Pronat, Kuvendi ndryshon afatin e paraqitjes së kërkesave

Nuk preket thelbi i draftit të qeverisë. PD del kundër propozimit

Nga ARTEMISA HOXHA, botuar në gazetën shqip, 28 nëntor 2015

Projektligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i cili u kundërshtua nga shoqatat e ish-pronarëve merr edhe votat kundër të deputetëve të opozitës. PD, e shprehur nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi, voton kundër, me argumentin se ligji i njeh pronat për subjektet sipas shpronësimeve të realizuara në vitin 1945, duke mos i kompensuar me vlerën e tregut. Drafti i qeverisë ka pësuar ndryshime të ndjeshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku AKKP e kthyer në ATP do të jetë sërish në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, e jo tek Kryeministri. “Ju thoni që t’u merrni atyre që kanë më shumë. Tatim i jashtëzakonshëm apo me fitim ballë për ballë jeni ju? Ai thes me grurë që s’ju duhet juve do t’jua marrim neve? Jo, kjo nuk duhet të ekzistojë. Nëse doni që të mos ua ktheni, pranojeni, thoni që jeni një mazhorancë e majtë dhe që nuk e vrisni mendjen për këtë. Ne e bëmë dhe ne do ta vazhdojmë kështu. Por jo të thoni se po zgjidhni problemin e pronarëve, thjesht sa po zgjidhni problemin e buxhetit”, tha Bylykbashi, i cili në emër të opozitës kërkoi kthimin fizik në 100% të sipërfaqes së tokës, ose në kompensimin financiar të saj. “Na lini neve të mbajmë përgjegjësinë për moszgjidhjen gjatë 8 viteve, por ju mos bini nën nivelin tonë”. Në kundërpërgjigje të kësaj, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk flasin për kthim të plotë, por të drejtë të pronave. “Gjykatat kushtetuese në tërësi, në arsyetimet e tyre kanë folur për shpërblim të drejtë, për kompensim të arsyeshëm. Asnjëherë nuk kanë folur për shpërblim të plotë apo kthim të plotë. Sigurisht që, standardin se ku është i mundur të kthehet fizikisht e ruan edhe ky ligj”, tha Manjani. Duke u shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga mazhoranca për draftin për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, deputetët e opozitës braktisën mbledhjen duke bërë që drafti të kalojë vetëm me votat e deputetëve të majtë.

Ndryshimet

Relatorja e këtij projektligji, Vasilika Hysi, ngriti si shqetësim veprimtarinë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, e cila sipas saj ka shumë kompetenca. Sipas ndryshimit në draft, identifikimi i pronave dhe propozimi në KM për kalimin e këtyre pronave në fondin e tokës do të bëhet nga komisioni i kryesuar nga zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Zhvillimit Urban; e Ekonomisë; e Mbrojtjes; e Bujqësisë; e Brendshme si dhe ajo e Mjedisit. ATP do të raportojë çdo vit, pranë Komisionit të Ligjeve për zbatimin e këtij ligji, por nëse do të jetë e nevojshme pranë këtij komisioni mund të raportojnë edhe institucionet përfaqësuese në komision me përbërje ndërinstitucionale. Mazhoranca ra dakord edhe për një tjetër ndryshim që ka të bëjë me fondin e pronave, i cili tashmë do të jetë i ndarë për çdo qark. Fondi i tokës vlerësohet financiarisht nga ATP-ja bazuar në hartën e vlerës, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda 30 ditësh për fondin që vihet në dispozicion me VKM dhe menjëherë për fondin që kalon me vendim të ATP-së. Për sa i përket kompensimit fizik me ankand të pronave sipas ndryshimeve të miratuara dje, ATP-ja shpall subjektin fitues në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankandin publik, bazuar në ofertën më të lartë. Por nëse ofertat do të jenë të barabarta i jepet përparësi ofertave brenda qarkut ku ndodhet prona e njohur për kompensim dhe në rast se ka disa oferta të tilla, vendimit përfundimtar më të hershëm. Ndërkohë që trajtimi i ankesave nuk do të bëhet për 60 ditë, por për 90 ditë sipas propozimeve të mazhorancës. Drafti i ri për ligjin e pronave parashikon në të njëjtën kohë edhe kundërvajtjet administrative, gjobë nga 200,000-800,000 lekë, ndërsa për shkeljen e dispozitave ligjore dhe nënligjore për respektimin e afateve dhe procedurave të kompensimit fizik me ankand, dënohet me gjobë administrative, nga 50,000-300,000 lekë.

