Presidenti për ligjin e pronave në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut

Rilindja Demokratike, 23 mars 2016

Presidenti Bujar Nishani i ka shprehur dje në Strasburg Presidentit të ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi shqetësimin e tij në lidhje me ligjin e ri të qeverisë për pronat. Ligj që thelb synon mohimin e të drejtës së pronësisë pronarëve.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi çështjes së pronave dhe kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si një e drejtë fondamentale dhe një nga prioritetet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit e njohu Raimondin me këndvështrimin e tij për ligjin e miratuar së fundmi nga Parlamenti shqiptar për kompensimin dhe trajtimin e pronës, si dhe evidentoi ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se, “përmes këtij ligji është prekur standardi i vendosur përmes Kushtetutës dhe jurisprudencës së saj, por edhe standardi i vendosur nga Konventa dhe jurisprudenca e saj, si dhe janë anashkaluar edhe mesazhet e dhëna nga GjEDNj jo vetëm përmes vendimit pilot, por edhe çështjeve më të fundit të trajtuara prej saj”. Edhe në takimin me Presidentin e Gjykatës Raimondi, kreu i shtetit shprehu keqardhjen për viktimat e atentatit terrorist në Bruksel, duke u solidarizuar me popullin dhe institucionet belge dhe ato evropiane. Në këtë kuadër, Presidenti Nishani e përshëndeti rolin e GjEDNj, si promotore e demokracisë dhe lirisë në Evropë, të cilat po sfidohen sot në mënyrën më ekstreme nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Kreu i shtetit e siguroi zotin Raimondi për solidaritetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah aleatëve të saj në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit ndërkombëtar. Më pas, Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë kontinentin evropian, si dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët evropianë të përfitojnë nga garancitë që i jep Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rast shkeljeje të të drejtave të tyre. Kreu i shtetit vlerësoi rezultatet e arritura në kuadër të reformës në sistemin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës, si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për këtë reformë. Presidenti i Republikës e siguroi Presidentin e Gjykatës Raimondi për angazhimin e Shqipërisë, si shtet palë në Konventë, për t’i njohur dhe garantuar çdo personi nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë. Duke vlerësuar zgjidhjen që shumë qytetarë shqiptarë kanë gjetur në GjEDNj, Presidenti Nishani u shpreh se: “qytetarët shqiptarë besojnë shumë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë dhe është e angazhuar që në të ardhmen të realizojë zbatimin e Konventës (KEDNJ) në nivel kombëtar, në mënyrë të tillë që aplikantët të mos i drejtohen vetëm dhe në çdo rast GjEDNj-së, por të marrin zgjidhje nga institucionet e larta shqiptare të drejtësisë. Kreu i shtetit e informoi zotin Raimondi mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, si dhe theksoi se kjo reformë është prioritare, pasi është e vetmja mundësi për të krijuar një sistem drejtësie, të pavarur, profesional dhe të pakorruptuar. Presidenti Nishani shprehu besimin se pas opinionit të Komisionit të Venecias, forcat politike nuk duhet të humbin më kohë, por duhet të veprojnë dhe punojnë për ndryshimet kushtetuese që do të sigurojnë ndërtimin e një sistemi drejtësie sipas parimit të kontrollit dhe balancës.
Po dje Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.

Nishani me Frecon për çështjen e decentralizimit

Presidenti Nishani, gjatë vizitës në Këshillin e Evropës u takua në takime të veçanta edhe me Presidentin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Jean-Claude Frécon, si dhe me anëtarët e stafit shqiptar në Këshillin e Evropës. Në takimin me zotin Frécon, Presidenti iRepublikës vlerësoi se Kongresi po kontribuon në krijimin e një platforme të qëndrueshme pluraliste dhe të unifikuar të dialogut me përfaqësuesit e pushtetit lokal të zgjedhur në Shqipëri. Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu kontributin dhe rekomandimet që kanë dhënë ekipet e ndryshme vëzhguese dhe monitoruese, si dhe misionet fakt-mbledhëse, përpërmirësimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri dhe të vlerësimit të situatës së demokracisë vendore dhe rajonale. Presidenti Nishani shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej në të ardhmen, si dhe evidentoi punën e institucioneve shqiptare në përmbushjen e rekomandimeve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale. Presidenti Nishani, duke iu referuar decentralizimit të pushtetit vendor, u shpreh se megjithëse nuk është një proces i lehtë dhe i shkurtër në kohë, duhet të që t’i japë qytetarëve mundësinë për të marrë shërbime më të mira e më të përshtatshme. Ndërsa për reformën administrative, Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Kongresi i Autoriteteve Vendoredhe Rajonale, si dhe theksoi se nuk mjafton vetëm një ndarje e re territoriale, por duhet që të ketë një ndarje reale edhe të burimeve financiare në mbështetje të shërbimeve që qytetarët kanë nevojë. Nga ana e tij, Frécon u shpreh i gatshëm për të vijuar ngushtësisht të bashkëpunojë me Shqipërinë për çështjet e decentralizimit dhe të zbatimit të këtij procesi në praktikë, si dhe theksoi se është shumë e rëndësishme që vendimet për ndryshimet e kodit zgjedhor dhe zvogëlimin e autoriteteve vendore duhet të bëhen me konsensus të plotë mes palëve. Ndërsa në takimin me anëtarët e stafit shqiptar në Këshillin e Evropës, Presidenti Nishani, përshëndeti rolin dhe kontributin që ofrojnë ata për promovimin e vlerave universale të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe i falënderoi për rolin e drejtpërdrejtë në mbështetje të institucioneve shqiptare, si dhe për hartimin e dokumenteve programatike të bashkëpunimit dy-vjeçar Shqipëri-KiE.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration dhe u etiketua si , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s