Gjykata Kushtetuese: Poseduesi i tokës për 20 vjet bëhet pronar

Vlerësim i Shoqatës “Pronësi me drejtësi”

Gjykata Kushtetuese del me nje vendim dhe interpretim djallëzor e spekullativ. Ky vendim do te sherbeje si leve  per te justifikuar shkaterrimin e pronareve te ligjshem.  

Pak vite me pare Gjykata Kushtetuese, nën trysninë politike, pranoi ligjin 7501 si ligj ne perputhje me Kushtetuten. Ligji 7501 dhe ai vendim absurd i Gjykatës Kushtetuese, deri sot ka shkaktuar mbi 8500 viktima dhe po prodhon çdo dite korrupsion, krim të organizuar, popull hajdut dhe politikane kleptokrate. Reforma ne Drejtesi qe pretendojne nderkombetaret eshte si “demokracia e vertete”, qe populli kishte ne kohen e regjimit komunist te Enver Hoxhes.

Nese Diktatura i shpronesoi shqiptaret dhe pronat private i vuri ne sherbim te shoqerise, keto ligje qe jane miratuar pas vitit 1991 per pronat jane shkaterrim gradual por i plote i demokracise dhe i Shqiperise. E vetmja mundesi per te shpetuar Shqiperine nga shkaterrimi postkomunist mbetet Gjykata e Strasburgut. Pronaret qe mbahen peng prej 25 vjet qe AKKP tu ktheje pronat , nuk duhet te ushqejne iluzione por duhet ti drejtohen Gjykates se Strasburgut .  

Botuar në Gazetën Shekulli, 1 mars 2016

Temat Kryesore

  • Gjykata Kushtetuese lë në fuqi nenin 169 të Kodit Civil dhe rrëzon pretendimet e Gjykatës së Vlorës për antikushtetueshmërinë e këtij neni, edhe pse nuk parashikon të drejtën për kompensim të ish-pronarit

Nga Suela Topi

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi nenin 169 të Kodit Civil, sipas të cilit, nëse një person zotëron një tokë për 20 vite atëherë ai konsiderohet pronar i ligjshëm i saj. Vendimi i Kushtetueses u mor pas kërkesës së Gjykatës së Vlorës e cila argumenton se ky nen është antikushtetues në pjesën që nuk parashikon të drejtën për kompensim të ish-pronarit.

Gjykata e Vlorës u vu në lëvizje nga Safet Sulaj, i cili kishte paraqitur një padi kundër Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me objekt njohjen e tij si pronar mbi një pronë truall dhe shtëpie mbi të, me anë të parashkrimit fitues, në bazë të nenit 169 të KC-së. Paditësi ka pretenduar se e ka poseduar pasurinë objekt gjykimi për më shumë se njëzet vjet, pa ndërprerje, në mënyrë publike, sikur të ishte pronar dhe qetësisht, si dhe se pasuria objekt gjykimi nuk është e përfshirë në rrethin e pasurive të paluajtshme të patjetërsueshme si pronë publike. Gjykata referuese, duke vlerësuar se neni 169 i KC-së, në pjesën që nuk parashikon të drejtën për kompensim të ish-pronarit, vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), me vendimin nr. 1097 akti, datë 9.2.2015, ka vendosur pezullimin e gjykimit të kësaj çështjeje dhe në bazë të nenit 145/2 të Kushtetutës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së përmbajtjes së kësaj dispozite.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

