Botuar në Tirana Observer News, 18 shkurt 2015
Nga Drini Pilkati
Që në Greqinë e Lashtë, demokracia është një koncept i gjërë dhe etimologjik. Në formën e tij më të saktë, ai duhet garantojë një seri të drejtash të qytetarisë, ato civile, sociale, politike, etike dhe ekonomike. Elementi themelor ekonomik i demokracisë është prona private. Ajo është një institucion social, por edhe një e drejtë njëlloj si pavarësia. Më e shtrenjta veti e pronësisë, është e drejta e trashëgimisë që nga antikiteti. Megjithë konfliktin e tij mbi historinë e pronës, edhe Robespieri në Francë u bind për ligjmërinë e pronës private, duke përcaktuar drejtë më pas edhe katër parimet kryesore të saj përsa më poshtë:
1. Prona private është e drejta e çdo qytetari të gëzoj dhe disponoj pjesë pasurie që i është garantuar nga ligji.
2. Ligji përcakton mënyrat e blerjes, gëzimit dhe limitet e saj.
3. Ajo është një e drejtë ekonomike relative dhe si e tillë nuk mund të paragjykoj lirinë, sigurinë e pasurisë së të tjerëve.
4. Çdo posedim, trafik që dhunon këto parime është jo ligjore dhe imorale.
Prona private është një e drejtë absolute, subjektive, por edhe një pretendim juridik i titullarit të saj. Ajo është guri themelor i çdo shoqërie, i përcaktuar rigorozisht në të drejtën ndërkombëtare. Me pronën lidhet njohja e historisë, traditave dhe zakoneve të një populli.
Prona private edhe në Shqipëri ka historinë e saj. Që nga koha e Perandorisë Otomane, titujt e pronësisë ishin përcaktuar me përpikmëri dhe drejtshkruar në osmanisht, me një kaligrafi artistike, të denjë për mburrjen shekullore të kësaj Perandorie. Megjithë mangësitë ekonomiko-kulturale pas perëndimit të kësaj Perandorie edhe noterët e paktë që ekzistonin në Shqipëri, janë munduar të rregullojnë drejt marrëdhëniet ligjore mbi pronën private. Për këtë arsye, ata kishin krijuar një hipotekë të saktë edhe në gjuhën shqipe. Prona private nuk mund të lindë, të tjetërsohet apo të dhurohet nga politika, e çfarëdolloj ngjyre qoftë, pasi ajo është një e drejtë juridike shekullore e njerëzimit. Mbas Luftës së Dyte Botërore, në vitin 1946 diktatura komunisten bëri “Reformën Agrare”, me të cilën tokat private në fshat, ja dhuroi fshatarëve me tituj të paligjshëm. Ndërsa pronat private në qytete i shtetëzoi dhe dhunoi, njëlloj si në vendet e tjera të kampit socialist. Megjithatë fiksasionin i përjetësisë së kësaj diktature, Enver Hoxha i mbylli dhe ruajti titujt e pronësisë në Arkivën e Shtetit. Më të çuditshme ishin qëndrimet e qeverive “demokratike” apo “Socialiste” në çerek shekullin e fundit. Gjatë kësaj periudhe, të gjithë parlamentarët e ngjyrave të ndryshme politike, filluan jetën e tyre parlamentare me aprovimin e ligjit 7501 mbi pronat. Ky ligj ishte i barabartë në formë dhe përmbajtje me reformën agrare të vitit 1946 të diktatorit Enver Hoxha, pasi së pari i hoqi përfundimisht të drejtën mbi pronat pronarëve të tyre të ligjshëm dhe së dyti lidhi në mënyrë të pazgjidhshme lëmshin e pronave. Këto prona ja dhanë në fillim në përdorim përkrahësve të tyre, të ardhur nga katër anët e Shqipërisë. Të dy këto ligje, në kohë të ndryshme kanë dhunuar njëlloj pronën private në Shqipëri. Ky është kufiri i ndarjes përfundimtare të Shqipërisë nga bota, pasi është kushti kryesor i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Historia e këtyre pronave të vjedhura, të dhunuara dhe pastaj të falura nga politika shqiptare e të gjitha ngjyrave, është bërë mall që këmbehet vetëm me vota për mbijetesën e saj. Nga njëra qeveri në tjetrën ndryshon vetëm ngjyra, por qëllimi i pronës ngelet i njëjtë, dhunimi dhe shitja jashtëligjore e saj. Kjo po realizohet përfundimisht me shpërblimin qesharak që ka vendosur Qeveria e sotme. Megjithë dëshirën pak a shumë pozitive të saj, çmimet dhe sasitë e shpërblimeve ngelen shumë qesharake. Ato nuk arrijnë as çmimet e aprovuara prej kësaj Qeverie sipas zonave, në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ky është një ç’vlerësim total i pronës, të cilën poseduesit e tyre të paligjshëm pasi e rivlerësuan me ndërtime të paligjshme, po e blejnë së dyti në mënyrë të paligjshme me çmime qesharake. Këtë nuk e bëri as diktatura më e egër komuniste, si ajo e Enver Hoxhës, pasi nuk kishte nevojë për vota. Si bashkëtrashëgimtarë i 4500 metrave katror brenda qytetit të Tiranës, preferoj t’i drejtohem edhe unë Gjykatës së Strasburgut, për të fituar të drejtat mbi këtë pronë, se sa 200 metrat që ofron Qeveria për dëmshpërblim me çmime qesharake. Për ti arritur këtij qëllimi duhet organizuar edhe një “Class Action”, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Kam bindjen se ky aksion do të mbështetet edhe nga Europa, pasi ky është një nga kushtet që Europa i ka vënë çdo qeverie Shqiptare. Për këtë arsye unë ofroj të gjithë mundësitë e mia intelektuale dhe ekonomike.