Agim Toro, deputetëve: Mos votoni me urdhër të Mafies “Ligjin e Pronave”

Nga: Agim Toro

Botuar në Gazetën Shqiptare, 11 Janar 2016

Pavarësisht nga diskutimet e shumta, kundërshtimeve dhe analizën që Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” i beri -projektligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi atë me shumicë të thjeshtë votash.
Lind pyetja: a janë të ndërgjegjshëm për votën e tyre këta deputetë?
Ligji i miratuar në datën 5 dhjetor 2015, vetëm pesë ditë para së Këshilli i Europës të shqyrtonte progresin për realizimin e detyrave që i ka vënë Shqipërisë për integrimin në familjen europiane. Ligji u miratua me 78 vota të maxhorancës së sotme. Midis votuesve të këtij ligji janë votat e mëse 20 deputetëve, që para 11 vjetësh votuan ligjin nr.9235  dt. 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Para 11 vjetësh këta deputetë u betuan (votuan) se do kthenin 100% pronën pronarëve të ligjshëm dhe për pronat që nuk ktheheshin do kompensoheshin 100% me çmimet e tregut sot. Por, çfarë votuan këtë radhë?
Shoqata jonë ka kundërshtuar fort projektligjin, midis të tjerave sepse:
– Ligji i ri nuk parashikon në asnjë rast kthimin fizik të pronës pronarëve që u takon, por fut termin e ri, abstrakt, kompensim brenda pronës së pronarit. Pra, pronari do kompensohet brenda pronës së vet, i njeh pronën e pronarit me kufi e vendndodhje dhe i thotë që të kompensojë për vlerën e një prone tjetër, brenda tokës së vet dhe këtë e bën duke ndërruar zërin kadastral. E thënë thjesht “kthen” në vlerë sipas zërit kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, me çmimin e një toke tjetër, por asnjëherë nuk kemi kthim fizik të pronës së marrë padrejtësisht. Kjo ul çmimet deri 200, 300 deri 1000 herë.
– Çmimet e tokave sidomos në qytete gjatë këtyre viteve, por sidomos në vitin 2014 pësuan një ulje drastike, të pajustifikuar edhe para Gjykatës së Strasburgut. Kjo i parapriu miratimit të këtij ligji, i cili u miratua nga deputetet e maxhorancës pa asnjë diskutim, pas mesnate, kur shumica ishin thuajse në gjumë.
– Prona nuk është thjesht pronë fizike, por të parët tanë i kanë blerë ato për të shtuar kapital, pra për t’u zhvilluar në të ardhurat e tyre dhe në zhvillimin perspektiv të pronës. Ne e shohim pronën jo si një send të thjesht, por si një aset që prodhon kapital dhe ky është një proces në vazhdim. Meqenëse pronat fizike janë të kufizuara dhe kërkesat për zhvillim janë në rritje, atëherë pashmangshmërisht vlera e pronës rritet dhe është kjo arsyeja që ne nuk biem dakord me emërtimet dhe vlerësimet e vitit kur është konfiskuar prona, por të paktën me vlerën e tregut  sot. Nuk është shteti që i ka dhënë vlerë dhe që po e përfiton atë tani, por është zhvillimi ekonomik i shoqërisë që ka rritur vlerën e pronës. Sistemi komunist në kundërshtim me atë kapitalist përkundrazi nuk e ka zhvilluar pronën në vlerë të njëjte me sistemin kapitalist, prandaj dhe sistemi komunist dështoi. Po qe se pronarët do të gëzonin pronën nga viti 1945 e këtej, duke qenë se do të ishin në sistemin ku zhvillohet privatisht prona, do kishin përfitime shumë herë më të mëdha nga sa kërkojnë pronarët sot.
