FMN: Në rrezik buxheti. Reformat, qeveria: Do të rishikojmë tarifat e energjisë
Proceset – “Gjykata në Strasburg ka filluar të gjykojë një grup tjetër të padive të ngritura kundër qeverisë shqiptare
Detyrimi – Qeveria: Kompensimi për pretendimet e çështjeve për të cilat pritet të merren vendime në 2015, arrin 3 miliardë lekë.
Pensionet PAK – Qeveria do të heqë 400 milionë lekë pensione për përfituesit e aftësisë së kufizuar.
Zamir Alushi
Vendimet e Gjykatës së Strasburgut, energjia dhe destabilizimi politik e social gjatë zgjedhjeve vendore, janë sipas FMN-së, kërcënim për zbatimin e programit të nënshkruar nga qeveria. Dje u zbardhën bisedimet për rishikimin e IV të kritereve të performancës ekonomike. Nga letra e nënshkruar prej ministrave Cani, Ahmetaj dhe guvernatori i BSH, Sejko, për drejtoren ekzekutive të FMN-së, Christine Lagarde, del e qartë se qeveria angazhohet të zgjidhë çështjen e kompensimit të pronave, të rishikojë në ulje të ardhurat në buxhet, të rishikojë tarifat e energjisë elektrike dhe të vazhdojë reformat. Ajo që na pret është “shtrëngimi i rripit”.
Pronat
Numri i madh i rasteve të paraqitura në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg nga pronarët e pronave të shpronësuara nga regjimi komunist, sipas FMN-së, është duke paraqitur rreziqe për buxhetin e qeverisë në vitin 2015 dhe më tej. Për të trajtuar këto, një grup pune ndërinstitucional i kryesuar nga zëvendëskryeministri është duke hartuar një regjistër të të gjitha rasteve të mundshme që mund të përfundojnë përpara Gjykatës së Strasburgut, dhe është gjithashtu duke punuar në një zgjidhje të plotë dhe të drejtë. “Gjykata në Strasburg ka filluar të gjykojë një grup tjetër të padive të ngritura kundër qeverisë shqiptare nga pronarët e pronave të shpronësuara. Kompensimi për pretendimet e çështjeve për të cilat pritet të merren vendime në 2015, mund të arrijë 3 miliardë lekë gjithsej, ndërkohë që gjatë vitit 2014 u dhanë 1.1 miliardë lekë”, raporton pala shqiptare. “Nisur nga precedentët e këtyre rasteve, pritet të paraqiten kërkesa shtesë për kompensime”, theksohet në letër. Kurse FMN nënvizon rrezikun. “Pasiguritë që rrjedhin kryesisht nga madhësia e kërkesave për kompensim të pronës dhe numri i madh i projekteve të investimeve të pafinancuara, mund të çojnë në rritjen e borxhit në të ardhmen”, njofton FMN. Është urgjentisht e nevojshme për të trajtuar rreziqet fiskale, nënvizon FMN.
