“E vërteta e pronës në Elbasan”

Gazeta Shekulli, 20 Shkurt 2015

  • Kreu i shtetit komenton konfliktin mes tij dhe qeverisë, pas reagimit të përfaqësuesve të Kishës Katolike në Elbasan
  • Historia e pronës së ish-firmëtarit të Pavarësisë dhe çfarë ka ndodhur përgjatë viteve

Nga Sokol Balla

Përplasja mes Presidentit të Republikës dhe mazhorancës të enjten e shkuar mori përmasa të tjera, akoma më të mëdha. Leximit të një letre të katër përfaqësuesve të klerit fetar të Elbasanit nga deputeti socialist, Taulant Balla në seancë plenare, ku akuzohej kreu i shtetit për ndërhyrje në gjyqin për truallin në të cilën është ndërtuar kisha katolike, solli deklaratën më të ashpër të Nishanit ndaj Kryeministrit Rama dhe mazhorancës. Deputeti Balla ritheksoi edhe njëherë atë çfarë shkruhej në letër në takimin e javës së kaluar ku ishte i ftuar në “Top Story”. Reagimi i Presidentit ishte i menjëhershëm dhe për të sqaruar më në detaje këtë debat, përplasjen me qeverinë për ambasadorët, për çështjen Zhiti e të tjera, këtë të enjte në Top Story ishte i ftuar vetë Presidenti, Bujar Nishani. “Katër drejtuesve të katër komuniteteve fetare të Elbasanit, atij mysliman, bektashi, ortodoks dhe atij katolik, që në një rast të paprecedentë i drejtohen Kryeministrit për të denoncuar një vendim të Gjykatës së Lartë së fundmi që vendos të shembet një kishë dhe toka t’i kthehet një familjeje me mbiemër Karaosmani, që ka si pasardhës të vetëm bashkëshorten e Presidentit. Ata citojnë një pushtetar dhe unë i jam drejtuar Kryeministrit dhe deputetëve me këtë letër”, deklaroi një javë më parë në “Top Story” deputeti socialist, Taulant Balla.

Një ankesë e përfaqësuesve e katër komuniteteve fetare në Elbasan të datës 5 shkurt, që i kthen një familjeje të njohur një pronë ku gjendet një kishë. Akuza që vjen nga mazhoranca është që famija juaj ka lidhje me këtë çështje. Cila është e vërteta?

Kjo nuk është një çështje mes zotërisë si individ dhe meje si person. Nuk është e saktë ajo që u mundua të mbulojë deputeti. U akuzua në mënyrë publike jashtë çdo kodi etike familja ime. Nuk u lexua thjeshtë deklarata e komuniteteve fetare, por pati akuza dhe fyerje të rënda. Nuk e shkel ligjin Presidenti. Mund të përfshihet në afera korruptive, por ka mënyra dhe mekanizma, ka formate për të hetuar të gjitha shkeljet dhe abuzimet, por kurrë nuk dëgjohet që qeveria të dalë në mënyrë të organizuar në mes të parlamentit dhe në mënyrë të paverifikuar të artikulojë akuza jashtë cdo norme etike. E vërteta është e thjeshtë, bashkëshortja ime është një pasardhëse e familjes së Qemal Bej Elbasanit që ka qenë firmëtar i pavarësisë, ka shkrirë një pasuri të madhe për pavarësinë, ka ruajtur me fanatizëm dhe trashëguar penën që më pas familja e ka dorëzuar në muze. Në rastin e pronës, bashkëshortja ime nuk është trashëgimtare fare. Aty janë mbi 15 trashëgimtarë që janë njerëz të trungut. Ka një pjesë shumë të vogël nëna e bashkëshortes time dhe asesi unë s’mund t’i them djemve të hallës së vjehrrës time që të mos kërkojnë pronën e tyre. Historia e kësaj prone është e qartë. Denoncoj abuzimin dhe spekulimin për ndërhyrje të Presidentit të Republikës në përdorim të funksionit për të lehtësuar marrjen e një prone. Prona iu është njohur që në vitin 1994, me vendim të komisionit të kthimit të pronave. Nuk ka patur kurrë kishë në atë pronë. Në 95-96 aty u vendos një grup i Karitasit që ka pretenduar se ka marrë truallin nga këshilli i rrethi. Sot ka një kishë. Trashëgimtarët kanë kërkuar që kjo pronë të bëhet në marrëveshje me ta. Në ‘96 kjo nuk ka qenë një tokë publike. Gjatë gjithë kohës pronarët kanë kontaktuar me një pretendim të thjeshtë, që ne duhet të jemi personat që duhet kontaktoni dhe i kanë propozuar që të marrin pronën me çmimin që u ofronte shteti. Vendimi i formës së prerë në Gjykatën e Apelit është marrë në 2012, kur unë s’isha president. Kërkesa e tyre ka qenë për terrenet e tjera që janë zënë në mënyrë të palogjikshme, jo për prishjen e kishës.