– Më i çuditshëm është fakti se me këtë ligj urdhërohet Gjykata e Strasburgut të mos gjykojë më çështjet e ardhura nga pronarët shqiptarë. Nuk kuptojmë në çfarë pozite e kanë vënë veten hartuesit e këtij ligji, por edhe në çfarë pozite e vë veten qeveria kur guxon të urdhërojë Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut? Vaj medet mendësisë që kanë, kujtojnë se janë këta zotërit e Europës. Por Gjykata e Strasburgut nuk është sistemi gjyqësor shqiptar i korruptuar dhe që përpunohet sipas dëshirave të politikanëve shqiptarë. Vaj medet nga kjo mendësi kur presim reformën në sistemin e drejtësisë, kur deputetët e maxhorancës miratojnë si robotër një ligj thellësisht të padrejtë dhe që ushqen korrupsionin.
– Ne e kuptojmë që korrupsioni ekonomik dhe politik nuk lejon kthimin fizik në natyrë të pronës. Sot Qeveria ndan tokat me ligjin famëkeq 7501, shet toka me 1 euro, jep me qira tokat për 99 vjet me çmime qesharake, ndërton gjoja fshatra turistikë dhe ua shet token pronarëve të vilave (kryesisht politikanë dhe pushtetarë) me çmime thuajse falas, legalizon falas të gjitha ndërtimet pa leje edhe ato të ndërtuara në vitin 2014. Vetëm mendohet si të sajojmë një ligj që pronarët të mos marrin asgjë.
– Legalizimet e ndërtimeve pa leje, megjithëse Gjykata Kushtetuese shqiptare, shpronësimin për interesat e legalizimit e quajti shpronësim për interes publik, vendosi që pronarët e shpronësuar për legalizimin e ndërtimeve pa leje të shpronësohen për tokë truall. Ky ligj ndryshon zërin kadastral nga truall në tokë bujqësore, megjithëse në ligjin e legalizimeve thuhet ndryshe.
– Buxheti i parashikuar për zbatimin e ligjit të ri prej 50 miliardë lekësh (350 milionë euro) përfshin edhe kompensimin për efekt legalizimi. Janë 17000 ha tokë të pronarëve të zënë me ndërtimet informale, sa është kostoja? Sa është kostoja për procesin e legalizimit dhe sa është kostoja për kompensimin e pronarëve për pronat që nuk ua kthen ligji? Askush nuk jep dot përgjigje, megjithëse është një kusht i Kushtetutës që ligji duhet të shoqërohet me faturë financiare. Të njëjtën gjë kërkon edhe Këshilli i Europës.
***
Nuk është e rastit thirrja e zv/ministrit të Drejtësisë, që shteti shqiptar është në prag të falimentimit dhe se shteti shqiptar shkel përditë të drejtat e njeriut. Po të mos luftohet korrupsioni ekonomik e politik dhe po të mos ketë një drejtësi që të mos lejojë në asnjë rast shkeljen e këtyre drejtave, sigurisht që Shqipëria do falimentojë jo vetëm në fushën e pronave, por në çdo gjë dhe eksperiencat e vendit tonë në këtë drejtim nuk mungojnë.
Gjykata e Strasburgut jo në një rast i ka ardhur në ndihme shtetit shqiptar me konkluzione dhe detyra konkrete, por ka qenë shteti shqiptar që nuk i ka vlerësuar dhe nuk i ka zbatuar ato. Për këtë nuk është faji i pronarëve, por i këtyre deputetëve të pandërgjegjshëm që nuk dinë çfarë votojnë, po vetëm zbatojnë urdhrat. Në vendimin e dhënë vetëm 25 ditë para miratimit të ligjit, të 10 nëntorit 2015, Gjykata e Strasburgut ka konkluduar:
1. Pika 79. Gjykata përsërit parimin e saj përcaktues se dëmi pasuror të jepet në rastet e shpronësimit të paligjshëm duhet të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës nëse kthimi fizik në natyrë nuk është i mundur.