Tarifat e energjisë
Pasi informojnë drejtoren Lagarde për rezultatet pozitive të aksionit për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të energjisë, pala shqiptare thekson se janë marrë masa të ndërprerjes për ata që nuk paguajnë dhe dënimin penal të vjedhjes së energjisë. “Ne jemi gjithashtu duke lëvizur përpara në lidhjen e një kontrate të menaxhimit të performancës për kompaninë e shpërndarjes së energjisë, dhe të presin të jetë gati deri në mes të 2015-s”, njoftojnë ministrat. Duke raportuar për liberalizimin e tregut të energjisë, në përputhje me direktivën e BE-së, raportohet se ligji i ri përcakton një plan për të lëvizur të gjithë konsumatorët e tensionit të mesëm jashtë strukturës së tarifave të rregulluara deri në fund të 2017, duke filluar me klientët 35kV deri në fund të 2015. “Pas rregullimit tarifor që hyri në fuqi në janar 2015, në bashkëpunim me Bankën Botërore kemi në plan për të ndërmarrë një rishikim të metodologjisë sonë aktuale e tarifave, në mënyrë që të bëhen rregullime të tarifave më të shpeshta dhe automatike”, raporton pala jonë. Por FMN është skeptike. “Shirat e bollshëm kanë ndihmuar deri më tani këtë vit, por varësia e madhe nga hidrocentralet do të thotë që variacioni i reshjeve do të vazhdojë të jetë një rrezik fiskal. Për të zbutur rreziqet, autoritetet duhet të marrin masa shtesë, nëse është e nevojshme, për të përmbushur objektivin mbi deficitin buxhetor që synohet për vitin 2015″, rekomandon FMN. “Angazhimi i autoriteteve për reformat është inkurajues, pasi janë rezultatet e hershme, por zbatimi i palëkundur do të jetë kritik, sidomos duke pasur parasysh historinë e përpjekjeve të dështuara”, deklaron FMN. Mbështetja buxhetore për sektorin e energjisë vjen në disa forma, duke përfshirë garancitë shtetërore për kreditë e marra, huadhënien, si dhe kompensimin e të varfërve. Vlera totale e garancive për energjetikën është rritur në 3.3 për qind të PBB-së në fund të 2014-s. “Deficiti financiar në sektorin e energjisë elektrike reflekton kryesisht nivelin e ulët të mbledhjes së të ardhurave dhe humbje të mëdha në rrjet. Megjithatë, ne jemi duke zbatuar një paketë ambicioze të reformave agresive në energjetikë, që deri në 2020, do të sjellin rimëkëmbjen dhe do të heqin nevojën për mbështetjen e qeverisë”, shkruajnë ministrat në letrën e datës 28 prill 2015. “Përveç kësaj, ne kemi prezantuar objektivin për të kompensuar shtresat sociale që preken nga rregullimet e tarifave të energjisë elektrike, që arrin në 1.6 miliardë lekë në vitin 2015, që (si përqindje e PBB-së), do të mbahet konstant në periudhën 2016-2020″, theksohet në letër. Ndërkaq, vjen angazhimi që prek taksapaguesit. “Nëse mbështetja e qeverisë për sektorin e energjisë elektrike tejkalon buxhetin vjetor, për këtë shumë, ne angazhohemi për të marrë masa kompensuese fiskale për të përmbushur objektivat sipas programit”, theksohet në letrën e palës shqiptare.
Krijohen borxhe të reja
Të gjitha kriteret dhe treguesit e performancës u arritën në fund të dhjetorit 2014, përveç një objektivi. Nuk është përmbushur mbajtja e nivelit zero për akumulimin e borxheve të reja të qeverisë. Rezultatet e anketës tremujore për dhjetë ministritë kryesore dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (DPT) tregojnë një akumulim prej 0.3 miliardë lekësh borxhe të reja në fund të vitit 2014 (0.02 për qind e PBB-së). Pjesa më e madhe e borxheve të reja u akumuluan nga DPT dhe Ministria e Transportit (projektet për ndërtimin e rrugëve).
Rënia e të ardhurave
Qeveria ka rivlerësuar programin fiskal 2015 në dritën e zhvillimeve aktuale. Të ardhurat më të ulëta nga sektorin e naftës, 6 miliardë lekë (0.4 për qind e PBB-së), në vitin 2015, janë duke u kompensuar me një rishikim në rënie të të ardhurave në ligjin për buxhetin 2015. Për më tepër, qeveria ka krijuar të ardhura plus nga tarifat e licencave të celularëve prej 1.8 miliardë lekë (0.1 për qind e PBB-së) si masë mbrojtëse ndaj çdo performance të dobët në të ardhurat e tjera.
Hiqen përfitimet e aftësisë së kufizuar
Shpenzimet për përfitimet e aftësisë së kufizuar është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, pjesërisht për shkak të mungesës së kontrolleve dhe mashtrimit, raporton qeveria. “Ne jemi duke punuar me Bankën Botërore për një projekt afatmesëm për reformimin e pensioneve PAK. Reforma do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2015. Prandaj, deri në fund të muajit qershor 2015, Këshilli i Ministrave do të lëshojë një vendim që redukton përfitimet e aftësisë së kufizuar në raste të caktuara që konsiderohen shumë bujare. Kursimet e vlerësuara për vitin fiskal 2015 nga këto reformat janë 400 milionë lekë”, theksohet në letrën e palës tonë.