Ky vendim që është marrë nuk flet për prishje të kishës?

Jo. Kërkohet pavlefshmëri e kontratës që ish-këshilli i rrethit ka lidhur me ndërtuesit aty. Toka është jashtë territorit të kishës. Pronarët kanë deklaruar që nuk pretendojmë territorin e kishës, edhe atë ta mbajnë, por të dëmshpërblejnë pronarët e vërtetë. Dy fakte për spekulimin ndaj institucionit të Presidentit të Republikës, në konceptin dhe kulturën tonë në sjelljen ndaj presidentit, ka dy histori interesante, e para lidhet kur isha Ministër i Brendshëm. Kjo sipërfaqe është brenda një sipërfaqeje më të madhe që u është njohur këtyre familjarëve. Kur isha Ministër i Brendshëm me firmën time një pjesë e kësaj toke nuk është pranuar t’u shkonte pronarëve për shkak se ishte pranë parkut, i kaloi Bashkisë së Elbasanit. Firma dhe urdhëri është në arkivën e Ministrisë, Kryeministrisë dhe Bashkisë së Elbasanit. Momenti i dytë, nëse do të rikthehemi në deklaratën e përfaqësuesit të qeverisë që akuzon presidentin më bëri përshtypje lehtësia me të cilën akuzohet, duke thënë se imagjino se sa të vështirë e kanë qytetarët që të marrin drejtësi në Gjykatën e Lartë dhe Presidenti e merr tak-fak. Në Gjykatën e Lartë kjo dosje ka pritur 3 vjet dhe pas 3 vitesh është gjykuar dhe lënë në fuqi vendimi i gjithë gjykatave të tjera. Nëse do të kishte patur një ndërhyrje të Presidentit, atëherë nuk do qendronte tre vjet atje. Është e papranueshme nga kode të shkruara dhe të pashkruara denigrimi i figurës së Presidentit të Republikës.

Ju thoni që ky është një manipulim nga mazhoranca me akuza të pabazuara, ama ose harroni ose bëni sikur harroni, që reagimi i parë ka ardhur nga katër përfaqësues të feve në Elbasan që këtë letër publike ja dërgojnë Kryeministrit, deputetëve dhe jo Presidentit. Këtu ka nisur gjithçka nga një ankesë që nuk ka ardhur nga PS, as nga Bashkia, por nga përfaqësues të katër komuniteteve fetare.

Ka ndryshime mes PS dhe qeverisë si subjekt. Është një skenar që nisi disa ditë më parë duke akuzuar Presidentin për debatin për emërimin e ambasadorit në Vatikan dhe konkluzionet nisën me artikulime të tilla dhe përfunduan pse nuk e nënshkruan kandidaturën e ambasadorit në Vatikan. Është normale që komunitetet të kenë pretendimet e tyre, mgjths është një cështje e mbyllur që në 2012 dhe u gjet në 2015 në kohën e një debati të fortë. Letra iu drejtua Kryeministrit sepse ka të gjitha instrumentat për të verifikuar shkeljet e ligjit. U sulmua sërish familja e bashkëshortes time kur u transferua PD tek godina e re. Kryeministri ka të gjitha mekanizmat nëpërmjet Ministrisë së Drejtësië që të verifikojë vendimet e gjykatave.

