Republikanët kërkojnë mosdekretim të ligjit nga Nishani, më pas ankimimi në gjykatë
Botuar në Gazetën Shqip, nga Herion Mesi, 30 nëntor 2015
Për republikanët, projektligji për pronat që u miratua tri ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve është antikushtetues dhe për këtë arsye ata paralajmërojnë se beteja ligjore me qeverinë për ta bllokuar miratimin e tij do të vijojë në rrugë institucionale, duke filluar që nga Presidenti i Republikës, të cilit do t’i kërkojnë mosdekretimin, dhe deri në Gjykatë Kushtetuese, së cilës do t’i kërkohet shfuqizimi i saj. Për nënkryetarin e PR-së, Arian Madhi, qeveria me projektin e saj, jo vetëm që synon që të ulën faturën financiare të kompensimit të pronave, por ajo kthehet në pronare e pronave që nuk janë të sajat. Në intervistën dhënë për gazetën “Shqip”, ish-deputeti Madhi thekson se qeveria heq dorë përfundimisht nga çështja e kthimit fizik të pronës, duke e nisur procesin e shpronësimeve nga fillimi, ku merret për bazë çmimi i pronës para sekuestrimit të saj, në vitin 1945. Ndërkaq, lidhur me vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut në të ardhmen për çështjet e pronarëve shqiptarë që i janë drejtuar kësaj gjykate, Madhi thekson se vendimet e tij, Strasburgu i merr në bazën e ligjeve shqiptare. Dhe në këtë rast, “përpara se të votohet ky ligji i ri, parashikonte që kompensimi i pronës të bëhej me çmimin e tregut”, thotë Madhi duke lënë të kuptohet se ligji i ri do të diktojë dhe vendimmarrjet e ardhshme.
Zoti Madhi, të premten, Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin e ri të qeverisë për pronat. Cili është opinioni juaj për këtë draft?
Partia Republikane nuk mendon se projektligji i sjellë nga qeveria për pronat, e zgjidh çështjen e pronave, por më shumë ky zgjidh hallin e qeverisë për t’iu shmangur detyrimit për kompensimin e pronarëve në rrugë financiare. Pra, në tërësinë e tij nga ana jonë konstatohet që ky projektligj nuk shkon në favor të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Por përtej kësaj, ky projektligj është dhe antikushtetues dhe sigurisht ne do të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona: duke filluar që nga Presidenti i Republikës në radhë të parë, që ai të mos e dekretojë këtë ligj, dhe pastaj, në vijueshmëri të procedurave do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe organizmave të tjerë, për të kërkuar shfuqizimin e këtij ligji.
Pse është antikushtetues ky projektligj?
Ky projektligj së pari nuk garanton siguri juridike. Pra, i vendos pronarët në regjime të ndryshme shpërblimi: një pjesë e pronarëve që kanë aplikuar më parë janë shpërblyer me çmimin e tregut, dhe pas kësaj qeveria rezervon të drejtën me miratimin e këtij ligji të vendosë një çmim tjetër, që është ai që është thënë rëndomtë këto ditë, çmimi që ka pasur prona në kohën e sekuestrimit të saj, pra në vitin 1945. Nga ana tjetër, qeveria pranon që janë 11 mijë dosje që janë ende të pashqyrtuara nga AKKP-ja, ku pronarët kanë aplikuar me një ligj i cili njihte çmimin e kompensimit mbi bazën e tregut dhe sot qeveria po thotë që po e ul çmimin. Po ashtu, ky projektligj cenon dhe parimin kushtetues të barazisë ndërmjet shtetasve. Nëse qeveria do të ishte në merak të interpretimit që është përpara një shpërblimi të drejtë dhe jo të plotë, sipas Kushtetutës, qeveria duhet të ndiejë përgjegjësi ndaj pronarëve, pasi Kushtetuta është miratuar në vitin 1998 dhe në nenin 181 të saj parashikohej që për 3 vite të ishte mbyllur çështja e ligjeve dhe akteve nënligjore, që do ta bënin eficient kthimin dhe kompensimin e pronës. Dhe jo të përkeqësohet çështja e shpërblimit pas 20 viteve. Dhe është pikërisht kjo që thashë më lart, që shpërblimi për pronat ulet në mënyrë drastike. Pra, qeveria, pasi është vënë nën presionin edhe të Gjykatës së Strasburgut lidhur me vendimet e saj të drejta, e ndien të pamundur dhe gjen rrugën më të shkurtër për të diskriminuar përfundimisht ata pronarë që pritën me durim tërë këto vite të demokracisë, duke ardhur në këtë ditë ku qeveria thotë që po i jep fund kompensimit, në kurriz të interesave të pronarëve, duke ulur faturën financiare kundrejt tyre. Banaliteti më i madh në këtë nismë është se qeveria heq dorë përfundimisht nga çështja e kthimit fizik të pronës. Vetë projektligji është një draft për kompensimin e pronës dhe ka shfuqizuar ligjin tjetër që është ai i kthimit dhe kompensimit fizik. Pra atje ku është e lirë tashmë prona, pasi ka plot prona të lira, ajo nuk do t’u kthehet më pronarëve.