2. 80. Gjykata shqyrtoi një çështje të ngjashme në Vrioni dhe të tjerë k. Shqipërisë, nr. 35720/04 dhe 42832/06, §§ 33-39, 7 dhjetor 2010, në të cilën ajo ka arsyetuar dhe ka arritur në përfundimin se, në rastin e shpronësimeve të paligjshme, të tilla si në aplikimet pranishme në gjykatë, në lidhje me të cilën autoritetet duhet t’i japin kompensim në vend të kthimit në natyrë të pasurisë, shuma e kompensimit do të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës.
3. 81. Në Vrioni dhe të tjerët (i drejtë), cituar më lart, gjykata i dha kompensim në bazë të hartave të vlerësimit të pronave të miratuara në vitin 2008. Kjo metodë e llogaritjes së dëmit material është aplikuar në mënyrë konsistente në të gjitha gjykimet e mëvonshme të miratuara nga gjykata (shih Manushaqe Puto dhe të tjerë, cituar më lart, § 125. Delvina kundër Shqipërisë (i drejtë), jo 49106/06, § 17, 21 maj 2013;. Karagjozi dhe të tjerët (Komiteti), cituar më lart, §§ 63 dhe 65; Siliqi dhe të tjerët (Komiteti), cituar më lart, § 27 dhe Metalla dhe të tjerët (Komiteti), cituar më lart, § 37).
4. Pika 84. Gjykata merr parasysh argumentet e qeverisë në favor të aplikimit të hartave të vlerësimit të pronës të vitit 2014 për llogaritjen e dëmit material. Ajo mirëpret faktin se vlerësimet e pronës janë (menduar të jetë) të përditësuar çdo vit në bazë të një metodologjie që u miratua me vendim të qeverisë në vitin 2012. Megjithatë, kjo nuk është bindur nga propozimet e qeverisë.
5. Pika 86. Së dyti, gjykata do t’u referohet rezervave të bëra gjatë takimit parlamentar të 7 maj 2012, që vërteton se transaksionet e regjistruara me ZRPP nuk pasqyronin në përgjithësi dhe nuk pasqyronin domosdoshmërish vlerën reale të tregut, si rezultat i evazionit fiskal të kryer nga palët në një kontratë e shitjes. Rrjedhimisht, gjykata vlerëson se mbështetja në çmimet e shitjes të transaksioneve të regjistruara do të jetë në mospërputhje flagrante me parimin e mirëvendosur që kompensimi, në rastet e shpronësimit të paligjshëm, duhet të korrespondojë me vlerën e tregut dhe gjykata nuk është për të treguar masat, për të frenuar dhe luftuar evazionin fiskal.
6. Pika 87. Së treti dhe e lidhur ngushtë me arsyen e dytë, gjykata është e shqetësuar se çmimet e pronave në disa qytete, veçanërisht në zonat që përjetojnë një rritje të zhvillimit relativisht të lartë, të tilla si qendër të kryeqytetit, Tiranë, kanë përjetuar një rënie të madhe. Gjykata nuk është në gjendje të flasë arsyet për rënie të tillë, por ajo nuk është e bindur se ata objektivisht pasqyrojnë vlerën aktuale të tregut dhe se ata ishin “interesat dhe inflacioni indeksuar”, në mënyrë që të mbulojë për dëmin shkaktuar nga pamundësia e kompensimit gjatë gjithë këtyre viteve (krahasoni Vrioni dhe të tjerët (shpërblim), cituar më lart, § 37).
7. Pika 90. Duke pasur parasysh vlerësimet e mësipërme, gjykata arrin në përfundimin se ajo duhet të përcaktojë dëmin financiar mbi bazën e hartave të vlerësimit të pronës të vitit 2008.
Para disa ditësh Presidenti i Republikës, me të drejtë nuk e dekretoi ligjin e ri të pronave. Arsyetimet e tij janë të sakta e të drejta, por kryetari i maxhorancës, pa i lexuar fare u shpreh se do ta rimiratonte ligjin e ri për pronat pa asnjë ndryshim, duke vërtetuar kështu se ky është thjesht një ligj politik, që mbron korrupsionin ekonomik dhe politik që po mbyt Shqipërinë. Ky qëndrim nuk është as më shumë e as më pak sesa një qëndrim i paracaktuar, pa asnjë analizë e vlerësim rreth Dekretit të Presidentit. Siç kemi theksuar edhe në analiza të tjera, ky ligj mbron me fanatizëm padrejtësinë dhe korrupsionin me pronat, si dhe i hap rrugën vazhdimit të këtij korrupsioni në mënyrë që të zbatohen deri në fund orientimet e Ramiz Alisë.
