Projektligji Per trajtimin e prones dhe perfundimin e procesit te kompensimit te pronave’

Projektligji i fundit paraqitur nga Qeveria kerkon të maskoje te gjithë aktet e paligjshme dhe antikushtetuese te bera deri më sot nga oligarkia politike ne kurriz te pronareve të ligjshëm. Për informacion e botojmë më poshtë.

——————————————————————————-

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

Kuvendi

PROJEKTLIGJ PËR TRAJTIMIN E PRONËS DHE PËRFUNDIMIN E PROCESIT TË KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Në mbështetje të neneve 41, 78, 83 pika 1 dhe 181 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt:

  1. Rregullimin dhe shpërblimin e drejtë, sipas kritereve të nenit 41 të Kushtetutës, të çështjeve të së drejtës së pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet ose konfiskimet;
  2. Krijimin dhe administrimin e Fondit të Kompensimit që do të shërbejë për kompensimin e pronave.
  3. c) Përcaktimin e procedurave për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, si dhe organet administrative të ngarkuara për realizimin e tyre.

Neni 2

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është:

  1. Përfundimi i procesit te trajtimit nëpërmjet njohjes dhe kompesimit të pronave të subjekteve të shpronësuar në përputhje me këtë ligj, sipas akteve ligjore/nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944;
  2. Rregullimi dhe shpërblimi i drejtë i kompensimit të pronës, ekzekutimi i vendimeve përfundimtare të kompensimit, si edhe përfundimi i procesit të kompensimit, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj, nëpërmjet administrimit të fondit të kompensimit.

Neni 3

Fusha e zbatimit

  1. Ky ligj vepron për të gjitha kërkësat të cilat janë në shqyrtimin në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes të së drejtës së pronës.
  2. Ky ligj shtrin efektet, edhe mbi vlerësimin dhe ekzekutimin e të gjitha vendimeve për njohjen e të drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqsore, duke përfshirë cështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Neni 4

Pronat që përjashtohen nga trajtimi

Nuk i nënshtrohen dispozitave të këtij Ligji:

  1. pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit nr.108, datë 29.8.1945 për “Reformën agrare”, me ndryshimet e mëvonshme;
  2. shpronësimet kundrejt një shpërblimi të drejtë, sipas përcaktimeve të kohës.
  3. për pronat që i janë dhuruar shtetit, veprim për të cilin ka dokumente zyrtare.

Neni 5

Përkufizime

Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP)” është person juridik publik, në varësi të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron përgjegjësitë e ngarkuara me këtë ligj.
  2. “Subjekt i shpronësuar” nënkupton personat juridikë ose fizikë apo trashëgimtarët e tyre, prona e të cilëve është shtetëzuar, shpronësuar, konfiskuar ose e marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti.
  3. “Kompensim” nënkupton shpërblimin e drejtë, sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Format e kompensimit janë “Kompensim financiar”, “Kompensim fizik nga fondi i tokës” dhe “Kompensim fizik brenda pronës se njohur subjektit të shpronësuar”.
  4. “Fondi Financiar i Kompensimit” është fond special, në kuptim të nenit 7 të ligjit nr.9936, datë 26.06.2008 për “Menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i cili përdoret për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara, të cilëve u është njohur e drejta e kompensimit.
  5. “Fondi i tokës” është fondi fizik i pronave me status juridik shtet që me vendim të Këshillit të Ministrave apo vendim të ATP-së, vihen në dispozicion për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuar që disponojnë vendime përfundimare për kompensim.
  6. “Pronë” nënkupton një send të paluajtshëm, sipas përcaktimit në Kodin Civil.
  7. “Truall” nënkupton tokën që ndodhet brenda vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara në çastin e shpronësimit. Kur qendra e banuar nuk ka pasur vijë kufizuese, truall do të jetë sipërfaqja e tokës që zë objekti i ndërtuar mbi të dhe oborri funksional. Sipërfaqja e këtij të fundit llogaritet sa trefishi i sipërfaqes së objektit, por jo më shumë se 500 metra katrorë
  8. “Tokë” nenkupton token bujqësore, toka pyjore, pyjet, livadhet dhe kullotat, tokat e pafrytshme, si dhe trualli.
  9. “Tokë bujqësore” nënkupton tokën që ndodhet jashtë vijave kufizuese të qyteteve e qendrave të banuara në çastin e shpronësimit dhe që nuk përbën një kategori tjetër toke.
  10. “Objekt” përfshihen ndërtesat dhe strukturat inxhinierike, që e gëzojnë këtë cilësi sipas legjislacionit në fuqi.
  11. “Truall industrial” nënkupton sipërfaqen e tokës që ndodhej jashtë vijave kufizuese të qyteteve dhe qendrave të banuara në castin e shpronësimit, mbi të cilin kanë qenë të ngritura objekte të përhershme ndërtimore për qëllime ekonomike ose që u shërbejnë funksionit të tyre.
  12. “Tjetërsim” nënkupton kalimin e pronësisë ose kalimin e të drejtave të tjera reale, sipas Kodit Civil.
  13. “Zë kadastral” nënkuton llojin e pasurise dhe llojet e zërave kadastral të trajtuar në këtë ligj janë truall, arë, pyll, livadh, kullotë dhe toke e pafrytshme.
  14. “Zonë kadastrale” nënkupton ndarjen e pasurive sipas hartës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
  15. “Harta e Vlerës” nënkupton vendimin e Këshillit të Ministrave për “Miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, që është në fuqi në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
  16. “Kompensim fizik brenda pronës se njohur subjektit të shpronësuar” nënkupton sipërfaqen e pasurisë që është vendosur t’i kthehet subjekteve të shpronësuar me vendim përfundimtar të formës së prerë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
  17. “Vlerësim” është vlerësimi financiar që ATP i bën vendimit përfundimtar të kompensimit, sipas dispozitave të këtij ligji.
  18. “Vendim përfundimtar” është cdo vendim administrativ ose gjyqësor, i cili nuk i nënshtrohet me një procedurë kontrolli dhe rishikimi, nga një autoritet më i lartë administrativ ose gjyqësor-per diskutim?!
  19. “Vendim për kthim/kompensim” janë vendimet e ish-Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrave Rajonale Vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
  20. “Strukturat përgjegjëse” janë të gjitha organet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi i kohes i ngarkuar për të vepruar në fushën ë kthimit dhe kompensimit të pronave.

