Problemi i kthimit të pronave në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri në 2014

Ekstrakte nga “Raporti për të drejtat e njeriut – Shqipëria 2014” i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) publikuar më 25.05.2015

Vendime të Gjykatave Rajonale të të Drejtave të Njeriut

Shtetasit mund të apelonin vendimet lidhur me shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga shteti pranë GJEDNJ. Deri në shtator, 37 gjykime të GJEDNJ kundër shtetit nuk ishin zbatuar. Gjykimet trajtonin 17 probleme kyçe, nga të cilat tri më seriozet ishin dështimi për të zbtuar vendime vendase gjyqësore dhe administrative lidhur me kthimin e pronës, procedura të padrejta penale, si dhe mungesa e trajtimit të përshtatshëm mjekësor në burg. Një studim i vitit 2013 nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – Fondacioni Soros kishte gjetur se avokatët, prokurorët dhe gjykatësit kishin dije të kufizuara për jurisprudencën e GJEDNJ.

Kompensimi i Pronës

Një numër i madh pretendimesh kundërshtuese për prona private dhe fetare të konfiskuara gjatë epokës komuniste mbetën të pazgjidhura. Ekspertët e Bankës Botërore deklaruan se, duke pasur parasysh ritmin e ulët të kthimit, qeverisë do t’i duheshin 38.6 miliardë dollarë dhe 30 vjet për ta përfunduar procesin. Deri në shtator, mbi 7,000 çështje kthimi pronash prisnin zgjidhnje në Agjencinë shtetërore për Kthimin e Pronës. Në korrik, GJEDNJ refuzoi kërkesën e autoriteteve për të shtyrë afatin e saj të qershorit për ngritjen e një mekanizmi të efektshëm për të kompensuar ish pronarët për pronat e tyre. GJEDNJ nxori vendime në një numër çështjesh të profilit të lartë që kërkonin nga qeveria t’u paguante paditësve dhjetëra miliona dollarë si kompensim për prona të konfiskuara. Deri në shtator, qeveria kishte miratuar katër vendime për ekzekutimin e gjykimeve të GJEDNJ të cilat kërkonin kompensimin financiar të pretenduesve. Megjithatë, disbursimi i fondeve mbeti i pasigurt deri në shtator.
Në vitin 2013, një zyrë përmbarimi privat nxori 14 familje nga një kompleks apartamentesh në Tiranë, sipas pretendimeve në zbatim të një urdhëri gjykate që urdhëronte kthimin e pronës tek pronari përpara epokës komuniste. Familjet filluan një grevë urie duke kërkuar që qeveria t’u gjente zgjidhje dhe prokuroria e Tiranës filloi ndjekje penale kundër agjencive të qeverisjes së qytetit që kishin nxjerrë urdhrin fillestar të gjykatës. Familjet e dëbuara filluan procedim civil kundër zyrës së përmbarimit privat. Në qershor, prokuroria e Tiranës e pushoi çështjen.