 

Ndryshimet

Neni 6 / Metodologjia e vlerësimit

Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë vijon: a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) Prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

Neni 15/ Afatet

Pika 1

Brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë të njohur të drejtën e kompensimit.

Pika 2

Prioritet për vlerësimin financiar do të kenë vendimet përfundimtare në rend kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm.

Neni 21

Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kompensohen pa kufizim fizikisht, brenda pronës së njohur, pronat e paluajtshme të lira sipas përcaktimeve të këtij ligji, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kompensohet fizikisht deri në 100 hektarë.

Neni 26 / Agjencia e Trajtimit të Pronave

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave miraton me vendim ngritjen e një komisioni me përbërje ndërinstitucionale i kryesuar nga zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit. Komisioni administron punën për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë në Fondin e Kompensimit të Pronave. Komisioni kryen identifikimin e pronave dhe i propozon Këshillit të Ministrave kalimin e këtyre pronave në fondin e tokës. ATP-ja ngre dhe kryeson një Sekretariat Teknik për mbështetjen e punës së tij. Organizimi dhe funksionimi i këtij procesi përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e komisionit.”

Neni 27 Trajtimi i kërkesave

ATP-ja shqyrton kërkesat e paraqitura dhe që janë të patrajtuara sipas dispozitave të këtij ligji. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, subjekteve të interesuara u caktohet një afat prekluziv prej 90 ditësh për aplikim në lidhje me njohjen e pronësisë. Ky afat nuk mund të zgjatet dhe as të rivendoset në afat nga gjykata apo ndonjë organ tjetër administrativ.

 

KVV

Dy anëtarëve të KQZ-së u ka mbaruar mandati

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ngriti dje si shqetësim për institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, faktin që dy anëtarëve të tij u ka mbaruar mandati. Bëhet fjalë për mandatin e dy anëtarëve zëvendësues, Edlira Jorgaqi dhe Klement Zguri. “Prej datës 18 tetor 2015, dy prej anëtarëve të KQZ-së, iu ka mbaruar mandati, ndërkohë që nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me zëvendësimin e tyre, proces i cili duhet të kishte përfunduar jo më vonë se data 18 shtator 2015. Mandati i anëtarit të KQZ-së me reformën zgjedhore të vitit 2012 u përcaktua të jetë 6- vjeçar, ndërsa ai i kryetarit të KQZ-së, 4-vjeçar. Me qëllim përtëritjen pjesore të anëtarësisë së KQZ-së, dy prej anëtarëve të saj iu përcaktua një mandat 3-vjeçar dhe përkatësisht mandati i znj. Albana Shtylla, zëvendësuar nga znj. Edlira Jorgaqi dhe mandati i z. Ilirjan Muho, zëvendësuar nga z. Klement Zguri”, thuhet në deklaratën e KVV-së drejtuar Kuvendit dhe deputetëve e partive parlamentare. Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, “ky qëndrim i përsëritur i Kuvendit të Shqipërisë, i deputetëve dhe partive parlamentare, dhe, veçanërisht, i subjekteve që duhet të propozojnë emrat e anëtarëve është jo vetëm jokorrekt dhe joligjor, por komprometon thelbësisht seriozitetin dhe vullnetin e shfaqur prej tyre në ndërmarrjen e mëtejshme të reformave, të ndërtimit dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura”.

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s