 

 

KREU II

RREGULLAT PËR KOMPENSIMIN

 

Neni 6

Rregullat për procesin e kompensimit

 

  1. Të gjithë vendimet përfundimtare për kthim dhe kompensim prone, për përfundimin e procesit të kompensimit, do t’i nënshtrohen vlerësimit, si më poshtë:
  2. vlerësohet prona e khyer sipas zërit kadastral aktual të pronës dhe sipas zërit kadastral që ka patur, duke llogaritur kështu diferencën midis vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral aktual me vlerën që do të kishte prona sipas zërit kadastral që ka patur në momentin e shpronësimit.
  3. vlerësohet prona e njohur për kompensim sipas zërit kadastral që ka patur dhe i zbritet diferenca e nxjerrë sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni.
  4. Kompensimi që do të përfitojnë subjektet e shpronësuar do të jetë vlera e llogaritur e pronës se njohur për kompensim minus diferencën e vlerës së tokës së kthyer.
  5. Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit kompensohen sipas zërit kadastral që ka patur prona në momentin e shpronësimit.
  6. Vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit bëhet duke marrë si referim zërin kadastral sipas origjinës së pronës, që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Në rast se pranë pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastral të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.
  7. Në rast se ATP-ja merr vendim per njohje dhe kompensimi fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas pikës 1 të këtij neni. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë se sa prona që ka patur në momentin shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja qe i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e prones kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-se.
  8. Kompensimi do të kryhet përmes vlerësimit financiar që ATP-ja do t’i bëjë vendimit përfundimtar, sipas rregullave të përcaktuara ne këtë ligj.
  9. Të gjitha vendimet përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit, apo ato që do të merren deri në përmbylljen e procesit sipas përcaktimeve të këtij ligji, zbatohen duke respektuar përcaktimet e këtij ligji.
  10. ATP-ja, në vlerësimin financiar të vendimit të kompesimit do të zbresë nga shuma e përllogaritur për kompensim vlerën e aksioneve, obligacioneve, kompensimit financiar apo çdo lloj kompensimi tjetër që subjekti apo trashëgimtarët e tij kanë përfituar më parë.
  11. Për vendimet e kompensimit të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, nga periudha e njohjes të së drejtës për kompensim deri në marrjen e shpërblimit, subjektet e shpronësuara do të përfitojnë indeksimin sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 7

Metodologjia e Vleresimit

 

  1. Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhët duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur dhe të vendosur për kompensim sipas nenit 6 të këtij ligji, duke proceduar si më poshtë:
    1. Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh se sa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar.
    2. Nëse vleësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh se sa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
    3. Në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kthim prone, atëherë llogaritet vlerësimi financiar i pronës së njohur për kompensim bazuar në zërin kadastral që ka pasur prona në momentin e shpronësimit, sipas pikës 3 të nenit 6.
    4. Në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohet sipas rregullave të përcaktuara në kuadrin ligjor/nënligjor “Për arkivat”.

Neni 8

Format e kompensimit dhe vlerësimi

  1. Subjektet e shpronësuara u nënshtrohen procedurave të kompensimit sipas përcaktimeve të këtij ligji, bazuar në vendimet perfundimtare për njohje dhe kompensim:
  2. me të holla;
  3. me pronë të paluajtshme, në pronësi të shtetit.
  4. Procesit të vlerësimit të pronës që do të kompensohet, sipas këtij neni, i nënshtrohen:
  5. toka;
  6. objektet ndërtimore.
  7. Treguesit bazë të vlerës së pronës caktohen të veçanta për tokën dhe objektet ndërtimore. Kur një pronë është bashkim i tokës me objektin ndërtimor, vlera e saj nxirret për njësi, si shumë e vlerave të objektit ndërtimor dhe të tokës mbi të cilën ai ngrihet
  8. Vlera e pronës që kompensohet, nxirret sipas përcaktimeve të këtij ligji duke u bazuar:
    1. Për tokën, në hartën e vlerës;
    2. Për objektet në vendimin e Këshillit të Ministrave për metodologjinë e vlerësimit të pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë.

