Zgjidhjet
E para, punonjësit e zyrave të ALUIZNI-t verifikojnë hartën para se të japin lejen e legalizimit, dhe e dyta, për rastet e paidentifikuara nga procedura e mësipërme, ndërtuesit që ndodhet në proces legalizimi i vihet në dispozicion një topograf për saktësimin e sipërfaqes në terren. Burime zyrtare nga ALUIZNI bëjnë të ditur se probleme të mbivendosjes së pronës janë hasur në shumë raste, por kjo vjen për shkak se, personat që kanë ndërtuar pa leje, nuk kanë të sakta koordinatat e pronës që kanë në proces legalizimi. Sipas të njëjtave burime mësohet se, në rastet e mbivendosjes kur është miratuar leja, ALUIZNI vë në dispozicion të dosjes me probleme një topograf, i cili kryen matjet në terren dhe korrigjon koordinatat në planin e objektit që ndodhet në proces. Pas korrigjimit kryhet përputhja e hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive me plan-vendosjen e objektit në terren. Ndërsa në rastet kur nuk arrihet të përputhet harta me planin në terren, prioritet merr pronari që është në proces legalizimi, ndërsa pronari që njihet si i tillë nga Hipoteka, kalon për kompensim.
Mbivendosja
Pronarët që kanë ndërtuar pa leje dhe që në momentin që kanë kryer vetëdeklarimin nuk janë njohur me hartën e rinovuar në zyrat e Hipotekës, është shkaku kryesor i mbivendosjes së pronave që janë në proces legalizimi.
Verifikimi
Sipas legjislacionit në fuqi, procesi i legalizimeve të ndërtimeve pa leje varet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. ALUIZNI kërkon nga Hipoteka të dhëna mbi statusin juridik të pronave që janë objekt shqyrtimi të zyrave rajonale. Pasi Hipoteka i kthen përgjigje ALUIZNI-t, ky i fundit përgatit lejen e legalizimit. Pas shpërndarjes së lejes dhe shlyerjes së faturave për pronën mbi të cilën është ndërtuar, poseduesi i lejes i drejtohet Hipotekës për regjistrimin e pronës. Sipas legjislacionit në fuqi, ekziston një qarkore e brendshme ku përcaktohen procedurat për dhënien e përgjigjes për statusin e pronës për legalizim. Kjo procedurë, sipas ligjit, zgjat tri ditë.
Kompensimi i pronarëve
Në rastet kur prona që legalizohet ka një pronar, ligji parashikon kompensimin e tij. Legalizimi mbi sipërfaqet takuese pronë private që preken nga ndërtimet pa leje kur parcela ndërtimore e objektit pa leje është e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në emër të subjekteve pronarë joposedues të ndërtimit, masa dhe vlera e kompensimit mbi sipërfaqet takuese pronë private që preken nga objekti miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa në rastet kur parcela ndërtimore, objekt kompensimi, ka kaluar në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, sipas ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, ALUIZNI, përpara se të kryejë procedurat e kalimit të pronësisë dhe kompensimit, duhet të kërkojë miratimin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse. Për efekt të përllogaritjes së masës së kompensimit, sipërfaqja trajtohet si truall dhe çmimi përcaktohet në bazë të vlerës së pronës të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Shpërndarja e fondit të kompensimit kryhet në përputhje me ligjin nr. 10 239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të ndryshuar”.