FMN është në dijeni të deklaratës së bërë së fundi nga Strasburgu për vendimet e marra nga gjykata për kompensimin e pronarëve ligjorë në Shqipëri. Prej kësaj fature të kripur zbatimi i së cilës nuk është ndërmarrë akoma nga qeveria, FMN i druhet stabilitetit fiskal të vendit në vijimësi. Kjo do të thotë se, fatura e pronarëve që presin kompensimin financiar nga ana e qeverisë, e cila nuk e ka mundësuar akoma një proces të tillë është mëse dyfishuar për 2015.
Përllogaritja në fjalë e fondit nga ana e Gjykatës së Strasburgut e çon faturën për pronarët e palikujduar akoma plot në 3 miliardë lekë, apo 30 milionë dollarë. Por jo vetëm fatura e kompensimit financiar është ajo që po shqetëson qeverinë, pasi akoma më keq vijon të jetë trajektorja e investimeve të ndjekura nga qeveria shqiptare. Pikërisht kjo do të jetë arsyeja se, pse Fondi Monetar Ndërkombëtar merr gjatë këtij viti nën juridiksionin e plotë të tij menaxhimin e fondit të kontigjencave të qeverisë në buxhetin e shtetit. Qeveria shqiptare në këtë drejtim nuk do të bëjë asnjë lëvizje të këtij fondi pa marrë më parë “ok” nga FMN.
“Gjykata ka filluar të përpunojë një grup tjetër të rasteve, të cilat pritet të finalizohen më 2015. Kompensim i përgjithshëm financiar për këto pretendime mund të jetë 3 miliardë lekë”, vlerëson FMN në daljen e fundit publike për mediat.
Por në këtë prononcim për mediat, FMN ka theksuar gjithashtu se në varësi të rasteve duhet të rishikohet mundësia nga ana e qeverisë që të shtojë fondet për kompensimin e kësaj shtrese. Kështu, deri në nëntor 2014, Gjykata e Strasburgut ka futur në proces trajtimi 79 kërkesë-padi të reja, 13 prej të cilave janë fituar nga pronarët legjitimë. Gjithashtu edhe për muajin shkurt 2015, kjo gjykatë ka përfunduar edhe trajtimin e 43 çështjeve të tjera të pronave të shqiptarëve.
Dy zgjidhjet urgjente të kërkuara nga gjykata
Gjykata e Strasburgut, i ka kërkuar shtetit shqiptar dy zgjidhje: Të zbatojë urgjent vendimet e shpallura prej saj dhe të nisë kompensimin financiar e fizik për pronat e tjetërsuara, të lirojë tokat e zaptuara si dhe të kthejë tek pronarët, pronat që janë të lira, përpara se të dalin vendimet e reja të Strasburgut, të cilat sipas një parashikimi shkojnë në vlerën mesatare 27 milionë euro të tjera. Sipas regjistrit të Gjykatës së Strasburgut, deri në fund të vitit 2014 pranë kësaj gjykate gjenden në proces gjykimi 439 dosje pronash të shqiptarëve, nga të cilat 35% janë për shkelje të të drejtave të individit, 42% janë për shkeljen e të drejtës së pronës, ndërsa 23% për zaptim prone me ligj shqiptar. Deri në fund të vitit 2013, shteti shqiptar ka zbatuar gjithsej vetëm 3% ose 14 vendime të Strasburgut, dhënë “për kompensim financiar”, si dhe vetëm me 15% të masës së kompensimit financiar ndaj pronarëve që kanë fituar gjyqet në Strasburg. Por nuk ka zbatuar asnjë vendim për kompensim fizik, ose kthim prone. Kujtojmë, që në janar 2014, Gjykata e Strasburgut i ka bërë prezent qeverisë shqiptare 61 çështje gjykimi, për pronat, të cilat kanë si përmbajtje shkeljen e plotë të të drejtës së pronës në Shqipëri edhe me ligje anti-Kushtetuese, duke shpërfillur totalisht edhe Kushtetutën shqiptare. Qeveria shqiptare, vazhdon të mashtrojë pronarët dhe Gjykatën e Strasburgut, me nxjerrje ligjesh anti-kushtetuese dhe me moszbatim të asnjë prej ligjeve, duke e lënë çështjen e pronës në acarim të madh mes shqiptarëve dhe me një faturë financiare që vjen nga Strasburgu përherë në rritje.