Por çfarë do të bëhet sipas jush?
Edhe në pronat e lira, pronari nuk do ta marrë të gjithë sipërfaqen e pronës së tij që sot është eventualisht e lirë.
Po pse nuk e merr dot pronën pronari, meqë është e lirë?
Sepse, në draftin e saj qeveria thotë kështu: Nëse mua m’i ka marrë qeveria 1000 metra katrorë dikur, dhe sot këta 1000 metra janë të lirë, qeveria thotë që kur t’i mora këta 1000 metra pronë kur çmimi i saj ishte 1 mijë lekë, sot është bërë 5 mijë lekë. Pra ajo do të japë sot 1/5-ën e çmimit të pronës, ku qeveria që s’është pronare merr 4/5 e pronës dhe 1/5 ia kthen pronarëve për shkak të vlerës. Por pronarët nuk e duan këtë kompensim, pasi ata kërkojnë së pari kthimin fizik, pra qeveria që u mori pronën, duhet t’u japë atyre pronën, aty ku ka të lira, pavarësisht vlerës që ka ajo pronë. Pra qeveria që s’është pronare nuk mund të kthehet kurrë në pronare. Pra edhe në konceptin e kthimit të pronës në natyrë, jo vetëm që e ka hequr nga ligji, por ka bërë një diskriminim të pajustifikuar. Në këtë kuptim, sigurisht ne do ta ankimojmë këtë draft në të gjitha institucionet, duke e paragjykuar faktin që edhe Parlamenti do të mbajë të njëjtin qëndrim në votimin e tij kur ta miratojë në seancë plenare. Po ashtu, rezervat tona me këtë nismë kanë të bëjnë dhe me sjelljet arrogante që qeveria me projektin e saj arrin të sfidojë dhe çdo rregull të Parlamentit, kur të premten ky draft kaloi në Komisionin e Ligjeve pa pasur kuorumin e nevojshëm. Pra qeveria është e vendosur të sfidojë çdo rregull vetëm e vetëm që të arrijë qëllimin e saj për t’i diskriminuar përfundimisht dhe për t’i shpronësuar edhe njëherë pronarët nga fillimi. Dhe shpronësimi nga fillimi është një strategji e kësaj qeverie, sepse qeveria jo vetëm që kërkon të ulë faturën financiare, por edhe atje ku janë pronat e lira, kërkon t’ua marrë përsëri ato pronarëve. Kjo është e pakuptimtë dhe e patolerueshme.
Sipas pronarëve, me vendimet e saj Strasburgu e rrëzon një ligj të tillë, pasi ajo njeh çmimin real të pronës, jo atë të shpronësimit… Pra a do ketë ky ligj efekt në vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut në të ardhmen?