Në lidhje me argumentet që mbështesin pretendimet për cenimin e normave e parimeve konkrete kushtetuese, gjykata referuese argumenton se përmbajtja e nenit 169 të KC-së, në pjesën që nuk parashikon të drejtën për kompensim të ish-pronarit, bie ndesh me nenet 11, 17, 18 dhe 41 të Kushtetutës, si edhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Sipas nenit 41 të Kushtetutës: “Prona fitohet me dhurim, me trashëgimi, me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil.” Në legjislacionin tonë, sa më sipër, rregullohet përmes nenit 149 të KC-së, i cili parashikon se: “Pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet, brenda kufijve të caktuar nga ligji”, ndërsa në nenet 164-190 të këtij Kodi parashikohen mënyrat përkatëse të fitimit dhe të humbjes së pronësisë. Sipas nenit 169 të KC-së “Personi që ka poseduar qetësisht e pa ndërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzetë vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj.”. Parashkrimi fitues (me titull ose pa titull) është një nga mënyrat e fitimit të pronësisë, parashikuar në nenet 168 dhe 169 të KC-së. Në thelb, elementi i përbashkët i parashkrimit fitues me titull dhe atij pa titull është posedimi i qetë dhe pa ndërprerje i sendit.

Për parashkrimin fitues me titull (sikurse parashikohet nga neni 168 i KC-së), përveç posedimit të pandërprerë prej 10 vjetësh të sendit të paluajtshëm, kërkohet që të ekzistojë veprimi juridik për kalimin e pronësisë, veprim i cili nuk është i ndaluar nga ligji, si dhe ekzistenca e mirëbesimit (vetëm për kohën e bërjes së veprimit juridik për fitimin e pronësisë), pra që fituesi i sendit nuk ka ditur ose nuk ka qenë i detyruar të dinte që personi nga i cili ka fituar sendin nuk ishte pronar ose që veprimi juridik për kalimin e pronësisë nuk ishte i vlefshëm. Parashkrimi fitues me titull mbulon çdo lloj pavlefshmërie, si atë relative, ashtu edhe atë absolute, sepse kjo është një mënyrë fitimi pronësie me anë të posedimit dhe një mënyrë primare e fitimit të pronësisë. Ndërsa fitimi i pronësisë me parashkrim fitues pa titull, institut i parashikuar nga neni 169 i KC-së, ka si element thelbësor dhe të vetëm ekzistencën e posedimit qetësisht dhe pa ndërprerje të sendit të paluajtshëm për 20 vjet. Natyrisht që sjellja gjatë këtij posedimi duhet të jetë njësoj sikur poseduesi të ishte pronar i sendit. Nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në këto dispozita, pronari i mëparshëm i sendit humbet të drejtën e tij të pronësisë mbi sendin, pasi parashkrimi fitues në kushtet e përcaktuara në ligj mund të sjellë lindjen ose fitimin e së drejtës së pronësisë.

Sipas gjykatës referuese, papajtueshmëria e kësaj dispozite (nenit 169 të KC-së) qëndron në mungesën e parashikimit prej saj të mundësisë së kompensimit të ish-pronarit, i cili humb pronësinë si pasojë e ndërhyrjes së institutit të parashkrimit fitues, por ajo nuk ka ngritur pretendime në lidhje me përmbajtjen e kësaj dispozite, pra në lidhje me këtë institut në vetvete. Për pasojë, Gjykata vlerëson se nuk mund të ndalet në kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të institutit të parashkrimit fitues, si një nga mënyrat origjinale të fitimit të pronësisë. Gjykata vlerëson gjithashtu, se e drejta e pronësisë, si një nga të drejtat e mbrojtura nga Kushtetuta, nuk cenohet si pasojë e mosparashikimit të së drejtës së kompensimit të ish-pronarit në rast të transferimit të titullit të pronësisë, si pasojë e zbatimit të nenit 169 të KC-së. Titullari i së drejtës së pronësisë është i mbrojtur në çdo rast kur pretendon cenimin apo kufizimin e kësaj të drejte.

Neni 169 i KC-së kërkon posedimin e pronës nga poseduesi jopronar qetësisht e pa ndërprerje dhe duke u sjellë si të ishte i tillë, ndërkohë që çdo veprim i kryer nga pronari i ligjshëm gëzon mbrojtje ligjore dhe sjell efektin e ndërprerjes së efektit të parashkrimit dhe moszbatimin e këtij instituti. Sipas GJEDNJ-së, pretendimi për kompensim në raste të tilla duhet trajtuar në këndvështrim të parimit të sigurisë juridike. Parimi i sigurisë juridike përfshin, krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin te sistemi juridik, pa marrë përsipër garantimin e çdo pritshmërie për mosndryshim të një situate të favorshme ligjore. Besueshmëria ka të bëjë me bindjen e individit se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht ose të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve juridike, të cilat mund të cenojnë jetën e tij private ose profesionale dhe të përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme.