KREU III

Fondi i Kompensimit dhe Procedura e KOMPENSIMIt të PRONËS

 

Neni 9

Fondi i kompensimit të pronave

  1. Fondi i kompensimit të pronave është një fond i vënë në dispozicion të kompensimit të vendimeve përfundimtare për kompensim, sipas përcaktimeve të këtij ligji, i cili përbëhet nga:
  2. Fondi financiar i kompensimit;
  3. Fondi i tokës.
  4. Fondi i kompensimit është i paprekshëm. Asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond, përvec subjekteve të parashikuara në këtë ligj për administrimin e tij.

 

Neni 10

Fondi Financiar i Kompensimit

 

  1. Fondi financiar i kompensimit vlerësohet fond special, në kuptim të nenit 7 të ligjit Nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.Procedurat e propozimit dhe të miratimit të buxhetit të këtij fondi janë po ato që zbatohen për ligjin për Buxhetin e Shtetit dhe paraqiten së bashku me të për miratim në Kuvend.
  2. Fondi i kompensimit të pronave përdoret për kompensimin në vlerë monetare të subjekteve të shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta e kompensimit, me vendim përfundimtar.
  3. Burimet e fondit financiar të kompensimit të pronave janë:
  4. të ardhurat nga Buxheti i Shtetit për kompensimin e pronarëve.
  5. të ardhura nga shitja në ankand e pasurive shtetërore pjesë e fondit të tokës.
  6. c) të ardhura të tjera që, sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të fondit të kompensimit të pronave; dhe
  7. të ardhurat nga donatorë të ndryshëm.
  8. Fondi i kompensimit të pronave administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Pronave në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Burimet që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave, sipas pikës 3 të këtij neni, arkëtohen dhe administrohen, sipas natyrës së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit.
  9. Pavarësisht rregullit të përcaktuar në nenin 5 të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, gjendja e mjeteve monetare të papërdorura nga fondi i kompensimit të pronave në fund të vitit buxhetor, në llogarinë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, mbartet për llogari të vitit të ardhshëm.
  10. Llogaritë e fondit të kompensimit të pronave paraqiten në Kuvend si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të Buxhetit të Shtetit.
  11. Subjektet e shpronësuara, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar për kompensim, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit në masën dhe sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj.

Neni 11

Shpërndarja e fondit për kompensim financiar

  1. Buxheti i shtetit miraton çdo vit buxhetor një fond financiar jo më të vogël se 5 miliard lekë në vit, i cili do të administrohet nga ATP, për realizimin e procesit të kompensimit të pronave.
  2. ATP njofton publikisht nëpërmjet faqes së vet zyrtare dhe/ose në media listën e subjekteve që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse.
  3. ATP në bazë të listës së subjekteve përfitues të fondit të kompensimit të pronave, hap llogari bankare për subjektet përfitues në njërën nga bankat e nivelit të dytë dhe këto llogari ia bashkëlidh dosjes së vlerësimit.
  4. Agjencia, sipas fondit të vënë në dispozicion, shpërndan vlerën e kompensimit për subjektet e përcaktuara, nëpërmjet derdhjes së shumës në llogarine bankare, të hapur për këtë qëllim. Vendimi përfundimtar i kompensimit konsiderohet i ekzekutuar në momentin e derdhjes së vlerës së plotë në llogarinë përkatëse bankare.
  5. Pagimi i shumës së depozituar në favor të subjekteve përfituese bëhet nga bankat e nivelit të dytë pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave.

Neni 12

Fondi i Tokës 

 

  1. Fondi i tokës përbëhet nga:
    1. Fondi fizik i pronave vënë në dispozicion me Vendim të Këshillit të Ministrave.
    2. Fondi fizik i pronave i cili me vendim të ATP-së, sipas nenit 6, pika 5 të këtij ligji bëhet pjesë e fondit të tokës bazuar në rregullat e përcaktuara në këtë ligj.
  2. Fondi i tokës vlerësohet financiarisht nga ATP bazuar në hartën e vlerës të përcaktuar në nenin 5, pika 15, të këtij ligji.
  3. ATP kryen vlerësimin financiar brenda 30 ditësh për fondin që vihet në dispozicion me vendimi të Këshillit të Ministrave dhe menjëherë për fondin që kalon me vendim të ATP-së.
  4. Ky fond publikohet në ambjentet e ATP-së dhe në faqen zyrtare menjëherë mbas kryerjes së procedurës së vlerësimit.