Gjykata e Strasburgut është një gjykatë që vendos mbi bazën e ligjeve shqiptare. Dhe në këtë rast, ligji përpara se të dalë ky ligji i ri, ai parashikonte që kompensimi i pronës të bëhej me çmim tregu. Dhe me të drejtë, Gjykata e Strasburgut i thoshte qeverisë shqiptare: “Ti ke miratuar një çmim tregu, do paguash me çmim tregu”. Sot u përdor artifica e çmimit të tregut, pra jo kompensim i plotë, por kompensim i drejtë. Sigurisht që është gjetur ky si parim kushtetues, sepse këtë e parashikon dhe Kushtetuta, por problemi është se çfarë është koncepti dhe deri ku shtrihet çmimi i drejtë. Në vitin 2004 u mor një vendim. Parlamenti shqiptar u bind që çmimi i drejtë është çmimi i tregut dhe këtë e vendosi në ligj. Unë ju thashë që tani është cenuar siguria juridike, pra është cenuar stabiliteti. Vjen një qeveri tjetër, po në parimin e së drejtës dhe e kthen çmimin si të dojë ajo. Mbas 4 vjetësh vjen një qeveri tjetër dhe prapë e ndryshon çmimin, po me këtë parim. Vjen një qeveri tjetër që do dojë ta investojë buxhetin në infrastrukturë dhe po bëj një çmim tjetër të drejtë. Pra kush është kufiri i drejtë? Kufiri i së drejtës është se nëse njëherë u mor Parlamenti, nxori një ligj, iu njoh kjo e drejtë pronarëve, nuk mundet shteti që një herë në 6 muaj të bëjë ndryshime të tilla, pasi ti si qeveri nuk shkove te çmimi i drejtë, por te çmimi korrent i pronës. Pra, asnjëherë nuk do të ketë stabilitet çmimi i pronës në Shqipëri. Pasi supozojmë se nëse buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të jetë i mjaftueshëm për kompensimin e pronarëve, atëherë sërish Edi Rama do të thotë që unë do ta ul sërish çmimin e pronave. Por kjo nuk mund të bëhet, pasi ka një siguri juridike për pronarët, pasi Parlamenti që ka vendosur një herë për këtë çështje duhet t’i njohë këto përgjegjësi dhe nuk duhet ta lejojë këtë. Pra do të ketë pronarë që për të njëjtën pronë ka marrë 100 lekë, ndërsa nesër me ligjin e ri do të marrë 10 lekë, për të njëjtën pronë, për të njëjtët pronarë. Pra nuk ka trajtim të barabartë ndërmjet shtetasve. E dyta, dëmton sigurinë juridike, sepse unë si pronar nuk jam asnjëherë i sigurt për qëndrueshmërinë e çmimit, pasi qeveria mund ta ndryshojë sërish, dhe kjo është tallje që po bëhet me pronarët sot.
Gjykata e Strasburgut
Gjykata e Strasburgut është një gjykatë që vendos mbi bazën e ligjeve shqiptare. Dhe në këtë rast, ligji përpara se të dalë ky ligji i ri, parashikonte që kompensimi i pronës të bëhej me çmim tregu.
Antikushtetutshmëritë
– Ky projektligj shkel sigurinë juridike të pronarëve: i vendos ata në regjime të ndryshme shpërblimi
-Një pjesë e pronarëve që kanë aplikuar më parë janë shpërblyer me çmimin e tregut dhe pas kësaj qeveria rezervon të drejtën t’i shpërblejë me çmimin që ka pasur prona në kohën e sekuestrimit të saj, pra në vitin 1945.
– Ky projektligj cenon dhe parimin kushtetues të barazisë ndërmjet shtetasve, pasi do të ketë pronarë që për të njëjtën pronë ka marrë 100 lekë, ndërsa me ligjin e ri do të marrë 10 lekë.
– Në vitin 2004 u mor një vendim. Parlamenti shqiptar u bind që çmimi i drejtë është çmimi i tregut dhe këtë e vendosi në ligj. Ndërsa qeveria kërkon ta ndryshojë këtë vendim të Parlamentit. Pra, asnjëherë nuk do të ketë stabilitet çmimi i pronës në Shqipëri.