga mënyrat e parashikuara nga ky ligj i ri, i cili, kryesisht për tokën truall përqendrohet në kompensimin financiar por jo vetëm, dhe për kategoritë e tjera të tokës është zgjedhur mënyra e kompensimit fizik, pasi është shumë e rëndësishme që të theksoj faktin dhe kjo është e rëndësishme edhe për shoqatat e pronarëve, që kompensimi fizik ka përparësi përkundrejt kompensimit financiar, si një mjet që garanton mbylljen e procesit të kompensimit të pronarëve në krye të 10 viteve të ardhshme.

Çfarë fondi financiar dhe fondi fizik ka në dispozicion aktualisht Agjencia e Trajtimit të Pronës për të mbuluar të gjithë këtë proces?
Sot, le të themi, në vitin e parë të këtij procesi, dhe aktualisht në llogarinë e fondit të kompensimit të pronarëve gati për t’iu nënshtruar instrumenteve që krijon ligji i ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimeve, Agjencia ka një fond prej 2,4 miliardë lekë, në dispozicion të kompensimit të pronarëve të cilët kryesisht disponojnë zërin kadastral truall, dhe ka një fond fizik prej 23 mijë hektarë tokë bujqësore të identifikuar tashmë dhe të pozicionuar gjeografikisht, që është i gatshëm t’i nënshtrohet kërkesave që ka ligji apo procedurave që parashikon ligji për t’u shpërndarë pronarëve. Pra, që në vitin e parë të kësaj reforme, ne kemi një fond të konsiderueshëm.

Por në ç’rast do të kompensohet me para një pronar dhe në ç’rast do të kompensohet me tokë bujqësore, d.m.th. fizikisht?
Dihet se prona truall si zë kadastral është një kategori toke, e cila edhe i dhimbset shumë pronarit për shkak edhe të zhvillimeve që mund të ketë trualli në vetvete dhe zhvillimeve në ndërtim apo në mënyra të tjera, ndaj ne kemi menduar që trajtimi i tokës truall me kompensim financiar është më i leverdishëm në favor të pronarit sesa llojet e tjera të kategorive të tokës, siç mund të jetë toka bujqësore.

Kjo për shkakun se për momentin edhe fondi që ne kemi në dispozicion është tokë bujqësore dhe logjika të çon që ai që ka pasur dikur një tokë bujqësore mund të kompensohet fizikisht me të njëjtin zë kadastral pa e diskriminuar atë në këtë këndvështrim. Ndaj kjo është zgjidhja që i kemi dhënë neve këtij procesi. Gjithsesi procesi është dinamik dhe ne sapo e kemi filluar këtë proces dhe unë sinqerisht uroj që ky të jetë një proces, i cili të ketë efekte pozitive edhe te qytetarët edhe të ndjehet nga pronarët si një proces pozitiv.

Deri tani janë 11 mijë pretendime. Sa prisni me këtë hapje që i bëjnë vendimet e reja procesit? Prisni kërkesa të tjera?
Presim, kemi pritshmëri, por duke parë volumin që kemi pasur në dyert e Agjencisë në dy vitet e fundit, mendojmë që nuk do të jetë ndonjë fluks i konsiderueshëm apo shqetësues kërkesash në raport me njohjen e pronësisë. Por, fakti që janë lehtësuar shumë procedurat dhe qytetari e ka shumë të thjeshtë tashmë, që të japë pretendimin e tij, pavarësisht faktit nëse e ka të bazuar në dokumente apo jo pronësie të mirëfilltë, kjo mund ta rrisë, le të themi, deri diku edhe vrullin e parë të momentit për njohjen.

Gjithsesi, pjesa dërrmuese e kërkesave, e pretendimeve është ezauruar.
Është ezauruar dhe kemi bindjen që edhe gjatë këtij afati 3-mujor do t’i pranojmë pa diskutim këto kërkesa dhe do t’i trajtojmë së bashku me 11 mijë pretendimet e parashtruara vite e vite më përpara, gjatë një procesi 3-vjeçar, i cili fillon sot dhe mbaron në krye të 3 viteve si një proces, i cili duhet të përfundojë të paktën për njohjen e pronësisë, pretendimet për njohje pronësie.