Neni 13

Ankandi për fondin e tokës

  1. ATP, me qëllim shtimin e burimeve financiare për Fondin Financiar të Kompensimit, realizon ankande për shitjen e pronës pjesë të fondit të tokës. Në ankand mund të marrin pjesë të gjithë subjektet që disponojnë një vendim kompensimi të vlerësuar financiarisht nga ATP-ja. Subjektet që kanë një vlerësim financiar të vendimit përfundimtar për kompensim mund të marrin pjesë në ankand nëse ata shprehin vullnetin për të përfituar nga fondi i kompensimit fizik.
  2. Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet 2 herë rradhazi, për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik për shitjen e kësaj prone. ATP realizon ankandin në përputhje me ligjin nr.9874, datë 14.02.2008 për “Ankandin publik”. ATP gjatë procedurave të ankandit në asnjë rast nuk mund ta shesë pronën pjesë e fondit të tokës, me një çmimim më të ulët sesa vlerësimi fillestar i saj i bërë sipas pikës 3 të nenit 12.
  3. Të ardhurat e realizuara nga shitja në ankand e pronave pjesë të fondit të tokës, kalojnë në Fondin Financiar të Kompensimit dhe përdoren për kompensimin financiar të subjekteve, sipas dispozitave të këtij ligji.

Neni 14

Rastet e kompensimit fizik

 

  1. Në rast se pas ankandit publik, sipas përcaktimeve në nenin 13 të këtij ligji, prona nuk shitet, atëherë ajo përdoret për kompensim fizik për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi.
  2. ATP publikon për një periudhe 45 ditore pronën që do të përdoret për kompensim fizik dhe gjatë kësaj periudhe pret kërkesa nga subjektet që disponojnë vendim përfundimtar Në përfundim të afatit 45 ditor, ATP brenda 30 ditëve shpall subjektin përfitues që ka aplikuar, sipas prioritetit të përcaktuar në pikën 3 të nenit 15 të këtij ligji dhe vijon procedurat për kompensimin fizik të subjektit përfitues.
  3. Në rast se edhe në përfundim të kësaj procedure nuk perdoret tërësisht fondi i kompensimit fizik, ATP disponon drejtpërdrejt me vendim kompensimi fizik, sipas përcaktimeve të Kreut IV “Shqyrtimi i kërkesave të patrajtuara”.
  4. Rregullat dhe procedurat përcaktohen me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP.

Neni 15

Afatet e vlerësimit të vendimeve për kompensim

  1. ATP brenda një afati prej 5 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të vlerësojë financiarisht, sipas përcaktimeve të këtij ligji, të gjithë vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit.
  2. Nëse ATP nuk përmbush brenda këtij afati 5 vjeçar detyrimin për të vlerësuar të gjithë vendimet që kanë të njohur të drejtën e kompensimit, atëherë subjektet mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të bërë vlerësimin sipas përcaktimeve të këtij ligji.
  3. Prioritet për vlerësimin do të kenë vendimet përfundimtare që janë më të vjetra dhe vlerësimi do të fillojë në mënyrë kronologjike nga vendimet përfundimtare që kanë datë më të vjetër deri në vendimet më të reja.

Neni 16

Rregjistrimi i vendimeve të kompensimit, mënyra, afatet dhe procedura për kompensimin financiar të pronarëve

  1. ATP brenda një afati 6 mujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të publikojë një regjistër me të gjithë vendimet përfundimtare që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuara. Regjistri duhet të përmbajë informacion mbi dokumentacionin që mungon në dosjen e vendimit. Rregjistri bëhet publik me cdo mjet mundshëm nga ATP.
  2. Subjektet e interesuara mund të plotësojnë dokumentacionin e paraqitur si i munguar nga ATP, i nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit.
  3. Në rast se vendimet përfundimtare kanë të meta teknike/hartografike apo gabime materiale të dukshme, atëherë me kërkesë të subjektit apo vetë ATP-ja me nismën e saj kur i konstaton mund të bëjë plotësimin e të metës apo ndreqjen e gabimit pa prekur përmbajtjen e vendimit, referuar Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
  4. Dokumentacioni i nevojshëm për të bërë vlerësimin financiar të vendimeve të kompensimit miratohet me vendim të Drejtorit i Përgjithshëm i ATP dhe publikohet me mjete të përshtatshme.
  5. Nëse subjektet e interesuara nuk sjellin asnjë dokumentacion që është i nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit prej 6 muajsh sipas pikës 2 te këtij neni, atëherë ATP do t’i vlerësojë këto vendime me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative (bashki/komunë) dhe për atë kategori prone.
  6. Kompensimi i subjekteve fillon menjëherë pasi bëhet përfundimtar vendimi i vlerësimit. Vendimi i vlerësimit bëhet përfundimtar pasi:
    1. ka kaluar afati i përcaktuar në pikën 3 të nenit 18, të këtij ligj dhe nuk ka patur ankim,
    2. kur subjektet e interesuara deklarojnë që nuk do bëjnë ankim,
    3. ose në rastet kur ka ankim, dhe është përfunduar shqyrtimi në Gjykatat e të gjitha niveleve duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.
  7. Procesi i pagesës për të gjithë vendimet përfundimtare që kanë të njohur të drejtën e kompensimit do të përfundojë brenda një afati prej 10 vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
  8. Shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse dhe tatimi.

