Qato: Fatura e kompensimit të ish-pronarëve kalon buxhetin e shtetit të një viti

Qeveritë vazhdojnë të flasin për “ish” pronarë, të mohojnë kthimin, të harrojnë kompensimin fizik dhe të shtyjne pa fund kompensimin financjar…

————————————————————————————————————

Botuar në Dita, 15 janar 2015

Ish-pronarëve do t’ju duhen edhe disa vite që të kompensohen. Kështu ka deklaruar drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato në një intervistë për “TemA TV”. Sipas Qatos, kompensimi i ish-pronarëve tejkalon buxhetin e një viti, ndaj dhe qevria po punon për hartimin e  një ligji të ri , ku do të përcaktohet edhe mënyra e kompensimit të tyre. Qato thekson se qeveria mbetet e angazhuar  për zgjidhjen e problemit të pronave, teksa  ka sqaruar se shumë shpejt në Shqipëri pritet të mbërrijë një delegacion  me përfaqësues së BB-së dhe KE-së për t’i dhënë  zgjidhje dhe trajtim kësaj problematike.

Nga Anisa Xhani

Znj.Qato, institucioni juaj  përgjatë këtij viti ka publikuar rreth 9000 dosje të pronave të rregjistruara nga viti 1993. Si do të procedohet më tej me këto prona?

Gjatë vitit 2014 Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndërrmori një nismë e cila kishte të bënte me realizimin e një transparence, pas një mungese të gjatë transparence  në këtë institucion mbi procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.Parë dhe njohur me gjendjen ku ne nuk kishim asnjë të dhënë satistikore dhe nuk kishin asnjë datë të konfirmauar se çfarë ka ndodhur me procesin dhe kthimin e kopensimit të pronave përgajtë 21 viteve, nga një proces i nisur zyrtarisht në vitin 1993, ne morëm përsipër të bënim këtë transparencë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përgjatë 2014-tës mori përsipër të bënte pikërisht këtë transparencë.Në transparencën e realizuar kemi regjistruar rreth 49 mijë dosje të cilat janë regjistruar nga strukturat në fuqi ndër vite në këtë proces dhe 47 mijë vendime të dhëna në këtë hark kohor prej 21 vitesh. Ndërkohë, kemi regjistruar një numër të konsiderueshëm dosjesh pashqyrtim, ku janë rreth 9400 dosje të cilat presin një lloj vendimarrje nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dosje të cilat janë aplikuar prej vitesh pranë Agjencisë së Kompensimit të Pronave apo zyrave rajonale të hapura në çdo qark të vendit, por që nuk janë trajtuar asnjëherë me një vendim përfundimtar.Paralelisht me këtë proces transparence, ne kemi arritur të realizojmë edhe një grumbullim  të dosjeve që kanë të bëjnë me procesin e kthimit të pronave, por që nuk ndodheshin në arkivën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave , por në zyrat vendore të arkivës së shtetit apo pranë arkivave të bashkive kryesore.Ky është një proces  shumë i rëndësishëm dhe në funksion  të qytetarëve, pasi Agjencia në çdo proces verifikimi, iu drejtohej arkivave të shtetit dhe kjo ishte një procedurë që tejzgjatej, për konfirmimin dhe verifikimet tona në këto dosje. Ndaj mendoj se së fundmi kemi krijuar një arkivë tekniko-shkencore , e cila mban në vetvete, një informacion shumë të rëndësishëm mbi një process dhe mbi një reformë që ne duam të ndërrmarrim sëshpejti, pranë Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave në kuadër të këti ligji.

Çështja e pronës, një gangrenë e shoqërisë shqiptare. Si po operon institucioni juaj për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, i cili është edhe një pikë kyçe e axhendës së integrimit të vendit në BE?