Seksioni 4. Korrupsioni dhe Mungesa e Transparencës në Qeverisje

Ligji siguron ndëshkime penale për korrupsion nga zyrtarët, dhe gjatë vitit parlamenti prezantoi ndëshkime më të rrepta si pjesë e përpjekjeve më të gjera anti-korrupsion të qeverisë. Qeveria nuk zbatoi ligjin me efektivitet dhe zyrtarët shpesh u angazhuan në praktika korruptive pa u ndëshkuar.
Korrupsioni: Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes. Nga janari deri në qershor, njësitë e përbashkëta hetimore, njësi shumëpalëshe që hetojnë dhe çojnë për ndjekje penale krime financiare dhe të korrupsionit në sektorin publik, nisën 762 hetime të reja dhe çuan në gjykatë 131 çështje. Gjykimet mbi 129 çështje përfunduan duke rezultuar me vendim fajësie për 183 të paditur dhe pushim çështjeje për 26 të tjerë. Deri në qershor procedurat gjyqësore për 289 të pandehur vazhdonin.
Në dhjetor 2013, në një konferencë për shtyp transmetuar në televizion,ministrja e mbrojtjes njoftoi për ngritjen e akuzave për korrupsion gjatë një tenderi për reklama televizive kundër ish-ministrit të mbrojtjes Arben Imami nga partia opozitare. Më vonë prokurorët e pushuan çështjen, sipas tyre për shkak të mungesës së provave. Të tjera akuza të ngritura kundër ish-ministrit ishin ende pezull në muajin shtator.
Gjatë vitit prokurorët çuan për gjykim kryegjykatësin e rrethit gjyqësor të Pukës, kryeprokurorin e rrethit, kryekancelaren, kryesekretaren, dy individë privatë dhe një avokat mbrojtës për një numër akuzash lidhur me korrupsion aktiv, abuzim me detyrën, mundësim i korrupsionit, dhe moskallëzim krimi. Një gjykatë shpalli fajtore kryekancelaren, kryesekretaren, dy qytetarët dhe avokatin mbrojtës. Në muajin shtator çështja kundër kryegjykatësit dhe kryeprokurorit të rrethit vazhdonte ende.
Në nëntor 2013 qeveria ia ngarkoi koordinimin e plotë të veprimeve antikorrupsion Koordinatorit Kombëtar për Antikorrupsion, një zyrë e krijuar rishtazi për mbikqyrjen e një rrjeti pikash qendrore antikorrupsioni në ministritë e linjës, në institucione të pavarura dhe në nivel lokal. Një njësi e ristrukturuar për Kontrollin e Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionin u përqendrua vetëm mbi kontrollin e brendshëm administrativ.
Korrupsioni ishte problem në radhët e policisë, dhe autoritetet ndërmorën masa për ta luftuar atë. Megjithëse Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në qeveri hetoi dhe raportoi për ndjekje penale një numër oficerësh policisë mjaft më të lartë se në 2013 gjykatat shpallën fajtorë vetëm pak prej tyre.
Qeveria bëri përpjekje për t’u marrë me raportimet e përhapura se policia në disa raste kishte pranuar rryshfete në shkëmbim të mosvënies së gjobave ose mospërfshirjes së informacionit personal në bazat e të dhënave kriminale. Policia instaloi sisteme kamerash në makinat e patrullave të policisë dhe oficerët refuzuan më shpesh rryshfetet, për shkak të mbikqyrjes së shtuar. Qeveria gjithashtu kreu një fushatë të ndërgjegjësimit publik kundër korrupsionit. Zbatimi i një sistemi automatik të menaxhimit të gjobave të qarkullimit gjithashtu pakësoi mundësitë e praktikave korruptive nga policia e trafikut.
Seksioni i Policisë së Shtetit kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit hetoi raste korrupsioni. Seksioni kishte kapacitete të kufizuara për hetimet dhe mbikqyrjen sekrete, duke penguar kështu hetimet. Edhe agjenci të tjera, përfshirë autoritetet tatimore dhe doganore dhe kontrollorët dhe rregullatorët shtetërorë kryen hetime anti-korrupsioni. Rrjedhja e informacionit rreth hetimeve, presioni politik real dhe i perceptuar, si dhe një sistem kaotik riemërimi, penguan përpjekjet e tyre si dhe ato të Policisë së Shtetit. Komisioni Europian raportoi se Policia e Shtetit rriti numrin e çështjeve të korrupsionit që i referoi për ndjekje midis muajit tetor 2013 dhe mars 2014 me 16 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012-2013.