Neni 16/1

Shqyrtimi i kërkesave te veçanta per kompesim financiar

 

  1. Nga fondi vjetor buxhetor i kompensimit financiar, referuar nenit 11, pika1, jo më shumë se 1/3 e tij, mund të përdoret për ratet e kërkesave të veçanta për kompensim financiar.
  2. Subjektet që shprehin vullnetin për tu kompensuar financiarisht me kërkesë të vëçantë, mund të përfitojnë nga ky fond, si më poshtë:
    1. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton X% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
    2. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 4 vitesh, atëherë ai përfiton X% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.
    3. Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 7 vitesh, atëherë ai përfiton X% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere.

Neni 17

Trajtimi i rasteve me mbivendosje

  1. Në rastet kur evidentohen mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATP bën vlerësimin përkatës, sipas përcaktimve të këtij ligji.
  2. Agjensia vijon procedurat për ekzekutimin e vendimit në pjesët që nuk kanë mbivendosje. Për pjesën që është me mbivendosje Agjencia depoziton vlerën përkatëse në një llogari të vecantë bankare, e cila pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes i paguhet subjektit. Palët mund ta zgjidhin rastin me mbivendosje me marrëveshje me njëri tjetrin ose në rrugë gjyqësore.

Neni 18

Ankimi ndaj vlerësimit

  1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit të Agjencisë për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit.
  2. ATP publikon vlerësimin me mjete të përshtatshme.
  3. Pas kalimit të afatit 30 ditor, nëse subjekti i interesuar nuk ka bërë ankim, vlerësimi i vendimit përfundimtar të kompensimit ekzekutohet nga ATP sipas përcaktimeve të këtij ligji.

KREU IV
SHQYRTIMI I KëRKESAVE TË PATRAJTUARA

 

Neni 19

Kërkesat e patrajtuara

  1. Kerkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kerkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, nëse prona nuk kategorizohet në pronat e përcaktuara në nenin 4 dhe nenin 23 të këtij ligji, do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes së të drejtës së subjekteve të shpronësuar me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas këtij ligji. Në cdo rast aty ku është e mundur i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet me vendim te ATP-se.

Neni 19/1

Kompensimi fizik në pronën e subjektit të shpronësuar

  1. Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe u kompensohen pa kufizim fizikisht, pronat e paluajtshme me përjashtim të tokës bujqësore, e cila nëse konsiderohet e lirë kompensohet fizikisht deri në 100 ha.
  2. Në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar nga zbatimi i ligjit Nr. 7501, datë 19.07.1991 për “Tokën”, atëherë vlera e sipërfaqes që i kompensohet fizikisht në tokën e njohur apo në cdo mënyrë tjetër, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës, që do t’i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 për “Tokën”, me vlerën për sipërfaqen, që secili prej subjekteve të shpronësuar apo trashëgimtarëve të tyre kanë përfituar nga zbatimi i këtij ligji.
  3. Në rast se prona e pretenduar kategorizohet në pronat që nuk kompensohen fizikisht dhe subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar nga zbatimi i ligjit Nr.7501, datë 19.07.1991 për “Tokën”, atëherë vlerës së kompensimit sipas këtij ligji, i zbritet vlera e pronës për sipërfaqen, që secili prej subjekteve të shpronësuar apo trashëgimtarëve të tyre kanë përfituar nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 për “Tokën”.
  4. Në cdo rast në caktimin e vlerës së pronës për kompensim, mbahen në konsideratë edhe cdo përfitim i zbritshëm në vlerën e kompensimit, sipas këtij ligji.
  5. U kompensohet fizikisht subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, në rastet kur këto prona nuk janë të zëna, sipas përcaktimit të gërmës “b”, pika 1 e nenit 23 të këtij ligji.
  6. Subjekteve të shpronësuara u kompensohen fizikisht pronat e paluajtshme në pronësi apo administrim të institucioneve shtetërore që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre dhe nuk kryejnë funksion publik.
  7. Trualli i zënë me ndërtime në pronësi të shtetit, mbi të cilin janë ngritur ndërtime të përhershme dhe të ligjshme në pronësi të pronarit shtet, trajtohet sipas dispozitave te ketij ligji
  8. Subjektet e shpronësuara, pronat e të cilave janë përmbytur nga ndërtimi i hidrocentraleve, trajtohen sipas dispozitave të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur kanë përfituar sipas ligjit për “Shpronësimet për interes publik”.
  9. Subjektet e shpronësuara dhe të kompensuara sipas ligjeve në fuqi kanë të drejtën e përfitimit nga ky ligj vetëm për pjesën e pronës së pakthyer ose të pakompensuar.
  10. Pemëtarit dhe vreshtat, pronë e subjekteve të shpronësuara, tokat e të cilave nuk janë regjistruar si toka bujqësore, do të konsiderohen si të tilla për qëllimet e kompensimit, sipas këtij ligji. Pas verifikimit të pronësisë së tyre, ato do të konvertohen si toka bujqësore, mbi bazën e koeficientit që miratohet nga Këshilli i Ministrave.
  11. Në rastet kur një apo disa nga trashëgimtarët e subjektit kanë përfituar nga ligji nr.7501, datë 19.07.1991 për “Tokën” ATP-ja orienton subjektin te bëjnë ndarjen e pjesëve takuese dhe pozicionimin e tyre me akt-marrëveshje.

