Botuar në Ballkanweb, 13 dhjetor 2015
Nga: Ornela Manjani
Dy ish-kryetarë të komunës Velipojë dhe 8 ish-kryekomisionerë të ndarjes së pronës në Velipojë janë kallëzuar në prokurori nga KLSH-ja për shpërdorim detyre. 10 zyrtarët janë kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili pas auditimit ka zbuluar se ish-zyrtarët e lartë kanë tjetërsuar rreth 111 hektarë tokë bujqësore, duke ua dhënë personave të afërm apo për interesa të caktuara. Dëmin ekonomik, Kontrolli i Lartë i Shtetit e llogarit në rreth 142.7 milionë lekë dhe të ardhura të munguara në shumën 315.7 mln lekë. KLSH-ja depozitoi kallëzim në prokurori për ish-kryetarët e komunës Velipojë N.M. dhe B.D., si edhe për ish-kryetarët e komisionit të ndarjes së pronës, shtetasit K.B., L.B., M.B., RR.RR., A.F., T.V. dhe T.M. Ndaj tyre rëndon akuza “shpërdorim detyre”.
Raporti
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar auditimin në ish-komunën Velipojë, Qarku Shkodër, për periudhën janar 2013 – 31 dhjetor 2014 të aktivitetit të kësaj komune. Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh, të metash dhe mangësish, në zbatimin e procedurave ligjore, në moszbatimin e ndarjes së tokës bujqësore, lëshimin e dokumenteve të parregullta(AMTP) për tokat e ish-KB Velipojë, duke pajisur persona jashtë gjendjes familjare të vitit 1991 dhe duke lënë pa tokë familjet të cilave u takonte sipas ligjit. Në përfundim të auditimit është zbuluar se, në 331 raste me sipërfaqe 111.9 ha, në ndarjen e tokës bujqësore, për tokat e ish-KB Velipojë Sektor Fshat Velipojë, janë shkelur dispozitat ligjore dhe janë lëshuar dokumente të parregullta (AMTP), pajisur me tokë jashtë gjendjes civile të vitit 1991 dhe në 16 raste për sipërfaqe 13.6 ha të zënë, është ndarë për 59 frymë, duke krijuar probleme të rënda sociale e lënë pa tokë 11 familje për sipërfaqe 20 ha tokë që u takonte sipas ligjit. Sipas KLSH-së, në 238 raste me sipërfaqe 73.7 ha, për tokat e ish-KB Velipojë Sektor Reç i Ri, janë shkelur dispozitat ligjore dhe janë lëshuar dokumente të parregullta (AMTP), me korrigjime e pa rakorduar, pajisur me tokë jashtë gjendjes civile të vitit 1991, pa plotësuar me normë në 16 raste me 7.4 ha, dhënë troje mbi normën 300 m2 në 70 raste me 4.3 ha, duke cenuar e kthyer në truall fondin e tokës bujqësore, ndryshuar zërin Kadastral “Tokë bujqësore” për “tokë inproduktive” në 88 raste prej 30 ha të ndodhura buzë zonës së Vilunit dhe në zonën Pulaj Plazh, duke favorizuar pjesëtarë të familjeve të komisionarëve dhe persona të caktuar. Në raportin e KLSH-së mësohet se “në procedurën e prokurimit “Shërbimi i pastrimit të mbetjeve urbane”, nuk janë llogaritur kamatëvonesat, për mosfurnizimin në kohë të 360 kontejnerëve të mbeturinave, duke cenuar drejtpërsëdrejti cilësinë e shërbimit të pastrimit për komunitetin, dhe shkaktuar buxhetit të komunës Velipojë një dëm ekonomik në shumën 2,2 milionë lekë”. “Nuk është arkëtuar për periudhën 2013-2015 shuma 147.3 milionë lekë, si të ardhura të munguara nga mosarkëtimi nga subjektet private që kanë kryer aktivitet tregtar në territorin e komunës Velipojë. Nuk janë zbatuar aktet ligjore për menaxhimin e kontratave të qirasë në vijën ranore(troje çlodhëse), si ankand apo konkurrim, mangësi në vendosjen selektive të afatit dhe vlerës së kontratës nga 2 muaj në 3.5 muaj, duke mos respektuar afatin 5-mujor të përdorur në fakt, me një dëm ekonomik në shumën 41.8 milionë lekë, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9632, datë 30.1.2006, të ndryshuar ‘Taksat Vendore’, ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000, ‘Për Organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore’, VKM nr. 54, datë 05.02.2014, ‘Për përcaktimin e kritereve të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira enfiteozë të objekteve shtetërore’”, – thuhet ne raport. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në procedurën e prokurimit “Hartimi i instrumenteve vendore të planifikimit të territorit për komunën Velipojë”, viti 2013, nuk janë marrë masa për realizimin e shërbimit në afat(shtyrje të pajustifikuara) dhe nuk janë llogaritur kamatëvonesat, konfiskuar garancia e kontratës, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 4.57 milionë lekë. Ndërkohë, në zbatimin e kontratës “Shërbimi i pastrimit të mbetjeve urbane” ka munguar mbikëqyrja dhe monitorimi i saj, si dhe mungon dokumentacioni vërtetues për shpenzimet e kryera në vlerën 31 milionë lekë me TVSH. Mosveprimet e mësipërme bien në kundërshtim me VKM nr. 1, datë 10.01.2007, “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, i ndryshuar. Nuk është arkëtuar për periudhën 2013-2015 shuma 147.3 milionë lekë, si të ardhura të munguara nga mosarkëtimi nga subjektet private që kanë kryer aktivitet tregtar në territorin e komunës Velipojë. “Nuk janë zbatuar aktet ligjore për menaxhimin e kontratave të qirasë në vijën ranore(troje çlodhëse), si ankand apo konkurrim, mangësi në vendosjen selektive të afatit dhe vlerës së kontratës nga 2 muaj në 3.5 muaj, duke mos respektuar afatin 5-mujor të përdorur në fakt, me një dëm ekonomik në shumën 41.8 milionë lekë, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9632, datë 30.1.2006, i ndryshuar, ‘Taksat Vendore’, ligjin nr. 8652, datë 31.07.2000, ‘Për Organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore’, VKM nr. 54, datë 05.02.2014, ‘Për përcaktimin e kritereve të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira enfiteozë të objekteve shtetërore’”. Janë kryer pagesa të paligjshme këshilltarëve pa marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të komunës në shumën 1.4 milionë lekë dëm ekonomik. Nuk janë arkëtuar 78 subjekte hotelerie, detyrim i llogaritur në shumën 8.1 milionë lekë, dëm ekonomik dhe të ardhura të munguara për buxhetin e komunës për periudhën 2012-2015. Nuk janë arkëtuar 116 subjekte, nga këto 50 subjekte për shfrytëzim sipërfaqeje rëre (vendosje shezllone), 66 subjekte dyqane e 8 subjekte vendosje lodra për fëmijë, shuma e llogaritur prej 21.2 milionë lekësh, dëm ekonomik dhe të ardhura të munguara për buxhetin e komunës për periudhën 2012-2015″, thuhet në raportin e auditimit. Në komunën Velipojë, sipas KLSH-së, janë shkelur aktet ligjore në dhënien e hapësirave për shfrytëzim, duke mos zbatuar afatin 5-mujor, por në mënyrë selektive në afat 2.5-3 muaj dhe abuzime me sipërfaqen e shfrytëzueshme me një efekt negativ në shumën 5.8 milionë lekë dëm ekonomik dhe shumën 10.2 milionë lekë të ardhura të munguara në buxhetin e komunës. Nuk është administruar sipas ligjit investimi i kryer në territorin e objektit ‘Shëtitore e Plazhit Velipojë’, duke lejuar përdorimin e sipërfaqes prej 3300 m2 për aktivitet tregtar pa pagesë qiraje, nga dy subjekte private, që ka sjellë si pasojë dëmin ekonomik në shumën prej 15,8 milionë lekësh, llogaritur me nivelin e qirasë.