Botuar në MAPO, 15 qershor 2015
Rasti i arrestimit të gjyqtarëve periferikë për korrupsion në shuma të vogla dhe paprekshmëria e njerëzve të drejtësisë në prokurori dhe shkallë të larta gjyqësori.
Nga Sebi Alla
Avokati nxitoi për të shpëtuar paratë dhe veten. Plot 150 mijë lekë të reja i zhubrosi nxitimthi duke i futur në çorape, për t’i shpëtuar arrestimit dhe akuzave, por më kot e pati, përpjekja e fundit e tij u bë “barcaletë” edhe në gjykatë. Ndërsa më ndryshe veproi gjyqtarja, paratë e dyshuara të korrupsionit i vendosi bukur në portofol dhe nuk bzani fare teksa policia e shoqëroi.
Dy episode të ndodhura në Gjykatën e Lezhës me avokatin Gjovalin Ndokaj dhe gjyqtaren Parashqevi Ademi, të dyshuar për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, e kryer në bashkëpunim. Ata tashmë kanë marrë masën e sigurisë në “arrest me burg pa afat”. Gjyqtarja këmbënguli se paratë i kishte futur në portofol pasi ia la në tavolinë avokati dhe më pas do të bënte kallëzim në polici.
Ndërsa nga ana e tij, avokati pretendon se shuma që iu gjet në çorape ishte si shpërblim për punën e kryer. Tentativa të vogla për të zgjidhur këtë ngërç të madh, por duket se të dy juristët (disi periferikë për nga vendi dhe emri që përfaqësojnë) e kanë të qartë se do të bëhen “shembull” dhe mund të kalojnë ca muaj të mirë në qeli. Nëpërmjet tyre mund të synohet të “vritet” korrupsioni në sistemin e drejtësisë.
Teksa kjo ngjarje kishte ndodhur, një ditë më pas shoferi i gjyqtares së Gjykatës së Apelit në Vlorë kapet me 20 mijë euro në çantë. Policia dyshon se ai do ia dërgonte trupit gjykues që do merrte një vendim në favor të vëllait të Gjolek Xhaferrit, që për të shpëtuar vëllanë e kishte të qartë se gjyqtarët duan paratë. Ky qytetar është më shumë i dëmtuar sepse 20 mijë euro i humbi dhe tashmë është në arrest shtëpiak. Ndërsa treshja e gjyqtarëve ku policia pretendon se do shkonin eurot, është e qetë, sepse nuk u zunë me në flagrancë.
Në dukje ngjan se drejtësia ka nisur të lëvizë. Duhen disa statistika dhe ato po vijnë. Është rasti i dytë brenda dhjetë ditësh që në qeli të përfundojnë dy gjyqtarë. Mirëpo problematika e vërtetë e sistemit të drejtësisë është në tjetër vend. Në gjykatat më të larta, në kryeqytet, Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër e gjetiu.
Aty ku lirohen nga burgu të akuzuar për vepra të rënda penale, ku jepen vendime civile në favor të më të fortëve dhe kur shtyrjet e gjyqeve po çojnë në vetëvrasje qytetarët, ku nëse flitet për korrupsion 2 milionë lekësh fyhen, sepse as nuk mund të “prishin imazhin” me një shumë të tillë. Për ta kush nuk flet.
Edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk po shkon në një mendje, presidentët thuajse gjithnjë janë kundër ministrit të radhës, edhe anëtarët e KLD-së ndahen qartës, të njërës palë, apo të tjetrës, sipas ngjyrës politike nga janë propozuar. Në fund palët që përfitojnë, edhe me marrëveshjen e heshtur, janë gjyqtarë e prokurorë që korrupsionin e kanë kthyer në sistem. Ku çdo krim e ka një çmim lirie.
Çdo dosje civile ku luan pasuri e madhe, matet me takatin e atij që ofron më shumë. “Në sistemin e drejtësisë në Shqipëri disa persona duhet që të pushohen nga puna për korrupsion, e disa duhet të çohen në burg. Në një sondazh të zhvilluar me gjykatësit, të financuar nga USAID, 25% e gjykatësve thanë se sistemi ishte i korruptuar, 58% të tjerë thanë se ekziston perceptimi publik se sistemi është i korruptuar.
Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë për drejtësinë për dhënien dhe marrjen e ryshfeteve”. Kështu tha pak ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Por me siguri nuk e ka pasur fjalën vetëm për gjyqtarët periferikë që sot ndodhen në qeli. Në tjetër vend shkon fjala e ambasadorit, që Shqipërisë nuk i njeh vetëm gjuhën, por edhe mënyrën e funksionimit të sistemit.
Në raportet e fundit flitet për emërime gjyqtarësh, ku paguhet 300 mijë euro, apo për ndryshime masash sigurie, për të cilat ka të dhëna që persona me precedentë penalë afrojnë 80 apo 100 mijë euro për të shijuar lirinë, paçka se mbi ta rëndojnë akuza të rënda. Të vetmit të kryqëzuar me të drejtë, të paktën duke iu referuar akuzave, janë gjyqtari i Pukës, ku brenda në zyrën e tij u numëruan 5 milionë lekë të vjetra për një ndryshim mase sigurie.
Burg bëri edhe gjyqtari i Pogradecit, që u anatemua si njeri i korruptuar sepse futi në xhep 300 euro, apo gjyqtari i Sarandës, që u ndje i “fyer” pasi një nga palët nuk i dha shumën prej 80 mijë eurosh për një vendim pro tyre. Arrestimi i tyre mund të jetë “shenjë e mirë” vetëm për ca statistika më shumë dhe për t’u kujtuar gjyqtarëve që korrupsionin të mos e bëjnë aq haptas. Gjithsesi sistemi i drejtësisë, ai i niveleve më të larta është i paprekshëm.
Sado që flitet për afera, vështirë të çahen, pasi është vetë politika që ia do puna që nganjëherë të kalojë nga gjyqësori. Edhe rasti i arrestimit të shoferit të Gjykatës së Vlorës nuk ka kaluar pa u komentuar. Sepse po përflitet se operacioni u sfumua rrugës, në rrethana ende të paqarta, pasi sipas prokurorisë, “shofer-sekseri” u arrestua menjëherë dhe nuk u la që aksioni të vijonte më tej, pikërisht kur 20 mijë eurot t’i dorëzonte atyre që ua kishte taksur. Në mungesë të ndëshkimit të gjyqtarëve, prokurorëve apo avokatëve që paratë e korrupsionin i lëvizin me valixhe, është koha që të kënaqemi me burgosjen e personave të drejtësisë që i fshehin paratë në çorape….
Ky eshte vetem nje rast I shëmtuar por te tille jane shumica. Shteti ligjor egziston vetem ne fjalët e politikes por eshte vështire ta gjesh ne gjykata