 

Neni 20

E drejta e parablerjes

 

  1. Në rast se objektet shtetërore të ndërtuara mbi troje të njohura për kompensim me vendime përfundimtare ku është përcaktuar e drejta e parablerjes, transferohen në pronësi apo në administrim të një institucioni tjetër shtetëror, e drejta e parablerjes nuk shuhet.
  2. Për pronat e paluajtshme të zëna me objekte shtetërore, subjektet e shpronësuara kanë të drejtën e parablerjes mbi këto objekte kur ato të privatizohen. Subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e parablerjes përkundrejt kompensimit sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, brenda nje afati 1 vjecar, nga publikimi i Regjistrit, sipas këtij ligji. Ky afat është prekluziv.
  3. E drejta e parablerjes regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Neni 21

Tokat e dhëna në përdorim

  1. Tokat e dhëna në përdorim, me qira ose në ndonjë formë tjetër, nga shteti, kur nuk janë të zëna, në kuptim të nenit 23 të këtij ligji, i kompensohen fizikisht subjektit të shpronësuar sipas kushteve dhe kritereve të këtij ligji. Subjekti përfitues detyrohet të respektojë marrëdhënien juridike ekzistuese në raport me të drejtën.

Neni 22

Tokat e zëna me ndërtime pa leje

  1. Për aplikimet e bëra për pronat e ndodhura në zonat e deklaruara informale me akt ligjor ose nënligjor, subjekteve të interesuara u njihet e drejta për kompensimin e pronës, sipas kritereve të këtij ligji.
  2. Për kerkesat e bëra në ATP për pronat që ndodhen në zona formale, prona trajtohet sipas parashikimeve të këtij ligji. Sidoqoftë subjekti ish-pronar ka të drejtë të heqë dorë nga përparësia për kompensim fizik në pronën e tij, kundrejt një forme tjetër kompensimi.

Neni 23

Pronat që nuk kompensohen fizikisht

  1. Nuk i nënshtrohen kompensimit fizik në pronën e njohur, pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe ato që:
  2. shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë.
  3. janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit.
  4. Në rast se pronat e paluajtshme, që përfshihen në pikën 1 të këtij neni, propozohen të tjetërsohen, ato u kalojnë subjekteve të shpronësuara kur këto nuk janë kompensuar për atë pronë. Në këtë rast pronat kompensohen sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

 

KREU V

ORGANET SHTETËRORE PËR PROCESIN E trajtimit TË PRONave

 

Neni 24

Agjencia e Trajtimit të Pronave

  1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), person juridik publik, në varësi të Këshillit të Ministrave, në vijim ATP, me qendër në Tiranë. ATP kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:
  2. Përfundon brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për trajtimin e pronës për të cilat nuk është marrë vendim, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar:
  3. tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në këtë ligj;
  4. vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, në përputhje me nenin 2 të këtij ligji, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.

Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjën “a” pika 1 më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së shprehet me vendim brenda afatit të përcaktuar në nenin 31 të këtij ligji, për:

  • rrëzimin e kërkesës;
  • njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kompensimin fizik brenda kufijve të pronës së njohur apo kompensimin nga fondi i tokes ose kompensimin financiar të pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale, sipas përcaktimve në këtë ligj.
  1. Pranon, shqyrton dhe vlerëson kërkesat për përfitimin e së drejtës së njohur për kompensim, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në fuqi.
  2. Verifikon dhe llogarit detyrimet financiare, që i lindin shtetit për subjektet e shpronësuara ose për të tretët, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

ç)    Depoziton për regjistrim në regjistrat e pasurisë së paluajtshme të gjitha vendimet që trajtojnë pronën.