Korrupsioni mbeti gjithashtu një problem në institucionet arsimore, përfshirë në universitetet publike. Shumë studentë u ankuan që mësuesit kërkuan rryshfete për të kaluar klasën, duke e bërë të vështirë për disa prej tyre që të vazhdonin studime të mëtejshme.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duke punuar nëpërmjet njësive hetimore të përbashkëta, u mor me ndjekje penale. Kishte tetë njësi në qytetet më të mëdha të vendit. Ato bënë përparime domethënëse në ndjekjen e çështjeve korruptive të profilit të ulët, por ndjekja penale e krimeve të nivelit të lartë mbeti e e papërfillshme për shkak të frikës së hetuesve për ndëshkim, mungesës së përgjithshme të burimeve dhe korrupsionit në gjyqësor. Gjatë vitit qeveria rriti numrin e prokurorëve antikorrupsion në zyrat rajonale të prokurorisë. Komisioni Europian raportoi se dënimet u rritën me 8 përqind në gjykatat e rretheve, ndërsa dënimet në gjykatat e apelit u rritën me 8 përqind në periudhën tetor 2013-mars 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2012-2013.
Në qershor përgjegjësia për raste korrupsioni që përfshijnë zyrtarë qeverisës të nivelit të lartë, si dhe gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjyqësorit dhe përfaqësues të zgjedhur vendor iu transferua Zyrës së Prokurorit të Krimeve të Rënda dhe gjykatave të krimeve të rënda. Agjencitë ligjzbatuese të antikorrupsionit nuk bashkëpunuan aktivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme me shoqërinë civile në shumë raste por bashkëpunuan në raste të caktuara që aktorët ndërkombëtarë i sollën në vëmendjen e tyre, shumë herë me kërkesën e shoqërisë civile. Ato patën burime të pamjaftueshme.
Deklaratat Financiare: Ligji u kërkon zyrtarëve publikë që të deklarojnë pasuritë e tyre pranë Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesit (HIDAACI), e cila monitoroi dhe verifikoi këto deklarata. HIDAACI i bëri publike këto deklarime. Gjatë vitit u miratuan dispozita ligjore me qëllim rritjen e fuqive investigative të Inspektoriatit për hetimin e deklaratave të pasurisë dhe konflikteve të interesit. Dispozitat forcuan kapacitetet e institucionit dhe rritën transparencën publike. Ligji autorizon Inspektoriatin të vendosë gjoba për zyrtarët që nuk përmbushin kërkesat për deklarim ose t’i referojë ata pranë prokurorisë. Deri në gusht Inspektoriati gjobiti 175 individë për vonesa në deklarimet e tyre dhe për konflikte interesi. Sipas Inspektoriatit, deri në gusht ishin referuar për ndjekje penale 47 raste përfshirë zyrtarë të lartë publikë si ambasadorë dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjykatës të tjerë, prokurorë, asistentë juridikë të presidentit, punonjës të tatimeve dhe doganave, dhe zyrtarë të qeverisë lokale.
E Drejta e Informimit Publik: Ligji siguron të drejtën e informimit nga institucionet qeverisëse por qeveria nuk e zbatoi me efektivitet ligjin. Procesi për bërjen publike të informacionit shpesh nuk ishte i qartë, dhe zyrtarët në disa raste hezituan të lëshonin informacion. Ligji përcakton që e drejta për marrjen e informacionit mund të kufizohet kur informacioni është përcaktuar si i klasifikuar ose kur dhënia e një informacioni do të shkel mbrojtjen e të dhënave personale.

Në shtator u miratua një ligj i ri për të drejtën e informimit. Ai siguron afate më të shkurtra për dhënien e informacionit si dhe për emërimin e një komisionieri të të drejtës së informimit me fuqinë për të gjobitur insitucionet që nuk e zbatojnë ligjin dhe për caktimin e oficerëve të informacionit në të gjitha agjencitë shtetërore përgjegjëse për kërkesat për informacion. Shumica e ministrive dhe agjencive qeveritare publikuan informacione drejtpërsëdrejti në faqet e tyre në internet. Bizneset dhe qytetarët u ankuan që procesi nuk ishte transparent dhe se autoritetet nuk publikuan disa rregullore dhe ligje që duhet të ishin informacion publik themelor. Qytetarët shpesh u përballën me probleme serioze në marrjen e informacionit të tillë. Individët në përgjithësi mund të merrnin informacion nga qeveria pa pagesë, por pati raste të veçanta në të cilat tarifa përpunimi u kërkuan për të mbuluar kostot e shërbimit për institucionin që jepte informacionin. Moszbatimi ndëshkohet si shkelje administrative, jo penale. Qytetarët mund të apelojnë mohimin e bërjes publike pranë autoritetit ku është bërë kërkesa fillimisht ose pranë një gjykate civile.

Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s