Botuar në Rilindjen Demokratike, 4 prill 2015Nga T. Aliaj
Partia Demokratike ka depozituar dje në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal për deputetin Koço Kokëdhima për shpërdorim detyre, ndërtim të paligjshëm, pushtim toke e dëmtim mjedisi. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja për shtyp e PD, Oriela Nebijaj tha se, në kërkesën e depozituar pranë organit të akuzës vihet në dukje se deputeti Kokëdhima ka shkelur 10 ligje dhe dy plane urbane me ndërtimin e një objekti buzë detit shkelje dhe kallëzimi për këtë deputet nga PD vjen pas qëndrimit të heshtur prej kohëh të Kryeministrit të vendit, i cili për të njëjtin veprim ka dënuar me burg qytetarët. Sipas verifikimeve të bëra, ndërtimi 20 metra larg detit i kompleksit turistik të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të Kryeministrit Rama dhe nga njëra anë ka shembur banesat e të pamundurve, duke nxjerrë në rrugë qindra e mijëra familje që në shumë raste kanë përfunduar edhe në burg, por a do të funksionoi shprehja e Ramës për cilin do që shkel ligjin “dora në fyt deri në frymën e fundit” dhe për Koço Kokëdhimën ashtu siç po dënohen qytetarët e vendit. “Partia Demokratike do të depozitojë sot në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal për deputetin Koço Kokëdhima, për shpërdorim detyre, ndërtim të paligjshëm, pushtim toke e dëmtim mjedisi, me sarajet e tij në Qeparo. Departamenti i Mjedisit dhe i Ligjeve në Partinë Demokratike kanë hulumtuar dhe kanë konstatuar se, deputeti Kokëdhima ka shkelur 10 ligje e dy plane urbane me ndërtimin e tij buzë detit. Ndërtimi i Kokëdhimës është një monument paligjshmërie dhe abuzimi, shkelje brutale e një seri ligjesh, dhe lejohet çdo ditë nga Edi Rama, edhe pse është denoncuar publikisht nga mediat dhe nga opozita. Edi Rama ka shembur banesat e të pamundurve, ka nxjerrë në rrugë qindra e mijëra familje, ka lënë pa të vetmin burim jetese ato që mbaheshin me një dyqan, dhe lejon 20 metra larg detit kompleksin luksoz turistik të Koço Kokëdhimës”, u shpreh Nebijaj. Ajo akuzoi Ramën se, me qëndrimet e tij, duke lejuar dhe në heshtje aprovuar ndërtimin e paligjshëm të deputetit të tij, Koço Kokëdhima po rrit edhe më shumë pakënaqësinë në popullatë dhe po thellon pabarazinë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin nënvizoi zëdhënësja e PD, por ajo nënvizoi se me Ramën miqtë, deputetët dhe klientela janë bërë të paprekshëm, duke gjunjëzuar edhe ligjin. “Meqenëse Kryeministri ka zgjedhur të mbrojë paligjshmërinë e Koços, këtë ngrehinë të madhe të abuzimit e nëpërkëmbjes së çdo norme, ne i jemi drejtuar sot Prokurorisë me besimin se do të bëhet garante e zbatimit të ligjit. Pabarazia që thellon çdo ditë Edi Rama, duke lejuar sarajet e beut të tij të jugut Kokëdhima, pabarazia që po arrin kulmin, duke i bërë miqtë e klientelën e tij të paprekshëm, po ndodh çdo ditë në sytë e qytetarëve, dhe nga qytetarët do të marrë shumë shpejt përgjigjen e merituar”, përfundoi ajo.
