Kthimi i pronave, rilindje e padrejtësisë?

Nga Andrea Stefani

Botuar më 27 korrik 2015 në disa gazeta

Pse qeveria Rama po kopjon qeverinë Berisha në çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave? Iniciativa e qeverisë për t’i kërkuar Gjykatës së Strasburgut që të mos shqyrtojë kërkesat e pronarëve të shpronësuar nga komunizmi dhe të tallur nga gjithë qeveritë e postkomunizmit, është iniciativë për të gjymtuar drejtësinë, është izolim nga drejtësia europiane 

Të gjithë qeveritë e postkomunizmit duket se kanë maninë që t’ia u fusin pronarëve të shpronësuar kriminalisht nga diktatura. Vjen Berisha, pasohet nga Nano, Meta apo Mjako, vjen prapë dhe ikën prapë Berisha që pasohet nga Rama, por duket se për pronarët nuk ka alternativë tjetër. Ata që u dhunuan në pronën e tyre duhet të dhunohen përsëri. Dje në komunizëm prona ju morë për “të mirën e shtetit”. Sot, në demokraci, nuk po i kthehet po për “të mirën e shtetit”? Po ç’janë këta pronarët e dhunuar, a nuk janë pjesë e asaj bashkësie qytetarësh që përbën atë që, i parë nga një këndvështrim quhet Sovran dhe nga një këndvështrim tjetër Shtet? Pra, çfarë janë këta, mos vallë dashi i kurbanit, hekatomba që duhet të flijohet për “të mirën e shtetit”? Dhe a ka për politikanët shqiptarë ndonjë kuptim parimi që e shpall pronën private të shenjtë?

***

Këto pyetje i bëjmë pasi dëgjuam një deklaratë të çuditshme të kreut të kthimit dhe kompensimit të pronave, Sonila Qato.  Ja çfarë na thotë ajo për reformën e kthimit të pronave:

“ Misioni që qeveria shqiptare mori këtë reformë është nevoja për ti vënë fre vendimeve të Gjykatës së Strasburgut të cilat nga njëra anë janë shumë të drejta për shkak të këtij sistemi të korruptuar të cilin sot po mundohemi ta ndryshojmë por e kemi të trashëguar nga e kaluara. Fatura që na vjen nga Gjykata e Strasburgut është aq e madhe sa një ditë të caktuar me këtë prurje kërkesash që shkojnë në gjykatë mund të kërkojë dhe falimentimin e shtetit për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Misioni që kemi marrë është pezullimi i vendimmarrjes së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që do të thotë që të gjitha ankesat e drejtuara në këtë gjykatë të mund të rikthehen në vendin tonë për t’u ezauruar dhe shqyrtuar brenda vendit përmes procedurave të reja dhe sistemit të ri që ngrihet nga kjo reformë që kemi lancuar këto ditë”.