D.m.th. për 3 vjet do të shqyrtoni kërkesat. Po procesi i kompensimit ose i kthimit?
Për 3 vjet do të shqyrtohen kërkesat dhe do të dalin brenda një vendimi me njohje apo jo pronësie dhe në rast se njihet pronësia, kthim apo kompensim të pronës sipas parashikimit ligjor. Pra, ky do të jetë një proces intensiv. Hedh poshtë zërat, të cilat janë dëgjuar deri dje, si “nuk mund të presim ne 3 vite të tjera për të marrë vendimin, kur kemi 10 vite po 20 vite që po presim”.

Ne fillojmë sot nga puna për procesin e njohjes së pronësisë duke bërë hapat procedurale të nevojshme, verifikimet në çdo institucion që ka prova shkresore dhe argumente që na ndihmojnë ne për t’u bindur në vendimmarrjen tonë dhe nga momenti që kemi praktikat e para të plotësuara për vendimmarrje, ne do të fillojmë që të japim vendimet e para si një proces i cili do të hyjë në një mekanizëm dhe që ne kemi bërë premtimin që do ta mbyllim për 3 vitet e ardhshme.

Agjencia e Trajtimit të Pronës që deri sot, të paktën, quhej Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronës, po e nis këtë proces në një çast kur Ligji i ri “Për trajtimin e pronës” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizim të paktën nga tre subjekte. Çfarw ndodh kur një qytetar i thjeshtë që nis procedurat e aplikimit dhe pret, nesër do të mësojë që ligji u rrëzua?
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos pezullimin, ne do të jemi të detyruar që të respektojmë këtë vendim dhe të ngrijmë, le të themi, aktivitetin e këtij institucioni derisa Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim përfundimtar në raport me padinë që është ngritur dhe objektin e kësaj padie.

Ndërkohë që një fjalë e fundit lidhur me fatin e këtij ligji pritet edhe nga Gjykata e Strasburgut. Dua të theksoj paraprakisht që një vendim i fundit i Gjykatës së Strasburgut u njohu të drejtën 7 pronarëve duke penalizuar shtetin shqiptar me rreth 10 milionë euro. Mos është një tregues për atë që mund të ndodhë me ligjin më pas, zonja Qato?
Nga Gjykata Kushtetuese presim që nëse, pa dyshim që do të marrë në shqyrtim kërkesë-paditë, të mund t’i përmbahet afateve kohore të parashikuara nga ligji, mbi të cilin funksionon kjo gjykatë, në mënyrë që ky proces të mos zvarritet. Pra, sa më shumë t’i respektohemi afatit që ka Gjykata brenda diskrecionit të saj për të bërë shqyrtimin dhe për të marrë një vendim, ky do të ishte një nder i madh që do t’i bënte të gjithë pronarëve por edhe institucioneve shtetërore, të cilat janë angazhuar për zbatimin e këtij procesi.

Nga krahu tjetër, pronarët nuk do të zvarriten më në të gjithë këtë rrokullisje, le të themi, procesesh të gjata dhe shqyrtimesh të gjata në kohë sepse në fund të ditës ata janë të interesuar të dinë fatin e pretendimeve të tyre apo fatin e kompensimit që presin të marrin nga ana e shtetit shqiptar. Qeveria është angazhuar shumë seriozisht në çështjen e trajtimit të pronarëve dhe fakti që në llogarinë e kompensimit të pronarëve, sot ne disponojmë një fond të barabartë me fondin vjetor të rreth 7 viteve buxhetore të viteve të kaluara, tregon që impenjimi është maksimal.

Madje, 2,4 miliardë lekë janë të barabartë me 25% të fondit që kjo qeveri ka vënë në dispozicion për investime publike. Këtu tregohet që serioziteti që kemi ne si qeveri është maksimal dhe ne duam t’i japim zgjidhje këtij procesi.

Gjithsesi, janë shumë pak në raport me faturën totale të cilën ju e keni bërë publike.
Absolutisht, por është një proces i cili fillon sot dhe përfundon në 10 vite. Ndaj, nuk duhet paragjykuar, por, për mendimin tim, duhet përkrahur. Nga krahu tjetër, Gjykata e Strasburgut ka qenë shumë e qartë në vendimin pilot “Manushaqe Puto” që ka dhënë në vitin 2012. Ajo i kërkoi shtetit shqiptar atëherë, identifikimin e një mjeti të brendshëm efektiv për t’i dhënë zgjidhje procesit të kthimit dhe të kompensimit të pronave, kryesisht kompensim, pasi ai ka qenë një problem shumë i madh që parashtrohej në këtë gjykatë, brenda shtetit shqiptar.