Pronat kanë qenë një nga 12 rekomandimet të BE-së sigurisht është në vëmendjen e qevrisë dhënia e një zgjidhje  konkrete dhe reale çështjes së pronave.Tashmë është i ditur fakti që pronat përbëjnë një nga elementët më gangrenë dhe më problematikë , midis problematikave të shumta që ka vendi. Ndaj është shumë e rëndësishme dhënia e një zgjidhjeje të çështjes së pronave , jo vetëm për përmbushjen e kritereve të BE-së , por edhe për ti dhënë zgjidhje përfundimtare sqarimit të situatës së pronave në vendin tonë. Qeveria e ka konsideruar pronës si një nga 6 prioritetet e saj, ndaj edhe vëmendja e qeverisë Rama është goxha e madhe në dhënien e një zgjidhje  çështjes së pronave. Ne jemi duke operuar në një bashkëpunim shumë të ngushtë ndërinstitucional. Jo vetëm Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave , por edhe institucione të tjera që merren me çështjen e pronave, sic është ALUIZNI, siç është ZyraQendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo edhe agjenci të tjera. Kemi nisur një tërësi diskutimesh mbi bazën e një reforme që duhet bërë , por ne kemi marrë përsipër të realizojmë një reformë që përputhet me  rekomandimet e BE-së, përputhet me rekomandimet e lëna nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe vendimet e kushtetuese e nxjerra nga viti 1993 në vendin tonë , kemi një reformë që synon që të japë një zgjidhje konkrete kësaj çështje që është mbajtur zvarrë përgjatë këtyre viteve .

Shumë pronarë e kanë dërguar çështjen e pronës së tyre në Gjykatën e Strasburgut. A keni bërë ju një vlerësim të faturës me të cilën mund të përballet buxheti i shtetit?

Transparenca që realizuam përgjatë vitit 2014, krijimi i regjistrit themeltar të vendimarrjes, i ndërrmarrë në këto 21 vite n’a ka lehtësuar punën për të dalë me terma konkretë, në lidhje me faturën reale të kompensimit që shteti shqiptar ka ndaj pronarëve. Gjatë vitit të kaluar dhe në ditët e para të këtij viti jemi duke punuar intensivisht për të finalizuar këtë process, i cili është shumë i rëndësishëm për të krijuar ato mekanizma dhe instrumenta që na kërkohen  edhe nga KE edhe nga rekomandimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për t’i dhënë zgjidhje reale kësaj problematike. Kam përshtypjen se shumë shpejt qeveria do të dalë me një zgjidhje konkrete të cilën do ta çojë edhe në parlament nëpërmjet miratimit të një ligji të ri.Fatura e kompensimit, është një faturë që përmban në vetvete shumë komponentë, siç janë vlera ekonomike apo edhe vlera financiare e vlerësimit të këtyre pronave, ndaj ne jemi duke punuar shumë ngushtë me konsulentë të huaj të Bankës Botërore dhe KE-së, të cilët presim të na vijnë shumë shpejt për t’i dhënë  zgjidhje dhe trajtim kësaj problematike . Uroj që në muajt e parë të këtij viti të mund të dalim me terma konkret në lidhje me këtë faturë.

Ndonjë shifër paraprake?

Shifrat paraprake janë relative, dhe kanë të bëjnë me formulën që qeveria në fund  do të miratojë për të ekzekutuar, ndaj është paraprake nxjerrja e një formule nga ana ime.

Znj.Qato, sa do t’i kushtojë fatura e kompensimit të ish-pronarëve buxhetit të shtetit shqiptar?

