Parlamenti miraton legalizimin e banesave deri në qershor 2014, shtyhet falja e të dënuarve që kanë ndërtuar pa leje në tokë publike, mazhoranca nuk ka 84 vota

Botuar në Sot News, 12 qershor 2015

Parlamenti miraton legalizimin e banesave deri në qershor 2014, shtyhet falja e të dënuarve që kanë ndërtuar pa leje në tokë publike, mazhoranca nuk ka 84 vota
Disa ndryshime në ligjin për legalizimet kanë dominuar dje seancën plenare në Parlament. Projektligji i diskutuar dhe miratuar në Parlament parashikon legalizimin e të gjitha objekteve pa leje, në tokë private dhe shtetërore, deri në qershor të vitit 2014. Një javë më parë, mazhoranca nuk arriti dot ta miratonte projektligjin për shkak të mungesës së numrave dhe kuorumit. Por, ditën e djeshme mazhoranca miratoi ndryshimet në ligjin për legalizimet me 72 vota.

Ndërkaq, mazhoranca nuk ka arritur të miratojë projektligjin, i cili parashikon amnistimin e të dënuarve për ndërtime pa leje deri në 10 prill të vitit 2014. Ky projektligj kërkonte 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i kishte për shkak të mungesës së disa deputetëve dhe një krisje me Shpëtim Idrizin, pas heqjes së të drejtës së këtij të fundit për të pasur numërues në zgjedhje. “Jemi në momente kritike. Ligji për amnistinë shtyhet për javën tjetër, pasi duhen 84 vota”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Në këto kushte, amnistia është shtyrë për javën tjetër. Sipas draftit, të gjithë ata persona që kanë bërë ndërtime pa leje para datës 10 prill 2014 dhe janë dënuar apo ndiqen penalisht, duhet të  amnistohen. “Personat e dënuar me burgim për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, kur vepra penale është kryer jo më vone se data 10 Prill 2014”, thuhet në ligj. Sipas paragrafit të parë të nenit 199/a të Kodit Penal, vepra penale konsiston në një ndërtim të paligjshëm të bërë në tokën e vetë subjektit të veprës penale. Këta persona janë falur. Por, me ndryshimin e ri, falen edhe personat që kanë ndërtuar pa leje në pronën e shtetit.
Debatet 
Ligji për legalizimet ishte dje objekt debatesh të forta në Kuvend. Opozita shqiptare akuzoi mazhorancën se ka mashtruar me legalizimet falas, ndërsa e konsideroi nismën si elektorale. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha se ky ligj parashikon legalizimin e vilave të deputetëve dhe eksponentëve të Partisë Socialiste. Paloka pohoi se qeveria, gjatë dy viteve, ka prishur 8 mijë ndërtime me leje, ndërsa tani po legalizon vilat e veta. Nga ana tjetër, deputeti i PD, Asllan Dogjani, ka pohuar se Rama mashtroi me legalizimet falas. Ai tha se falas është vetëm procedura, por jo legalizimi. Nga ana tjetër, deputetja e PS, Vasilika Hysi, tha se Partia Demokratike dhe qeveria “Berisha” janë përgjegjëse për epideminë e ndërtimeve pa leje. Hysi kujtoi se Berisha, në 8 vjet, bëri vetëm 22 mijë legalizime, ndërsa qeveria “Rama”, në dy vjet, realizoi mbi 30 mijë legalizime. Nga ana tjetër, deputeti i PD, Astrit Patozi, tha se pas këtij projektligji fshihen interesat politike dhe elektorale. “Edhe ne e kemi përdorur politikisht këtë fenomen, por jemi të pakrahasueshëm me ju. Ne nuk kemi marrë ndonjë produkt të madh nga ky fenomen”, tha ai.
Ministrja Gjermeni
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, prezantoi dje në Kuvend ndryshimet në ligjin e legalizimeve, duke ftuar deputetët t’i votojnë me qëllim që të marrë fund procesi i legalizimit një herë e mirë. Ajo tha se me ndryshimet në ligj, përfshihen në procesin e legalizimit edhe ndërtimet deri në qershor 2014. Ministrja deklaroi se gjendja e ALUIZNI-t ishte katastrofike kur qeveria e re nisi punën. Ajo shtoi se gjithçka ishte në kaos, ndërsa gëlonte korrupsioni.“Ka pasur shumë problematika dhe pengesa nga pikëpamja administrative dhe proceduriale… Mos ekzistenca e një baze të mirfilltë të të dhënave, mungesa inventari, keqadministrim. Na lanë trashëgimi gjyqet për vendime të gabuara që kanë marrë, 1 në 2 legalizime në 2012-2013 përfundon në gjyq. Nuk kishin verifikuar objektet e jo më të mblidhnin dokumentacionin”, ka theksuar Gjermeni.
Majlinda Bregu 
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, akuzoi sot mazhorancën dhe politikën se po bën një fushatë elektorale ku vetëm premtohet. “Askush nga mazhoranca nuk kalon i bie nga rrugët që ka bërë qeveria e shkuar, apo ndoshta i bien nga rrugët e dhive. Të gjitha i dini. Por a ka kryetar bashkish që nuk ka bërë asgjë? Sigurisht që ka. Ashtu siç ka njerëz që nuk janë të ndershëm,. ka dhe nga ata që bëjnë punë. them se kjo fushatë nuk ngjit, edhe sepse premtohet shumë dhe se zgjedh kandidatët apolitik. unë që të jem e sinqertë ja kam frikën apolitikës, pasi nuk garanton stabilitet. Jemi ne që e kemi mitizuar këtë apolitikë dhe drejtësinë, apo mediat. Ndërkohë, që nuk janë të tillë, pasi së pari janë. Vendimi i djeshëm i gjykatës, ku dy deputetët e PS dhunuan Strazimirin ishte një shembull i tillë”, tha Bregu.
Adriatik Doçi 

 

Advertisements
Ky zë u postua te Uncategorized nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s