  1. Drejtori i Përgjithshëm i ATP brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji miraton listën e dokumentave të nevojshëm për të kryer vlerësimin në të holla të vendimeve përfundimatre për kompensim.
  2. Brenda 6 muajve nga hyrja ne fuqi e këtij ligji, me Vendim të Këshillit të Ministrave ngrihet nje komision me përbërje ndërinstitucionale i cili do të administroje punën për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhët pjesë në fondin e kompensimit të pronave dhe pas identifikimit, t’i propozojë Këshillit të Ministrave kalimin e këtyre pronave të Fondin e Tokës. ATP kryen rolin e Sekretariatit Teknik të Komisionit.
  3. ATP, për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara në këtë nen, bashkëpunon me institucionet që kanë në administrim pronën shtetërore ose publike. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton sanksionet për shkelje të afateve dhe mospërgjigje me përgjegjshmëri nga institucionet që kanë në administrim pronën dhe informacionin ligjor për të.
  4. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të ATP-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
  5. Tarifat për procedurat e kompensimit të pronave përcaktohen me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

Neni 25

Trajtimi i kërkesave

  1. ATP shqyrton kërkesat e paraqitura dhe që janë të pa trajtuara sipas dispozitave të këtij ligji. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji subjekteve të interësuara u caktohet një afat prekluziv prej 6 muajsh për aplikim në lidhje me njohjen e pronësisë. Ky afat nuk mund të zgjatet dhe as të rivendoset nga gjykata apo ndonjë organ tjetër administrativ.
  2. ATP shqyrton kërkesat për kompensim sipas procedurave dhe afateve të përshkruara në Kreun III të këtij ligji.
  3. Në zbatim të këtij ligji, të gjitha aplikimet e mbështetura vetëm mbi vërtetim e fakti juridik, në kuptim të nenit 388 të Kodit të Procedurës Civile refuzohen nga ATP me vendim.
  4. ATP gjatë shyrtimit të kërkesave të patrajtuara zbaton rregullat e vendosura nga ky ligj dhe gjatë trajtimit bën vlerësimin e pronës sipas neneve 6 dhe 7 të këtij ligji.
  5. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, në zbatim të përgjegjësive të ngarkuara nga ky ligj, shprehet me vendim. Vendimet e dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, sipas këtij neni, duhet të jenë në formë të shkruar, të arsyetuara, të nënshkruara nga titullari dhe të përmbushin kërkesat për aktin administrativ, të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë. Kur vendimi nuk ankimohet brenda afateve të parashikuara nga ky ligj, ai përbën titull ekzekutiv.

Neni 26

Procedurat e mbledhjes, perpunimit dhe administrimit te akteve nga subjektet e shpronesuara gjate trajtimit te kerkesave

  1. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i akteve të subjekteve të shpronësuara, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave, bëhet sipas këtyre procedurave:
    1. Për kërkesat e reja të cilat do të depozitohen nga data e hyrjes ne fuqi të këtij ligji deri ne mbylljen a afatit prekluziv prej gjashtë muajsh, subjektet e shpronësuar do të plotësojnë këto kërkesa:
      1. Formularin tip për aplikimin e kërkesave për njohje dhe Kompensim i cili duhet të jetë i nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi i tij me prokurë. Formulari tip përmban një paralajmërim, që ngarkon me përgjegjësi sipas ligjit subjektin kërkues, në rast të deklarimit të të dhënave të rreme apo depozitimit të dokumentacionit të falsifikuar.
      2. Dokumentacioni ligjor
  • Dokumentacioni hartografik sipas kërkesave që do të përcaktohen për dorëzimin e tyre.
  1. Për kërkesat e paraqitura për trajtim para hyrjes ne fuqi të këtij ligji dhe pa vendim, ATP fillon menjëherë shyrtimin e tyre si më poshtë:
    1. Brenda 30 ditëvë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijon rregjistrin e kërkesave pa vendim bazuar në rendin kronologjik të aplikimit të tyre pranë strukturave përgjegjëse në kohën e dorëzimit të tyre bazuar në nivel qarku.
    2. Brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nis procesin e njoftimit të subjekteve të shpronësuara mbi dokumentacionin që duhet plotësuar sipas kërkesave të përcaktuara me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së sipas prioritetit te percaktuara ne piken 3 te nenit 15.
  • Procedurat e mbledhjes, përpunimit dhe administrimit të akteve nga subjektet e shpronësuara gjatë trajtimit të kerkesave i nënshtrohen dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
  1. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së brenda 30 ditëvë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton formularin tip referuar pikës 1/a/i të këtij neni dhe brënda 60 ditëvë miraton kërkesat për plotësimin e kërkesave të patrajtuara sipas pikës 1/b/iii të këtij neni.
  2. Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të pajiset, nga Zyra e Protokollit të ATP-së me vërtetimin përkatës për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar, që tregon edhe datën e dorëzimit të kërkesës dhe dokumenteve të tij.
  3. Kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat depozitohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin shoqërues, gjë që e bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit në mënyrë të hollësishme. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të ATP-së. Në çastin e konstatimit, nga struktura përkatëse e ATP-së, bëhet shpallja publike në mjediset e ATP-së dhe në njësitë e qeverisjes vendore, ku ndodhet prona, objekt pretendimi. Kërkesa e subjektit të interesuar pranohet brenda një afati 3-mujor nga data e konstatimit, në të kundërt kërkesa e subjektit nuk pranohet, me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të ATP.
  4. ATP-ja pranon dhe administron kërkesat e subjekteve të shpronësuara kundrejt tarifave të përcaktuara, me urdhër të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe të Ministrit të Financave.