Në ndryshim nga sa pretendon gjykata referuese shpërblimi i drejtë është një koncept kushtetues i lidhur me rastet e shpronësimit apo kufizimit të së drejtës së pronës me ligj për interesa publikë, sipas nenit 41 të Kushtetutës. Për pasojë, humbja e pronësisë si pasojë e shpronësimit për interes publik nuk është e njëjtë me kalimin e titullit të pronësisë si pasojë e ndërhyrjes së parashkrimit fitues. Ndërsa në rastin e parë gjendemi përballë një marrëdhënieje midis individit pronar dhe shtetit, ku individi zhvishet nga e drejta e pronësisë sa herë që ndërhyn një interes publik dhe ka të drejtë të ketë pretendime vetëm në lidhje me masën e shpërblimit, në rastin e dytë gjendemi përballë një marrëdhënieje private mes pronarit dhe poseduesit jopronar, individë apo shteti, ku pronari ka të gjitha të drejtat ligjore dhe mundësitë që të pretendojë dhe mbrojë të drejtën e tij. 17. Për sa më sipër, në vlerësim të Gjykatës, nuk është arritur të argumentohet mjaftueshëm në nivel kushtetues se mungesa e një parashikimi ligjor në nenin 169 të KC-së për njohjen e së drejtës së kompensimit për ish-pronarin në rastin e kalimit të titullit me anë të parashkrimit fitues bie ndesh me parimet dhe standardet kushtetuese të pretenduara nga gjykata referuese. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi rrëzimin e kërkesës.

Mendimi  paralel i Vladimir Kristos

Shumica në vendimin e saj pasi ka arsyetuar se gjykata referuese plotëson kriteret e legjitimimit në kuptim të nenit 145/2 të Kushtetutës, për sa i përket themelit të pretendimeve argumenton mbi ratio-n e institutit të parashkrimit fitues, të parashikuar nga nenet 168 dhe 169 të KC-së (shih paragrafin nr. 12 të vendimit të shumicës), si dhe mbi të drejtën e kompensimit të ish-pronarit në rastin e transferimit të titullit të pronësisë (shih paragrafët nr. 14-15 të vendimit të shumicës). Bazuar në veçoritë e këtyre dy instituteve, shumica ka arritur në përfundimin, sikurse u përmend më lart, se kërkesa e gjykatës referuese nuk është ngritur në nivel kushtetues. Sipas shumicës, në kushtet kur gjykata referuese nuk ka arritur të paraqesë argumente bindëse për të mbështetur kërkesën e saj, kjo kërkesë është e pabazuar. Jam i mendimit se vendimi i shumicës është kontradiktor dhe i paqartë.

Përfundimi në të cilin ka arritur shumica lë vend për konfuzion nëse kërkesa e gjykatës referuese nuk është ngritur në nivel kushtetues apo është haptazi e pabazuar. Kjo paqartësi bëhet më evidente edhe për faktin se pavarësisht se shumica ka vlerësuar se gjykata referuese nuk ka arritur të argumentojë mjaftueshëm në nivel kushtetues, ajo (shumica) ndalet në themelin e pretendimeve. Në ndryshim nga shumica, në rastin në shqyrtim mendoj se kërkesa e gjykatës referuese është haptazi e pabazuar. Sikurse vlerëson edhe shumica instituti i parashkrimit fitues dhe ai i dëmshpërblimit janë dy institute diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Nisur nga kjo pikëpamje, në vlerësimin tim nuk ka ometim legjislativ në formulimin e nenit 169 të KC-së dhe për pasojë do të ishte e tepërt dhe e panevojshme çdo lloj ndërhyrje në këtë drejtim në nenin në fjalë.

 

Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua si , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s