Jeni president, por keni qenë në politikë aktive në PD për të paktën 12 vjet. Politika është perceptim dhe fakti që njerëzit shohin që Gjykata e Lartë merr një vendim ndaj një familje që ka lidhje të drejtpërdrejtë me familjen e Presidentit, ndërkohë që pronarët e ish-SHQUP-it janë në luftë për pronën e tyre… Këta pronarë dhe shumë pronarë shohin që e drejta nuk shkon në vend për ta…

Prona për të cilën po bëjnë fjalë pronarët u është njohur dhe kthyer si pronë atyre që në vitin 1994, ku s’kam qenë asgjë. Në rastin e SHQUP nuk kemi të bëjmë me një pronë të regjistruar si pronë private, kishim të bënim me një pronë shtetërore të regjistruar në inventarin pronave publike dhe u bë kalimi nga një ent, që ishte Ministria e Mbrojtjes në emër të një enti tjetër që është partia e opozitës. Partitë politike janë asete publike. Kemi të bëjmë me raste krejt të ndryshme, por qëllimi i gjithë asaj tymnaje dhe spekulimi të papranueshëm dhe joetik, është i instrumentalizuar në vijim të një skenari politik që zgjat prej shumë kohësh për të denigruar institucionin e Presidentit të Republikës që nuk meriton të besohet për parimet që pretendon se mbron dhe beson. Kam një karrierë timen në politikë, në jetën publike që e kam ndërtuar me kontributin tim, me punën time me arritje dhe dështime për të cilën askush prej politikanëve nuk mund t’i fshihet gjykimit të opinionit. Kjo është një betejë mes institucionit të Presidentit dhe dhunës institucionale ndaj Presidentit të Republikës, por nuk më cënon në detyrën time.

A jeni i sigurtë që ju si kryetar i shtetit, si president si kryetar i KLD nuk keni ushtruar në mënyrë direkte dhe indirekte ndikim te Gjykata e Lartë për këtë çështje?

Mund të them shumë gjëra. Fakti që një cështje e tillë ka qendruar në gjykatë pa u shqyrtyar për 3 vjet tregon se sa e ka favorizuar presidenti këtë cështje.

Thoni që jeni njohur me këtë çështje, por ajo nuk është zbardhur ende vendimi…

Jam njohur nga pronarët që ishin në gjyq. Jam njohur për çështjen.
Do ta kishit mbrojtur këtë çështje edhe në rast se do të bëhej fjalë për një familje që nuk do kishte lidhje me bashkëshorten tuaj?
Nëse do kërkonte angazhimin e presidentit pa dyshim. Gjatë këtyre viteve kam patur mjaft ankesa nga qytetarë të ndryshëm, të njerëzve që kanë mbetur pa të afërm dhe në mjerim të plotë, dhe jo vetëm unë, bashkëshortja ime gjithashtu.

Reagimi im, pas fjalëve të Ramës

Deklaratat tuaja publike janë shqetësuese në politikë.

Ka një sulm të pandërprerë politik që ditën e parë të kësaj qeverie, që s’ka ndodhur kurrë. Nuk bëj avokatin as të Berishës as të Topit, secili prej tyre ta bëjë vetë, por që terma dhe fyerje që janë përdorur nga presidentë ndaj kryeministrave nuk do të dëgjohen nga Bujar Nishani. Pse ky sulm i organizuar? Nuk ka pasur në historinë e pluralizmit shqiptar, sa herë që presidenti kthen një ligj në parlament, sa herë që presidenti conte një dekret, askush nuk merrej me dekretin, argumentat por në mënyrë të organizuar me fyerjet ndaj presidentit, sa i shëmtuar dhe i bukur ishte presidenti, si ecte presidenti, në mënyrë të përsëritur, çdo dy muaj ndaj presidentit, familjes dhe fëmijëve të tij. Ai reagim ka qenë pas 30 min pas një telefonate të papranueshme mes Kryeministrit dhe Presidentit. Kisha dëgjuar që Kryeministri telefonon gjyqtarë dhe prokurorë, por nuk e kisha besuar dhe i kisha quajtur të ekzagjeruara, por jam tronditur nga tonet dhe fjalët e përdorura atë natë ndaj Presidentit, një fjalor i papranueshëm.

 

Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s