Qeveria shqiptare është zotuar përpara Këshillit të Europës, se çdo vit do të vendosë në dispozicion për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunistë 5 miliardë lekë ose thënë ndryshe 40 milionë dollarë.
“Panorama” ka siguruar një kopje të planit të veprimit që autoritetet shqiptare kanë dërguar në KE për aprovim, përkatësisht në datën 2 korrik të këtij viti, pra rreth një javë përpara prezantimit të draftit dhe konsultimit të tij në publik.
Përmes këtij plani, shprehet angazhimi për kompensimin në masën 100% të tokës së konfiskuar sipas vlerës së tregut të përllogaritur me zërin kadastral, që prona ka pasur në kohën e shpronësimit.
FONDI
Në planin e veprimit nënvizohet se ligji i ri do të shfuqizojë atë aktual. Nëpërmjet tij, synohet që në harkun e 10 viteve të ketë përfunduar kompensimi i plotë i pronarëve.
“Procesi i pagesës për të gjitha vendimet që janë njohur për të drejtën e kompensimit duhet të përfundojnë brenda 10 viteve nga momenti që ka hyrë në fuqi ligji”, saktësohet në planin e veprimit “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Për ta bërë të mundur këtë, Ministria e Financës “detyrohet” të alokojë jo më pak se 5 miliardë lekë në vit, pra rreth 40 milionë USD. Ndarja e këtyre parave do të bëhet me këste duke respektuar rendin kronologjik të vendimeve që janë të formës përfundimtare.
Pas miratimit të ligjit të ri, Agjencia e Pronave do të ndërtojë regjistrin elektronik, për t’u dhënë mundësi pronarëve që të bëjnë plotësimin e dosjeve që kanë mangësi. Qytetarët do të kenë 6 muaj afat për depozitimin e dokumenteve. Pas kësaj do të nisë derdhja e parave në bankë për secilin prej pronarëve.
FORMULA
Në planin e veprimit, qeveria nuk e fsheh se me këtë ligj toka e konfiskuar nuk do të çmohet me të njëjtën mënyrë sikundër vlerësohet nga gjykatat në vend apo në Gjykatën Europiane. Aty sqarohet se për të gjitha vendimet e formës së prerë do të bëhet një rivlerësim i sipërfaqes së shpronësuar. Sipërfaqja e tokës do të llogaritet me çmim tregu, pra me vlerën që ka sot, por zëri kadastral nuk do të jetë ky aktual, por ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit. Kjo e ul ndjeshëm masën e përfitimit për pronarët.
VENDIMET
Projektligji për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit, përpara diskutimit me grupet e interesit dhe miratimit në qeveri, ka marrë bekimin nga Këshilli i Europës. Vendimet e marra nga Gjykata e Strasburgut i kanë kushtuar jo pak shtetit shqiptar. Faturat tejet të kripura që kanë ardhur nga kjo gjykatë për disa nga çështjet e shqyrtuara, e kanë vënë në pozita qeverinë për gjetjen e një mekanizmi të brendshëm që do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronave.
Në mënyrë të përsëritur, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të prezantojnë një zgjidhje efektive kompensimi në nivel të brendshëm. Kjo vihet në dukje edhe në planin e veprimit “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. Ligji i ri i pronave është parë me pozitivitet nga Këshilli i Europës. Kujtojmë që para dy vitesh, plani i veprimit që qeveria paraqiti u hodh poshtë, dhe gjykata vijoi me vendimmarrjet në dëm të shtetit shqiptar.