Neni 27

Ankimi

 

Kundër vendimit të ATP-së për njohjen e të drejtës palët e interesuara dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjë ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.

Neni 28

Regjistrimi i vendimit

 

  1. Kur vendimi i marrë, sipas këtij ligji bëhet përfundimtar, Agjencia ose çdo palë e interesuar, e dërgon atë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për regjistrim.
  2. Për vendimet që nuk i është dhënë formë të prerë për shkak të ndryshimeve të ligjit, Agjencia verifikon nëse është bërë ankim brenda afatit ligjor dhe në të kundërt, Drejtori i Përgjithshëm i ATP i jep formën e prerë.
  3. Vendimet mbi të drejtën e parablerjes që janë verifikuar nga Agjencia pas përfundimit të regjistrit do t’i dërgohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për regjistrimin brenda 18 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Zyra do t’i regjistrojë ato pa aplikuar gjoba, kamata, apo tarifa. Subjektet e interesuara janë përgjegjës për dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm që kërkohet nga Zyra Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të mbështetur regjistrimin e vendimin. E njëjta gjë do të bëhet edhe për vendimet e kompensimit.
  4. Çdo vendim gjykate që ka ndryshuar vendimin e ATP për kthimin / kompensimin apo për vlerën e kompensimit do t’i njoftohet Agjencisë dhe do të regjistrohet në regjistrin përkatës të vendimmarrjes, i cila mbahet nga Agjencia. Ky regjistër bashkërendohet me regjistrin aktual të vendimarrjes së ATP dhe të agjensive të tjera të mëparshmë kompetente për kthimin dhe kompensimin e pronës.

 

KREU V

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 29

Dispozitë tranzitore

  1. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave transformohet në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
  2. Struktura e ATP miratohet nga Këshilli i Ministrave brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Deri në miratimin e strukturës, ATP do të funksionojë sipas strukturës ekzistuese.
  3. Praktikat dokumentare administrative, të cilat janë në shqyrtim dhe ndjekje nga ana e AKKP-së transferohen për administrimin e ndjekjen e tyre në vazhdim nga ATP.
  4. Arkivi, mjetet e punës dhe logjistika e zyrave të AKKP-së, krijuar dhe administruar sipas ligjit, i transferohen në përgjegjësi administrimi ATP-së .
  5. Fondet buxhetore, të planifikuara për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, transferohen në llogari të ATP-së.

Neni 30

Kërkesat për trajtim e sipërfaqes së patrajtuar me vendimet e mëparshme për shkak të kufizimeve ligjore të kohës

  1. Për aplikimet e bëra, mbështetur në nenin 22 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 për “Kthimin dhe kompensimin e pronës” do të procedohet në mënyrën, formën dhe kushtet e parashikuara nga ky ligj.

 

Neni 31

Afati i përfundimit të procesit

Procesi i shqyrtimit të dosjeve që janë aplikuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që janë në proces shyrtimi pranë Agjencisë përfundon brenda 3 vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Procesi i ndarjes së fondit të kompensimit të pronave, vazhdon deri në kompensimin sipas përcaktimeve të këtij ligji, të të gjithë ish-pronarëve që disponojnë vendim përfundimtar kompensimi.

Neni 32

Ruajtja e dokumentacionit

Dokumentacioni i procesit të njohjes, kompensimit të pronave ruhet sipas legjislacionit në fuqi për arkivat. Me përfundimin e procesit, sipas nenit 21 të këtij ligji, ky dokumentacion i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Neni 33

Koordinimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës

 

  1. ATP-ja, në funksion të procesit të njohjes dhe kompensimit të pronës, bashkërendon veprimtarinë e me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencinë e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, Avokaturën e Shtetit, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinorsinor (ASIG), Arkiven e Shtetit dhe të çdo institucioni tjetër, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi këtë proces. Çdo institucion shtetëror, veprimtaria e të cilit lidhet apo ka përgjegjësi mbi procesin e njohjes dhe kompensimit të pronës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të sigurojë pa tarifa dhe taksa informacionin apo dokumentacionin e kërkuar nga Agjencia, si dhe të raportojë arsyet e mospërmbushjes së një mase apo rekomandimi të kërkuar.
  2. Brenda një afati 1 vjecar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Agjensia dixhitalizon informacionin hartografik të të gjitha vendimeve përfundimtare për khtimin dhe kompensimin e pronës.
  3. Këshilli i Ministrave, me vendim, cakton rregulla të hollësishme për procedurën e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit të veprimtarisë së Agjencisë me institucionet e tjera shtetërore.

Neni 34

Aktet nënligjore

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave nxjerr aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të tij.

Neni 35

Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr.9235, datë 29.07.2004 për “Kthimin dhe kompensimin e pronës”; ligji nr.10239, datë 25.02.2010 për “Krijimin e fondit special të kompensimit të pronave” dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

Neni 36

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s