Fatura e kompensimit ka një vlerë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.Është një vlerë që mund të tejkalojë edhe një buxhet shteti të një viti. Ne jemi duke punuar që  t’i japim një zgjidhje, e cila do të ketë një zgjidhje me një afat të përcaktuar të përfundimit të saj, por që sigurisht do të dojë të shtrihet në disa vite buxhetor në mënyrë që të mund të trajtojë të gjithë vendimet. Nëpërmjet regjistrit të krijuar ne kemi numëruar rreth 21 mijë vendime të cilat presin të kompensohen financiarisht, apo një nga mekanizmat që ligji i ri do të krijojë për t’i dhënë zgjidhje  këtij problemi. Ndaj konsideruar faktin, që numri i vendimeve është  shumë i madh , të cilat presin një zgjidhje dhe një lloj kompensimi nga ana e qeverisë, konsideruar faktin që nga viti 2005-2013 janë kompensuar pjesërisht vetëm 700 vendime do të thotë që mekanizmi që duam të krijojmë , do të jetë një mekanizëm që do të shtyhet në kohë, por që do të ketë sigurisht një përfundim të planifikuar, sipas instrumentave që do të dalin  nga ky ligj i ri.Por vlera është e konsiderueshme ndaj  nuk mund të ezaurohet brenda një viti, apo dy viteve. Do të duhet një periudhë kohore më e gjatë, për të përmbyllur këtë proces.

Institucioni juaj ka vënë theksin tek një kompensim kryesisht fizik të pronarëve , por edhe financiar.Si do të kryehet ky proces?

Edhe me ligjin që kemi sot në fuqi , format e kompensimit janë të ndryshme. Ekzistojnë rreth 6 mënyra kompensimi, ku më i kërkuarai nga pronarët është kompensimi fizik apo finaciar. Pastaj ka edhe mënyra të tjera kompensimi, siç është nëpërmjet obligacioneve, nëpërmjet pjesëmarrjes në privatizime apo edhe në mënyra të tjera.Vëmëndja jonë për momentin është e përqendruar tek kompensimi financiar dhe fizik për shkak se edhe nevojat në raport me interesin e tyre, në raport me këto dy mënyra kompensimi janë më të kërkuara.Megjithatë jemi duke bërë një vlerësim  të të dyja formave të kompensimit. Në fund të këtij vlerësimi do të shohim se çfarë mundësie për pronat ka shteti shqiptar për të iu’a lëvruar pronarëve,  çfarë vlere ekonomike do të kenë këto prona dhe sa mundësi kompensimi financiar do të ketë qeveria për tju dhënë pronarëve. Në një vështrim krahasimor midis dy llojeve të formave do të merret edhe një vendim se cilat do të jenë, edhe përqëndrimi i qeverisë në formën që do të zgjedhë për kompensimin e pronarëve, nëse do të jetë kompensim fizik apo kompensim financiar. Edhe sot ndodh një lloj kompensimi  në bazë të 21 mijë vendimeve që kanë dalë për kompensim. Qëllimi ynë është që reforma të sjellë një formulë  të re e cila do të përfshijë në një farë mënyre të 21 mijë vendimet për kompensim.Urojmë që ta realizojmë, ky është pikësynimi.

Në janar të këtij viti institucioni juaj ka hapur një aplikim për kompensim financiar t ëish-pronarëve për tokën truall , të shpronësuar për interes të investimeve. Si paraqitet fluksi i aplikimeve?

Në fund të muajit dhjetor qeveria miratoi  një vendim, i cili bëri të mundur  hapjen e procedurave  për shpërndarjen e një fondi për kompensimin e pronarëve në vlerën 300 milionë lekë.Procedurat i kemi nisur më datë 5 janar dhe në interesin e qytetarëve është se përfundojnë në datën 5 shkurt. Agjencia i ka dyert e hapura për të mirëpritur të gjithë qytetarët  e interesuar deri në datën 5 shkurt për të aplikuar për përfitimin e këtij fondi. Kërkoj të sqaroj qytetarët që do të bëhet kompensimi vetëm për zërin kadastral truall.Fluksi i qytetarëve të cilët  kanë aplikuar në zyrat tona gjatë kësaj jave kanë qenë  goxha i madh , rreth 500 aplikime. Fluksi do rritet dhe në fund të janarit , brenda një afati 1 mujor do të bëhet i ditur edhe numri i aplikantëve.

Ky zë u postua te Albanian Authorities dhe u etiketua si , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s