Në 2007 u kërkua prishja e ndërtesës
Ortakët e betonit, dyshja Rama-Koço kanë bërë gati strategjinë për rrafshimin e çdo ndërtimi me leje dhe pa leje përgjatë bregdetit, përveç pallateve pa leje, mbi rërë të Koços. Ky objekt i paligjshëm ka pasur të paktën 2 vendime për prishje nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Në mars-prill 2007, ish-Policia Ndërtimore vendosi prishjen e ndërtimit të paligjshëm në pronësi të Koço Kokëdhimës, por ky i fundit përdori korrupsionin në Gjykatën e Vlorës dhe mori masë sigurie për të mos iu prishur objekti i paligjshëm. Edhe më 2010, INUK Kombëtar nxori vendim për prishjen e objektit të kundraligjshëm, por përsëri brenda ditës Koço përdori korrupsionin për të marrë masë sigurie për t’ia hedhur. Për fat të keq, Prokuroria e Vlorës nuk ka hetuar as për ndërtimin e objektit të paligjshëm që është vepër penale sipas ligjit dhe as për korruptimin e Gjykatës nga Koço në mënyrë të përsëritur. Ndërtimi i kundraligjshëm i Koços dhunon qoftë ligjin për brigjet që nuk lejon cenimin e zonave të lagështa dhe qoftë Masterplanin e Zhvillimit të Bregdetit Jugor të hartuar me ndihmën e Bankës Botërore përmes ekspertëve më të mirë britanikë, austriakë, danezë dhe italianë, dhe qoftë edhe planin lokal të Bashkisë Himarë të hartuar nga një kompani konsulence greke që nuk lejojnë ndërtime të përhershme më afër se 100 metra nga bregu, ndërkohë që kjo paligjshmëri ndodhet vetëm 30 metra larg detit.
Pas ardhjes në pushtet, Koço trefishoi sipërfaqen e sarajeve
Të gjithë banorët e zonës dhe pushuesit janë të shqetësuar për këtë ndërtim korruptiv të deputetit të zonës. Banorët shprehen të irrituar, ndërsa bëjnë thirrje për marrjen e masave dhe nisjen e menjëhershme të prishjes së kështjellës që ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme hapësirën publike në plazhin e Qeparosë. Ata shprehen të revoltuar gjithashtu, ndërsa përmendin standardet e dyfishta me të cilat fadromat e INUK kanë shkatërruar objekte e ndërtime pa leje, por edhe me leje përgjatë vijës bregdetare, ndërsa kështjellën e Koço Kokëdhimës nuk e prekën, duke dëshmuar kështu se aksionet e INUK janë arbitrare dhe selektive. Dy standardet e qeverisë Rama-Meta. Nga njëra anë prishen ndërtime me leje nga ana tjetër Koço trefishon sipërfaqen e ndërtimit pa leje mbi rërën e Qeparos vetëm 20 metra larg detit. Ky është standardi i dyfishtë, por edhe dyfytyrësi e pushtetit. Pasi ua prish hallexhinjve një objekt që kanë, i jep monopolin e paligjshmërisë Koços dhe më pas do t’ia legalizojë marrëzinë m’u në det, duke dhunuar haptaz 3 ligje, 2 plane urbanistike dhe duke injoruar 2 vendime për prishje nga INUK. INUK po vijon prishjen selektive të banesave, qofshin ato edhe në proces legalizimi. I freskët ishte aksioni për prishjen e një ndërtese dykatëshe në proces legalizimi në Mallakastër, ku u përdor edhe dhuna policore ndaj familjarëve që protestuan kundër INUK. Shqiptarët pyesin ende a do ta rrafshojnë kështjellën e Koço Kokëdhimës që ka shkatërruar bregdetin? Një ndërtim, që dëmton ekosistemin dhe peisazhin e zonës, nuk është bllokuar ende dhe më pas të gjitha ndërtimet janë prishur nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Më herët u raportua se, një hoteli në zonën e Dhërmiut do i vendoset eksplozivi, pasi është cilësuar ndërtim pa leje. Dhjetëra forca policore, së bashku me INUK, mbërritën në Dhërmi për të nisur përgatitjen e shembjes së “Grand Hotel Dhërmiu”, i cili ndodhet në pjesën e majtë të plazhit. Së bashku me forcat policore, në këtë plazh kanë mbërritur edhe disa specialistë të xhenios, të cilët kanë nisur nga puna për hapjen e vendeve, ku vendoset eksplozivi për të shkatërruar konstruksionin e hotelit.