Artikulli i mëposhtëm njofton se qeveria ofron një afat të ri për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Ndërkohë që pronarët e ligjshëm vazhdojnë të merren nëpër këmbë…
——————————————————————————————————————————–
Nga Eva Hoxha, Gazeta Shekulli, 20 Shkurt 2015

Qytetarët që nuk kanë pronësi mbi truallin e blerë në zonat bregdetare, duhet të paraqiten pranë ALUIZNI-t
Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame, njoftoi sot për rihapjen e procesit të vetëdeklarimeve në zonat bregdetare. Të gjithë qytetarët që kanë blerë në bregdet apartamente nga subjekte ndërtuese, të cilët nuk kanë pronësi mbi truallin, do të kenë mundësinë që brenda 60 ditësh të dorëzojnë pranë zyrave të ALUIZNI-it kërkesën për t’u bërë pronarët të truallit.
“Qytetarët që nuk kanë pronësi mbi truallin e blerë në zonat bregdetare, duhet të paraqiten pranë zyrave tona, nga 23 shkurti deri në 24 prill të këtij viti”, tha Lame.
Lame theksoi se vitin që shkoi u miratuan ndryshimet që e bënin të mundur zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa sot ai lajmëroi për hapjen e afatit të ri të kërkesave të qytetarëve, për blerjen e truallit.
“Deri tani kanë aplikuar 91 subjekte, për rreth 1200 apartamente që i kanë blerë e nuk i regjistrojnë. Janë edhe qindra të tjerë që nuk munden t’i regjistrojnë këto prona. Këto apartamente gjenden në zonat e plazhit”, tha Lame.
Informacione të mëtejshme mbi dokumentacionin e nevojshëm për këtë proces, do t’i gjeni nga nesër, në faqen zyrtare të ALUIZNI-t.