Ne sapo e kemi krijua këtë skemë dhe kjo skemë sot është 1 ditë, sapo ka filluar ditën e parë të implementimit të saj, ndaj qeveria, Agjencia e Trajtimit të Pronës, duhet të jetë shumë serioze në implementimin e këtij ligji për të garantuar Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut që kjo skemë është efektive dhe kjo skemë ka filluar të japë frytet e para të realizimit me sukses brenda vendit tonë.

Mendoni se edhe Gjykata do të jetë e këtij mendimi?
Po, sigurisht sepse Gjykata nuk ka leverdi edhe vetë për të trajtuar ende çështje të kthimit dhe të kompensimit të pronave të shtetit shqiptar sepse tashmë në dyert e saj kanë trokitur 400 subjekte, shumëzuar me shumë veta që ato kanë nga pas, për të cilat Gjykata duhet të shprehet me një vendim. Ndaj, në qoftë se ne nuk i garantojmë Gjykatës që skema është efektive dhe është mjeti ynë i brendshëm për ta zgjidhur këtë problem, Gjykata do të fillojë të ndryshojë dhe mënyrën sesi ka marrë vendimmarrjet e deritanishme.

Vendimet e fundit, të marra edhe pak ditë më parë, dhe mund të marrë edhe nesër apo pasnesër, kjo është në diskrecionin e saj, në raport me ato padi të cilat janë pranuar nga Gjykata përpara sesa të dilte vendimi pilot “Manushaqe Puto”, është një çështje për të cilën Gjykata është duke u dhënë drejtësi subjekteve, të cilat kanë paditur shtetin shqiptar për të gjithë zvarritjen 10-vjeçare apo 20-vjeçare, sipas rastit, që shteti shqiptar i ka bërë të drejtës së tyre të njohjes së pronësisë dhe të kompensimit të saj.

Ndaj, unë personalisht, në cilësinë edhe të një juristeje, nuk e shoh problem vendimmarrjen e Gjykatës së Strasburgut për çështje të aplikuara herët pranë kësaj Gjykate, sikurse e shoh si shumë të rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të mund të shqyrtojë paditë e depozituara dhe të dalë sa më shpejt me një vendim të argumentuar mirë në raport me kushtetutshmërinë e ligjit tonë. Ky është një test shumë i mirë i këtij ligji dhe në qoftë se ky ligj është kushtetues, të vazhdojë punën e saj për të krijuar edhe bindjen dhe pritshmërinë e qytetarëve ndaj instrumenteve që prodhon ky ligj.

Pra, ju prisni ose shpresoni që Gjykata e Strasburgut, të trajtojë sipas ligjit të ri vendimet e reja?
Pa diskutim, se në qoftë se ata binden që ky është një ligj i mirë kushtetues, pro Konventës dhe respekton të drejtat e njeriut, parimet e trajtimit të barabartë dhe shumë parime të tjera, të cilat nuk i ka vetëm Kushtetuta jonë por i ka edhe Konventa, sigurisht që ata do të marrin vendim konform, le të themi, këtij mjeti të brendshëm që ata vetë na e kanë rekomanduar për ta nxjerrë, për ta modifikuar. –Shqiptarja.com

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

2 mendime mbi “Sonila Qato: Kur kthehet prona dhe kur merret kompensim?

  1. Vertete qe ka prona “te lira” per kthim, por i kane pushtuar “te fortet” qe shteti nuk e di, por ata vazhdojne t’i shfrytezojne: i kane shitur pa dokumente pronesie duke perfituar nga dobesia a kompromisi me shtetaret ose i leshojne me qera vetem per periudha te caktuara si kullosa per bageti. Kur “shteti” do shkoje t’ua marre, ata kane perfituar miljona leke padrejtesisht e shteti do te “dorezohet” kundrejt ryshfetit e “pronar” do te mbetet ai qe e ka grabitur. Shteti do te nderroje shtetaret e mirupafshim “prones”.

  2. Qeveria e Kryeministri ka gjetur njeriun e duhur , vajzen e ish Antarit te Byrose Politike te Partise se Punes , per te zbatuar parimin Komunist te ndarjes se pronave sipas frymeve, por nje dite te drejtes tone do ti vije koha, sepse pronat nuk ndryshohen sa here qe ndryshojne sistemet politike dhe qeverite e ju te gjithe do pergjigjeni.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s