Botuar në gazetën Shqiptare, 16 shkurt 2016
VLORE – Banorët e Radhimës dhe Orikumit dje u hodhën në protestë kundër dy projekteve private që do të zbatohen në gadishullin e Karaburunit dhe në Radhimë. Gjatë tubimit, ata deklaruan se në Radhimë do të ndërtohet një kompleks pishinash, ndërkohë që askush nuk ka marrë mendimin e tyre edhe pse nga ky projekt cenohen pronat e tyre. Gjithashtu, banorët u shprehën se projekti është hartuar në fshehtësi të plotë. Protestuesit u mbështetën edhe nga përfaqësues e deputetë të Partisë Demokratike, si Jamarbër Malltezi dhe deputetja e Vlorës, Liljana Elmazi. Gjatë fjalës së tij, Malltezi tha se kompleksi i pishinave nuk do të shërbejë për pushuesit, por për pushtetarët. Në të njëjtën linjë me banorët e Radhimës dhe të Orikumit, Malltezi u shpreh kundër projektit “të lordit të Vlorës”, siç e quan ai deputetin socialist Koço Kokëdhima. Një prej pronarëve të vjetër, Agim Begotare tha se “kjo tokë, e cila është e trashëguar brez pas brezi, nuk mund të merret me një kërcitje gishtash, sepse nëse ndodh kjo, protesta do të përshkallëzohet edhe më tej”. Ndërsa, Ervin Salianji, sekretari për aksionin qytetar në Partinë Demokratike u shpreh se “Rama prej kohësh nuk e viziton Vlorën. Kryeministri e deputeti Kokëdhima janë fatkeqësi për qytetin. Ata vijnë sa për të vjedhur pronën dhe për të emëruar njerëz me precedentë penalë siç është dhe kryetari i Qarkut”. Ndërkaq, Jamarbër Malltezi ka ngritur edhe dy shqetësime të tjera. Bëhet fjalë për ndërtimin e një akuakulture në Karaburun, e cila sipas tij u rrëmben qytetarëve qindra hektarë nga prona e tyre, si dhe për uzinën e Pashalimanit, e cila po sipas tij është shitur për dy bileta basketbolli. Banorët janë shprehur se janë pro çdo lloj projekti në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve, por pa cenuar askënd. Ata bllokuan rrugën Orikum-Radhimë, ndërsa pohuan se nuk do t’i ndalin protestat derisa të merren parasysh kërkesat e tyre