***

E gjithë kjo deklaratë është kundërthënëse, një mish-mash i vërtetë. Dihet që shumë pronarë, pasi kanë pritur më kot drejtësi për më shumë se dy dekada, i janë drejtuar Gjykatës Europiane të Strasburgut ku edhe kanë gjetur drejtësi. Dhe shumë nga vendimet e Strasburgut e detyrojnë shtetin shqiptar të dëmshpërblejë në para pronarët për moskthimin e pronës së rrëmbyer nga komunizmi.  Por qeverive shqiptare, kjo zgjidhje me të vërtetë e drejtë i duket e papërballueshme financiarisht. Natyrisht që mund të jetë e tillë. Por nuk është faji i pronarëve. Është faji i qeverive që kanë toleruar padrejtësinë për shumicën (deri edhe grabitjen e tokave që sot po legalizohen) duke u treguar njëherazi intolerante dhe shpërfillëse me të drejtën që i takon pronarëve. Pse? Pse janë një pakicë dhe nuk ofrojnë shumë vota? Por tolerimi i padrejtësisë edhe ndaj një njeriu të vetëm është kanceroz për shtetin. Sepse padrejtësia ka aftësinë të përhapet si epidemi duke infektuar gjithçka. Dhe a nuk është kjo një kalbje e demokracisë sepse a nuk shfaqet shkalla e kësaj të fundit nga respekti që gëzojnë pakicat? (Lordi Akton) Natyrisht, vendimet e Strasburgut në favor të pronarëve i dukeshin të kushtueshme edhe qeverisë Berisha që edhe pse nuk rreshti së përdorur fondin e trojeve, tokave apo plazheve për gjithçka por jo për të komensuar pronarët, i bëri një kërkesë gjykatës së Strasburgut që të mos merrte më në shqyrtim ankesat e pronarëve shqiptarë. Një kërkesë tërësisht e padrejtë, që në thelb, i kërkonte gjykatës së Strasburgut të hiqte dorë nga misioni i vet, nga ajo për të cilën është themeluar, nga dhënia e drejtësisë për qytetarët pavarësisht se kujt shteti i përkasin. Mjerisht të njejtën kërkesë po shtron para Strasburgut edhe qeveria Rama. Prandaj, kjo kërkesë na fanepset si një rilindje e padrejtësisë. Dhe me shumë gjasë, meqenëse nuk ka asnjë lidhje me mbrotjen e të drejtës së pronës, nuk ka sesi të mos refuzohet. Gjykata e Strasburgut nuk ka sesi të pushojë së dhënuri drejtësi sepse qeveria shqiptare paska një “arsye shtetërore”!

***

“Reforma” e ekspozuar nga Qato është absurde. Për më tepër është ironike të vëresh se ajo është një reformë që synon të reformojë Gjykatën e Strasburgut! Sepse a nuk është reformim kur një gjykatë heq dorë së dhënuri drejtësi për një kategori të caktuar njerëzish, për një vend të caktuar apo për çështje të caktuara? Është më keq se reformim. Është gjymtim. Pra, “reforma” shfaqet absurde, së pari, sepse synon t’i vërë fre vendimeve të gjykatës së Strasburgut edhe pse, sikundër pranohet, ato janë të drejta. Dhe ky është nonsens sepse është njësoj si të kërkosh t’i vësh fre drejtësisë në emër të drejtësisë! Është absurd sepse në një kohë që kërkojmë t’i afrohemi Europës propozojmë që jo thjesht t’i largohemi por të izolohemi nga drejtësia europiane. Kjo është, në vetvete, alarmante në raport me objektivin e integrimit europian.

***

Së dyti, propozon që drejtësia për pronarët të mos bëhet në Strasburg por në Tiranë. Pse ky ekstradim?  Sepse mësojmë nga deklarata e Qatos, fatura që vjen nga Strasburgu është aq e madhe saqë një ditë mund të kërkojë falimentimin e shtetit. Qato dhe jo pak të tjerë më lart saj, në qeveri, nuk arrijnë të kuptojnë se kjo që ka ndodhur dhe po ndodh me pronarët është rrjedhojë e falimentimit të shtetit. Është një falimentim më i thellë, më kanceroz se ai financiari të cilit i trembet Qato. Është falimentimi i shtetit si e drejtë, si falimentim i të drejtës së pronës, si dhunim i paskurupullt neokomunist i shenjtërimit të saj. Absurdi është se pronarët ju drejtuan Strasburgut për mungesë drejtësie ne Shqipëri dhe tani i thuhet Strasburgut se drejtësia e tij nuk na duhet më. Ose, edhe më keq, se ajo është një drejtësi shumë e kushtueshme që ne nuk e përballojmë dot prandaj do t’i rikthehemi “drejtësisë” alla shqiptarçe.