Strasburgu urdhëron: Shlyeni faturën e kompensimeve brenda qershorit 2015
Ende po diskutohet për këtë vlerë kompensimi, mbasi fatura e plotë e deklaruar dhe e vendosur nga Gjykata e Strasburgut, ka marrë formë të prerë dhe qeverisë shqiptare i është kërkuar ta paguajë brenda qershorit 2015, ndërkohë që fatura e dërguar në llogarinë e qeverisë shqiptare, diktuar për zbatim urgjent është 8 milionë euro. Gjithsesi, Strasburgu nuk po lëviz nga vendimi i tij dhe po kërkon shlyerjen e faturës së kompensimit, për vendimet që ka marrë dhe për vendimet që do të marrë gjatë vitit 2015, ku sipas trajtimit paraprak të dosjeve afro 95% e këtyre vendimeve, do të jenë në favor të pronarëve.
Në Strasburg regjistrohen çdo vit 200 padi shqiptarësh, nga të cilat pranohen 160. Në këto padi, pronarët akuzojnë shtetin shqiptar për vjedhje, zaptim dhe mohim prone edhe me vendime gjyqi, vendime qeverie e ligje. Mbi 90% e dosjeve të depozituara në Strasburg, ka lidhje me kthimin, kompensimin fizik e financiar të pronave.
Reagojnë pronarët për kompensimin
Agim Toro, sekretar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” thotë se, sipas të dhënave zyrtare, janë 439 dosje të pronarëve shqiptarë që janë pranuar për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Strasburgut. Së shpejti një delegacion nga Këshilli i Evropës do të vijë në Shqipëri për të parë zbatimin e vendimeve nga qeveria për çështjet e përfunduara. “Për 8 çështje të fituara nga pronarët e Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, qeveria duhet t’i kompensojë ata me 27 milionë euro.
Për çështjet e tjera, Gjykata i ka kërkuar qeverisë që të gjejë një zgjidhje paqësore, me mirëkuptim, të pranuar nga pronarët që Strasburgu të mos dalë me një vendim përfundimtar për kompensim financiar. “Çështjet e fituara deri tani në Gjykatën e Strasburgut nga pronarët e Shqipërisë, të cilëve u është shkelur e drejta themelore e pronës, mund të kenë një kosto financiare prej 150 milionë euro. Deri në qershor të këtij viti, kjo Gjykatë do të shqyrtojë “en block” 60 dosje”, thotë Agim Toro. “Në çështjen e kthimit të pronës është shkelur rëndë Kushtetuta e Shqipërisë, ku ka një nen që thotë, se “prona trashëgohet, blihet ose është e dhuruar”. Pasuritë e paluajtshme të pronarëve në këto 2 vite nuk u kthyen dhe janë në duart e atyre që nuk plotësojnë këtë nen të Kushtetutës”, deklaron Toro.
Ndërmarrja e masave nga qeveria për zbardhjen e procesit
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka vënë qeverisë shqiptare një kufi kohor deri në qershor të 2015, për të informuar rreth zgjidhjes me mirëkuptim të çështjes së 60 pronarëve shqiptarë, të cilët i kanë kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare të vendosë kthimin apo kompensimin e pronave të tyre nga shteti ynë, çka shoqërohet zakonisht edhe me penalizime të mundshme ndaj këtij të fundit. Strasburgu i bën këta me dije, gjithashtu, si duhet të veprojnë nëse qeveria nuk bën përpjekje të efektshme për të gjetur rrugët e mirëkuptimit. Po qe se palët nuk bien dakord, qeverisë i është përcaktuar një afat tjetër i shkurtër për të paraqitur vërejtjet e saj, të cilat do t’u dërgohen sa për informacion pronarëve.
Gjykata njofton pronarët se në çdo rast do të kenë mundësinë që të bëjnë brenda gjashtë javëve të paraqesin vërejtjet e tyre për qëndrimin e qeverisë. Përndryshe, shkeljen e këtij afati, Gjykata Evropiane paralajmëron që do ta nënkuptonte si shprehje të humbjes së interesit të pronarëve për të ndjekur aplikimin dhe, për rrjedhojë, vendos për të hequr çështjen e tyre nga kalendari i gjykimeve në Strasburg.
Entela VRAPI