Ky ligj e ndan përfundimisht shoqërinë shqiptare në dy grupe të mëdha, në njerëzit që kërkojnë drejtësi dhe garanci në një vend demokratik dhe në një grup që kërkon domosdoshmërish të përfitojë me anë të korrupsionit ekonomik dhe të qëndrojë në pushtet me anë të korrupsionit politik.
Justifikimi se do shkelim disa të drejta të individit për hir të interesit publik është një normë juridike e re, që vetëm mendja e ish-kryetares së Komitetit të Helsinkit në Shqipëri di ta justifikojë, sepse nuk besoj se ka gjykatë në bote që e pranon. Çudia shqiptare për interesin publik vazhdon, për interes publik u shpërnda toka falas me ligjin 7501, për interes publik legalizohen falas ndërtimet pa leje, për interes publik ulen çmimet e tokave në “fshatra turistike”, duke ua shitur tokën pronarëve të vilave me çmime qesharake, me interes publik justifikohen dhënia e tokës investitorëve të huaj me një euro, me interes publik justifikohet mbrojtja e korrupsionit me pronat, me interes publik justifikohen të gjitha padrejtësitë me pronat dhe tani me interes publik justifikohet që pronarëve të mos t’u japim 100 herë më pak nga sa u takon (Banka Botërore ka llogaritur se kostoja e kompensimit kap shifrën 39 miliardë dollarë, kurse ligji planifikon 390 milionë dollarë (shih Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2014).
Siç theksova që në fillim, më shumë se 20 deputetë të maxhorancës në vitin 2004 e votuan për një ligj tjetër atë me nr. 9235 dt.29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ku rrahën gjoksin se ishin me pronarët dhe me të drejtën. Sot pas gati 12 vjetësh votojnë në të kundërtën. Edhe në vitin 2004, ne e kundërshtuam ligjin, duke theksuar faktin që ai ligj nuk do ta zgjidhte problemin, sepse linte në fuqi padrejtësitë dhe korrupsionin e realizuar deri në atë kohë, por ligji u miratua nga maxhoranca e majtë me forcën e kartonit. Edhe sot po përsëritet historia, po maxhoranca e majtë miraton një ligj të dështuar para miratimit të tij. Arsyet janë të qarta, kështu urdhëron mafia e pronave. Dhe ky konkluzion është paravendosur pa lexuar fare arsyet e antikushtetutshmërisë që kemi theksuar, ne por thekson saktësisht edhe Presidenti i Republikës.
Pavarësisht nga kjo, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, po u jepet edhe një herë mundësia të tregojnë se nuk janë robotër që votojnë sipas urdhrave, por kanë ndërgjegje politikane edhe të pavarur me interesat e korrupsionit e krimit të organizuar, por të varur nga Kushtetuta. Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë po ju jepet edhe një herë mundësia të rivlerësojnë veten dhe të miratojnë një ligj që do t’u shërbejë interesave themelore te njeriut, që do t’i shërbejë të ardhmes së vendit.
Ne besojmë në ndërgjegjen e tyre se do ta analizojnë me kujdes Dekretin e Presidentit, do analizojnë me kujdes kërkesat dhe konkluzionet e Gjykatës së Strasburgut si dhe analizat e kërkesat tona dhe do vendosin në interes të demokracisë në lufte kundër korrupsionit.
Lexojini, studiojini dhe pastaj votoni, mos paragjykoni

Agim TORO
Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës
“Pronësi me Drejtësi”
Dt. 08.01.2016

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized dhe u etiketua me , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s