***

Në vend se të bëjë propozime të tillë qesharake, qeveria shqiptare duhet të garantojë se në Shqipëri jepet drejtësi me standardet europiane si ato të Strasburgut. Nuk mund të ketë dy drejtësi. A e kemi ne një drejtësi të tillë? Dhe drejtësi do të thotë që nëse nuk ka para, qeveria shqiptare duhet t’u kthejë pronarëve fizikisht pronat e tyre. Kompensimi fizik duhet të marrë epërsi mbi kompensimin monetar. Një kompensim monetar jo aq i kushtueshëm sa ai që imponojnë vendimet e Strasburgut do të ishte padrejtësi, do të qe një “drejtësi” “buono per Albania”.  Dhe aty ku, për shkaqe të ndryshme, kthimi i pronës nuk është e mundur, pronarët të kompensohen po fizikisht me prona dhe toka që kanë, me vlerën e tregut të sotëm, po atë vlerë që kanë pronat që nuk mund të kthehen. Madje edhe me një vlerë disi më të madhe sepse nuk është e padrejtë të llogaritet në mos gjysmë shekulli interesa të humbura në kohën e komunizmit por të paktën, ato interesa që nuk u përfituan për mbi dy dekada në periudhën e sorrollatjes postkomuniste. Natyrisht, kjo nuk mund të ndodhë nëse plazhet, tokat dhe trojet shpërndahen nga qeveritarët për miq e shokë dhe lloj-lloj projektesh korruptive siç kanë ndodhur deri më sot. Madje rivendosja e të drejtës së mohuar të pronës është e pandarë nga lufta kundër pasojave së orgjisë korruptive që është zhvilluar me pronat në këto më shumë se dy dekada.

***

Deri më sot, qeveritë shqiptare, duke qenë të shkëputura mendësisht nga e drejta, duke mos e parë kthimin e pronës së grabitur si themel të shtetit ligjor, pra duke patur në gen mungesën e neverisë për grabitjen e pronës (që shumë politikanë e trashëgojnë nga komunizmi që u themelua mbi këtë grabitje) kanë preferuar të bëjnë lloj-lloj allishverishesh me trojet e tokat sesa t’i përdorin ato për të realizuar drejtësi. Hapi i parë i diktaturës komuniste ishte shpronësimi. Hapi i parë i demokracisë duhet të qe ripronësimi. Por nuk ndodhi kështu pikërisht se e drejta nuk ishte themel të mendësisë se “burrave të shtetit”. Dhe çfarë është fatura e lartë që vjen nga Strasburgu? Nuk është fatura e drejtësisë por është fatura e padrejtësisë, ndëshkimi për padrejtësinë, fatura e qeverisjeve të padrejta dhe të korruptuara që kanë dhunuar për të dytën herë pas komunizmit, të drejtën e shenjtë të pronës.

***

Në të vërtetë vendimet e kripura të Srasburgut nuk e falimentojnë shtetin. Përkundrazi, ato janë një kontribut që “burrat e shtetit” që e kanë rrënuar shtetin me politikat e tyre të korruptura dhe të padrejta, të detyrohen të ndryshojnë qëndrim. Dhe kjo nuk arrihet duke e ekstraduar çështjen e pronave nga Strasburgu në Tiranë. Sepse kjo do të thotë, që t’i heqësh pronarëve të vetmen mundësi që të gjejnë drejtësi. Kjo do të thotë, që të heqësh edhe kufizimin e fundit për padrejtësinë që mund të bëjnë në kurriz të pronarëve qeveritë e Tiranës duke e bërë këtë padrejtësi më të pakufizuar, më absolute.

***

Zgjidhja nuk është të frenosh, të tredhësh gjykatën e Strasburgut nga aftësia për të dhënë drejtësi. Zgjidhja nuk është që pronarët të mos kenë liri të dërgojnë çështjet në Strasburg duke gjymtuar lirinë dhe të drejtën. Zgjidhja është të bësh drejtësi në Shqipëri, një drejtësi që do ta bënte të panevojshme për pronarët t’i drejtoheshin Strasburgut. Ndryshe, drejtësia autoktone që propozon sot Qato, do të qe një tjetër rilindje e padrejtësisë.

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s